Home / Histori / HAJREDIN PASHA- Poemë historike për Luftën e Drinit, 1844

HAJREDIN PASHA- Poemë historike për Luftën e Drinit, 1844

HAJREDIN PASHA
Poemë historike për Luftën e Drinit, 1844

Nga MENDU DEMA

MALET E DIBRËS
1.
Dibranët me shekuj jetonin,
në trojet e veta gjithnji,
këtu ata prodhonin
pak misër, shumë histori.
2.
N’ato male me bukuri të rralla,
jetonin me vuajtje e halle,
Me legjenda e përralla,
me këngë e me valle.
3.
Në ato vende të prarueme,
Nandë çerdhe të lirisë.
Në këto zona të veçueme,
Nandë kala të pavarësisë.
4.
Ato krahina të mbijetesës,
Koha i kishte izolue.
Në ato zona të qëndresës,
Ora e zhvillimit ishte ndalue.
5.
Dimrit bora i mbulonte,
verës bilbili këndonte.
Në vjeshtë zverdhej natyra,
mrekulli ngjyra-ngjyra.
6.
Dibrës punëtore,
kudo i pati dalë nami.
Dibrës patriote,
N’Stamboll i pati shkue zani.
7.
Qëndronte Dibra krenare,
Me shekuj qeverisej vetë.
Me normat e të parëve,
Pa pranu as krajl e as mbret.

STAMBOLLI VENDOS TË NËNSHTROJË DIBRËN
8.
Por ja që, puna ndryshoi,
Sulltani është zemërue.
Hajredin Pashën caktoi,
Dibrën me e nënshtrue.
9.
Ishte viti njëmijë
tetëqind e dyzetekatër,
shteti vjetër osmanli
jetën desh me e zgjatur.
10.
Prandaj, shpiku “Tanzimatin”,
e fermane pa pushu.
Stambolli bëhej gati
Dibrën me e pushtu.
11.
Dashkan të drejtë e pavarësi,
Këta këmbëzbathur e pa bukë,
Gjeneral Hajredini do të prijë,
Këto Male me i zhdukë.
12.
Urdi e madhe na është hazru,
Krekos zabitë e jeniçerë.
Pashaj, Sulltanit i është betu,
Me e zhduk Dibrën këtë herë.

HAJREDIN PASHA NISET PËR NË DIBËR

13.
Ecnin jeniçerët ngadalë, me mundim,
mbush me djersë e me mërzi,
Kuaj karroca, xhephane, ushqim,
S’paska fund kjo Rumeli!
14.
Kjo rrugë s’mbaruaka kurrë,
Taborët ecnin ngadalë,
Me hanxharë, daulle e flamurë,
Pashai mendohej mbi kalë.
15.
Kjo Dibra, ku do të jetë?
Me ato Male që duan liri
do t’i zaptojë për jetë
e do të kthehem me lavdi.
16.
N’ fushë të Mavrovës kanë mbërrit,
kanë ngritur çadrat me pushue.
Kanë qëndruar dy-tri ditë,
prapë rrugën e kanë vazhdue.
17.
Në Grykë të Radikës taborët hynë
e me vështirësi e kaluan,
Pastaj dolën në një luginë,
Në Shehër të Dibrës ndaluan.

CEN LEKA

18.
Turqit erdhën në Pollog,
Jo pak, por dhjetë taborë.
Hajredini po u prinë,
Njeri me grada e me shkollë.
19.
Tani Radikën e ka kalue,
-Shihi Malet, o Pasha!
-Në Anadoll i pate dëgjue,
po me sy s’i kishe pa.
20.
Po sheh Pasha fusha të blerta,
Po ato Malet, atje përreth,
iu dukën shumë të errëta.
filloi fytyra me iu zverdhë.

MALET PËRGATITEN PËR MBROJTJE
21.
Sheh Mustafa nga Zerqani,
Maleve u ka çue fjalë:
-Në rrezik është vatani,
kundër turkut me dalë!
22.
Fasli Malja i Krajkës flet:
-Fjala e Shehut duhet zbatu!
Gryka e Madhe me të shpejtë
Bëhet gati e është harru.

23.
Kur u hap lajmi në Malësi
se nga Radika po vjen një urdi,
te Haziz Dema në Homesh
vinin burrat për t’u marrë vesh!
24.
Haziz Dema kishte thanë:
-Nuk japim taksa e nizamë!
U ngrit në këmbë ky djalë i ri
Me Grykën e Vogël ra në Dri t’ Zi.
25.
Elez Murra pret te kulla,
vijnë luznakët me radhë.
Janë mbledhë qindra burra
N’Grykë të Vogël me ardhë.
26.
Ashtu, siç ishte adet,
Niset Osman Çerpja me dardhjanë,
Ngrihen Malet shpejtë e shpejtë
Vjen Sali Doda me reçjanë.
27.
Seç po dyndet kjo Malësi
për të shporrë dushmanin.
Lëviz Bulqiza me shpejtësi,
vjen Selishta me Kazihanin.
28.
U nis Salë Demiri me çidhnakë
Muhurri me Hoxhën të parë.
Vijnë malësorët varg e varg
Gjithë Dibra ka ardhë!
29.
Edhe përtej Drinit këtë herë
Iljaz Qoku e Nasuf Maqellara,
fshatrave u kanë çue haber
e i prinë Fushës përpara.
30.
Fshatarët punën e lënë në mes,
shatë e kazmë në një anë.
Ngjeshën armët e veta në brez,
se turku u shkeli vatan.
31.
Ata kripë e vajguri blinin më pak,
më shumë merrnin plumba e barut,
se ky vend ishte pa fat,
vendit duhej me i dalë zot.
32.
U mblodhën Malet të tanë,
Në Gjoricë e te Kalaja.
Nuk japim taksa e nizamë,
Pashajn do e gjejë belaja.
33.
Këta malësorë nuk e dinin,
ç’plane thureshin në Europë,
po kur pasojat këtej u vinin,
reagonin si patriotë.
34.
I bënin planet në oda brenda,
aty ku fliste bujaria.
Në kullat me bedena,
ku ishte mendja e trimëria…
35.
Në fshatra ato ditë,
mbetën gra e fëmi.
kujdeseshin për shtëpitë
dhe për tokë e bagëti.
36.
Si ortek Malet janë lëshue,
Me vete bukë e barut.
N’fushë t’ Gjoricës janë ndalue,
Dibrës me i dalë zot.
37.
Shikon Hajredin me tmerr,
dhe rënkon për së thelli.
Dhe ashtu, helm e vrer,
Po lutet nga qielli.
38.
Nandë Malet hijerëndë,
Qëndrojnë me armë në dorë.
Pashait i dridhet mjekra,
kërkon bisedë më malësorë.

NUK KA MARRËVESHJE
39.
Si përfaqësues dy malësorë,
mendonin e pinin duhan.
Pashai me një kërbaç në dorë,
u fliste prej në këmbë.
40.
-Paguani taksa, jepni nizamë,
shpërndani miletin në shtëpi!
-Me Dovletin mos me u zanë,
Sulltani do rregull e qetësi.

SHEH SULA I ZERQANIT

41.
Salë Markja tha prerë:
“Kemi lidhur besën të tanë,
Mos na futni kot në sherr,
Dibrën turkut nuk ia lamë.”
42.
Cen Leka shpejt e shpejtë
Ngrihet në këmbë menjëherë.
-Mjaftë Pasha, me muhabet,
kthehu prapë me gjithë asqerë!
43.
E niset Ceni te shokët e vet.
Prej matanë Drinit po thërret:
-Me hasmin nuk ka ujdi,
t’i biem burra, çenit të zi!

DIBRANËT KARSHI TABORËVE TURQ
44.
Me dredhi nuk dolën planet,
kthehen topat drejt Malësisë.
Po ku pyesin Malet
për gjylet e Turqisë!
45.
Pasha, mendohu mirë,
mos e merr punën me vrap!
Sa zabitë e sa vezirë
këtej janë kthyer prapë.
46.
Pashai rendit taborët,
Aty, përreth Drinit.
Në anën tjetër malësorët,
Karshi Hajredinit!
47.
Mos i lodh kot topçinjtë,
Mos qëllo n’ këtë anë t’Drinit!
Nuk pyesin djemtë e Dibrës
Për brekushezinjtë e Hajredinit!
48.
Mendohu mirë, o turçeli,
Grykë e Vogël këtu fillon.
Mos e kalo Drinin e Zi,
Do pendohesh për gjithmonë!

FILLON PËRPJEKJA MBARËDIBRANE
49.
Dibranët opingat shtrëngojnë,
fillon lufta me tërbim.
Zemra fort po u gufon,
Aty, pranë lumit Drin.
50.
Egërsohet Drini e buçet,
hidhen trimat për Atdhe.
Lartë një shqipe po përshëndet,
i rreth krahët nën re!
51.
Malësorët nëpër male,
me opinga e kësula të bardha,
hidhen porsi sorkadhe,
porsi dragonjtë në përralla!
52.
Cen Leka me dyzet vetë,
Tirq me arna e pak fishekë.
Kalon Drinin shpejt e shpejt,
e po turret si shigjetë.
53.
Fasli Malja nga Krajka,
Kalon me shokë matanë Drinit,
tym e flakë te çadra,
Për pak shpëtoi Hajredini!
54.
Bëhet Pasha helm e vrer,
Askund kështu nuk kishte parë,
shikon përpara me tmerr,
këtu luftojnë burra e gra!
55.
Ç’po ndodh, poshtë, n’atë va?
Përse kështu Drini po buçet?
Cen Leka qenka vra,
bashkë me shokë e djalin e vet!
56.
Në Sopot dasma u ndalua,
se “dasmë” tjetër kishte fillue.
Këtu Ahmet Loka la nam,
“U bë dhëndër në istikam”
57.
Te kodra atje lartë,
lëvizin kësulat e bardha.
Besa-besë tuj vikatë,
i vinin turqit përpara.
58.
Poshtë, te Zalli, dridhet toka,
ikin turqit nëpër rrema,
u bien çallmat nga koka,
u turret prapa Kurt Dema.
59.
Mustafë Jakini te një dardhë,
megjithëse çalonte në këmbë,
nxori gjithë Malet faqebardhë
i preu Pashës shumë nizamë.
60.
Ç’qenkan këta malësorë?
nuk pyetkan për topa,
nuk pyetkan për taborë,
po çuditet dhe Europa!
61.
Reç e Dardhë, besa –besë,
Dridhet toka, Drini buçet,
Gjorica flakë e ndezi,
Tafë Doda aty ka mbet.
62.
Pse u ndaluan ata burra?
Vallë, ç’do të ketë?
Pse po i heqin kësulat,
Haziz Dema ka ndërrua jetë.
63.
Can Bajrami nuk duron,
Doli nga llogoret,
nëpër shkurret po vrapon,
u sul mbi taborët.
64.
Rizvan Alla një azgan,
me shallvare e magore.
Nuk kish hutë e jatagan,
pret asqerin me sakore.
65.
N’Grykë t’Madhe u vranë shum’vetë,
Tafë Kurti e Abas Kacani,
Zenel Mera e Sali Meta,
Isuf Shehu e Ali Cani.
66.
Mustafë Seferi e Mehmet Lala,
Ramiz Puca e Bajram Sula,
Sali Hyka e Mislim Balla,
gjithsej njëqind e tetë burra!
67.
Kudo Malet po gjëmojnë,
Ngado krisma po vijnë.
Sikur dhe gurët po qëllojnë
sa e frikshme kjo luginë!
68.
Pyet Korabi me çudi,
-Pse qenka skuqur Drini i Zi?
Përgjigjet shqiponja në ajri:
-N’Grykë të Vogël u bë kërdi!
69.
Aty u bë qëndresë epike,
hovi i tyre s’u ndalë kurrë.
Në ato troje heroike,
Do valojë veç një flamur!

DRETJUESIT E MALEVE
70.
Ikin turqit me tërbim,
malësorët kur i shikojnë.
Pyet Pashai me zemërim:
-Këtë milet kush e drejton?
71.
Këta udhëheqësit tanë
fshatarë të thjeshtë janë.
Nuk kanë uniformë,
as shkollë e as diplomë.
72.
Nuk kanë grada e nishan,
janë me tirq e xhamadan.
Me opinga në këmbë
brezin me jatagan.
73.
Nuk njohin qeveri e mbret,
Po njohin Atdheun e vet.
Të tjerëve keq nuk u bëjnë,
të vatani nuk durojnë!
74.
Ata drejtojnë te istikami,
pastaj dalin nëpër rrema.
Janë Cen Leka e Sheh Zerqani,
Llan Kaloshi e Haziz Dema!

DIBRA FITOI MBI PASHALLARË
75.
Dielli ikën ngadalë,
Doli hëna, zverdhë më shumë.
Kur sheh gjak përmbi valë,
Kur sheh Drinin skuq me shkumë.
76.
Duket vendi i zbetë,
në mendime bien Malet.
E moj Dibër e shkretë,
nuk t’u ndanë kurrë hallet!
77.
Erdhën secili në troje t’vet,
Vendi djegë shkrumb e hi.
Po themelet aty kanë mbet,
ndërtuan kasollet përsëri.
78.
Filluan punën si gjithnji,
kapën kazmë e lopatë.
Hutat i mbanin në frëngji,
kur të kishte nevojë prapë.
79.
U munde, Pasha Hajredini,
ç’kërkove në Dibër, o i shkretë?
Të mbet asqeri te Zalli e Drini
e me zor shpëtove vetë!
80.
Pasha, more mendje shkurtë,
kujtove se do dalësh lehtë…
Gjithë asqeri t’i zhdukë,
jo pak, por mijëra vetë!
81.
A nuk e dije, o mjekër zi,
ky vend asht përmend qëmoti?
E nuk duron kurrë robëri,
Kjo është Dibra e Kastriotit!
82.
Erdhe me bujë e urdi,
Ike i vetmuar.
Erdhe për të marrë lavdi,
ike i turpëruar!
83.
E doli kënga me gëzim,
Që këndohej anembanë.
Të shanin, ty, o Hajredin,
ty që erdhe në këto anë!
84.
Të thoshin “hutaç” e “krajshenek”,
Nuk asht Dibra Selenejk!
Ku i çove gjithë urdinë?
Malet e Dibrës t’i grinë!”

85.
Fshatrave të Fushës e Malësisë
Nga Korabi, brigjeve të Drinit,
Dridhen telat e çiftelisë,
me Këngën e Hajredinit!
86.
E kjo këngë nuk harrohet,
Historia aty marshon.
Brez pas brezi po këndohet,
dashuri e krenari transmeton.
87.
Krah për krah Malet ngjesh,
Kësulën ulur mbi sy.
Mos niset kush kundër nesh,
Jemi gati përsëri

About admin

x

Check Also

Agim Kasapolli ekskluzivisht për MekuliPress: “Nuk e pranoi Hashim Thaçin si president të vendit tim – Kam përcjellë 8 olimpiada me mbi 1600 komentime nga ngjarjet më të mëdha sportive botërore – Në 2005 më larguan nga RTK, me arsyetimin se nuk jam gazetar i aftë për ta kryer punën!”

April 4, 2020 Në një intervistë ekskluzive për “MekuliPress”, gazetari i sportit, ...