Home / Lajme / Anekdota për gjendjen aktuale në Kosovë

Anekdota për gjendjen aktuale në Kosovë

Beqir Elshani

1. LAJM I VITIT

– Cili lajm i vitit ju ka mërzitur më së shumti? – e pyeti gazetari kryeredaktorin e faqes popullore albaniapress.

– Dihet, lajmi për liberalizimin e vizave ka qenë mizë kali për Kosovën, pasi që sipas proverbit shkova me kalë, erdha me gomar, Kosova as macen nuk e fitoi, – tregoi kryeredaktori i albaniapress-it.

2. INTEGRITETI

– Çka po kërkon me fener në dorë? – e pyeti shoku i dhomës gjatë natës.

– Më ka humbur integriteti… nuk e gjej dot, – tha shoku i tij.

– Lëre… e gjen nesër për drite, se nuk të ikën, – ia ktheu i pari.

3. REVOLTA

– Cilit duhet besuar, kryetarit që bërtet në kuvend, apo popullit që revoltohet në rrugë? – pyeti i biri babain e tij.

– Popullit që revoltohet në rrugë, pasi që kryetarit ia sheh më mirë hilet, – ia ktheu babai.

4. MOCIONI

– Xhaxha, a u trondite kur mocioni i kuvendit e rrëzoi Albin Kurtin, kryeminstër? – e pyeti me keqardhje nipi.

– Përkundrazi, do të  habitesha po të mos e rrëzonte mocioni i hajdutëve Albin trimin, – tha me gjakftohtësi xhaxhai.

5. UJQ APO LEPUJ?

– A më shumë ka ujq në Kuvendin e Kosovës, apo lepuj? – e pyeti qytetari i dëshpëruar avokatin e popullit.

– Po të kishte ujq në Kuvendin e Kosovës, Serbia moti do ta njihte pavarësinë e Kosovës, – ia ktheu avokati i popullit.

6. REVOLTA

– A gjendet ndonjë trim që Isës dhe Hashimit ua thyen hundët? – pyeti një zonjë e revoltuar.

– Po janë gazetarët, që me shkrimet e tyre ua thyejnë jo vetëm hundët, por edhe këmbët, në mënyrë që kurrë të mos ngjiten në kuvendi republikan, – shtoi tjetra.

7. FJALË TË PANJOHURA

– A keni hasur ndonjë fjalë të panjohur në teve dhe në shtypin tonë? – i pyeti arsimtari nxënësit.

– Si jo, arsimtar, nuk dimë çka domethënë fjalët “gjinja” dhe “gjaja”? – thanë njëzëri nxënësit.

– Ehe, “gjinja dhe gjaja” janë arkaizma që shpeshherë i përdorin deputetët në kuvendin e Kosovës, prandaj shqip thuhet “njerëzit dhe kafshët”, – shpjegoi arsimtari.

– Prandaj ne jemi njerëz, kurse ata… janë kafshë, – ia kthyen nxënësit me zemërim.

TARANTELA

– Ç’do të bëje nëse në shtëpi e has tarantelën? – e pyeti njëri mikun e tij.

– I lajmëroj ekipin shpëtimtar, – tregoi miku i tij.

– Mirëpo tarantela nuk është kafshë helmuese, – ia ktheu i pari.

– Ku marrë vesh unë nëse është tarantela apo akrepi, – tha miku i tij.

9. PROTESTA FISNIKE

– Për çka po protestojnë qentë? – pyeti kryetari i bashkisë, kur pa qentë duke lehur me ritëm në rrugë.

– Qentë protestojnë kundër përtacëve për shkak se gjelave po ua ndalojnë kikirikun. Prandaj nëse gjelat dënohen, atëherë edhe qentë nuk do të lehin kur ujku ua sulmon bagëtinë, – tregoi veterinari që e njihte gjuhën onomatopeike të kafshëve.

10. KORONAVIRUSI

– Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës është matematikan i aftë, – tha një qytetar.

– Nga e di që Ministri i… është matematikan i aftë? – ia ktheu tjetri.

– 20 persona të infektuar me koronavirusin i ka shumëzuar me 10, dhe rezultati katërçipërisht ka dalë me 200 persona të infektuar, – tregoi i pari.

11. BAKTERIA

– Sa qeliza i ka një baktere? – e pyeti nxënësin arsimtari i biologjisë.

– Arsimtar, të them një qelizë, ma shënon njësh në ditar, të them pesë, mbase marrë pesëshe… prandaj po them pesë qeliza, – u përgjigj nxënësi.

– Më vjen keq, po të thoshe të parën, do të merrje notën pesë, – ia ktheu arsimtari.

12. SHTERPËSIA

– Toka që nuk prodhon, bimët dhe pemët që nuk lidhin kokrra, pela, dhia dhe lopa që nuk pjellin dhe gruaja që nuk lind fëmijë, quhen mashkullorë, – tregoi një plak.

– Unë mendova se quhen shterpë, – ndërhyri tjetri.

13. DALLIMI I GJYKATËS

– Ku është dallimi i Gjykatës së Kosovës me Gjykatën e ShBA-së? – e pyeti gazetari avokatin.

– Dallimi është se në Gjykatën e ShBA-së vrasësi i bashkëshortes apo vrasësja e bashkëshortit dënohet me burg të përjetshëm, kurse në Gjykatën e Kosovës dënohet 10 vjet burg, pastaj kryetari i qeverisë ia falë gjysmën, – tregoi avokati.

– Prandaj kryetari i shteti në vend se ta ulë vrasjen, e nxit, – shtoi gazetari.

14. HUMBJA E BESIMIT

– Unë as bari nuk e kisha besuar Edi Ramën, jo më kryeministër të shtetit, për shkak se delet do t’ia jepte ujkut, pulat dhelprës, kurse bereqetin do t’ia jepte derrit të egër, – tha tiranasi i revoltuar ndaj bëmave të zeza të Edi Ramës.

– Siç po shihet, Edi Rama di të flasë serbishten e Dervish Goxhulit, – ia ktheu tjetri.

15. TAJFUNI

– Çka duhet bërë nëse tajfuni ta merr kulmin e shtëpisë? – e pyeti njëri fqinji e tij.

– Duhet lajmëruar zjarrfikësit për shpëtim, – tha fqinji.

– Jo, duhet të mbahesh për trungun e pemës, që të mos fluturosh pas kulmit, – ia ktheu i pari.

16. SHTËPIA E MADHE

– A mund të dish, cila është shtëpia e kryetarit? – e pyeti prishtinasi fqinjin.

– Shumë lehtë. Shtëpia e madhe është e kryetarit, e vogla e kryeministrit, – u përgjigj i dyti.

– Kujdes, kryeministri nuk ka shtëpi, – kundërshtoi i pari.

17. GOJËZA PËR LUANIN

Kur edukatorja e pyeti fëmijën parashkollor se a është më mirë që njeriu të vishet si prift dhe të qëndrojë me luanin, apo t’i vë gojëzën në turinj, fëmija tha:

– Më mirë është që luanit t’i vësh gojëzën turinjve, pastaj vishu si të duash.

18. MAÇOKU TRIM

– Ky maçok është shumë i zoti, në shtëpinë time e ka mbytur gjarprin, – tregoi pronari për shitjen e maçokut.

– Mirëpo unë dua të blejë një maçok që gjuan minj, jo që shet trimëri, – ia ktheu myshteriu.

19. EPOKA E GURIT

– Cila epokë është më e vjetër: e gurit, e bronzit apo e hekurit? – e pyeti arsimtari nxënësin.

– Epoka e hekurit është më e re, – u përgjigj nxënësi.

– Të lumtë, përgjigje me stil, – e vlerësoi arsimtari.

20. CINIZMI

– Unë legenit nuk i bie me dorë, i bie me shkop, – tregoi me krekosje një pacifist.

– Mirëpo me se e mban shkopin? – ndërhyri tjetri.

21. FESTË PËR VDEKJEN

– E di që ka festë kombëtare dhe fetare, mirëpo a mund të ketë edhe festë për vdekjen e njeriut? – e pyeti nxënësi arsimtarin.

– Po, pikërisht vdekja e tradhtar Morinës festohet, – tregoi arsimtari.

22. VRASJA

– Ku është dallimi në mes politikanëve dhe narkomanëve? – e pyeti gazetari publicistin.

– Politikanët vrasin popullin, narkomanët vrasin njëri-tjetrin, – u përgjigj publicisti.

23.AGAMEMNONI

– A të pëlqeu filmi “Lufta e Trojës”? – e pyeti një grua fqinjën e saj.

– Më pëlqeu kur Klitemnestra e vrau Agamemnonin egoist me gjithë Kasandrën, – tha fqinja.

24. PROVOKIMI

– Cili prej tyre është tradhtar i vendit: Hashim Thaçi apo Isa Mustafa? – e pyeti arsimtari i gazetarisë studentin.

– Të dy janë tradhtarë, – u përgjigj studenti.

– Po të thoshe për të parin, do kaloje provimin, – tha arsimtari.

– Atëherë të tre jeni tradhtarë të vendit, – ia ktheu me zemërim studenti.

25. KORONAVIRUSI

– Ç’është koronavirusi? – e pyeti arsimtari i mikrobiologjisë studentin.

– Koronavirusi është njësi e vogël biologjike që zhvillohet në organizmat e gjalla dhe shkakton sëmundjen ngjitëse, – u përgjigj studenti.

– Kujdes, djalosh! Koronavirusi është armë biologjike që vret dhe bën kërdi në popull, – e qortoi arsimtari studentin.

26. DIPLOMACIA ME VIRUSIN

 – A duhet të ruhemi prej diplomacisë serbe apo prej koronavirusit? – pyeti njëri shokun e tij.

– Të dyja janë me pasoja të rrezikshme, prandaj prej të dyjave duhet të ruhemi, – u përgjigj i dyti.

27. VESI I KEQ

– Kam një ves të keq, me gishtin pushkës e kruaj hundën, – tregoi njëri para mikut të tij.

– Mos deshe të thuash me gishtin e shëllirës?! – e qortoi miku i tij.

28. HEM…HEM

– A dëshiron ta kesh shtëpinë afër mjekut, apo afër Sokratit? – e pyeti njëri mikun e vet.

– Afër Sokratit… ky i fundit është hem mësues, hem mjek, – u përgjigj miku i tij.

29. FRAZA E LUTJES

– Nëse dikush në qendrën tregtare bërtet: “Zoti është i madh”, çka duhet bërë? – e pyeti njëri fqinjin e vet.

– Është shenjë e shpërthimit të bombës, prandaj duhet t’ia mbathësh këmbëve, – ia ktheu fqinji.

– E ke gabim, sepse është lutje ndaj zotit, jo shenjë e bombës, – ndërhyri fqinji.

– Megjithatë do të ikja sa më larg, – ia ktheu i pari.

30. MACJA DHE LEPURI

Tre njerëz bisedojnë.

– A më mirë është të jesh mace lypsare apo lepur frikacak? – e pyeti i pari.

– Më mirë lepur që ik se mace lypsare, – përgjigj i dyti.

– Jo, më mirë është të jesh ujk që i sulmon të dytë, – ndërhyri i treti.

31. GJUMI I BRESHKËS

– A dëshiron të bësh gjumin e lepurit apo të breshkës? – e pyeti xhaxhai nipin.

– Të breshkës, sepse është më e kujdesshme dhe nuk fle sikur lepuri gjumash, – ia ktheu nipi i zgjuar.

32. GJUMI NË KUVEND

– Shpeshherë deputetët në kuvend i zë gjumi, duket se po lodhen shumë, – tha një mik kur e pa fotografinë në shtypin ditor.

– E, more mik, po flenë (…), sepse janë lodhur duke hapur me qindra artizanate në Kosovë, dhe duke përcjellë të rinjtë në kurbet, – ia ktheu me ironi i dyti.

33. AUTOBUSI I PDK-së

– A e di pse po e shtyjnë autobusin deputetët e pëdëkësë? – e pyeti fshatari fqinjin kur i pa disa deputetë duke shtyrë autobusin në rrugë.

– Mbase ka mbetur pa karburant, – tha fqinji.

– Nuk ka mbetur pa karburant, por është mbushur me rrena për dy dekada me radhë, – ia ktheu fqinji.

34. VËLLA E MOTËR

– Çka janë frika me pacifizmin? – pyeti njëri mikun e tij.

– Janë fqinj, – tha i dyti.

– Nuk janë fqinjë, vëlla e motër janë, – ia ktheu i pari.

35. AFËRSIA

– Cila prej tri synimeve është më afër mjekësisë: feja, shpresa apo shkenca? – e pyeti gazetari mjekun.

– Shkenca, – tha shkurt mjeku.

36. PROFESIONI

– A e di, ç’profesion ka Hashim Thaçi? – e pyeti një qytetare fqinjën.

– Mendoj se është astrolog… – u përgjigj e dyta.

– Jo, astrolog është i biri, ndërsa Hashimi është agronom, – ia ktheu e para.

37. ANKIMI I AKTORES

– O zot, pse s’e more kryeplakun mizor që po e shkatërron vendin, por e more aktoren tonë që ta kënaqte shpirtin me humor, – u ankua një grua.

– Më vjen keq, zonjë, kryeplaku e ka kundërhelmin jugosllav, prandaj vdekja ik prej tij, – kështu ia ktheu përgjigjen zoti.

38. DHURATAT

Një nënë kishte blerë tri dhurata në qendrën tregtare: një biberon për foshnjën, një lodër për fëmijën parashkollor dhe një album për vajzën në shkollën fillore.

– Asnjëri prej fëmijëve nuk i morën dhuratat, të gjithë e dëshironin mobiltelefonin tim, prandaj prej zemërimit dhuratat i hodhën në shportë, – tregoi e ëma e fëmijëve të revoltuar.

39. POGAÇJA DHE MAKINA

– Sot isha në provim për shofer. Për habi, komisioni në vend se të më pyeste si drejtohet makina në trafik, më pyeti si gatuhet pogaçja, – tregoi e bija sapo hyri në shtëpi.

– Prandaj, a kalove në provimin e shoferit? – e pyeti i ati.

– Natyrisht që jo, pasi që kurrë në jetën time nuk kam gatuar, – ia ktheu e bija e hidhëruar.

– Prandaj unë mund të bëhem shofere, pasi që jo vetëm pogaçe, por edhe gurabija me mjaltë di të gatuaj, – ia priti gjyshja.

40. EDUKIMI FAMILJAR

– A të pëlqeu shkrimi im për edukimin familjar, se si duhet të sillen të rinjtë ndaj prindërve? – e pyeti pedagogu mikun e tij.

– Më pëlqeu komenti i lexuesit, i cili në fund të shkrimit tënd tha se i takon së kaluarës, – ia ktheu miku me dëshpërim.

About admin

x

Check Also

Befason Florian Marku: Truprojat e McGregor janë shqiptarë

May 21, 2020 “Luftëtari” shqiptar që garon në kategorinë MMA (Artet Marciale ...