Home / Opinion / NJË TAKIM ME NJË BURRË KOSOVAR QË S’ HARROHET PËRJETË

NJË TAKIM ME NJË BURRË KOSOVAR QË S’ HARROHET PËRJETË

Shkruan. Fadil SHYTI
(Shkrim i ribotuar)
(Si u njoha me atdhetarin kosovar, Avdi Kelmendi)

(Ky kujtim-shkrim është shkruar në monografinë « AVDI KELMENDI – JETA DHE VEPRIMTARIA ATDHETARE », PËRGATITUR NGA Zymer Neziri dhe Ismail Gashi, shtypur nga « Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës », Prishtinë, 2002).

Avdi Kelmendi

Në vjeshtën e vitit 1977-të, prej shokut tim të respektuar Ramadan Pllana; me të cilin po ecnim në rrugën ilegale, kisha marrë udhëzimin dhe po atë çast e bëra zotimin se do të shkoja të takohesha me një shok të panjohur të idealeve tona revolucionare, e të ëndërrimeve tona çlirimtare.
“Ky shok, quhet Avdi Kelmendi, është nga rrethi i Lypjanit, – Shko në kazermën ushtarake të Mitrovicës, e cila gjendet përballë gjimnazit, dhe takohu me të, ashtu do të bësh një punë të mirë. Është shok që meriton ta vizitosh”- më tha shoku im besnik.
-Pasi u konsultova me Ramadanin: a mund të merrja me vete edhe një shok tonin? Ramadani ma ktheu; -“Kjo vetëm e përforcon edhe më shumë këtë takim. “Ke kujdes, të kesh vetëm një takim si të rastësishëm”-shtoi ai. Kuptohej, konspiracioni ishte i domosdoshëm edhe në mesin tonë, meqë dëshironim të vepronim me kujdesin më të madh. Kjo praktikë e ka ndihmuar fort rrugën e ilegales.
Pasi ia shpreha dëshirën Fevziut, ky e mirëpriti pa hezitim nismën tonë. Takimi me profesorin sypetrit e mendjemprehtë të kimisë, shokun Avdi, u realizua gjatë një mbrëmje të bukur vjeshte. Ne, shkuam te porta e kazermës ushtarake, e kërkuam vizitën – ishte fundjava dhe kjo nuk u refuzua nga roja. Pas pak te porta arriti një burrë që dukej pak më i vjetër se brezi ynë. Kishte një trup atleti, dukej i zhvilluar fizikisht dhe fytyra e tij përballë dritave të neonit, derisa shëtisnim mbi urën e Lumbardhit (Ibrit), më dukej se shkëlqente si meteor.-Them kështu, sepse dukej një burrë i mprehtë, i sinqertë dhe tepër i vendosur në mendime dhe qëndrime. Kjo, padyshim, na e forcoi edhe më tej bindjen tonë prej të rinjve që, me atdhetarë të tillë, Kosova jonë, nesër do të kishte një të ardhme të ndritur dhe të sigurt.
Shpesh ngjan që fatet e njeriut të qëndrojnë tejet të pavarura mbi dëshirat e tij,
t’ ia presin si tehe shpate. Kujtoj kështu, për faktin se shumë herë kam dëshiruar të takohem me vëllanë e idealeve tona, Avdiun, por këtë fat s’ e gëzova pastaj, asnjëherë.
Po, t’ i kthehemi takimit dhe bisedës me atdhetarin e madh, për aq sa më kujtohet, – sepse kanë kaluar shumë vjet dhe kam drojën, se e kam të vështirë ta kujtoj tërë bisedën. Do të përpiqem të mos u mbetem shumë borxhli lexuesve dhe familjes atdhetare të tij.
-Më kujtohet që, pas falënderimit që na bëri për ftesën pse e nxorëm për më tepër se dy orë prej atij rrethi okupatorësh, prej të cilëve toka shqiptare rënkonte nga çizmet e tyre – ia përcollëm të falat e shokut Ramadan. Ai, vërtet kishte qenë besnik dhe bujar, saqë gjatë bisedës krijohej përshtypja që ne njiheshim me të për vite të tëra. Biseduam për jetën e tij ushtarake, biseduam për gjendjen e atëhershme ekonomike dhe politike. Biseda bëhej tepër e larmishme, varësisht prej vendit ku shëtisnim, pra, flisnim me kujdes në vende publike, ndërsa më hapur bisedonim kur qëndronim të ulur në ndonjë tavolinë, përballë ndonjë ujëvare o gjetiu. Atëbotë, gjendja ekonomike e Kosovës ishte tejet e rëndë. Kjo na shqetësonte pa masë. Dua të theksoj se 100-vjetori i LSHP-së, ishte në prag, prandaj e kishim potencuar në atë takim.
Shoku Avdi thoshte: « Të përgatitemi ta festojmë për atë Lëvizje të madhe të rilindësve tanë, që t’i bëjmë me dije breznitë e reja se të parët tanë kanë luftuar për një Shqipëri të bashkuar e të përparuar, por që Evropa dhe shtetet ballkanike me Rusinë cariste në krye, e kanë penguar këtë të drejtë tepër legjitime të kombit tonë; por, ne s’duhet të pajtohemi me okupatorët deri në fitoren e madhe, në ribashkimin territorial të viseve të robëruara, me Shqipërinë».
-U entuziazmuam shumë nga guximi i tij. Ai me një rast na tha hapur : « Këto ditë jam duke lexuar një literaturë tepër me rëndësi, është literaturë ilegale ». Kjo, mua dhe shokun Fevzi, na dha forca edhe më të mëdha, për faktin se tek hundët e ujqërve jugosllavë, vepronin guximtarë atdhetarë.

-Është e pamundur të harrohet vendosmëria e atij burri dhe bindja e tij e patundur që, « Kosova një ditë do ta fitojë lirinë, por kjo kërkon sakrifica të mëdha ».
Jeta vërtetoi parashikimet e tij. Kosova vërtet u ndesh heroikisht me bishat e përtejkarpateve, por tash e shijojmë hapin e parë të lirisë, apo mëngjesin e fitores.
Vlen të theksohet që, kur e takova shokun Ramadan dhe e njoftova për takimin që patëm, ai më falënderoi për punën e mirë, por edhe më fort e falënderova unë, meqë nisma qe e tij. Edhe sot e sot, shokut tonë, ia di për nder dhe e kam borxh t´ i bëj nderim të veçantë; që më ofroi atë mundësi.
Për atdhetarin Avdi Kelmendi, më shumë mund të thonë vëllezërit e motrat, të afërmit, shokët e punës e të luftës ilegale ; ata që ishin edhe në aksione me të; mund të shkruajnë kujtime gjithashtu edhe nxënësit që patën fatin të dëgjonin ligjëratat e tij; mund të shkruajnë kujtime nga më të fuqishmet edhe shokët e shoqet e burgut. -Pa harruar të theksoj që, burgosja e shokëve : Ramadan Pllana, Avdi Kelmendi e shumë të tjerë, numri i të cilëve arrinte 300 vetë, prej të cilëve 55 u dënuan me vite të tëra burg në vitin 1980, pa dyshim i dha goditje tepër të fortë lëvizjes çlirimtare ilegale. Kjo e pengoi ecjen tonë historike, por titistët nuk arritën kurrsesi, ta shthurnin organizimin. Organizata të reja revolucionare u krijuan në Pranverën e Kuqe të vitit të lavdishëm 1981, kur u forcuan themelet e çelikta të luftës çlirimtare.
-E them me krenari këtë, sepse shumë nga ata bij e bija të asaj plejade të tërë revolucionarësh, në kohët më të vështira u gjetën në ballë të luftës nën simbolin e UÇK-së heroike.
Bëra përpjekje të evokoja kujtimet e paharruara të atij takimi të para disa viteve; derisa isha duke lexuar revistën revolucionare, “Zëri i Kosovës”, e cila botohej në Zvicër, papritur më shkuan sytë tek një artikull, i cili më ra në kokë si rrufe! Revista njoftonte që, “Pas një sëmundjeje të rëndë vdiq atdhetari Avdi Kelmendi, profesori i cili kishte vuajtur burgjeve jugosllave për lirinë e Atdheut, krushku i palodhshëm i pajtimit të gjaqeve”!…
-Më falni, të nderuar lexues, që po ju them kaq hapur, me shumë sinqeritet, se, me atë rast nuk munda të mbaja lotët, qaja me dënesë. E kuptoj që, atdhetarët e tillë janë të pavdekshëm dhe thonë se, ata s’ duhet t’ i qajmë, -por…, lotët shpërthejnë.
-E di që, për ata Shqipëria rënkon, sepse ishin krahët e saj, në rrebeshet e hidhura të historisë.
LAVDI VEPRËS SË ATDHETARIT AVDI KELMENDI!
RROFTË SHQIPËRIA E LIRË DHE E RIBASHKUAR!

About admin

x

Check Also

Agim Kasapolli ekskluzivisht për MekuliPress: “Nuk e pranoi Hashim Thaçin si president të vendit tim – Kam përcjellë 8 olimpiada me mbi 1600 komentime nga ngjarjet më të mëdha sportive botërore – Në 2005 më larguan nga RTK, me arsyetimin se nuk jam gazetar i aftë për ta kryer punën!”

April 4, 2020 Në një intervistë ekskluzive për “MekuliPress”, gazetari i sportit, ...