Home / Opinion / Kryetarit të Misionit të Republikës Çeke në Kosovë, Shkëlqesisë së Tij, Pavel Bilek,

Kryetarit të Misionit të Republikës Çeke në Kosovë, Shkëlqesisë së Tij, Pavel Bilek,

 

 

Shumë i nderuar Shkëlqesia Juaj, Më 10 shtator 2019, Presidenti i Republikës Çeke Millosh Zeman ishte për një vizitë në Beograd. Me këtë rast, ai dha një deklaratë shqetësuese për Kosovën se Çekia do ta rishikojë opsionin e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Ua bëj me dije i nderuar Shkëlqesi se prononcimi i presidentit të Republikës Çeke i shqetësoi të gjithë shqiptarët kudo në Ballkan dhe në diasporë. Për fat të mirë, personalitete të nivelit më të lartë të Qeverisë së Republikës Çeke nuk janë në të njëjtin mendim me presidentin e vendit Tuaj. Shumë i nderuari kryeministër i Republikës Çeke – Andrej Babish, reagoi sakaq dhe tha se Çekia nuk ka asnjë arsye për ta ndryshuar njohjen e pavarësisë së Kosovës. Shumë qytetarë të Çekisë, vite me radhë e vizitojnë bregdetin e Shqipërisë. Nga prononcimet e tyre, rezulton se ata janë të kënaqur nga mikpritja dhe bujaria e popullit shqiptar. Një rast tragjik që ndodhi në korrik të vitit 2015, me ç’rast humbën jetën dy qytetarë çekë, u dënua në mënyrë të prerë nga të gjithë shqiptarët në Gadishullin Ballkanik dhe në diasporë. Populli shqiptar ka një admirim të madh për popullin çek. Studiuesit çekë të shekullit XIX si dhe të fillimit të shekullit XX, në lëmin e gjuhësisë, letërsisë popullore dhe të historisë, midis tyre edhe albanologu dhe profesori i gjuhëve romane i fokusuar kryesisht në studimet komparative të gjuhësisë shqiptare dhe rumune, Jan Urban Jarnik (1848-1923) janë marrë me studime albanologjike dhe me shkrimet e tyre i kanë nxjerrë në dritë vlerat shpirtërore të kombit shqiptar. Ne u jemi mirënjohës sot e mot. I jemi mirënjohës përjetë Republikës së Çekisë për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur. Kosova sot është në ndërtim të shtetësisë së vet. Natyrshëm, ajo kalon nëpër sfida dhe peripeci. Një ditë, do të kemi një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht, me shkallë të lartë të demokracisë dhe të ngritur mbi bazat e shtetit ligjor. Ua përkujtoj Ekselencë, se liritë dhe të drejtat e minoritetit serb në Kosovë janë të garantuara sipas standardeve evropiane më të larta. Propaganda serbe se 15 shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës, nuk është veçse një gënjeshtër e kulluar. Republika Çeke është një shtet me tradita të fuqishme evropiane, ndaj dhe politika e saj është konzistente. Me një fjalë, politika e Pragës lidhur me Kosovën është në vijën e politikës së Uashingtonit, të Berlinit, të Parisit, të Londrës, të Romës etj. Ju lus Ekselencë që nëpërmjet kësaj letre ta përshëndetni popullin mik të Çekisë si dhe autoritetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë. Ju përshëndes Ekselencë, me ndjenjën e konsideratës më të lartë, ndërsa popullit çek dhe Republikës së Çekisë, i dëshiroj përparim dhe mirëqenie.
Profesor Xhelal Zejneli

Shtator 13 – 09 -2019

About admin

x

Check Also

VOA lëshon “bombën”: Marrëveshja Serbi-Kosovë është firmosur!

16 Nentor, 2019 Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-zyrtari i ...