Home / Të ndryshme / Jeta dhe vepra e shkrimtarit, Avni Dehari, në shërbim të kombit dhe edukatës atdhetare

Jeta dhe vepra e shkrimtarit, Avni Dehari, në shërbim të kombit dhe edukatës atdhetare

Jeta dhe vepra e shkrimtarit, Avni Dehari, në shërbim të kombit dhe edukatës atdhetare

 

Si pasojë e masave diskriminuese, antishqiptare nga regjimi sllavo-maqedonas, në nëntor të vitit 1981 u përjashtua nga Gjimnazi i Kumanovës ku jepte mësim dhe u detyrua të largohet nga  vendlindja. U vendos në Zvicër ku së bashku me familjen qëndroi afër 19 vjet.

Në vitin 1999, për herë të parë pas aq shumë vitesh në mërgim u kthye në vendlindje, ndërsa pak më vonë së bashku me familjen vendoset në Prishtinë, kur edhe jeton me familjen e tij.

 Shkrimtari, Avni Dehari deri tani ka botuar,   poemën për fëmijë “Dielli”, botim i Redaksisë së “Zërit të Kosovës, me pseudonimin, Agim Vardari, në vitin 1990, në Zvicër”, monografinë “Arif Seferi – në shërbim të popullit”, në bashkautorësi me Destan Hajdinin, më 1993, në Zvicër, përmbledhjen poetike për të rritur “Pas rrezes së diellit”, më 1994, në Shkodër, librin për fëmijë në prozë “Saja fluturuese”, më 1996, në Tiranë, përmbledhjen me poezi për fëmijë “Hëna në dritare”, më 2005, në Prishtinë, librin për fëmijë në prozë “Kënga e Drerit Fjalëpak”, më 2010, në Prishtinë, librin në prozë për fëmijë “Trimoshi dhe Flokhapareshuri, më 2011, në Prishtinë, librin në prozë për fëmijë “Gjergji i Arbërisë”, më 2011, në Prishtinë dhe përmbledhjen poetike për fëmijë “Nxin e qesh natyra”, më 2012, në Prishtinë, përmbledhjen poetike “Dielli në qerre të re” më 2013 në Prishtinë dhe “ librin në “Gjergji i Arbërisë në Adrianopojë”, më 2014, në Prishtinë.

Trilogjia. “Gjergjat në drita përkrenaresh”, roman historik. Prishtinë 2017

“Ali Aliu Kelmendi”,  monografi për veprimtarin e mirënjohur shqiptar. Prishtinë 2018.

2.

Njerëzit që i kemi afër, për së gjalli, në të shumtën e rasteve  as ua kemi ditur as ua dimë sa duhet vlerat, për të mos thënë se ua dimë fare pak.  Vetëm kur  ndahen nga jeta, atëherë fillojmë të kujtohemi për ta. Mbase edhe kështu duhet të jetë. Sepse kjo jetë është një garë në vete, të cilën nuk e fitojnë të gjithë, por secili fiton diçka për veten e vetë. Vlera e njerëzve të sakrificës, vlera e idealistëve është si çeliku i kalitur. Ajo qoftë për të gjalli, qoftë pasi krijuesi të ndahet nga kjo jetë, mbetet e tillë çfarë është, sepse ka dhënë provën gjenerale  dhe një provë e tillë shënon një sukses, jo vetëm të momentit, por një sukses që i përballon çdo dhëmbi të kohës, e cila kafshon dhe e ngulë atë, aty ku është më dobët, ndërsa thyen dhëmbin aty ku është, si çeliku.

Jo shumë vepra të tilla i përballojnë kohës.

Por veprat që shkruhen me përkushtim, veprat e idealistëve dhe mendimtarëve të mëdhenj, prore jetojnë me lexuesit, prore rrezatojnë, edukojnë, e begatojnë kulturën arsimin, shkencën dhe si të tilla ato mbesin shtylla të dijes dhe përparimit.

Në vendin tonë përgjithësisht dominojë temat si,  atdhedashuria, kombi, gjuha, tradita, besa, e kaluara heroike, qëndresa titanike  mbase edhe sepse kemi jetuar me shekuj të tërë nga një robëri në tjetrën dhe ia dimë vlerën lirisë, (në mos më shumë aq sa ia dinte vlerën “trahanit” shqiptari i katandisur  i Hasan Zyko Kamberit). Ne edhe tani sikur kënaqemi me këtë liri, të një kombi të ndarë padrejtësisht në pesë shtete, por gëzohemi sepse kemi më shumë liri, sesa kemi pasur njëzet vjet më parë.

Dhe për t’ ia zënë fillin idealizmit të pashtershëm, burimor, kombëtar,  krijuesit shqiptarë, krijuesit idealistë, prore iu kanë kthyer Motit të Madh, kryetrimit të Arbërisë, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Epokës së tij, bashkëluftëtarëve të tij, Gjergj elezëve me nëntë  plagë të pashëruara në shtat… të cilët kanë jetuar në këngën e popullit, në rrëfimet e tij, përcjellë nga brezi në brez, në imagjinatën kreative të krijuesve, në fjalën  nxjerrë nga shpirti e zemra, të poetëve. Sepse atje është burimi, që nuk shteron, sepse atje është frymëzimi që prore frymëzon, sepse atje është diga, që nuk e kanë lëkundur as e lëkundin dot shekujt, nuk e lëkundi Roma as Bizanti, Stambolli as Athina, Moska as Beogradi…

Pikërisht në këtë epokë heroike e ka vendosur ngjarjen e trilogjisë së tij, “Gjergjat  në drita përkrenaresh”, shkrimtari, veprimtari, intelektuali dhe atdhetari, Avni Dehari.

Kjo trilogji: Dragoi, Udhëkryqi, Flakadanët e lirisë, është botuar në vitin 2017, nga Shtëpia botuese, “Orfeu”, në Prishtinë.

Këtë vepër madhore, autori, Avni Dehari ua ka kushtuar dy bijve të tij shumë të shtrenjtë, Arbënorit dhe Astritit, të cilët në kuadër të Vetëvendosjes  u përpoqën, për lirinë dhe pavarësinë e plotë të Kosovës, për zhvillimin e saj ekonomik,…  të cilët humbën jetët e tyre në rrethana shumë të errëta, Arbënori në moshën 29-vjeçare, Astriti, në moshën 26-vjeçare. Qofshin therorë të fundit në këtë rrugëtim...( Autori)

3.

Në trilogjinë, “Gjergjat në drita përkrenaresh”, që është një roman  historik mjaft i realizuar, shkrimtari, Avni Dehari ka bërë përpjekje të suksesshme që Motin e Madh dhe të Madhin Skënderbe t’ ia afrojë lexuesit të moshës së re, në mënyrë që ai më lehtë ta kuptojë atë kohë dhe të ndikohet në formimin e tij të gjithanshëm patriotik.

Trilogjia, përveç përmbajtjes, mbështetur në të dhënat e njohura të historisë së Epokës së Gjergj Kastriotit, është trajtuar me një imagjinatë të begatshme krijuese, me gjuhë të pasur artistike, krijim të situatave, të cilat ndërthuren në rrjedhën e kompozicionit, monologë e dialogë të pasur, Invencion të motivuar krijues, që ka rezultuar me sukses në mbarështrimin dhe trajtimin me sukses të kësaj vepre.

Duke qenë profesor i letërsisë, i arsimuar dhe i edukuar  në frymë kombëtare, Avni Dehari me kohë kishte vërejtur se “Moti i Madh” ishte trajtuar me mëritë nga studiuesit e historisë, se ishin shkruar qindra vepra nga autorë shqiptarë dhe të huaj si: romane, drama, novela, opera, poema, por kishte munguar romani për të rinj, në akord me moshën e tyre të arsimimit, andaj edhe i kishte hyrë punës për ta begatuar literaturën për Gjergj Kastriotin.

Barrën idealiste atdhetare  që ia kishte ngarkuar vetës, e ka kryer me sukses, duke u radhitur në mesin e autorëve meritorë që kanë shkruar për Epokën, jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit në tri etapa të zhvillimit të tij nga fëmijëria, burrëria e deri te pleqëria, periudha këto që i akordojnë fëmijërisë, në Krujë, kur kishte lindur dhe kishte hedhur shtat “Dragoi” , “Udhëkryqet” e jetës dhe aftësimin ushtarak e intelektual në qendër të Perandorisë dhe kthimit sërish në Krujë me “Flakadanët e lirisë”.

Në tregimet biblike të lashtësisë, Dragoi gjithnjë mund Këlshedrën, sepse ai përfaqëson të drejtën, mbron lirinë, ndërsa lufton  të keqën dhe të ligën. Në jetë, kudo në etapat e historisë së njerëzimit e të qytetërimit, gjithnjë janë ndeshur këto dy botë ashtu si drita me terrin, e mira kundër së ligës, e bukura kundër shëmtirës, e dashuria  kundër urrejtjes, smirës e xhelozisë. Andaj edhe në kujtesën tonë popullore e kombëtare ka ngelur thellë në kujtesë, jo vetëm Shëngjergji i Besëlidhjes, por Gjergji Kastrioti, jo trimi i mitologjisë, por heroi i njërës prej periudhave vendimtare të historisë. I tillë kishte lindur Gjergji, në kohën kur uragani që vinte nga lindja nuk kishte të ndalur, por  nuk kishte humbur besimi se do të rilindte dragoi, për ta mbytur sërish këlshedrën.

Në rrugëtimin e tij, që në moshë të re Dragoi do të rritej në qendrën e Perandorisë Osmane, ku ishte marrë peng, por duke qenë se kishte treguar zgjuarsi, talent, trimëri, atij ia kishin hapur të gjitha dyert, në mënyrë që trimëria e zgjuarsia e tij të rriste namin Perandorisë, para së cilës nënshtroheshin popujt e mbretëritë, në Lindje e në Perëndim.

Shkrimtari, Avni Dehari i ka kushtuar kujdes të madh figurës historike të Gjergj Kastriotit, i cili ishte edukuar në frymë të pastër njerëzore, në familjen ku kishte kaluar fëmijërinë, në një mes ku nuk thyhej besa, ku respektohej prindi, ku nuk vidhej e nuk lakmohej gjëja e huaj, andaj duke e ballafaquar me jetën në Stamboll, shkrimtari  atë e vë në situata, ku shumë prej tyre duan ta thyejnë, ose të përfitojnë nga ai për qëllimet e veta, ndërsa Sulltan Muradi i Dytë për qëllimet e Perandorisë, për zgjerimin e saj në katër anët e botës. Dhe pikërisht për këtë qëllim edhe e kishte emërtuar al-iskender, Skënderbej, në shëmbëllesë të Lekës së Madh, Aleksandrit të Madh.

Shkrimtari ka vënë në spikamë edhe trimat arbër, të cilët i qëndronin pranë, të cilët e ruanin, i ndihmonin, i zbulonin kurthet, që ia përgatisnin armiqtë dhe e kishin në kujdes të madh, sepse i kishin dhënë besën Gjonit, por edhe Arbërisë se ai një ditë do të kthehej, ashtu sikur ishte kthyer Mojsiu dikur, se do të luftonte ashtu sikur kishte luftuar, Davidi kundër Golijatit, se do të ngadhënjente, ashtu sikur kishte ngadhënjyer, Robin Hudi e të tjerë.

Gjegji pranë kishte Kamanin, Xha Palin, Prenk Batushën e të tjerë të cilët prisnin momentin e kthimit, në Arbëri, në kohën kur Sulltani e kishte nisur drejt Nishit, në krye të një ekspedite të madhe, me qëllim që t i shtypur hungarezët, polakët e kalorësit e shumë shteteve të Evropës.

Po kishte ndodhur e kundërta, Gjergji e kishte shpalosur qëllimin e tij,  e kishte lënë në humnerë ushtrinë e Sulltanit, kishte ngritur në Krujë Flamurin e Arbrit dhe i kishte bashkuar me një Besëlidhje, princat shqiptarë deri atëherë,  të përçarë e të shkapërderdhur.

Autori gjithnjë me një gjuhë të kuptueshme dhe invencion të përshtatur për moshën e rinisë, rrëfen bëmat e Gjergjit, sikur ishte bashkimi i princave, luftimet e fitoret e para, betejat e pandërprera gjithnjë të fituara me trimëri e mençuri, me përkushtim për ta ruajtur Arbërinë…

Ai krahas emrave të njohur të bashkëluftëtarëve të Gjergj Kastriotit  si Gjergj Aleksi, Hajdin Muzaka, Kont Urani, apo Vrana Konti, Gjergj Arianiti, Mojsi Golemi e të tjerë, e pasuron veprën edhe me personazhe  imagjinarë si komandant Gjeloshi, Aleksi, Pepa, Krutani, Leka, të cilët edhe i ka përgjithësuar me karakteret e tyre  si trima të dalë nga gjiri i popullit.

Gjithnjë me qëllim edukativ, shkrimtari stigmatizon edhe tradhtinë e disa trimave të Arbrit, si Hamza Kastrioti, Ballaban Badhera,  por edhe tradhtinë e  pendesën e Mojsi Golemit.

Trilogjia, “Gjergjat në drita përkrenaresh”, është një roman historik për të rinj  i realizuar me mjeshtëri, invencion, imagjinatë të pasur  krijuese, është një vepër e cila i përballon dhëmbit të kohës, sepse shkrimtari ka arritur që t’ i bashkojë e të i lidhë në një tërësi,  ashtu si duhet, të gjitha komponentët, që e përbëjnë tërësinë e një vepre letrare e artistike të arrirë, kompozicionin, temën, personazhet, ndërlidhjen e rrëfimeve si shkak pasojë, pastaj gjuhën me figuracion të pasur stilistik, dialogun e rrjedhshëm, konciz, të shkurtë përgjithësisht, por domethënës dhe kuptimplotë.

Shkrimtari, Avni Dehari, kësaj trilogjie të ilustruar i ka kushtuar një kujdes dhe seriozitet maksimal për arsye që dihen, meqë në radhë të parë ka pasur para sysh lexuesin e moshës, të cilit ia ka dedikuar librin. Në këtë segment kjo vepër do të duhej të ishte literaturë e obligueshme shkollore për klasat e para të shkollave të mesme, meqë plotëson zbrazëtirën  që ndihet në shkollat tona për këtë  lloj të letërsisë së angazhuar atdhetare, në rrugë për forcimin dhe ndërgjegjësimin kombëtar.

 

 

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...