Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se është e rrezikshme që një Qeveri teknike të negociojë me Serbinë.

Ai thotë se një ide e tillë e përmendur nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është e gabuar dhe e rrezikshme.

Konjufca në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, nuk do të jetë pjesë e një Qeverie teknike.

“Lëvizja Vetëvendosje e përjashton një qeveri teknike në të cilën hyjnë të gjitha forcat teknike. Do të ishte një qeveri menaxheriale e Kosovës, nuk i duhet Lëvizjes Vetëvendosje, pjesëmarrja në një të tillë. Populli ka pritur gjatë që Kurti ta tregojë vetën si kryeministër, nuk ja lejuan këtë gjë, as partneri i koalicionit, motivet e të cilit do të dalin. Ideja e tij është qe të kemi një Qeveri të dobët teknike e ajo të shkojë në negociata me Serbinë. Kjo është e rrezikshme. Përderisa ekziston qeveria teknike duhet të pezullohet dialogu me Serbinë. Me këso ide që ti ke kryeministër më të dobët se kryetarët e partive politike, dhe shkon para Vuçiqit, kjo është e rrezikshme dhe nuk duhet të ndodhë”, ka thënë ai.

Ndërkaq antikushtetuese e ka quajtur deklaratën e Thaçit, i cili ka thënë se do t’i thërrasë partitë politike për negocim lidhur me Qeverinë e re.

Konjufca tutje ka folur edhe për idenë për shkëmbim të territoreve, të paraqitur fillimisht nga presidenti Hashim Thaçi.

Konjufca thotë nga marsi i 2018 është negoicuar shumë në këtë drejtim.

“Ka indikacione të qarta që ka pasur negocime sekrete që do arrihej një zgjidhje që do e lëvizte kufirin, edhe në media prestigjioze janë botuar pjesë të këtij negocimi. Presidenti Thaçi ka thënë se ‘ne do ta kemi një kufi me Serbinë i cili do të jetë i gjatë 430 kilometra”, thotë ai.

Ai thotë se presidenti nuk mund të jap zgjidhje me kilometra.

“Përshtypja që Kurti e ka krijuar është që marrëveshja tashmë është shkruar. Thaçi i ka thënë Kurtit se vetëm duhet ta heqësh tarifën dhe brenda orëve mund të shkojmë ta nënshkruajmë marrëveshjen”, ka thënë ai.