Home / Opinion / Parimet për bashkim kombëtar, në rrethanat e krijuara sot

Parimet për bashkim kombëtar, në rrethanat e krijuara sot

Billedresultat for afrim morina

Afrim Morina

 Çështja e bashkimit kombëtar bëhet temë diskutimi, dhe atë, më tepër përbuzës dhe mohues gjatë fushatave zgjedhore. Këtu secili nga “analitikët” mundohet të jep arsyetimin se kjo gjë është e pamundur, pa e njohur teorinë e evolucionit në shoqëri, duke e marrë si akt të kryer mosbashkimin sepse këtë nuk e do Perendimi dhe SHBA-ja, se ata nuk durojnë një Shqipëri të madhe. Kësaj teorie i paraprijnë diku rreth 99% e klasës politike, me propagandë të konsoliduar bukur mirë.

Perendimi, nuk e ka dashur as shtetin e Kosovës dhe Shqipërinë londineze të zonjën për të zgjidhur problemet e veta. Arsyeja, se nuk e ndjenin vetën si pretektor e tutor atje, e në Shqipërin e robëruar, për të marr si alibi kundër kombeve që i mbajnë të robëruara, se si mund të jetohet në “vllazërim-bashkim” pa nacionalizëm. Kjo është shkolla që kanë kryer këta “analistë” të “demokracisë” dhe pjesa dërmuese e politikanëve, e pse të mos i bëjnë ison analistët e robëruesve dhe burrështetasit që mbajnë të robërruar kombet?! Ata pa u munduar shumë, gjejnë mendime të arta për vete dhe trumbetojnë se nuk duhet lejuar një Shqipëri të madhe. Edhe koha e “Republikës së Kosovës” si artikulim, gjente “analist” dhe “shkemcëtar”,që politika fashiste serbe i përgëdhelte dhe i dekoronte, si shembuj konkret mund të marrim Azem Vllasin dhe Arsim Bajramin. Koha e tyre, se shqiptarët nuk e duan Republikën, shkoi, dhe vendin e tyre për të trajtuar bashkimin kombëtar e kanë marrë “teoricienët e rinj”, “analistatve” dhe politikanëve të vjetër iu kanë bashkëngjitur edhe politikanët e rinj.

Parashtrohet një pyetje shumë serioze: Mund të bëhet bashkimi kombëtar edhe pa luftë? Një pjesë e kombit tonë mund të bëhet, madje, edhe kjo ka mundur të ndodh shumë më herët, sikur të kishim pasur një klasë politike të ndergjegjëshme, kombëtare, në gjithë hapësirën kombëtare, përjashtuar Çamërinë, e cila është rast më vete, që nuk mund të arrijmë gjer aty nëse nuk kemi një politikë dhe shtet të konsoliduar shqiptar.

Sikur LDK-ja të kishte mbajtur qëndrimin e nëshkrimit për krijimin e një Qeverie të Përkohshme nga Rambuileja, ne do të ishim shtet që në nëntorin e vitit 1999, sipas dëshmisë së znj. Olbraj. Mirëpo, edhe pushtetet e krijuara më vonë, në të dyja krahët, nuk punuan e as që punojnë për bashkim, të paktën të këtyre dy Republikave, gjë aë askush nuk i ka penguar. Këtu edhe qendronjnë parimet e bashkimit të pjesërishëm.

E para:- Në disa takime të dy qeverive, janë nënshkruar edhe protokolle bashkëpunimi, madje, edhe në një tryezë të mbuluar me flamur kombëtar, të cilat asnjëherë nuk u bënë publike për qytetarët. Se sa ishin serioze ka treguer koha, sepse përherë na lindin probleme në kufi, e jam i bindur se faktori ndërkombëtar nuk ka gisht në to. Krejt kjo po ndodh se kush do të mbaj primatin nëse do të arrihet deri te bashkimi.

E dyta:- Përafrimi i bshkëpunimit në fusha më të ndjeshme, arsim, tregëti etj. do t’i lidhte më tepër qytetarët dhe pushtetet. Kjo, patjetër duhet të ndodh, sepse përmes këtij bashkëpunimi do të regjistrohen prioritet për kuadro, konsum ditor, etj.

E treta:- Nëse ky bashkëpunim do të ishte në nivel të duhur, atëherë do të paraprintre edhe në diplomaci, në histori, në mardhëniet ndërkombëtare, etj.

Po t’i analizojmë këta tre faktor, prioritete, do të kishim një ekonomi më stabile, të planifikuar kombëtare, do të kishim punësim të ndërsjellë me kualifikime të duhura, do të kishim një zë unik në diplomacinë kombëtare, do ta kishim një respekt më të madh në faktorin ndërkombëtar, do ta ndrydhnim politikën serbe, do ta kishim larguar ndikim rus nga trojet tona dhe përafrimi me Perendimin dhe SHBA-në do të ishte më i madh, sepse vet pozita gjeopolitike dhe gjeostrategjike e mundëson këtë.

Bashkimi kombëtar bëhet me punë edhe pa luftë, po të ishte punuar në forcimin e dy shteteve, që në plan të parë do të duhej ta kishim zhvillimin ekonomik, se pa një ekonomi stabile nuk mund të veprohet. Një shembull i tillë ështe bashkimi i Gjermanisë, që përkundër çmimit të paguar, pak u reflektua në planin e brenshëm ekonomik e politik. Ajo gjeti mbështëtje nga të dyja blloqet politike, sepse kishte investuar me vite për të arritur qëllimin. Kjo dëshmi rrëzon teorinë e “analistëve” dhe “mençurakëve politik”, të cilët të yshtur nga politike pansllave, mundohen të na mbushin mendjen që ta shlyejmë nga koka bashkimin kombëtar, të pranojmë kombin kosovar, sepse nuk mund të bëhet bashkimi i pjesëshëm. Ndërsa, për një bashkim kombëtar, të plotë, do t’i ndergjeqësonim edhe pushtuesit, siç ështe rasti i Vietnamit kur ariti qëllimin në vitin 1972, në Paris.

Rrugët janë të hapura, për bashkim të pjesërishëm, por për këtë duhet të kemi koordinim të qeverive në të gjitha planet e bashkëpunimit dhe plotësimit ndërvete, në planin e brendshëm dhe të jashtëm, e jo me kalkulime, siç bëri Edi Rama me “përzgjedhjen e këshillëtarëve dhe emrimin e dy ministrave” nga Kosova. As të parët, e as të dytët nuk i kanë bërë nderë atij dhe kombit, sepse ka mohuar këshilltar që do t’i kishin për lakmi edhe kryeministrat e vendeve perendimore, ka muhuar intelektual me përmasa kombëtare për të udhëhequr ministritë dhe kjo na jep për të kuptuar se sa serioze ishin takimet e të dyja qeverive. Nepotizmi dhe korrupsioni që i ka kapluar pushtetarët dhe funksionarët e lartë në të gjitha sferat e jetës, në gjithë hapësirën kombëtare, është pasqyrë në të cilën duhet ta shikojmë veten tonë, siç na shikojnë të tjerët, që pengojnë zhvillimin e mirëqenie dhe përspektivës sonë, e mos të flasim për afrim ndërvete.

“Analistët dhe dijetarët politikan”, i bien këmbanave të alarmit, se nuk po arrijmë t’i plotësojmë kriteret e Bashkimit Evropian, për të hyrë në “familjen e tyre”. Ata nuk shohin dhe as që çajnë kokën për kriteret që duhet plotësuar ndërvete, për bashkim të pjesëshëm, dhe kur kur diskutohet e ngritet zëri për këtë, menjëherë vërsulen si korbat për t’i nzjerrë sy njeri-tjetrit, sepse kanë bërë mëkate të mëdha dhe të pafalshme, dhe për këtë duhet të ndëshkohen, se po na i prishin punët me Perendimin dhe SHBA-në, si dikur kur u ngritën kundër Galile Galileut e Gjordano Brunos, se po i prishin punët me Zotin.

Nëse arrihet forcimi ekonomik, dhe ai duhet të arrihet me çdo kusht, edhe lufta kundër nepotizmit, korrupsionit e dilitantizmit politik do të jetë më e lehtë, atëherë mungojnë vetëm ndryshimet kushtetuese, për të mundësuar referendumin për bashkim në të dyja shtetet.

Këtë, mund ta bëjmë dhe duhet bërë, për të hapur rrugë edhe për pjeset tjera të atdheut dhe do të binden të gjithë, edhe heshtakët, edhe “luftëtarët e ruajtjes së republikave”, “mbrojtësit e kombit kosovar” dhe “trumbetuesit e ruajtjes së aleatëve”, se bashkimi kombëtar paska qenë i nevojshëm dhe i domosdoshëm, siç e kemi realitetin sot, që dikur nuk u mbushej mendja se do ta lejoj Jugosllavija dhe Evrpoa Republikën e Kosovës. Edhe ndërkombëtarët do të binden se shteti komb i shqipatrëve do ta shuante vatrën e një lufte të mundëshme në brendinë e saj, sepse rrezja e veprimit do të jetë shumë më e gjerë se sa ajo që ndodhi në ish- Jugosllavi.

Duhet ndergjegjësuar veten, për t’i ndergjegjësuar ndërkombëtarët, duhet punuar vet, për t’i shtyrë ndërkombëtarët të punojnë, duhet bindur vetën për t’i bindur edhe ndërkombëtarët se kjo është e drejtë historike, e drejtë e mbijetesës kombëtare, e drejtë e realitetit politik, sepse kemi rritjen e fashizmit në Serbi, Rusi dhe Greqi, e cila edhe kërkon mbajtjen e një referendumi për “Verio Epirin”. Nën ankth nuk duhet lënë gjeneratat që vijnë, jo vetëm shqiptare, por edhe ato të Evropës e gjetkë, për bajraktarizëm e unin e sëmurë të politikanëve dilitant. Prandaj, në këto realitete të krijuara në seriozitetin tonë do të na bashkëngjiten edhe ndërkombëtarët nëse dijmë të zgjedhim se kush do të na përfaqësojë.

 

Prishtinë, 05.10.2020

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...