Home / Opinion / NË POLITIKË, NUK KA RASTËSI!

NË POLITIKË, NUK KA RASTËSI!

Afrim MORINA

 

             Me 28 Nëntor, dolëm me disa shokë, për të pirë kafe dhe për të biseduar për ngjarjet tragjike që ndodhën në Durrës e rrethinë dhe qytete të tjera. Ishin shumë tronditëse gjithë ato pamje, që shfaqeshin në ekranet televizive dhe në Prishtinë, ku, pos flamujve kombëtarë, nuk kishte asgjë festive. Duke shëtitur në Sheshin “Zahir Pajaziti”, me dy shokë, sepse, ishim ndarë në dy grupe, më ra në sy një parullë, “Shtetet e bashkuara shqiptare”, shkruar në gjuhën angleze. Njëri nga shokët, kërkoi përkthimin e saj në gjuhën shqipe dhe unë menjëherë thash “Nuk është mirë!”. Njëri, më i riu, u mundua ta arsyetojë, me ngjarjet në Shqipërinë londineze, por, ne të dytë nuk e tumirëm dhe ai heshti, u bind apo nga respekti për ne më të vjetrit, nuk e di.

            Fillova të mendoj, a ka gisht politika këtu? Mendoj, se, po, sepse, asgjë nuk është rastësi në politikë, sidomos, në festat kombëtare, që, një pjesë po mundohet t’i heq, sepse, 28 Nëntori nuk është festë kombëtare, në Kalendarin e festave shtetërore dhe atë e paraqesin si ditë flamuri, e, jo ashtu si duhet emërtuar: “Dita e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë”.

            T’i kthehemi të kaluarës, përmes memoteknikës, për ta nxjerrë përfundimin e daljes së kësaj parulle, në këtë festë, bukur me peshë kombëtare, a është rastësi apo diçka tjetër, që luhet në prapavi dhe për këtë, më shumë flet kronologjia  e ngjarjeve kundërthënëse, me rrjedhat e historisë, që e krijonin gjeneratat në vazhdimësi, e, që, do t’i paraqes, në vazhdim.

            Kur bëheshin diskutimet kushtetuese, “ekspertët” shqipfolës, trumbetonin, se asgjë nuk do të humbim me këto ndryshime. Kësaj valleje iu bashkangjitën dhe disa të ish të burgosur politikë, duke u munduar ta mbronin autonominë e Kosovës, nëpër diskutimet publike dhe mëse shumti bëhej zhurmë, rreth Nenit 47. Mjeranët, këtë ua kam thënë disave në atë kohë, ishin rrahur, burgosur dhe vuajtur dënimin, si është mëse keqi, për Republikën e Kosovës, ndërsa, tash, me gjithë potencialin “mendor” e mbronin autonominë! Serbia, e bëri të vetën, me ndihmën e “institucionalistëve dhe ekspertëve” shqipfolës, dhe e shfuqizoi Kushtetutën e vitit 1974.

            Demeonstratat shpërthyen menjëherë, dhe, jo për ta mbojtur autonominë, por, për Republikë dhe ato ishin shumë më të fuqishme se herave tjera, madje, në gjithë territorin e Jugosllavisë, ku kishte shqiptarë, ku, dhe pati të vrarë, të plagosur e të arrestur, por, edhe të vrarë në zyrat e UDB-së, pas arrestimeve.

            “Ajka” e intelektualëve të Kosovës, pas disa muajsh “reagoi” përmes një deklarate, e njohur si “Deklarata e intelektualëve”, për rikthimin e autonomisë, duke mos përfillur kërkesat e shqiptarëve për Republikë, të artikuluara në demonstratat e vitit 1968, nëpër burgjet e Jugosllavisë, nën tortura dhe duke ua përcjellur familjeve kufomat, gjoja, se kanë bërë “vetëvrasje”. Ata, nuk e përfillën edhe demonstratën e fundit, që ishte shtrirë në gjithë Kosovën (lexo: shqiptarët e robëruar nga jugosllavët). Edhe këtu, lajthitën shumë ish të burgosur politikë.

            Më vonë, do të shohim se ata “intelektualë”, e themeluan LDK-në dhe programi i saj deri në mbarim të luftës ishte “deklarata e intelektualëve”, dërguar institucioneve Jugosllave, por, pak më e zbutur, nga autonomia politike, në autonomi substanciale, të cilën e nënshkruan Ibrahim Rugova, më 28 prill 1999, së bashku me Millutinoviçin, Kryetarin e Serbisë. Të gjithë ata do të strukturohen në udhëheqje të LDK-së, me përjashtime, në rrjetin e informimit, në stukturat qeverisëse të “Qeverisë në egzil”, që mbulonte shumë sfera të jetës dhe dominonte në atë të mbledhjes së parave qytetarëve shqiptarë, me keqpërdorimin ekstrem të tyre. Ajo deklaratë-platformë, ngulfati jetën e qytetarëve, por, nuk arritën ta mbanin nën kontroll ndërgjegjën kombëtare dhe rezistencën e armatosur, përkundër fyerjeve, shantazhimeve, burgosjeve, etj.

            Në vitin 2003, LPK-ja del me Statut për “Konfederatë Kosovë-Shqipëri”, nuk di nga janë frymëzuar për këtë, por, edhe vetë e panë, se, me lojëra dhe papërgjegjësi, nuk luhet me fatin e kombit. Kjo teori nuk gjeti mbështetje, përkundrazi, nga intelektualët dhe veprimtarët e çështjes kombëtare u kritikua, prandaj , edhe vetë e heshtën.

            Vijmë te rasti tjetër, i Njubor-nit. Ditën e shpalljes së pavarësisë, Njuborni lindi si këpurdha pas shiut, para Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, “Adem Jashari”! Autori po dihet, por, kush ishte ideatori?! Atë ditë shkuan dhe nënshkruan në “faqet” e tij, i madh e i vogël, që nga “Presidenti”, e deri te qytetari me “ideale presidenciale”. E dinin këta ku nënshkruanin dhe ç’do të thoshte ky simbol, bukur me peshë të madhe politike!? Me siguri, disa e kanë ditur, e disave as që u ka shkuar mendja, se çka do të prodhonte më vonë dhe cila ishte pjella e tij politike dhe mesazhi që përcillte te ndërkombëtarët. Besoj se edhe autori nuk e ka ditur këtë, edhe pse i duhet ta mbrojë, se, në fund të fundit, është punë e tij.

            Pjellë e Njubornit, si duket dhe autore e tij, është Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, e cila, menjëherë, filloi të punojë në këtë drejtim, së pari përmes Nexhmedin Spahiut, Migjen Kelmendit e Halil Matoshit me shokë, e, kohëve të fundit edhe Rrahman Paçarizit, për ta artikuluar “Kombin kosovar”, për t’ia krijuar histrorinë, kulturën, gjuhën, etj. Nuk vonoi nga kjo ide bastarde dhe “polli” projekti “Enciklopedia historike e Kosovës”, dhe, në botim doli “Fjalori enciklopedik kosovar”.

            Pse e gjithë kjo ndodhi dhe e gjithë kjo nguti e “Akadaemisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”?

            ASHAK, gjatë tërë jetë së vet, nuk arriti të ecën krah kërkesavë të ilegales shqiptare dhe kërkesave kombëtare, të artikuluara në rrugë e procese gjyqësore, por, përherë, është marrë me diferencime, shantazhe e forma të tjera (para)politike. Edhe në momentet e krijuara për mendim të lirë publik, nga gjaku i shqiptarëve derdhur në burgje, në rrugët e arat e gjithë hapësirës kombëtare në ish-Jugosllavi, pastaj, torturat e rinisë shqiptare nëpër burgje dhe vrasja e tyre, duke i shpallur si vetëvrasje, ajo doli me projektin e ruajtjes së autonomisë, madje, asaj “substancile”, për të mos “rënë” në sy të Beogradit. Kjo dëshmohet, se një pjesë bukur e mirë e tyre, ishin të përfshirë në “deklaratën e intelektualëve të Kosovës”. Për ta ruajtur “nderin” e punës së vet, për ta ruajtur “kranarinë” e titujve “shkencorë”, e, për ta ruajtur “mençurinë” e treguar me dhjetëvjetësha, për të mos e prishur “vëllazërim-bashkimin”, filluan edhe ta bëjnë ndarjen e shqiptarëve, sepse, duhet përbushur premtimi i dhënë, përndryshe, del publike dosja e përpiluar dhe e pranuar nga punëdhënësi – Beogradi.

            Dhe, ditën e 28 Nëntorit, datën e shënuar të krenarisë kombëtarer, nuk duket rastësi dalja e asaj parrulle, për “Shtetet e bashkuara shqipare”, ku, dhe kishte një aktivitet shumë të ngjeshur kombëtar, për t’iu shkuar në ndihmë, me çka u jepej mundësi, vëllezërve e motrave, në Durrës e rrethinë dhe në qytete të tjera, ku ishte më e nevojshme. Ndoshta, kjo e ka frikësuar ndonjë elitë politike e parapolitike, nga frika se shqiptarët po bashkohen dhe kufiri nuk do të jetë në gjendje ta ndalojë askë, shpikën këtë ide, për t’i “qetësuar” shqiptarët e etur për bashkim, me këtë parullë vrastare dhe antishqiptare!

            Po të jenë në nivel të vetëdijes, shqiptarët, edhe sot, mund të bëjnë mrekulli, se, ky rast dha për të kuptuar shumë gjëra. Çërçilli, thotë: “Po ta dinte taraku forcën e vet, as zixhiri nuk do ta mbante, por, e mban një liftyrë prej kashte!”. Kjo është kërkuar gjithmonë, kërkohet edhe sot, për t’i ndalë “mendimet” e “arta” që pjellin të huajt dhe servilët e tyre “shqiptarë”, armiqët e dëshmuar historikisht, apo “miqtë” që veprojnë prapa kulisave, duke luajtur rolin e suflerëve, për “artistët” që luajnë në këtë dramën tragjike kombëtare, shqiptare, të cilën e shkruan me kujdes ASHAK dhe e hedh në skenë, sikurse edhe herave tjera, përmes parapolitikës, për ta matur pulsin e qytetarëve, e, pastaj, të veprojë politika intitucionale, në emër të kombit.

            Kjo parullë, është e huaja, është vrastare, se, në politikë, asgjë nuk është rastësi dhe kurrë mos e bëni tuajën, sikurse ishin edhe ato të mëhershmet, që i mora për ilustrim, të cilat, tashmë, historia i ka shti brenda kornizave të zeza!

 

Prishtinë, 2. 12. 2019

About admin

x

Check Also

VOA lëshon “bombën”: Marrëveshja Serbi-Kosovë është firmosur!

16 Nentor, 2019 Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-zyrtari i ...