Home / Opinion / “Bajraktarin, mjerë kush e ka armik dhe mjerë kush e ka mik”!

“Bajraktarin, mjerë kush e ka armik dhe mjerë kush e ka mik”!

Nga Gjon BRUÇI
Tri kanë qenë lëvizjet më interesante të kryeministrit Rama gjatë viteve në krye të kabinetit qeveritar: Demontimi i armëve kimike të SHBA; Nisma për këmbimin e kufijve Kosovë-Serbi dhe Krijimi i Shengenit ballkanik me disa shtete të Ballkanit Perëndimor.
Të tria këto lëvizje nuk kanë qenë aspak lëvizje vizionare të kryeministrit tonë aktual, por lëvizje të detyruara nga miku i madh i përtej Atlantikut.
Në rastin e parë, atë të armëve kimike, e kundërshtoi falë protestave që shpërthyen në gjithë vendin.
Në lojën e kufijve u tërhoq, sepse miku i madh i lau duart si Pilati, kur pa se çështja e këmbimit të kufijve binte në kundërshtim edhe me aleatët e tij në Europë.
E treta, e vërteta:
“Shengeni Ballkanik” i ka të gjitha shanset të realizohet, të paktën formalisht.
Kjo duket nga pjesëmarrja e vëzhgues-përfaqësuesve të mikut në Samitin që do të zhvillohet për këtë çështje në Tiranë.
Ku fle “lepuri” i këtij “Shengeni” Ballkanik, kur vetë Ballkani ka synim “Shengenin” Europian?
 Interesat e mikut të përtej Atlantikut në Ballkan po rrezikohen nga lëvizjet ruso-kineze me “manaren” e tyre, Serbinë.
Kjo e fundit lëviz mbi dy karrige: Mbi karrigen e “integrimit në BE” dhe mbi karrigen e “Unionit Euroaziatik”, ku ka tutoren e saj, Rusinë.
BE, siç po duket, nuk po e fikson dot Serbinë në “karrigen” e saj.
Nga ana tjetër “karrigia aziatike” i jep shans Rusisë të penetrojë në Ballkan, çka bie ndesh me interesat e mikut tonë të përtej Atlantikut.
Në vija të trasha është kjo arsyeja e shpikjes së “Shengenit Ballkanik”, i cili mendohet se do të disiplinojë Serbinë të mos e lëvizë bythën nëpër karriget e ruso-Azisë.
Shtrohet pyetja: Çfarë interesi ka Shqipëria të hyjë në këtë skemë, e cila është një skemë e vjetër e serbëve që e kalon shekullin?
Sipas kryeministrit Rama, “është e vetmja mundësi për të hequr kufirin midis Shqipërisë e Kosovës”. Kjo është një broçkull, që nuk mund të shërbejë as për rubrikën “Gojë të liga” të gazetës DITA.
Ndërsa rreziqet për ne janë të mëdha, veçanërisht për Kosovën, që e kthen faktikisht përsëri në statusin e para luftës së vitit 1999.
Për të mos u zgjatur më tej për këtë problem, të cilin i kanë sqaruar diplomatët tanë të karrierës dhe analistë seriozë të çështjes kombëtare. Kufiri fizik midis Shqipërisë e Kosovës, nuk mund të hiqet nën maskën e “Shengenëve” apo të “Unioneve”.
Kufiri fizik aktual mund të hiqet vetëm me dy mënyra: Me luftë, ose me situata të reja ndërkombëtare.
Të dyja këto mënyra janë jashtë mundësive tona aktuale.
Nëse është fjala për kufirin shpirtëror, social dhe ekonomik, kjo mundësi ka ekzistuar prej 20 vitesh, ose së paku prej 10 vitesh, që kur Kosova u shpall Republikë. Por, kjo mundësi e artë, është shpërdoruar keqas nga liderët tanë këtej e matanë kufirit artificial shqiptar-shqiptar.
Gjatë këtyre viteve qysh nga 1999- ta, koha punoi vrullshëm për shqiptarët, por elita jonë dështake e shpërdoroi atë, sepse syrin dhe mendjen e kishte tek karrigia, e cila ua zhvendosi patriotizmin e rremë nga  Atdheu tek kuleta.
Kryeministri ynë, ndonëse disa e quajnë edhe “Skënderbe” të dytë, nuk mund të fitojë asnjë betejë politike apo ekonomike me “Shengenin Ballkanik”. Përkundrazi, nëse ky Shengen realizohet, egziston mundësia që koha ta tregojë me gisht… siç tregohen pesëdhjetë personat e “elitës shqiptare”, që të inkuadruar në një kuadrat komiko-tragjik, i dhuruan mbretit italian, Viktor Emanuelit të Tretë kurorën e Skënderbeut për ta kornizuar midis dy sëpatave të Liktorit. Sigurisht, veprimet e kryeministrit tonë për “Shengenin Ballkanik” janë veprime të imponuara nga miku ynë i madh i përtej Atlantikut.
Ajo që mund të bëjë Kryeministri ynë, çka do t’ia lehtësonte disi barrën e madhe mbi shpinë, idenë e “Shengenit” të paktën ta konsultonte me politikën dhe institucionet e vendit. Pas kësaj konsulte, ai do të kishte tri mundësi:
Të kundërshtonte Mikun, duke mbrojtur interesat e vendit të tij; të jepte dorëheqjen duke ruajtur kështu epitetin “Skënderbe” që i kanë dhuruar shokët e Rilindjes; ose të zbatonte urdhërin e Mikut të madh, siç edhe po bën, duke kaluar në “historinë” e përbashkët të “pesëdhjetëshes” tragjikomike të vitit 1939. Për ta lehtësuar disi hallin e kryeministrit tonë, po artikuloj një shprehje mirditore dhe zgjidhjen e dilemës së saj, që është e ngjashme me dilemën e kryeministrit:
“Bajraktarin, – thoshin mirditorët, – mjerë kush e ka armik dhe mjerë kush e ka mik”.
Të kishe armik bajraktarin, apo kapedanin, do të thoshte të kishe çdo ditë rrezikun mbi kokë.
Se bajraktari apo kapedani ishte fuqi e madhe e mund të të qiste fare, nëse i kundërviheshe apo e kundërshtoje. Por edhe po ta kishe mik, ishte me rrezik. Se të përdorte për interesat e tij, interesa të cilat shpesh të çojnë drejt rrezikut.
Për zgjidhjen e kësaj dileme, mirditori përdori një rrugë të mesme:
Zgjodhi ta kishte edhe mik, edhe armik.
Ta kishte mik, për gjërat që ishin jashtë konakut të tij dhe ta konsideronte armik, kur bajraktari (kapedani) kërkonte t’i ngacmonte “urët e zjarrit” në oxhak.
Për realizimin e kësaj taktike, mirditori, ndërsa i jepte dorën dhe e ngjatjetonte bajraktarin (kapedanin), në brez mbante kurdoherë nagantin.
Vetëm kështu ai mundi t’ja dilte bajraktarit, që e kishte edhe armik edhe mik!
Lideri komunist Enver Hoxha, siç duket e dinte këtë cilësi të mirditorëve, që është cilësi e gjithë shqiptarëve, ndaj e mori dhe pasi e përpunoi me elementë të rinj, e përdori me efikasitet në marrëdhëniet me bajraktarët e kapedanët e Europës dhe më tej. Dhe ia doli me sukses. Për fat të keq liderët tanë të sotëm, përfshi dhe “Skënderbeun” e Spiro Palit, nuk mund ta kenë këtë sukses me të madhin.
Ata ia kanë dorëzuar mikut të madh, jo vetëm çelësat e shtëpisë, por edhe çelësat e krenarisë kombëtare dhe janë kthyer në mercenarë të rëndomtë, duke marrë edhe përbuzjen e vetë armik-mikut të kohës.​

Nga Gjon BRUÇI

About admin

x

Check Also

Palmer: Nuk vendosim afate e as vija të kuqe në bisedimet Kosovë – Serbi

5 Qershor 2019 Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Mathew Palmer, tha ...