Home / Histori / PËR HERONJTË E VIGUT!

PËR HERONJTË E VIGUT!

Fotografia e Gjon Bruçi
Fotografia e Gjon Bruçi
Fotografia e Gjon Bruçi
Fotografia e Gjon Bruçi
Gjon Bruçi

1944 – 21 GUSHT – 2019

75 VJETORI I RËNIES SË HERONJËVE TË VIGUT-Fragment nga poema “ATDHEU” e H. Milloshit
. . .
Mu në Vigun e Mirditës Stalingradi me pesë vetë,
Atdhe, kurorës me legjenda, se ç’i shtove një legjendë
Kjo legjendë e madhërishme, nëpër shekuj do gjëmojë
Edhe pse me plumb në zemër, edhe pse me gjak në gojë!

Maten pesë me pesëqind, por i thonë vdekjes: Nuk na tremb!
Maten pesë me pesëqind, po i thonë plagës: Nuk na dhemb!
Maten pesë me pesëqind, po i thonë Gjadrit: Jemi valë!
Maten pesë me pesëqind, po i thonë tokës: Jemi farë!

Jemi farë, mbjellim Lirinë, komunist emrin na e thonë
Mu në firmën e çlirimit kemi vënë jetën tonë . . .
Stalingradi i të pestëve, ra pastaj si farë mbi dhé
Mu në Vigun e Mirditës, rron e flet një EPOPE!
. . .
Nën lavdinë e diellit tonë, ranë djemtë e mermerit
Dhe ringjallen një nga një, prapë në lavdinë e Diellit
Me gjuhë plagësh po na thonë, në çdo gjurmë revolucioni
Ju, që lindët në liri, amanet mos na harroni!
. . .
Ata janë në gjakun tonë, ata janë në flamujt tanë
Mu në rrënjë të këtij Kombi shënjtërisht ata janë.
Ata ishin komunistë, bij të Diellit e të Tokës,
Ata ishin komunistë, partizanë të ENVER HOXHËS.
———————————————————————

2019
KOHA E SHGATËRVANËVE DHE E . . . SHALËVE!

11 vjet më parë, shkodranët u gjendën para një çfaqje të rrallë. Vinça, matrapikë, fadroma e rrushkulla, të mbështetura nga “syri vigjilent” i forcave të rendit, u kacavorën mbi monumentin e 5 Heronjëve të Vigut, që për një çerek shekulli patën qenë simbol i sheshit kryesor ku kryqëzohen arteriet e qytetit të lashtë.
Sulmit të beftë, Heronjtë në fjalë nuk ju përgjigjën. Dhe kjo, jo se u mungonte guximi e burrëria. Ate e patën treguar me 21 Gusht 1944 kur u flijuan për Lirinë e Atdheut. Heronjtë heshtën para sulmit të të gjallëve, sepse vetë këta të fundit i patën vendosur aty, me të vetmin qëllim: Të përfitonin nga Lavdia e tyre. Por siç duket, të gjallët u ngopën me lavdi, ndaj ndërruan mendje . . . Punë të gjallësh . . . !
Shkodranët patën dëgjuar për një vendim qeveritar, por nuk e patën besuar se 27 kartona pushtetarësh mercenarë të Bashkisë së tyre, do të mund të lëviznin Heronjtë e famshëm të Vigut, që nuk mundën t’i shkulnin nga ideali i tyre dy taborre mercenarësh, xhandarësh, kapidanësh e bajraktarësh. Por kohët “moderne” të demokracisë, në vend të mercenarëve kanë kartonat. Dhe mjafton një karton të lëvizë në ballancë, jo një monument, por edhe një qytet e madje edhe një shtet . . .
Në ato ditë të kësaj mënxyre, patëm pyetur: Mos vallë, qeveritarët borgjezë, kanë ndërmend që në vend të Heronjëve tanë, të ngrenë monumente pashallarësh të perandorisë Osmane? . . . Apo planifikonin të vinin monumentin e majorit gjerman Hauzding, i cili shqeu me bajonetë gjoksin e njomë të komunistit njëzet vjeçar Manush Alimani?
Tani pas 10 vitesh nga ajo ditë, dilema jonë u zgjidh. Pashallarët, mercanarët dhe Hauzdingët kanë mbushur jo vetëm sheshet e Shkodrës, por të të gjithë Shqipërisë. Por Shkodra ka qenë paksa më e privilegjuar: Në vend të Monumentit të Heronjëve të Vigut, në sheshin kryesor të saj janë ngritur . . . shatërvanët . . . Po! Po!
Se Koha e burrave, koha e Heronjëve ka mbaruar. Ose më së paku ka ngrirë. Sot është koha e Shatërvanëve, e Shalëve dhe Bajraktarëve!
Turp për ne të gjallët, që nuk i mbrojtëm Heronjtë tanë nga kartonat e zi të mercenarëve, xhandarëve e bajraktarëve. Vetëm 5 djem të ri ishin Heronjtë e Vigut, në gushtin e 1944-ës, por qëndruan sypatrembur përpara dy taborreve, gjer sa me gjakun e tyre ngritën “Legjendën e Kuqe”.
Ndërsa ne të gjallët e sotëm, punëtorë, fshatarë, intelektualë, komunistë e atdhetarë (ku rendis edhe veten time), ndonëse bëjmë jo pesë, por mijëra e mijëra vete, nuk guxuam t’u dalim zot Heronjëve tanë. Madje edhe sot, na duhet të shkojmë diku në rrethinat e qytetit, dhe kokulur vendosim ndonjë tufë me lule pranë Monumentit të famshëm, i cili para një dekade ishte krenaria e qytetit dhe e qytetarëve.
Kokulur vendosim lule, dhe kthehemi për të shpëlarë shalët tek shatërvani që ka zëvendësuar Monumentin e Famshëm, aty midis qytetit. . .
Sa turp!

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...