Home / Të ndryshme / Kali i Kaligulës

Kali i Kaligulës

Billedresultat for beqir elshani
Beqir Elshani
07-02-2020  Malmo
Sipas historisë romake tregohet që Gajus Kaligula ka qenë i sëmurë mendor, domethënë i verbuar pas dashurisë ndaj kalit të tij. Kali quhej Inicitatus, të cilin Kaligula e kishte zgjedhur senator në Romë. Prandaj kur Inicitatusi hante elb, hante edhe Kaligula. Derisa perandorët tjerë betoheshin në zotin suprem – Jupiterin, Kaligula betohej në jetën e kalit të tij, Incitatus, gjithashtu edhe gotën me verë e ka ngritur për shëndetin e kalit të tij. Siç tregohet, stalla e kalit të Kaligulës kishte dyshemenë e mermertë me grazhdin prej fildishi; kishte orendi; kurse ushqimin e kishte me regjistër dhe me program. Gjithashtu kishte zyrtarin dhe klerin me gjithë shtabin që kujdeseshin dhe luteshin për shëndetin e kalit Inicitatus. Stallën me dhomën e veterinerit i ndante një mur. Një kujdes të tillë mjekësor nuk e kishte as kryetari i bashkisë romake. Prandaj sa më mirë që jetonte kali, aq më budalla tregohej Kaligula, ndërkohë që senati tregohej qyqar. Senatorët lajkatarë shpeshherë e vizitonin kolegun e tyre me qafore të stolisur prej margaritari, prej nga mund të merrnin erën e bajgës së stallës. Senatorët romakë duhej të ishin të kujdesshëm ndaj kolegut të tyre me katër këmbë dhe të mos ngërdhesheshin, përndryshe mund të ndëshkoheshin prej perandorit. Ndërkohë që fisi i kuajve po lagej në shi e në borë gjatë punës në fushë, kali i Kaligulës i mbuluar me batanije ngjyrë vjollce rrinte në stallën luksoze. Ndonjëherë Kaligula lundronte me anije në det, prandaj me vete merrte ujë për kalin e tij senator dhe për hardhinë e rrushit që mrizonte.
Veprimi i Kaligulës është një ndër format despotike për të kuptuar se pikërisht edhe sot gjenden ministra dhe deputetë që kryejnë funksionin e kalit të Kaligulës, të cilin e ushqente populli, sa që vetëm me ushqimin e kalit senator mund të ushqeheshin me dhjetëra kuaj të bujqve, që ishin shumë më të vyeshëm dhe që rropateshin duke punuar gjithë ditën, shpeshherë deri në orët e vona të natës. Derisa kuajt e fshatarëve mbillnin farën e bukës, kali i përkëdhelur i Kaligulës i stolisur me margaritar bënte pikën e qejfit në stallën luksoze. Shumë mbretër në pushtet kishin ardhur me anën e artit ushtarak në fushëbetejë, përkundrazi Kaligula për të marrë pushtetin despotik kishte vrarë prindërit dhe dy vëllezërit e vet. Despotizmi i Kaligulës shihet në dashurinë e skajshme që tregonte ndaj kalit të tij, Inicitatus. Prandaj, me sa duket, kali tallej me senatorët romakë, jo e kundërta. Më vonë këtë veprim e vërteton edhe rasti kompozitorit italian, Gjuzepe Verdi, i cili falë lavdisë së tij muzikore në vitin 1874 është zgjedhur senator në parlamentin italian. Mirëpo derisa në fushën e muzikës Verdi ka qenë aktiv, në kuvend ka qenë pasiv. Që Verdi ka qenë autokritik, tregon se kur miqtë e pyesnin sa deputetë gjenden në parlamentin italian, ai nuk thoshte 450, por duke fshirë veten, thoshte 449 deputetë. Ndryshe me dashurinë e skajshme të Kaligulës ndaj kalit, piktori spanjoll, Francisko Goja, me anën e vizatimeve i përqeshte gomarët me dy këmbë (kupto njerëzit), të cilët bëhen mjekë me stetoskop, besa edhe ministra dhe në vend se njerëzit t’i hipin gomarit, gomarin e mbartin mbi shpinë. Me një libër kam parë një fotografi, ku dy njerëz e tërheqin karrocën, ndërkohë që dy gomarët janë ulur në karrocë dhe me kamxhik i grahin njerëzit që të shkojnë mbase në parlament. Kjo e fundit të bën për të qeshur e për të qarë.
 
Neroni i ditëve tona

Njeriu që ia vë zjarrin atdheut pastaj ngjitet të këndojë mbi kulm, duhet të jetë i çmendur, pikërisht si Neroni romak. Siç dihet, Romën nuk e ka vërshuar lumi Tiber, por flaka e Neronit e ka shkrumbuar me themel. Prandaj Neroni nuk ishte i kuq si flaka, por i zymtë si tymi, sepse ishte brutal ndaj vendit dhe popullit. U mor me vrasjen e të afërmeve të tij, vrau vëllain, nënën dhe gruan e parë, ndërsa mësuesit, siç ishin Seneka dhe Lukiani, i detyroi të bëjnë vetëvrasje. Ka raste kur nusja e djalit, përdhunë të vjehrrës thotë që ia fut zjarrin shtëpisë. Mirëpo për ta realizuar qëllimin e skajshëm, po aq edhe të tmerrshëm, duhet të jetë grua pa ndjenja, si tiranasja në Itali, e cila për shkaqe xhelozie ndaj burrit, i mbyti fëmijët e vet. Siç dihet, këtë veprim të tmerrshëm gruaja e bëri në shenje hakmarrje ndaj bashkëshortit, i cili e kishte braktisur në kohën më të ndjeshme. Duket sikur në shpirtin e gruas shqiptare është vonuar Medea mitologjike, e cila në shenjë hakmarrje ndaj burrit që e braktisi dhe iku përtej detit, i mbyti dy djemtë e vet. Kur Neroni e dogji Romën, nuk e ndërtoi vetë perandori, por e ndërtoi populli romak. Duket qartë që Neroni nuk humbi asgjë. Ndërkohë që populli mbeti në qiellin e hapur, perandori vazhdoi të jetonte në pallat derisa Roma u rindërtua. Sipas burimeve tregohet se gruaja e Neronit, Popea Sabina, përndryshe gruaja e dytë pas vrasjes së gruas së parë, Oktavia, kishte 150 shërbëtore që kujdeseshin për të dhe 400 gomarë që siguronte qumësht për banjat e saj. Kështu Neroni në vend se të qante për djegien e Romës, ku njerëzit dhe bagëtia po digjeshin, ai këndonte në maje të kulmit. Ngjashëm edhe nusja e djalit, po qe se digjet shtëpia e burrit, ajo këndon, sepse nuk humb asgjë, pasi që mund të shkojë tek prindërit e saj. Nuk vlen këshilla e dijetarëve se atë që nuk ia dëshiron vetvetes, mos ia bëj tjetrit. Prandaj atë që nuk mund t’ia bëj nusja nënës së vet, ia bën vjehrrës.

 

About admin

x

Check Also

Agim Kasapolli ekskluzivisht për MekuliPress: “Nuk e pranoi Hashim Thaçin si president të vendit tim – Kam përcjellë 8 olimpiada me mbi 1600 komentime nga ngjarjet më të mëdha sportive botërore – Në 2005 më larguan nga RTK, me arsyetimin se nuk jam gazetar i aftë për ta kryer punën!”

April 4, 2020 Në një intervistë ekskluzive për “MekuliPress”, gazetari i sportit, ...