Home / Opinion / AFERA E DRAIJFUSIT – ZOLA NË MBROJTJE TË SË VËRTETËS

AFERA E DRAIJFUSIT – ZOLA NË MBROJTJE TË SË VËRTETËS

 

Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji (Kafka)​
Në vitet e fundit të shekullit XIX ndodhi në Francë një ngjarje e cila e tronditi, jo vetëm vendin, por edhe mbarë Evropën. Ngjarja u quajt Afera e Drajfusit.​
Ngjarjet kryesore gjatë kësaj afere të famshme që e tronditi jo vetëm tërë vendin e Volterit, por edhe një pjesë të madhe të opinionit publik botëror, kanë  qenë, si vijon: ​
– Në vitin 1894, oficeri francez, grofi Ferdinand Valsen-Esterhazi (Walsin-Esterhazy), filloi t’i jepte atasheut ushtarak të ambasadës gjermane në Paris – Maks fon Shvarckopenit (Max von Schëarzkoppen) dokumente ushtarake sekrete. Për punën e bërë, oficeri francez shpërblehej me para.​
– Gjatë kësaj veprimtarie të vet spiunuese, më 1 shtator 1894 i dorëzoi një dosje me akte apo shkresa, së cilës ia kishte bashkëngjitur edhe regjistrin e dokumenteve të dërguara deri atëherë. Regjistrin e sipërthënë, oficeri francez Valsen-Esterhazi e kishte shkruar me dorë të vet. Ndërkohë, ky dokument kishte rënë në duar të shërbimit francez të kundërzbulimit, i cili menjëherë u vu në kërkim të spiunit.​
Kjo shënon fillimin e asaj që së shpejti do të quhet Aferë e Drajfusit.​
Shpejt pas kësaj, shërbimi francez i zbulimit zuri një letër të cilën atasheu Shvarckopen ia kishte shkruar kolegut të tij – atasheut ushtarak italian në Paris, me të cilin kishte një bashkëpunim të ngushtë. Në atë letër përmendej edhe njëfarë spiuni francez i shënuar vetëm me germën D.​
Duke e kontrolluar listën e oficerëve të Shtatmadhorisë së Ushtrisë Franceze (Shtabit të Përgjithshëm), organet franceze të hetuesisë u ndalën tek emri i kapitenit tridhjetëvjeçar – Alfred Drajfusit, i cili njëherazi ishte edhe i vetmi çifut i Shtabit të Përgjithshëm Francez.​
Përse u ndalën tek emri i tij? Kështu sepse germa D në letrën e atasheut gjerman dërguar kolegut të tij italian në Paris, përputhej me inicialin e emrit të Drajfusit, që po ashtu fillonte me shkronjën D.​
Duke qenë me prejardhje çifute, për disa oficerë të lartë francezë me orientim dhe disponim antisemitist, Alfred Drajfusi vetvetiu ishte i dyshimtë.​
Për ta deshifruar shkrimin e regjistrit të cilin Valsen-Esterhazi ia kishte bashkëngjitur dosjes dhe ia kishte dërguar atasheut gjerman në Paris – Shvarckopenit dhe për të parë nëse shkrimi në regjistër përputhej me atë të Alfred Drajfusit, organet kompetente franceze angazhuan ekspertë të grafologjisë. ​
Duke qenë se njëri prej ekspertëve deklaroi se dy shkrimet janë të ngjashme, Drajfusi u arrestua.​
Gazetat nacionaliste të Francës ndërmorën një fushatë të ashpër kundër Drajfusit. Ata kërkuan njëzëri dënimin e tradhtarit  dhe linçimin e tij. Kundër Drajfusit u ngrit procedurë penale. Ajo u zhvillua me shumë parregullsi dhe në një atmosferë tejet të rëndë. ​
Drajfusi i mohoi akuzat duke shtuar se në asnjë mënyrë nuk është i implikuar në rastin për të cilin fajësohet. Përkundër qëndrimit të prerë për pafajësinë e vet, ai u dënua nga gjykata ushtarake franceze me deportim të përjetshëm dhe më 5 janar 1895 u dërgua në Ishullin e Djallit. ​
Ky ishull është  më i vogli dhe më veriori i brigjeve të Guajanës Franceze në Atlantik, ku deri në vitin 1952 dërgoheshin të dënuarit politikë të Francës dhe të kolonive të saj. (Në vitin 1973, për Guajanën Franceze u xhirua edhe filmi Papillon – Flutura).​
Pas dy vitesh, shërbimi francez i zbulimit zuri edhe një letër të cilën grofi Esterhazi ia dërgonte Shvarckopenit. Shpejt pas kësaj, u konstatua se shkrimi i Esterhazit është identik me atë të “regjistrit”, për të cilin Drajfusi ishte dënuar si tradhtar dhe si spiun.​
Familja dhe farefisi i Drajfusit kërkuan revizionin e procesit. Duke qenë të bindur se Drajfusi është dënuar i pafajshëm, këtë e kërkuan edhe shumë persona publikë të shquar,.​
Ndërkohë, gruaja e Drajfusit i drejtohet për ndihmë romancierit dhe kritikut francez – Emil Zolës (emri i vërtetë Edouard Charles Antoine, 1840-1902). Me këtë rast, përfaqësuesi më i madh i natyralizmit francez – Zola, ngriti zërin e protestës dhe u vu në mbrojtje të së vërtetës. ​
Më 13 janar 1898, në gazetën “L’Aurore” të Klemansosë (Clemenceau) botoi artikullin e famshëm “J’accuse…!” – Lettre au President de la Republique par Emile Zola (Akuzoj…! – Letër Presidentit të Republikës nga Emil Zola).​
Botimi special i kësaj gazete përnjëherë u shit në 300.000 kopje, në Paris ndërkaq, u mbajtën mitingje të mëdha protestuese. Letra e Zolës tronditi Francën dhe mbarë Evropën.​
Protestat shpërthyen në të gjitha metropolet e kontinentit të vjetër. Opinioni francez dhe evropian u nda më dysh: një pjesë e madhe – liberale, ishin me Drajfusin, të dënuar padrejtësisht, ndërkaq pjesa tjetër, ultranacionaliste dhe ksenofobike – kundër tij.​
Nën ndikimin e qarqeve konservatore dhe antisemitiste, prokuroria e shtetit edhe kundër Zolës, ngriti proces gjyqësor – për shpifje. ​
Shkrimtari i famshëm u dënua me një vit burg dhe me 3.000 franga gjobë. Autori i “Rugon-Makartëve” dhe i “Zherminalit” u largua në Angli.​
Por, me këtë vendim arbitrar dhe absurd të pushtetarëve francezë afera nuk mund të mbyllej. Bindja për pafajësinë e Drajfusit u forcua gjithnjë e më tepër.​
Ndërkohë, fajtori kryesor, grofi Esterhazi, iku në Londër, kurse një oficer francez që kujdesej për ta strehuar, kishte përfunduar me vetëvrasje.​
Revizioni i procesit të Drajfusit tani ishte i pashmangshëm. Për të marrë pjesë në procesin gjyqësor të përsëritur, ish-kapiteni i ushtrisë franceze u rikthye nga Ishulli i Djallit ku ishte deportuar. ​
Për ta ruajtur autoritetin e Shtatmadhorisë së Ushtrisë Franceze dhe të Qeverisë Franceze, pavarësisht provave që ishin në favor të pafajësisë së Drajfusit, ai u dënua përsëri.​
Aktgjykimi kundër tij përsëri shkaktoi trazira të mëdha në mbarë vendin dhe në krejt Evropën. “Çështja e Drajfusit” nuk u hoq nga rendi i ditës. Pjesa nacionaliste e Francës ishte vërtet e fortë, por, po aq i fortë ishte edhe opinioni demokratik dhe liberal i vendit. ​
Në fund, krejt afera mori fund dhe u mbyll dhe jo duke e shpallur Drajfusin të pafajshëm, por duke ia falur dënimin, përkatësisht nëpërmjet abolimit që ia dha Presidenti i Republikës – Emil Lube (Emile Loubet, 1838-1929).​
Më në fund, më 19 shtator 1899, pasi qëndroi pothuajse pesë vjet i syrgjynosur në Amerikën Latine në Ishullin e Djallit, pranë Guajanës famëkeqe të Francës në Atlantik, Drajfusi u lirua nga faji. ​
Me këtë rast ai deklaroi: “Qeveria e Republikës ma riktheu lirinë, por kjo s’paraqet kurrgjë për mua, derisa nuk ma rikthejnë edhe nderin”.​
Shkrimtari i famshëm gjermano-austriak me prejardhje çifute, Franc Kafka më vonë do të thotë: “Fajësia është gjendja në të cilën ndodhemi të gjithë ne, pavarësisht nga faji”.​
Rehabilitimi i Drajfusit u krye shkallë-shkallë, në disa faza, ndërsa arriti kulmin më 22 korrik 1906, kur u dekorua me dekoratën e “Legjionit të nderit”. ​
Ishte fëmija i nëntë i prindërve të tij çifutë. Vdiq në Paris më 1935, në moshën 75-vjeçare.​
Pasi Drajfusi mori pafajësinë, shkrimtari Emil Zola, nga Anglia u kthye në Francë ku u prit si hero dhe u shndërrua në ndërgjegje të kombit francez. Për qarqet liberale dhe demokratike të Evropës u shndërrua në simbol të intelektualit i cili del nga kabineti i shkrimeve dhe nga kulla e fildishtë për ta ngritur zërin e protestës kundër padrejtësisë, në mbrojtje të së vërtetës.​
Zola vdiq në kabinetin e tij të punës, në orët e hershme të mëngjesit, më 29 shtator 1902, nga helmimi me monoksid karboni që lëshonte koftori. Në varrimin e tij morën pjesë mijëra francezë. Familjes së tij i erdhën letra ngushëllimi nga të katër anët e vendit dhe nga mbarë Evropa. Me javë të tëra,  për të shprehur ngushëllime dhe për t’u regjistruar në librin e zisë, në shtëpinë e tij erdhën shumë shkrimtarë eminentë, filozofë, shkencëtarë, piktorë dhe politikanë. Shkrimtari i madh u varros në Cimetiere de Montmatre në Paris.​
Pas gjashtë vjetësh, më 4 qershor 1908 u bë rivarrimi i mbetjeve të kufomës së tij, për t’u vendosur në Panteon, pranë Viktor Hygosë dhe Aleksandër Dymas. ​
Në ceremoninë e  vendosjes së natyralistit të madh në Panteon, mori pjesë edhe kolonel-lejtënanti Alfred Drajfus.​
*   *   *​
Inteligjencia shqiptare në Ballkan, aktin e Zolës duhet ta ketë shembull. Intelektuali, krahas profesionit që ushtron, duhet të ngre edhe zërin e protestës, duke u vënë në shërbim të interesit të gjerë shoqëror. Ndryshe, shndërrohet në një mediokër që jeton vetëm për interesin meskin të vet, pa lënë gjurmë në hapësirë dhe kohë.​
Inteligjencia shqiptare në Ballkan duhet të dalë nga amullia, oportunizmi, konformizmi, indolenca, neglizhenca e mendësia provinciale dhe të vihet në mbrojtje të së vërtetës.​
Xhelal Zejneli

About admin

x

Check Also

Rrëfimi rrëqethës i kosovares: Fqinjtë serbë na përdhunuan edhe para

Dhjetor 25, 2019 Një grua e dhunuar seksualisht nga forcat serbe, gjatë ...