Pas rrëzimi të qeverisë Kurti vjen reagimi i nje shtetase të Kosovës i cili deri më tani po gjen një mbështetje të madhe nëpër rrjetet sociale.

I nderuar z.Kryeministër Albin Kurti,

Ne jemi takuar shpesh, në kafenen e vogël te parku i qytetit duke pirë kafen e mëngjesit. Ju kam përcjellur e mahnitur për thjeshtësine tuaj, por asnjëherë se pata kurajon t’ju dilja përballë e t’ju uroja për njeriun që jeni. Ju kam shikuar me admirim të thellë për aq sa kam ditur rreth jush si person, se e them paturp nuk kam pasur shumë informacione të detajuara për veprimtarinë tuaj dhe as të subjekteve tjera politike në Kosovë.
Unë jam Miranda, një vajzë nga Llapi.


Duke qenë gjithmonë e zhgënjyer nga politika në vendin tim, kam zgjedhur që të mos merrem fare këto vitet e fundit e ti kaloj edhe lajmet pa i lexuar, e çfarë t’ju them ironia është që unë kam studiuar per Shkenca Komunikimi në Tiranë, gazetari e marketing i njoh mirë. Jam e diplomuar dhe kam 5 vite që jam kthyer në Kosovë, për fatin tim të keq jo në ndonjë vend pune siç do duhej të isha tani, por duke qëndruar në shtëpi me mendimin si ta gjej një rrugë e të iki sa më shpejtë nga ky vend që s’do bëhet kurrë. Pa zgjedhur martesën si opsion e që për shumë vajza duket se ka ngelur mundësia e fundit shkaku i mosmbështetjes që kanë në shoqëri.
Është ankesë kjo, po.


Nejse, deri sot me atë mendim dhe në atë mundim isha, por sot i nderuar Albin, unë për herë të parë qëndrova 12 orë para televizjonit duke përcjellur dhe duke mësuar në të njëjtën kohë gjithë ata njerëz që merrnin pjesë në seancën e jashtëzakonshme kundër teje e kundër vendit të tyre. Sot ju mësova emrat, pozicionet dhe ndjeva keqardhje për ata si individ fillimisht dhe shumë keqardhje për vendin tonë, aq sa ishte për të qeshur ishte për të qarë kjo mbledhje e sotme.

I dashur Kryeministër, sot mua më mjaftuan ato orë që ta kuptoja se kush ishte fajtor për gjendjen që jam unë dhe shumë të rinj të tjerë në këtë vend, po shihja dhe po gjeja përgjigjet një nga një të pyetjeve të mia, pse ndodhesha e papunë, pse ndihesha e tradhëtuar e pse aq shumë doja te ikja nga këtu. Unë sot pashë se sa bukur mund të flas, shkruaj e të shprehem, ta them të drejtën pata një moment krenarie me veten time, aty isha në divan ulur afër sobës me zjarr…nuk isha në kuvend e as ne ndonjë zyrë, e po dikush ashtu e ka parë të arsyeshme domethënë, që mua të më ofrojë ato momente humori e nervozizmi në të njëjtën kohë.

 Unë sot kuptova plot gjëra, mësova arsyen pse vëllezrit e mi zgjohen çdo ditë pa pikë dëshire e vullneti për të shkuar në punë a shkollë, mësova pse nëna jonë na sheh gjithmonë me sy të trishtë, e pse baba është aq i stresuar… Sot e mora përgjigjen pse askush nuk ndjehet i sigurt në këtë vend. Pashë përplasje forcash mes së mires e së keqes, përplasje mes zhgënjimit dhe shpresës, të vërtetës e gënjeshtrës.


Eeee unë Albin sot analizova dhe për herë të parë besova se në fakt, nuk është e nevojshme të largohemi, thjesht mund të zgjedhim njërën nga ato rrymat që përplaseshin, dhe unë të zgjodha ty Kryeministër si rrymën që mund të na mbaj gjallë.
Ti i dashur Albin tregove se si duhet të rrijmë, të luftojmë me besimin e plotë që do fitojmë sa herë të jetë e nevojshme, tregove se si mos të thyhemi para injorancës e të mos dëshprohemi. Mbi te gjitha na bëre të kuptojmë se ka një shpresë dhe është në duart tona, e seç mu ngjall një forcë nga brenda, pashë atë që dua të jem dhe vendin ku duhet të jem.

në përkas këtu, jam shpirt luftarak si ju dhe jam femër që u përfaqësova denjësisht nga znj.Mimoza dhe znj.Vjosa. Sot u ndjeva më e fortë se kurrë, desha të isha aty e t’ju duartrokisja juve që na nderuat, sot desha të më hapej mikrofoni e të flisja pa belbëzuar, pa mu dridhur zëri, pa frikë e me plot vetbesim, se e mora vesh që të jesh afër jush mund të thuash të vërtetën pa e menduar dy herë.
Duke analizuar një e nga një folësit në atë sallë, vihej re shumë qartë se kush e mendonte atë që thoshte e kush ishte munduar të mësonte përmendësh një tekst të shkruar e që s’ia kishte arritur dot, sa turp…Vihej re fare qartë se kush kishte besim te fjalët e veta dhe kush fliste sikur ti kishin vendosur një pistoletë në kokë. Sot më erdhi keq për shumë njerëz aty dhe nivelin që e kishin ulur veten, por më bënë krenare ata pak të tjerë që munda t’ua shihja fytyrat gjatë fjalimit me kokën lart.

Zoti Kryeminister, po ju adresoj këtë shkresë
për t’ju treguar qe une jam këtu, ndihem shumë gati për t’ju dal në krah, ndihem gati për të folur se kam shumë gjëra për të thënë, jam gati dhe e formuar të flas pa mu dridhur zëri, pa ngatërruar fletët, jam gati të flas krah jush se e di që do të jem e lirë të them çfarë do që mendoj. Ju flas në emër të gjithë te rinjëve që qeshën kur disa të gjorë po flisnin ne foltore.


Nuk do të doja kurrë të isha krah dikujt tjetër se me shumë mundësi do humbisja shpirtin dhe karakterin, siç kishte ndodhur me shumicën aty. Unë s’do bëhesha kurrë marionetë në duar të injorantëve që e quajnë veten të ditur, por do bëhesha një zë i së vërtetës, pa pasur frikë nga njerëz që janë ulur me vite mbi frone të krijuara nga gënjeshtrat e tyre.


Do bëhesha Vjosë e Mimozë, do bëhesha Sarandë, ama s’do bëhesha kurrë Arban e Arben, e aq më pak Valentinë, s’do bëhesha asnjë nga ata 80 persona që ishin vetëm fizikisht në sallë, të dirigjuar nga frika e egoizmi dhe të përbetuar për të folur e mos dëgjuar.
Ehhh, çka ka më të rëndë se njerzit që dëgjojnë vetëm për tu përgjigjur.


Unë s’do bëhesha kurrë objekt talljeje për popullin tim. S’do bëhesha për keqardhje.
Unë do të vetë vendosja dhe do e ruaja gjënë më të shenjtë që mund të ketë një njëri, respektin per veten, Zot, sa shumë që e kishin humbur…Unë sot njoha të kaluaren, të tashmen dhe perfundimisht sot e gjeta të ardhmen.

E ardhmja është në Kosovë me ju në krye e me karaktere tjera të forta, që ishin pak në atë sallë të madhe por të mbushnin shpirtin plotë. Unë vetë vendosi, unë jam këtu, jam me ju eee sa me mburrje e them që s’jam e vetmja, sa kënaqësi që pashë se populli kosovar nuk ishte thjeshtë një tufë delesh por një ushtri e tërë me respekt për vendin dhe i vendosur per t’ju ndjekur deri në fund.

Prandaj Albin, jemi bashkë për fillime të reja. Fillime të reja sa herë që na kërkohet, pa frikë sepse jemi plotë, jemi një Kosovë e tërë.

Me respekt dhe falenderime, që më bindët se Kosova me ju mund të bëhet.

Miranda Shala

25 Mars 2020″