Home / Histori / Pse sulmohet Haxhi Lleshi dhe këshilli i qarkut Dibër?!

Pse sulmohet Haxhi Lleshi dhe këshilli i qarkut Dibër?!

December 26, 2019

Pse sulmohet Haxhi Lleshi dhe këshilli i qarkut Dibër?!

 

-Ka ardhur koha që bijtë e puthadorëve të nazi-fashizmit të heshtin përgjithmonë-

Nga Gëzim LOKA

Dhënia e titullit “Qytetar Nderi”, pas vdekjes të burrështetasit Haxhi Lleshi nga këshilli i qarkut Dibër është një akt i duhur në kohën e duhur, madje për të qenë më të saktë, në kohën e vonuar.
Themi, e vonuar, sepse një emër si ai i Haxhi Lleshit është i lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e Dibrës, me rrënjët e atij heroizmi dhe qëndrese, që kanë shfaqur dibranët në të gjitha luftërat qëndrestare e veçanërisht në Luftën e Dytë Botërore për liri e dinjitet shoqëror.
Haxhi Lleshi ishte modeli i njeriut që në vlerësim të traditave, zakoneve dhe burrërisë dibrane e shqiptare, motivoi në jetën e tij një qëndrim dinjitoz, qëndrestar në raport me veveten, Dibrën e dibranët dhe gjithë shoqërinë shqiptare.
Ai ishte një personazh emblematik i Luftës së Madhe, në emër të së cilës sakrifikoi rininë e tij, pasurinë dhe gjithçka, duke merituar titullin e lartë “Hero i Popullit” jo nga Shqipëria politike, por nga aleanca antifashiste e bllokut antifashist, të kryesuar nga BRSS-ja (Rusia).
Reagimi frenetik dhe ulëritës ndaj një akti kaq normal institucional e vlerësues të figurave lokale e kombëtare, nuk habit më askënd, madje do të habiteshim sikur ky vlerësim-siç thamë i vonuar-të kalonte në heshtje.
Stuhia e bojës së zezë të ekstremistëve, sharjet dhe fyerjet, denigrimet cinike ndaj figurave të Luftës, gatishmëria patologjike e atyre që gjithmonë janë të gatshëm në llogoren e përbaltjes, fryu me tërbim në gazeta dhe ekrane, ku fanatikët antiluftë, u hodhën rishtas kundër Haxhi Lleshit dhe aktit të këshillit të qarkut Dibër, të kryetarit të përgjegjshëm të bashkisë, të këshillit të qarkut, që nuk bënë gjë tjetër veçse ushtruan kompetencat e tyre ligjore për vlerësimin e figurave të trevës dibrane, ku Haxhi Lleshi zë një vend të rëndësishëm.
Gjithë kjo zulmë çakenjsh, nuk është gjë tjetër veçse përvijimi i bijve të kolaboracionizmit dhe tradhëtisë, që ashtu sikurse etërit e tyre iu bashkëngjitën fashizmit dhe nazizmit, sot i bashkëngjiten përbaltjes e njollosjes së luftës dhe emblemave të saj.
Të sulmosh Haxhi Lleshin, do të thotë të sulmosh jo vetëm Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku roli i tij ka qenë emblematik, por dhe trashëgiminë e vlerave të familjes Lleshi, si një nga familjet më të njohura të Dibrës, me rrënjë të ngulitura thellë në truallin e qëndresës dibrane dhe mbarëshqiptare kundër të huajve.
Haxhi Lleshi i përket pemës historike të njërës nga dyert më në zë të Dibrës së Madhe, derës së Lleshit, me nje kontribut të çmuar historik për lirinë dhe mëvetesinë e trojeve shqiptare.
Të parët e tij ishin qëndrestarë stoikë në mbrojtje të vlerave të lirisë dhe dinjitetit shoqëror të shqiptarëve kundër orekseve gllabëruese shoviniste e pansllaviste.
Haxhi Lleshi, një djalosh rinor, plot energji e pasion për jetën, që vinte nga shtresat më të pasura të shoqërisë shqiptare, ishte një nga idealistët që iu bashkëngjit rezistencës antifashiste, u vu madje në krye të saj, duke prirë në krye të formacioneve partizane.
Ky vizion i këtij djaloshi ëndërrimtar dhe qëndrestar, do t’i bashkëngjitej atij të PKSH, për një luftë pa kompromis kundër okupatorit fashist dhe falangave të tij në vendin e shqipeve.
Haxhi Lleshi ishte atje në Pezë, në flakët e luftës, ku u ngrit Fronti Antifashist, që do të niste luftën e madhe, me parrullën emblematike “Pa dallim feje krahine e ideje”, ku u hodhën themelet e një shteti pa pushtues, të barabartë për të gjithë shqiptarët, në një shoqëri të lirë e demokratike. Ai do të zgjidhej anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH.
Haxhi Lleshi, i lindur në Zogje të Dibrës, më 1 maj 1913, ishte mjaft i ri, ende djalosh kur u njoh me liderin e PKSH dhe i besoi projektit të tij për një Shqipëri të lirë prej nazifashizmit dhe shtypësve e shfrytëzuesve, duke u ngritur kundër origjinës së tij.
Lidhja e tij me Enver Hoxhën tashmë është e njohur dhe ka hyrë në analet e historisë, por ajo që ende nuk është thënë për Haxhi Lleshin është fakti se ai ka investuar shumë për luftën dhe pas Çlirimit ishte i vetmi nga liderët e shtetit të ri komunist që e bleu me florinj pronën e tij ku ndërtoi shtëpinë, të cilën pinjollët e tij e gëzojnë edhe sot.
Sot, që mbi shumë figura të Luftës po hidhet baltë, imazhi dhe kujtesa për këtë burrë shteti, njeri të drejtë e të ndershëm, kurajoz e trim, largpamës e ndihmues ndaj njerëzve në nevojë, vjen më i gjallë se kurrë në mendje dhe të frymëzon që të shkruash të vërtetën. Pasi e vërteta nuk është kurrë bardhë e zi, por me ngjyra dhe personalitete si Hero i Popullit Haxhi Lleshi e mbushin me ngjyra jete e dashuri njerëzore peizazhin gjysmëshekullor, mjaft problematik, të epokës komuniste.
Dhënia e këtij titulli nderi nga këshilli i qarkut Dibër, më bëri të rikthehem pas në kohë, kur Haxhi Lleshi vinte në shtëpinë tonë, tek Loket e Lurës dhe bisedonte gju më gju me lurianët e mi, i thjeshtë dhe ndihmues ndaj gjithëkujt që kishte nevojë për ndihmën e tij.
Haxhi Lleshi kurrë nuk e bëri gjoksin gropë për të nxjerrë në pah meritat e tij në luftë e në epokën e ndërtimit të pasluftës, nuk i tundi medaljet e tij, por i thjeshtë e kurajoz, qëndrestar e stoik, eci në rrugën e tij, duke qenë një model për gjithë të tjerët, ku duhet thënë se jo të gjithë ata që ishin në kupolë të lartë të piramidës shtetërore, pra jo të gjithë ishin në lartësinë e dinjitetit të tij.
Qëndresa dhe përkushtimi i tij, si një nga udhëheqësit më trima dhe më dinjitozë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, është shkruar me gërma të mëdha jo vetëm në librat dhe tekstet e historisë së Shqipërisë, por dhe në memorien dhe librat e figurave të njohura botërore që e kanë njohur nga afër.
Në librin e tij me kujtime, oficeri i lartë anglez Reginald Hibert, me mision në Shqipëri “Fitorja e hidhur – Lufta Nacionalçlirimtare e Shqipërisë” shkruan në kapitullin “Përvojë me nacionalistët në veri” kështu: “Përvoja jonë ishte e veçantë përgjatë luginës së Drinit, por ajo ishte mjaft tipike, që BLO patën me nacionalistët në të gjithë Shqipërinë. Ata ishin kokëngjeshur ndaj çdo përpjekjeje për t’ua shpjeguar lojën e forcave të Mëdha Botërore, nga e cila do të varej fati i Shqipërisë. Ndër ta nuk doli asnjë udhëheqës me vizionin për të parë se, për shkak të dhunës së egër që kishte shpërthyer në të gjithë Evropën… Mosdëshira e krerëve nacionalistë për të luftuar është e kuptueshme… Ndryshe nga viset e tjera, në Dibër nuk u formua asnjë çetë nacionaliste.” I vetmi nga këto krerë, që vinte nga një derë e parë, derë e pasur dhe me ndikim feudal në gjithë Dibrën ishte Haxhi Lleshi, që u lidh që në ditët e para me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe ishte një nga komandantët e parë ushtarakë të njësive të kësaj Lufte. Haxhi Lleshi e rriti emrin e tij në flakët e Luftës Çlirimtare, ku dha një kontribut të shquar e të pamohueshëm, i cili do të kalojë gojë më gojë dhe brez pas brezi e do të përkujtohet me madhështi, duke hyrë përjetësisht në analet e historisë kombëtare. Por jo më pak të vyera ishin veprat dhe bëmat e tij prej shtetari shembullor edhe në epokën e socializmit; edhe pse shumë gjëra nuk shkonin në rrugën dhe drejtimin e duhur, kjo nuk ishte faj i njerëzve idealistë si Haxhi Lleshi, por i atyre segmenteve partiake e shtetërorë që kishin tradhtuar dalëngadalë interesat e popullit dhe ishin vënë në mbrojtje të interesave të tyre private. Haxhi Lleshi, siç e cekëm më lart, është dekoruar me tituj të lartë nderi jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Moskë, nga koalicioni antifashist, i cili e vlerëson atë si një udhëheqës të shquar të Luftës, që ka vënë në shërbim të kauzës së lirisë kundër okuptaorit nazifashist jetën dhe pasurinë e tij.
Haxhi Lleshi me të drejtë gëzon titullin e lartë “Hero i Popullit” dhe askush, qofshin dhe më ekstremistët, që kanë ardhur në pushtet këto tridhjetë vjet, nuk kanë guxuar të tentojnë që t’ia heqë, sulmohet për titullin “Qytetar Nderi” që ia jep qarku Dibër, vendi i rrënjëve të tij, për të cilin ka bërë shumë dhe do të kujtohet përgjithmonë.
Këto sulme të paprincipta dhe krejt atavike e primitive, kanë për qëllim të mohojnë Luftën dhe figurat e saj, të njollosin pemën e përgjakur të lirisë së një populli, që për nga numri i banorëve, ka dhënë më shumë se çdo vend tjetër contribute në frontin e përbotshëm antifashist dhe antinazist.
Këta janë agresione propogandistike të nivelit të ulët, të ndërmarra nga bijtë dhe nipërit e atyre, që në kohën kur ndahej historia më dysh, u bashkuan me Frontin e të Keqes dhe e njollosën veten përjetësisht në histori.
Këta janë sulme të pa precedentë, që dishepujt e njollosjes së gjithçkaje, i bëjnë një figure si ajo e Haxhi Lleshit, që komunikon aq shumë në kohë, jo vetëm në të djeshmen e luftës dhe të epokës ndërtimtare, por edhe sot, kur gjithçka ka marrë rrokopujën dhe nuk ekziston një modelim i vlerësimit të vlerave dhe kontributeve njerëzore, në raport me kohën, atdheun dhe lirinë.
Haxhi Lleshi ishte në anën tjetër, në anën e të drejtës, në anën e popullit, në anën e Luftës pa kompromis kundër të huajt, kundër bishave nazifashiste dhe veglave të tyre, në anën e Koalicionit të Përbotshëm, që mundi makinën më të përbindshme të krimit në shekullin XX dhe i hapi rrugë zhvillimit e progresit në çdo cep të botës.
Qarku Dibër është i vonuar në vlerësimin e tij, por më mirë vonë se kurrë. Ka ardhur koha që historianët të thonë më në fund fjalën e tyre ne peshë dhe pa ndikime politike për Luftën dhe figurat e saj dhe të tjerët, ata që shohin të zezën tek e bardha dhe të bardhën tek e zeza, të heshtin përgjithmonë.

About admin

x

Check Also

Rrëfimi rrëqethës i kosovares: Fqinjtë serbë na përdhunuan edhe para

Dhjetor 25, 2019 Një grua e dhunuar seksualisht nga forcat serbe, gjatë ...