Pse jam me Albinin?

Eno Shkëmbi

Sepse duhet guxim me qenë Albin, në një mjedis politik me faqezinj.
Sepse ka bërë burg për idetë, ndërsa të tjerët janë kthyer në burgje idesh.
Sepse Albini ka shitur banesën për forcën e tij politike, ndërsa të tjerët e kanë pasuruar partinë duke vjedhur shtetin.
Sepse vërtet mund të kesh “dyshime”, ama jo deri në pikën sa të zgjedhësh Kadriun para Albinit.
Sepse jam i majtë dhe besoj në luftën për drejtësi sociale dhe barazi mes popujve.
Sepse edhe po të isha i djathtë zëri i arsyes do të më shtynte të mbështesja Kurtin.
Sepse ndryshe nga Albini jam patriot me qasje më kozmopolite, por s’më ngjall shqetësim nacionalizmi i një partie të majtë, që s’ka urrejtje, është progresiv e dekolonizues.
Sepse Albini është frymëzuesi i “Vetëvendosjes”, por lëvizja nuk fillon e mbaron te kryetari.
Sepse kanë të drejtë disa kur thonë se “në pushtet bëhen të gjithë njësoj”, mirëpo më së pari duhet të dinë se Albini ka qenë ndryshe nga këta edhe në opozitë.
Sepse dëgjoj një fjalim të Albinit dhe më frymëzon, dëgjoj një fjalim të Ramushit dhe qesh.
Sepse e respektoj të kaluarën e Haradanajt, ama “heroi” i të djeshmes nuk e shpëton nepotikun monumental të së sotmes.
Sepse Albini nuk është inferior në raport me ndërkombëtarët, kur të tjerët janë vasalë.
Sepse Albini është lideri i munguar edhe i Shqipërisë që drejtohet nga një kloun neoliberal.
Sepse nuk i besoj një “pro-amerikani” me emrin Kadri, dhe atyre që bërtasin “Amerika! Amerika!” nga bataku i qelbur i korrupsionit.
Sepse dua të ligështohen cinikët dhe skeptikët që thonë se në vende si tonat nuk vjen në pushtet veçse duke paguar militantët, votuesit, dhe duke u shkelur syrin ndërkombëtarëve.
Sepse s’kam iluzionin se fytyrëbardhi Kurti mund të jetë “Krishti i zeshkët”, ama veç ai mbart ndër vete shpresën për një shoqëri më të drejtë.
Sepse ka qenë konsistent duke ia shpëtuar fytyrën vetes, në një klasë politike maskarenjsh të pafytyrë.
Sepse edhe unë si Kurti besoj të politizimi publik i ekonomisë dhe jo ekonomizimi privat i politikës.
Sepse dua një shoqëri për të gjithë, dhe Albini është një garanci më shumë për të drejtat e punëtorëve, sindikalistëve, grave, të margjinalizuarve.
Sepse ndryshe nga Albini s’kam optimizmin se bashkimi kombëtar na bën më të mirë, por si Albini kam bindjen se një referendum mbi këtë çështje është gjëja e drejtë.
Sepse ata që e quajnë “radikal” përfaqësojnë atë pjesë të shoqërisë që i friket më së shumti ndryshimeve radikale.
Sepse edhe “Vetëvendosja” mund të ketë për të kritikuar, por te partitë e tjera çdo mundësi për më mirë është shteruar.
Sepse kam edhe shumë arsye të tjera për të qenë me Albinin...

/ Mar nga Portali -MekuliPress/