Home / Lajme / Gjelat e kapur për fyti nga pushteti nuk mund të paralajmërojnë ditë të re për shqiptarët

Gjelat e kapur për fyti nga pushteti nuk mund të paralajmërojnë ditë të re për shqiptarët

 

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Me bashkimin e partive politike dhe faktorit shqiptar në Maqedoni duhet të bashkohen vlerat, jo mbeturinat e pushteteve të mëparshëm, të korruptuarit dhe dyshuarit për krime, tipat që të zezën mund ta bëjnë më të zezë, dhe të bashkuar ta rritin fatkeqësinë për shqiptarët.

Bashkimi është i dobishëm vetëm nëse nënkupton, synon dhe arrin:
– bashkimin e forcave politike, të dijes intelektuale dhe kapitalit financiar të nevojshëm, të siguruar nga qytetarët dhe bizneset vendës, jo nga fondacionet dhe agjenturat e huaja;
– nëse ky bashkim realizohet përmes një platforme gjithëpërfshirëse (marrëveshje) të qartë mes subjekteve për arritjen e qëllimeve të përbashkëta, me vizion, program, strategji dhe synime të qarta.

Kur qëllimet janë të qarta dhe të drejta, me bashkimin e vlerave mund të arrihet suksesi i pritur, sikur me kokra të grurit që mbushen hambarët.

Nëse qëllimet janë të paqarta, të turbullta, me prapavijë dhe të dyshimta, nga të ligët, antivlerat dhe mbeturinat e ish regjimeve, vetëm grumbulli i plehut mund të bëhet më i madh.

Partitë politike të shqiptarëve, viteve të fundit nuk kanë arritur t’i mobilizojnë në zgjedhje mbi 50%, as gjysmën e votuesve shqiptarë. Nga këta më pak se 50% të votuesve, nëse merret parasysh se afër 1/3 e tyre mund t’i votojnë partitë e bllokut maqedonas, për shkak të humbjes së shpresës dhe besimit në faktorin politik shqiptar, pritshmëritë janë tepër të vogla.

Rikthimi i besimit do të jetë i pamundur nëse drejtuesit e partive politike të shqiptarëve edhe më tej vazhdojnë në stilin e vjetër: “haj se ne do të vjedhim tinëz dhe natën, kur shqiptarët janë në gjumë, meqë pushtetin do ta kemi në duar dhe pushteti na e lejon këtë”.

Shqiptarët në Maqedoni përfundimisht kanë nevojë për NDRYSHIME, për një FILM të ri, pa mashtrues dhe lugetë që e kanë rrjepur popullin, e kanë thithur pa mëshirë djersën dhe gjakun e qytetarëve për 30 vjet me radhë, i kanë zbrazur trojet etnike nga shqiptarët.

Mos e pritni katastrofën e madhe, që nuk do të zgjedh të pasur apo të varfër, të shtypur ose pushtetarë, mercenarët apo idealistë. Të gjithë së bashku mund të përfundojmë në humnerën pafund nga nuk ka kthim prapa.

Ruaji Zot shqiptarët nga të vetët, se nga të huajit ruhen vetë me ndihmën e aleatëve strategjikë të tyre!

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...