Ne shqiptarët jemi popull tepër euforikë dhe rrëmbehemi lehtë pas fitoreve të vogla. Në mungesë të rezultateve të mëdha ngushëllohemi edhe me rezultate të vogla.

Fitoren e opozitës në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovës, të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, gati sa nuk e kemi shpallur si fitoren më të madhe historike të popullit shqiptar në periudhën e demokracisë, duke harruar se përafërsisht të njëjtat rezultate këto dy parti i kanë arritur edhe në një zgjedhjet e mëparshme parlamentare, ndërsa edhe subjekte të tjera politike më herët kanë arritur rezultate shumë më spektakulare, por nuk i kanë realizuar ndryshimet e pritura dhe të nevojshme për shtetndërtimin e Kosovës.

Gjithë këtë eufori, anëtarët dhe simpatizuesit e këtyre partive, analistët dhe shumica e mediave, e kanë krijuar duke u bazuar në dy figurat politike të reja, të pakomprometuara dhe premtuese, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, të cilët e kanë udhëhequr fushatën e opozitës në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit në Kosovës dhe kanë arritur së bashku një fitore të lakmueshme duke fituar mbi 60% të mandateteve për deputetë në Parlamantin e Kosovës, kurse si subjekte të veçanta nuk kanë arritur ndonjë rezultat të jashtëzakonshëm, meqë nuk i kanë fituar veçmas as mbi çerekun e votave nga qytetarët e Kosovës.

Me të drejtë shpresohet që ky rezultat ka vlerë të veçantë, duke pasur parasysh se mund ta largojë nga skena politike e Kosovës njëherë e përgjithmonë një klasë politike të korruptuar, e cila një kohë të gjatë e ka mbajtur të kapur shtetin e ri të Kosovës, në periudhën kur më së tepërmi Kosovës i duhej një pushtet i përgjegjshëm, për peshën e lirisë dhe pavarësisë së fituar me luftë, gjak dhe shumë sakrifica.

Megjithatë, kjo fitore ende është e brishtë, duke pasur parasysh se shteti i Kosovës aktualisht përballet me një oligarki të fuqishme të krijuar gjatë periudhës së pasluftës, përballet me klane politike mafioze, shumë politikanë të korruptuar dhe me akuza për krime, me grupime politike që janë të gatshme të rrënojnë gjithçka për realizimin e interesave të tyre, duke e rrezikuar edhe mirëqenin e qytetarëve, zhvillimin dhe progresin, proceset integruese, përmbylljen e procesit të njohjes së plotë ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.

Në këtë përballje mes forcave progresive dhe reaksionare përbrenda Kosovës nuk është për ta minimizuar edhe ndikimin e pushtetit aktual të Serbisë, sidomos përmes Listës serbe dhe rrjetit të agjenturës së saj ndër shqiptarët, që mendohet se ende është tepër aktiv, në Kosovë dhe viset tjera shqiptare.

Në këto zhvillime, një pengesë e jashtëzakonshme është edhe influenca e gjeopolitikës që zhvillon Rusia në rajon, bashkë me satelitët e saj mes shteteve sllave ortodokse të rajonit, shteteve aleate si Irani dhe disa shtete arabe, si dhe një grup i vogël shtetesh në radhët e BE-së, të cilat para pak ditësh edhe i nxorrën brirët e tyre në lidhje me problemet e shteteve të rajonit, sidomos kundër Shqipërisë, Maqedonisë Veriore dhe përgjithësisht ndaj Balllkanit Perëndimor (Ilirikut), të cilin e konsiderojnë si rajon nën influencën e drejtpërdrejtë të SHBA-së dhe NATO-s.

Përfundimisht, në këtë periudhë që pa kalon kombi shqiptar, më së paku kemi nevojë për eufori dhe parulla politike të tipit: “Kosova do të bashkohet me Shqipërinë”, “Albin Kurti duhet të jetë kryetar i Qeverisë së Kosovës dhe i Qeverisë së Shqipërisë” etj., me të cilat në vend se të ndihmohet ky proces i sapofilluar për ngritjen e Kosovës dhe afirmimin e një modeli të ri të politikëbërjes ndër shqiptarët, mund ta ushqejnë propagandën serbe dhe ruse kundër shqiptarëve dhe ta zgjojnë e mobilizojë më tepër reaksionin në radhët e grupimeve dhe klaneve politike kriminale, nga frika e llogaridhënies të tentojnë minimin e këtij procesi dhe degradimin e gjithë kësaj fitore të arritur me shumë mund dhe sakrifica.

Shteti i Kosovës, Albin Kurti, Vjosa Osmani me shokët e tyre kanë nevojë për ndihmë e përkrahje të mëjejshme, konkrete dhe të fuqishme, për bashkimin e forcave progresive, të dijes dhe kapitalit, për realizimin e projetit të tyre të sapofilluar, ndërsa fare nuk kanë nevojë për eufori, parrulla politike boshe, lavde nga individë dhe media, të cilat mund të pëlcasin si balona të vitit të ri, pa mbështetjen e gjithanshme dhe serioze, në radhë të parë nga qytetarët e Kosovës dhe mëpastaj edhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë.

Historia e ka dëshmuar se, përkrahësit naivë dhe miqtë e paditur shpeshherë mund ta dëmtojnë njeriun dhe një proces më tepër se çdo armik tjetër. Ndryshimet e mëdha janë procese dinamike dhe jo të përnjëhershme. Prandaj, në këto raste heshtja e budallenjve do të ndihmonte shumë!

(30.X.2019)