Home / Opinion / SHTIGJET E PËRGJAKURA NGA DËSHMORËT, U PËRGJAKËN EDHE NGA LUFTËTARËT TRIMA TË FAMËMADHES UÇK

SHTIGJET E PËRGJAKURA NGA DËSHMORËT, U PËRGJAKËN EDHE NGA LUFTËTARËT TRIMA TË FAMËMADHES UÇK

Përkujtim në 36 vjetorin e rënies heroike të
Dëshmorit të Kombit, Bajram Bahtiri – Besniku

Billedresultat for Bajram Bahtiri – Besniku

Mbi popullin tonë kanë kaluar shumë furtuna, por sado të mëdha që ishin, ato nuk arritën ta mbysin shpirtin e tij liridashës. Ato e kaliten popullin shqiptar për të qëndruar stoikisht dhe për ta vazhduar luftën deri në çlirimin e tij të plotë nga thundrat e bishave pushtuese, dhe ribashkimin në shtetin e tij të vetëm – Shqipërinë!
Edhe 08 Shkurti 2020 është përvjetor i Qëndresës shqiptare.
Mbushen 36 vjet që kur i pavdekshmi Dëshmori i Kombit, Bajram Hajrush Bahtiri – Besniku, ra heroikisht në lulen e rinisë.
Duhet rikujtuar, se Bajrami, ishte fëmijë i një punëtori krahu, Bacë Hajrush Bahtirit, dhe qysh në fëmijëri u ballafaqua me peripecitë e skamjes; me përbuzjet e përditshme që drejtoheshin drejt fëmijëve të punëtorëve nga fëmijët e të “pasurve” (kuislingëve). Padyshim, shpjegimin elementar se për çfarë ndodhnin këto dallime e përbuzje e mori nga puna e palodhshme dhe në vazhdimësi e Bacë Hajrushit dhe vëllait Rrahmanit. Ky ishte ndikimi parësor që te Bajrami të brumosej karakteri liridashës e kombëtar, bujaria, besnikëria dhe gatishmëria për të sakrifikuar, çfarë do të lypset për të mirën e përgjithshme – çlirimin dhe ribashkimin kombëtar.
Duhet theksuar, se përpjekjet e Bacës, për t’ua dhënë fëmijëve një edukatë të shëndoshë njerëzore dhe kombëtare, mbështeteshin fuqishëm nga shoqja e tij e jetës, Lokemadhe Nailja. Më vonë, edukimi patriotik edhe i Bajramit, pasurohej përditë e më tepër nga këshillat e arsimtarëve patriot dhe nga përpunimi i literaturës të përzgjedhur kombëtare, që vinte nga pjesa e lirë e Atë-Mëmëdheut- Shqipëria londineze.
Duhet theksuar, se Bajrami, ishte njëri prej atyre të rinjve shqiptarë të cilët që në moshën jomadhore, u përcaktuan për t’u rreshtuar në radhët e veprimtarëve aktivë për çlirimin dhe ribashkimin e trojeve shqiptare. Ky përcaktim, edhe i këtij nxënësi të vitit të tretë të shkollës së mesme u konkretizua në vepër gjatë Demonstratave të përgjithshme popullore shqiptare, të paraprira nga rinia studentore dhe ajo e shkollave të mesme, të njohura si Pranvera’81. Kjo është dëshmia, se Bajram Bahtiri – Besniku diti të veprojë drejt dhe për së mbari (jo pa sugjerimin e vëllait të tij të madh, Rrahmanit), për interesat e shenjta për çlirimin dhe ribashkimin e më shumë se gjysmës së Atë-Mëmëdheut,  të robëruar dhe aneksuar nga pushtuesit hegjemonistë sllavo-grekë.
Bajrami, që në hapat e parë të veprimtarisë së organizuar patriotike, bashkë me shokët e grupit me të cilët bashkëvepronte, ishte në rreshtat e parë nëpër sheshet dhe rrugët e Prishtinës, kur rinia studentore, punëtorët dhe fshatarët shqiptarë përlesheshin me milicinë dhe zagarët shqipfolës të Herleviçit.
Si pjesëmarrës shumë aktiv në Demonstratat e Pranverës ’81, Bajrami, u ra në sy zagarëve shqipfolës të UDB-së, prej të cilëve përndiqet këmba këmbës, arrestohet dy herë dhe dënohet me 60 ditë izolim. Gjatë asaj kohe përjeton tortura të rënda nga katilët e UDB-së (shumica shqipfolës), por, jo vetëm se nuk thyhet, përkundrazi, kalitet dhe i përforcohet vendosmëria për ta intensifikuar edhe më veprimtarinë çlirimtare.
Sapo doli nga burgu, ende me plagë në trup, vazhdoi me punën, sepse për te jeta pa luftë, pa përpjekje dhe pa rreziqe, nuk kishte kuptim.
Më 8 shkurt 1984, kriminelët në shërbim të pushtuesit, të shoqëruar me milicë të armatosur deri në dhëmbë, pasi e rrethuan, jo vetëm shtëpinë e Bacë Hajrush Bahtirit, por të tërë lagjen, në vijën “Përroi i Zatriqit” – “Bunari i Hajratit”, në tentim për t’u futur brenda dhe për të kapur dhe arrestuar Bajramin, vëllain dhe bashkëluftëtarin më të ri të atëmëmëdhetarit të dëshmuar Rrahman Bahtirit, i cili asokohe ishte i burgosur, dhe po u qëndronte me stoicizëm persekutimeve që ushtroheshin ndaj tij, nga bishat e trajnuara nga sigurimi serbian. Por, siç u dëshmua edhe kësaj radhe, këto bisha i kishin bërë hesapet pa hanxhiun.
Falë shkathtësisë së tij prej guerilasi, Bajrami, nuk hutohet por ndërmori veprimet përkatëse për rrethanat e  krijuara. Me ndihmën e zjarrit nga pistoleta e tij e vjetër Steyer Hahn M1911 cal. 9 mm (kujtim nga babagjyshi), e palosë përtokë denoncuesin  shqipfolës të armikut dhe arrin ta çajë rrethimin.
Tërhiqet drejt gurthyesit të vjetër, jo larg shtëpisë, në vendin e quajtur “Madeni i Salih Bullakut”, ku edhe pozicionohet i vendosur për ta vazhduar rezistencën e armatosur. Nuk vonojë shumë, dhe përforcime të mëdha të milicisë e ngushtojnë rrethimin e pozicionimit të Bajramit, dhe fillojnë me një zjarr të furishëm drejt tij. Për pasojë, Bajrami detyrohet të ndërroj pozicionin, ngase pozicioni i tij shndërrohet në shënjestër të zjarrit të kryqëzuar nga armët mësymëse të këmbësorisë.
Kriminelët, të bindur se nuk mund të përparojnë në drejtim të tij pa e paguar me jetët e tyre, përnjëherë e ndërpresin zjarrin dhe i referohen taktikës tjetër. Provojnë, mos vallë do ta mashtronin Bajramin, duke i premtuar trajtim “korrekt”, nëpërmjet megafonit e ftojnë që të dorëzohet! Natyrisht, në anën tjetër kryenin veprime taktike për ta ngushtuar rrethimin, dhe për vendosjen e snajperëve të specializuar.
Por, nuk ia dalin ta mashtrojnë. Zjarri i Steyerit të Bajramit, drejt caqeve të përzgjedhura mirë ishte përgjigja, e ngjashme me atë të Dëshmorëve të Kombit, Rexhep Mala dhe Nuhi Berisha, në mesnatën e 11 dhe 12 janarit 1984. Por, në këtë luftë të pabarabartë, Bajrami, goditet për vdekje nga predhat e snajperëve, dhe bie në duart e hienave me fytyrë njeriu, në shërbim të armikut shekullor.
Duhet thënë, se nga mercenarët shqipfolës të Beligradit, Bajrami i plagosur për vdekje, tërhiqet zvarrë (afër 500 m) deri te binarët e hekurudhës që kalon afër shtëpisë së familjes Bahtiri, për ta ngarkuar në “maricën” e milicisë.
Të nesërmen, Dëshmori i Kombit, Bajram Bahtiri-Besniku, varroset nga rrethi familjar dhe një numër modest i të afërmve, nën rrethimin e dendur policor dhe nën masa të rrepta të vëzhgimit të zbuluesve të hasmit serbomadh.
Në ballë të kortezhit, qëndronin me stoicizëm, ballëlartë dhe pa pikë loti në sy, Bacë Hajrushi, Nënëloke Nailja, shoqja e Rrahmanit, vëllai më i vogël dhe motrat.
Para se t’ia dorëzonin Tokës nënë birin e saj besnik, Lokemadhja e puthi në ballë djalin, dhe iu drejtua me këto fjalë:
“Biro, Nëna ka pritur të të përcjell dhëndër, por tani po të përcjellë për në Përjetësi. Bajram bir, nëna nuk po derdh lot, sepse, Ti e nderove veten, familjen, shokët e idealit dhe kombin që aq shumë e deshe. Hallall të qoftë gjiri që të dhashë!”
Ishim nëpër qelitë e kazamateve, ku me vonesë e morëm lajmin e hidhur për rënien e Bajram Bahtirit-Besnikut, njeriut të shtrenjtë të zemrave tona, bashkëluftëtarit tonë të dashur, besnikut të Frontit Nacional-Çlirimtar të Kosovës së pushtuar shqiptare.
Sikurse edhe të dëshmorët e tjerë, edhe te Besniku mbisundonte bindja, se para gjokseve të rinisë tonë heroike, brenda të cilave rrihte zemra e një populli të tërë, do të thyhen keqas bajonetat e thundrakëve serbo-çetnikë dhe të mercenarëve rusë, rumunë… Dhe, vërtetë, nuk u gabuan, sepse, kjo bindje u vërtetua katërçipërisht në Epopenë e lavdishme të luftës tonë të armatosur, çlirimtare, që zhvilluam nën flamurin e Famëmadhes UÇK, të mbështetur nga aviacioni i NATO-s.
Qëndresa, me plot stoicizëm, përballë ushtrisë, milicisë, falangave të paramilitarëve serbo-çetnikë dhe spiunimit nga zagarët udbashë shqipfolës, të armatosur me armët më moderne të kohës, vërteton katërçipërisht një urtësi të një ushtaraku madhor shqiptar: “…një popull i bashkuar dhe i vendosur për t’u çliruar, ai mund të shuplakohet në ndonjë fushëbetejë, por, nuk do të mposhtet kurrë!”
Me siguri, luftëtarët e lirisë, nuk do t’i mposhtë as kjo farë Gjykata speciale, që pretendon të zhvillojë procese politike raciste (fashiste), jashtë vendit dhe vetëm ndaj shqiptarëve, për të vetmin “faj” pse e paskan luftuar pushtuesin serbo-çetnik dhe pse paskan dashtë për t’u çliruar njëherë e përgjithmonë nga thundra e huaj dhe për të shfrytëzuar të drejtën e ligjshme për të vetëvendosur lirshëm për të ardhmen e tyre!
Padyshim se nismëtarët dhe mbështetësit e kësaj ndërmarrjeje kundër-shqiptare do të pësojnë fiasko të plotë!
Amaneti i Bajram Bahtirit-Besnikut dhe i Dëshmorëve të tjerë të Kombit, ishte dhe mbetët  paralajmërim serioz për kundërshtarët e çlirimit dhe të ribashkimit tonë kombëtar, brenda dhe jashtë vendit, se kohët kur jetësoheshin pazarllëqet e bëra me trojet shqiptare, kanë tretur në pa kthim!
Për të gjithë ata që mendojnë dhe jetojnë shqip, ky Amanet nënkupton diçka të shenjtë.
Ky Amanet nuk përmbushet pa e arritur më parë, bashkimin e tërë potencialit tonë mendor dhe veprues, me një synim të vetëm dhe të qartë, arritjen në cakun e ëndërruar me shekuj të tërë nga populli i ynë – ribërjen e Shqipërisë shqiptare!
Kur ta bëjmë Atë-Mëmëdheun tonë ashtu siç e deshën Dëshmorët e Kombit, atëherë, mund të themi se e kemi kryer me besnikëri dhe e kemi çuar në vend amanetin e tyre.
Lavdi jetës dhe veprës së Dëshmorit të Kombit, Bajram Bahtirit-Besnikut dhe të gjithë dëshmorëve të Kombit Shqiptar!

Sejdi Veseli
07 shkurt 2020
Prishtinë

About admin

x

Check Also

Agim Kasapolli ekskluzivisht për MekuliPress: “Nuk e pranoi Hashim Thaçin si president të vendit tim – Kam përcjellë 8 olimpiada me mbi 1600 komentime nga ngjarjet më të mëdha sportive botërore – Në 2005 më larguan nga RTK, me arsyetimin se nuk jam gazetar i aftë për ta kryer punën!”

April 4, 2020 Në një intervistë ekskluzive për “MekuliPress”, gazetari i sportit, ...