Home / Të ndryshme / Elshani: Skica javore

Elshani: Skica javore

 

Beqir Elshani

BeqirElshani

 

BeqirElshani: Skica javore

 

  1. Bashkëshortët

Bashkëshortët kërkojnë shkurorëzim, nuk janë të lumtur, prandaj prokurori në gjykatë i pyeti nëse me vete kishin marrë mobiltelefonat.

– Natyrisht që i kemi marrë, askund nuk dalim pa mobiltelefon, – u përgjigjën bashkëshortët.

– Atëherë, mund t’i lini mbi tryezën time, – kërkoi prokurori.

Ndërkohë bashkëshortët i nxorën mobiltelefonat dhe i vendosën mbi tryezë. Pastaj prokurori u tha se mobiltelefonët e tyre do të mbyllen në dollap për një muaj, në mënyrë që të shohin nëse me të vërtetë i plotësojnë kushtet për shkurorëzim.

– Ne asnjë orë nuk mund të rrimë pa mobiltelefon, prandaj nuk i lëmë, – u ankuan bashkëshortët.

– Kjo do të thotë që pa njëri tjetrin mund të qëndroni, kurse pa mobiltelefon nuk mund të qëndroni. Prandaj kësaj radhe do të provojmë si po kaloni pa mobiltelefon, pastaj herën tjetër mund të bëni shkurorëzimin tuaj, pasi që shkaktar i grindjes suaj po bëhet mobiltelefoni.

 

  1. Ulqinaku me flamur

Një ulqinak, në ditët e vështira të karantinës, me flamurin kuqezi u nis drejt Shkodrës, mirëpo për shkak të përhapjes së virusit pandemik, dogana e ndaloi në kufi.

– Ku po shkon në ditët e vështira me këtë flamur? – e pyetën doganierët në kufi.

– Po shkoj në Shkodër, t’ua çoj flamurin kuqezi për varrimin e aktorit të madh, Gëzim Kruja, – tregoi ulqinaku që trupin e kishte të madh si Muja kreshnik.

– Merreni me mend vëllezër, ulqinaku po na e sjellë flamurin kuqezi, kur dihet që vetëm Lezha Ulqinin e mbulon me flamuj kuqezi, – tha njëri prej doganierëve, duket se ishte shkodran.

– Na vjen keq, doganier, në lajmin e Televizionit Shqiptar pashë që aktor Kruja u varros me shami të gjelbër, prandaj po ua çoj që ta nderojnë sipas traditës shqiptare, – kështu e turpëroi ulqinaku Shkodrën.

 

  1. Mjeku dhe simulanti

Ndërkohë që mjeku e përfundoi vizitën me pacientin e parë, hyri një tjetër. Mirëpo i pari duke dalë prej dhomës mjekësore, në vend se mjekun ta përshëndet “Ditën e mirë!”, i thotë “Ti je gomar”. Atëherë vizitori i dytë qytetarin e qortoi që mjekun nuk duhet fyer, duhet nderuar.

– Po e fyej, për shkak se nuk po ma jep certifikatën që jam budalla, – kështu ia ktheu i sëmuri.

Më vete thashë, më zuri sherri. Vetë po deklarohet që është budalla, dhe ka punë me psikiatrin. Prandaj iu drejtua mjekut:

– Doktor, pse nuk po ia plotëson kërkesën të gjorit?

– …Më mirë e duroj sharjen e tij, se burgun! Ky njeri është i fortë si luani, mirëpo është simulant. Prandaj paraqitet vetëm sa për të marrë rrogë dhe një kujdestare për shoqërim, tregoi mjeku.

– Zotëri, keni të drejtë, edhe unë mendoj që mjeku është gomar, përndryshe do të lajmëronte organet policore që të merren me ty, – e qortoi qytetari duke e përkrahur qëndrimin parimor të mjekut, pastaj doli prej dhomës mjekësore.

 

  1. Hoteli në hapësirë

– Dëshiroj një dhomë për fjetje, – iu drejtua qytetari recepsionistit.

– Dëshironi të siguroni dhomë pesëditëshe në hotelin satelitor, ë? – pyeti recepsionisti.

– Jo, jo! Dua dhomë në tokë, nuk dua të thyej qafën në hapësirë, – ia ktheu qytetari duke ditur që sateliti nuk rri në tokë.

– Nëse ju duket shtrenjtë, ne mund t’u japim dhomë me kredi?! Prej së larti mund të shihni malet e larta të Himalajës, – tha me kënaqësi recepsionisti.

– Jo, jo…! As falas nuk pranoj të largohem prej tokës dhe të thyej qafën në hapësirë, jo më të paguaj një thes dollarë, – ia ktheu qytetari.

– Më vjen keq, zotëri, hoteli ynë quhet “Commercial Space Station” që siguron dhoma të fjetjes në hapësirë vitin e ardhshëm, – sqaroi recepsionisti. – Ne kemi falimentuar në tokë, prandaj po shkojmë të flemë në hapësirë.

– Shkofshi e mos u kthefshi! – tha me zemërim qytetari duke dalë prej hotelit të arkivoleve që bëhen me porosi.

 

  1. Ora e mbretit

– Sa kushton kjo orë e murit? – pyeti myshteriu duke shikuar orën në antikuarium.

– Kushton 999 euro, zotëri, – tregoi tregtari.

– Nëntëqind…, atëherë po e marrë, – tha myshteriu që nuk e kishte dëgjuar mirë çmimin.

– Zotëri, duket se nuk më dëgjuat mirë, ora kushton nëntëqindenëntëdhjetenëntë euro, – tha tregtari duke përsëdytur me kujdes çmimin. Tani priste vendimin nëse tregtari e ka dëgjuar mirë çmimin.

– Më falni, nuk ju dëgjova mirë! Është orë me bateri apo me lavjerrës? – vazhdoi të pyes myshteriu.

– Më vjen keq, zotëri, ora nuk punon fare: as me lavjerrës, as me bateri, – tregoi tregtari.

– Pasi nuk punon, pse atëherë e keni vënë në shitje? Unë as falas nuk do ta merrja këtë rradake, jo më për 999 euro, – tha myshteriu me zemërim.

– Gaboni, zotëri. Shikojeni emrin prapa që të dini e kujt ka qenë ora, para se të vinte në këtë shitore. Prandaj shitet si dekor, dhe jo si njësi matëse e kohës, – shpjegoi tregtari.

Ndërkohë myshteriu e kthen orën prapa dhe e lexon që ora ka qenë e mbretit.

– I nderuar, unë nuk jam koleksionist i rradakeve, jam punëtor, prandaj ora më duhet për të më treguar kohën, jo për të ma zbukuruar dhomën. Besoj se më kuptuat?! – tha myshteriu duke ia kthyer shpinën antikuariumit.

– Zotëri tregtar, a do të blije ti këtë rradake qoftë edhe 10 euro të kushtojë? – ndërhyri një myshteri tjetër, kur pa tollovinë rreth orës së vjetër.

– Të them të drejtën, unë as falas nuk e merrja, mirëpo ashtu siç ka njerëz të mençur si ti, ka edhe budallenj që magjepsen pas rradakeve të mbretit, – tregoi tregtari duke ua kthyer shpinën.

 

6. Ambasadori i Kosovës

Lexues të nderuar, në fillim të shkrimit parashtrohet pyetja, a ka ndonjë gabim në fjalinë: ”Ta q(…) Frankfurtin e nënës”. Duket qartë që në këtë fjali gabime gramatikore nuk ka, mirëpo ka gabim etik, sepse një ambasadori shtetëror nuk i ka hije të fyej të tjerët. Që fyerja nuk është vetjake, tregon se ambasadori nuk e shanë ndonjë individ, që e ka lënduar, por mbarë qytetin, jo të vogël, por Frankfurtin e madh dhe të lavdishëm të artit. Pastaj për të sharë një qytet të madh gjerman, thuhet se njeriu duhet të ketë koqet e dashit, kur dihet që ai nuk i ka as të lepurit, sepse nuk është ambasador i Danimarkës apo i Suedisë me kapacitet të madh diplomatik, por i Kosovës së dobët. Me të drejtë populli thotë shtriji këmbët sa ke jorganin. Prandaj ambasadori i Kosovës të mos shpenzojë kot energjinë mbi mesataren e forcës diplomatike të Kosovës, sepse Kosova nuk e ka kapacitetin e fuqishëm diplomatik dhe ekonomik për të kritikuar, jo më për të fyer ndonjë vend, siç është Frankfurti, përndryshe qendër e rëndësishme ekonomike dhe kulturore në Gjermani.

 

  1. Rrena ditore

– Kushëri, më prit këtu në kafene, derisa të shkoj në librari për të blerë një libër, dëshiroj të tregoj një ngjarje të rëndësishme, – kështu i tha simpatizanti i Vetëvendosjes simpatizantit të PDK-së. Duket qartë që simpatizanti i Vetëvendosjes shkoi udhës së vet dhe nuk u takua me kushëririn në kafenenë e qytetit, që të kujton anekdotën e Nastradinit. Të nesërmen kushërinjtë u takuan, ndaj simpatizanti i PDK-së e qortoi për mosardhjen e tij, atëherë simpatizanti i Vetëvendosjes ia ktheu:

– Kushëri, Bashkimi Europian qe dy vjet po e rren Kosovën për heqjen e vizave dhe nuk po zemërohesh, kurse për rrenën time njëditëshe, jo vetëm që po zemërohesh, por edhe po tronditesh.

 

8. Dinjiteti dhe integritetit

Herën e kaluar, Isa Mustafa në fushatën zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të Gjakovës, ka thënë: “T’ia kthejmë prapë shpirtin Gjakovës”. Prandaj sipas deklaratës së bujshme të kryetarit të LDK-së, duhet gjetur fajtorin që ia ka marrë shpirtin Gjakovës për ta vënë para drejtësisë. Deklarata e Mustafës mund të jetë ironi metaforike për pozitë në pushtet, përndryshe askush nuk ia mori shpirtin, jo vetëm Gjakovës, por asnjë qyteti në Kosovë. Ngjashëm deklaruan edhe kandidatët në Prizren dhe në Elezhan, të cilët në fushatën e zgjedhjeve për kryetar të komunës deklaruan se do t’ia kthejnë dinjitetin. Prandaj edhe këta kandidatë duhet treguar se kush ua mori dinjitetin qyteteve, për ta vënë para drejtësisë. Tani pritet që pas Gjakovës, Prizrenit të vijë edhe ndonjë kandidat për kthimin e integritetit të komunës. Ndryshe me Isa Mustafën, një kandidat tjetër në garën për kryetar të Prishtinës ka premtuar se me zgjedhjen e tij Prishtina gjatë dimrit do të ketë patinazh, ndërsa gjatë verës teleferik si dhe ajër të pastër. Prandaj qytetarët prej tri premtimeve të kandidatit për kryetar shpresojnë që synimi i fundit për ajër të pastër do të plotësohet patjetër, meqë edhe ashtu kryeqytetit i mungojnë oxhaqet e fabrikave që vjellin tym.

 

  1. Nostalgjia

Dashuria platonike ndaj kultit të kujton vargun poetik në mesjetë, në të cilin njerëzit e dhënë pas pijes thoshin “Kur të vdes, dëshiroj të varrosem te burimi, atje ku gjendet vena”, me anën e së cilës i drejtohet zotit. Prandaj kur të vdesin dashnorët jugosllavë, sado vonë, dëshirojnë të varrosen atje ku gjendet i ati i tyre, Tito.

 

  1. Kthimi i kryetarit në shtëpi

Nuk ka asnjë dyshim, me vend është deklarata e kandidatit të LDK-së për kryetar të Prishtinës, i cili gjatë vizitës në lagjet e Prishtinës ka thënë se do ta dërgojnë në shtëpi atë që nuk bëri asgjë për Prishtinën. Dihet, synimi i tij është largimi i ish-kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti. Megjithatë, sipas retorikës së tij, vetë kandidati i LDK-së duhet të shkojë në shtëpi. Nëse të reshurat atmosferike me breshër e dëmtojnë fushën, atëherë nuk dëmtohet vetëm një fshat, por një vend bukur i madh. Prandaj nuk duhet harruar se të gjithë kandidatëve u takon të shkojnë në shtëpi, jo vetëm ata që nuk i duan, siç është Vetëvendosja. Sa i përket mosrealizimit të planit për ndërtimin e objekteve arsimore dhe shëndetësore, si dhe qendrat e rekreacionit sportiv, do ta kenë trashëgim nga të parët e tyre, sepse qysh ua kanë lënë të parët, do të veprojnë edhe të dytët. Nuk thotë kot populli “dardha nën dardhë bie”, prandaj edhe i dyti do të veprojë si i pari.

 

  1. Bisedë për mjedisin shqiptar

“Ne e kemi mjedisin natyror më të pastër se në Shqipëri”, kështu e hapi bisedën një qytetar. “Domethënë ti je serb ose bullgar që mburresh me mjedisin e vendit tënd”, ia ktheu shkodrani, duke dyshuar se është banor i vendeve fqinje. “Jo, jo, edhe unë jam shqiptar, mirëpo mendova për vendin tim, Kosovën”, tregoi qytetari nga Kosova duke u munduar të arsyetohet. “Mirëpo atëherë duhet të thuash se mjedisi natyror i Kosovës është më i mirë se i Mirditës; sepse të dyja janë toka shqiptare, që padrejtësisht i ka ndarë diplomacia europiane”, – e këshilloi shkodrani. Prandaj Kosova dhe Mirdita janë motra shqiptare, përndryshe bijë të Shqipërisë amë.

 

  1. Piktura utopike

Kam shikuar një pikturë utopike të piktorit amerikan, William Penns (1800), në të cilën tregohet traktati i nënshkruar me indianët indigjenë në vitin 1682 në mjedisin e rrethuar e të idealizuar ku paraqiten kafshët, siç janë demi me brirë qëndron pranë luanit dhe tigrit. Në ceremoninë e paqes gjenden viçat, delet, qengjat, gomari, nëna me dy fëmijët, kurse pushteti është përqafuar me indianët, amerikanë të veshur përballë indianëve, po ashtu të zhveshur. Kur njeriu e shikon foton, fiton përshtypjen se brirët e mëdhenj me dhëmbë dhe me shputa të fuqishëm të luanit e të tigrit nuk e garantojnë paqen.

 

  1. Pyllëzimi dhe shpyllëzimi

Pyllëzimi dhe Shpyllëzimi po bëjnë gara, cili prej tyre pyllëzon dhe shpyllëzon më shumë sipërfaqe. Qytetarët e pranishëm thanë që pyllëzimi do të dalë fitues, mirëpo ndodhi e kundërta, shpyllëzimi doli kampion botëror. Duket qartë që njerëzit më me ëndje dëshirojnë të prenë drurë, se të mbjellin. Shembull konkret është liqeni Viktoria në Afrikë, qeveria ngutet ta thajë liqenin me gjithë male, kurse nuk ndërmerr masa që liqeni të furnizohet me ujë dhe mali të mbillet me drurë.

 

14. Vjedhje e madhe

Në prill të vitit 2017 shtypi i vendit shkruante për një zyrtar që ka bërë vjedhje të madhe në një bankë në Maqedoninë Veriore, i cili ka marrë hiç më pak se 2 milionë franga zvicerane dhe 270 mijë euro pastaj është zhdukur. Uroj që hajduti të jetë serb ose grek dhe pa gjemb në këmbë shpëton prej ndjekjes policore, ashtu siç po shpëtojnë kriminelët serbë, të cilët kanë vrarë njerëz të pafajshëm shqiptarë e boshnjakë dhe askush prej tyre nuk po dënohet.

 

  1. Menyja e “Titanikut” legjendar

Në shtypin suedez “Metro” shkruan se si në shpallje shitet menyja e restorantit të anijes “Titanik” që ka shpëtuar nga katastrofa më 4 prill 1912, në të cilën tregohet programi i ushqimit “Moltid” me patate të fërguara me mish gjedhi, me mish derri dhe me mish peshku; pastaj me margarinë dhe lloje tjera të djathit. Duket se në fund do të ketë sukses të shitet dokumenti i vjetër 100-vjeçar i ushqimit, mbase për 100 mijë funte. Prandaj koleksionisti që e blen, do të heq një pjesë të ushqimit prej familjes. Vlen të përmendet se vlera e menysë ushqimore e “Titanikut” të fundosur është e barabartë me çmimin e banesës dy dhomash në Stokholm. Prandaj më mirë do të ishte që me ato para të ushqehen banorët e uritur në vende të ndryshme të botës, se në dhomën e koleksionistit të mbahet një dokument “0” zero.

 

  1. Pakoja e Parlamentit Europian

Pakoja e PE është shumë madhe për Kosovën, nuk e zë as kamioni transportues, kështu thonë ata të Bashkimit Europian. Një ditë në aeroportin e Prishtinës erdhi një përfaqësues i PE-së, ndaj një gazetar e pyeti, se kur do të vijë pakoja e madhe për Kosovën.

– Ç’ po pyesni, unë pakon e kam me vete, nuk është ndonjë fabrikë sa të mos ma zë çanta, – u përgjigj ministri europian.

– Më vjen mirë, zotëri ministër, por ju thoshit që nuk e zë as kamioni, kurse tani po na e sillni me çantë. Tani as çantës suaj nuk i besojmë, sepse mund të jetë ndonjë bombë e kurdisur në dëm të Kosovës, pasi që më shumë po e doni Serbinë imperialiste se Kosovën çlirimtare.

 

  1. Unë…

Shoqatat për mbrojtjen e mjedisit natyror e njerëzor në Suedi kanë rroba speciale, me firmën prapa shpine “Unë ndihmoj”, prandaj këshillohet që zyrtarët shtetërorë, të cilët plaçkitin popullin të mbajnë rroba speciale me mbishkrimin “Unë plaçkit”, pse jo edhe mbishkrimi tronditës “Unë dhunoj”, besa edhe “Unë vras”, në mënyrë që njerëzit të parandalojnë me kohë rrezikun. Sa i përket policëve, që pa shkas njerëzit i vrasin në rrugë duhet të kenë firmën “Unë vras”, në mënyrë që të ketë më pak pasoja.

 

  1. Konsumimi i boronicës

Sipas një studimi nëse njeriu në mëngjes konsumon frutat e boronicës do t’ia ndalojë lodhjen deri në mesditë, pastaj mund t’ia zhvillojë inteligjencën si dhe të stimulojë qarkullimin e gjakut dhe oksigjenit për përmirësimin e kujtesës për disa orë më shumë. Kjo e fundit vlen për studentët në prag të provimeve, të cilët me anën e përdorimit të boronicës mund të përmirësojnë aftësitë e tyre gjatë provimeve apo gjatë ditëve të gjata dhe të mundimshme në punë. Jo vetëm kaq, sepse doktori, i cili ka bërë hulumtime, tha se ata që nuk përdorën lëngun e boronicës patën një rënie të efektit në testet e inteligjencës pas 5 orësh, nga 14 në 21%. Sipas këtij lajmi, fajtor për rezultatin e ulët mësimor të nxënësve në PISA është Ministria e Ushqimit për mungesën e boronicave në tregun e Kosovës.

 

  1. Eskorta e kryetarit

Në faqen shtypit “Botasot” lajmi më i lexuar ka qenë ”Aksidentohet eskorta e kryetarit – Thaçi”, që ka ndodhur në muzgun e mbrëmjes. Mirëpo nuk dihet nëse lexuesit e kanë lexuar me interesim për lëndimin e eskortës, apo për shpëtimin e saj, sepse pikërisht me gabimet e kryetarit të Kosovës po vuan populli dhe Kosova po dëmtohet. Siç dihet, kërkesat e popullit nuk po merren parasysh, prandaj populli po lutet për largimin e qeverisë së korruptuar, siç thuhet prej Isës deri te Hashimi.

 

  1. Pas tërmetit në Durrës

– Ku po shkon me kartonë të mëdhenj, mik? – e pyeti dibrani mikun e tij.

– Po i marr me vete, do të ndërtoj një kasolle si të Diogjenit në plazhin e Durrësit?! – tregoi miku.

– Si… ashtu, kur në Durrës ka ndërtesa të bukura, kurse ti ndërton kasolle me kartonë? – ndërhyri miku i habitur.

– Në kasollen time prej kartoni edhe në ndodhtë tërmeti, nuk më mbyt, ndërsa pallatet e Durrësit që me fasadën e jashtme shkëlqejnë në diell e në hënë, besa edhe në fund të detit vezullojnë, mirëpo u mungon skeleti i armaturës, dhe prej tërmetit sado të vogël, shumëkatëshet bien përtokë, – tregoi dibrani që ishte tronditur për shkatërrimin e ndërtesave nga tërmeti në Durrës.

Suedi, 8.04.2020

 

 

About admin

x

Check Also

Befason Florian Marku: Truprojat e McGregor janë shqiptarë

May 21, 2020 “Luftëtari” shqiptar që garon në kategorinë MMA (Artet Marciale ...