Home / Histori / Flota jonë Luftarako- Detare, e kreu me sukses misionin e vet historik

Flota jonë Luftarako- Detare, e kreu me sukses misionin e vet historik

 16/08/2019 

(Ne ishim ata që e mbronim dhe kurrë nuk na shkonte ndër mënd të merreshim me shitjen e detit)

15 gushti i vitit 1945, shënon ditën e themelimit të Flotës tonë Ushtarako -Detare si pjesë përbërëse e strukturës së gjithë ushtrisë e cila njëkohësisht dhe për mëse 70 vjet është njohur edhe si festë e saj. Shqipëria që hershëm dhe në shekuj duke qenë një vend bregdetar ka pasur dhe anijet e veta prej druri, të cilat ruanin ujërat, por ato nuk ishin të organizuara, bile në shumë raste, ishin anije pirate, që sulmonin anijet e tregtarëve në rrugëkalimet e tyre detare të transportit të mallrave sikurse bënte Haxhi Alia. Mbas shpalljes së Pavarësisë, u bënë përpjekje, por ato ishin aq të vakta dhe roli i tyre me një apo dy anije druri, ishin më shumë figurative e simbolike, se sa funksionale, për të ruajtur me të vërtetë Pavarësinë e Shqipërisë. Të njëjtën gjë, mund të themi edhe për periudhën e mbretërisë gjysmë feudale, se flotën tonë në kohën e Zogut e përfaqësonte një anije e vogël, vetëm me një mitraloz, e cila qëndronte e ankoruar në Durrës dhe që më shumë shërbente për të kënaqur princeshat, se sa për të ruajtur ujërat tona. Kjo për faktin e thjeshtë e histori,k i cili tashmë dihet nga të gjithë, se në atë kohë “çelësat e Adriatikut” në fakt i kishte Konti Çiano, dhëndri i Mussolinit të Italisë fashiste,i cili e kishte fort për zemër Shqipërinë dhe aq për zemër, sa këtë dashuri e manifestoi më 7 prill të vitit 1939 me pushtimin e vendit tonë. Çlirimi i Atdheut, përsëri do ta gjente Shqipërinë, në kushtet e shkatërrimit total të saj, si rezultat i barbarisë nazi-fashiste. Për rrjedhojë asnjë anije, bile dhe ato të pakta që kishin ngelur ishin mbytur nga nazistët gjermanë në ikje e sipër. Krijimi i Flotës Luftarako-Detare me vendim të Komandës së Lartë Madhore dhe urdhrin e Gjeneral Kolonel Enver Hoxhës, ka një veçanti shumë domethënëse e kuptimplotë, sepse për herë të parë kjo flotë, do të kryente një mision të veçantë historik dhe katërçipërisht në kushte të reja. Është e vërtetë, se fillimisht u nxorën dy anije të mbytura të cilat u vunë në gatishmëri, por plani i Shtatmadhorisë qëndronte në modernizimin dhe pajisjen e flotës, me të gjithë llojet e anijeve mbi ujëse e nënujëse luftarake, të cilat në kohë paqeje, do të ruanin tërësinë territoriale të hapësirës ujore dhe kufijtë tanë detarë dhe në kohë lufte, Flota Luftarako-Detare si armë e veçantë e ushtrisë tonë popullore, do të kryente detyra të karakterit taktiko- operativ, të cilat shërbenin në realizimin e qëllimit strategjik atë të mbrojtjes së atdheut. Mbas viteve 1950 e deri në vitet 1959 flota jonë u pajis dhe modernizua me mjete të tilla, sa që dhe shtetet fqinje, filluan të shqetësoheshin. Për një hark kohor të shkurtër, brenda një dhjetë vjeçari ne morëm dhe pajisëm Flotën me 12 nëndetëse ( nga këto 4 tonat- dhe 8 prej tyre të Traktatit të Varshavës), me 24 katra silurues, 4 gjuajtës detarë,2 dragamina të mëdha e 6 të vogla dhe dhjetëra të tjera anije ndihmuese luftarake, pa folur këtu dhe për 18 katrat e tjerë siluruese dhe 4 gjuajtës të vegjël detarë që morëm mbas viteve 70 -të, e që këta të fundit ( 4 gjuajtësit) shërbenin më shumë si anije patrullimi. Kësaj flote në kohë lufte, i bashkëngjitej e gjithë Flota Tregtare dhe ajo e peshkimit, të cilat ishin modifikuar në mënyrë të tillë që të kryenin minim ( me mina detare) në rajonet e veçanta e të mundshme të rrugëkalimeve të anijeve desanto-zbarkuese të armikut. Pesë bazat tona ushtarako – detare sikurse ishin ajo e nëndetëseve në Pashaliman – baza e Vlorës- e Durrësit, Sarandës dhe e Shëngjinit u futën në analet e studimit të ministrive të luftës të vendeve të tjera që kishim përqark, por dhe të NATO-s, të cilët na ndiqnin me kujdes. Tashmë rolet ishin ndryshuar. Çelësin e Otrantos e kishin në dorë shqiptarët. Kjo ishte pak a shumë kronologjia historike e anës teknike dhe madhësisë numerike të saj…. por ajo,e cila e ngre madhështinë e saj, është rruga historike nëpër të cilën kaloi Flota jonë Luftarako-Detare e cila u bë dhe simbol heroizmi e qëndrese, nga ku nëpërmjet akteve të madhërishme që ajo realizoi me sukses të plotë, qëndronte një popull i tërë po aq i madhërishëm.

Kështu në vitin 1959 Brigada e Nëndetëseve, kreu misionin e parë të saj në Mesdhe, prej Pashalimanit e deri në Gjibraltar, mision ky, që do të ngrinte në nivele të mahnitshme, përgatitjen e kuadrove tona drejtuese. Ishte pikërisht kjo nëndetëse me Komandant Sh.Çukën, që do ti afrohej kryqëzorit amerikan, ku në të ndodhej dhe vet presidenti Ajzenahuer, i cili dikur, njëkohësisht kishte qenë dhe Krye Komandant i trupave aleate ango-amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në të njëjtën mënyrë duhet përmendur dhe lundrimi i dytë i tyre, po në Mesdhe në vitin 1968, që udhëhiqej direkt nga Komandanti i flotës, ish partizani i çetës së Pezës admirali Abdi Mati, por kësaj radhe me dy nëndetëse, e që përkonte dhe me faktin se Shqipëria sapo kishte dalë dhe bile e kishte denoncuar Traktatin e Varshavës, si një traktat skllavërie dhe kërcënimi për popujt e botës. Mbresëlënëse ka qenë dhe misioni i veçantë prej anijeve mbiujëse luftarake me dy dragamina, për çminimin e kanalit të Korfuzit në vitin 1958. Me aq seriozitet e përkushtim u mor ky mision, sa që efektivat e dragaminave u stërvitën me muaj të tërë (nga viti 1957) për të realizuar dhe kryer detyrën e dhënë e cila kishte jo vetëm karakter kombëtar, por dhe ndërkombëtar. U përshkuan me qindra e mijëra milje detarë dhe mijëra e mijëra metro katrore ujore, për të pastruar kanalin dhe gjithë rajonin deri Porto-Palermo dhe në të gjithë vijën e rrugëkalimeve të anijeve deri te kepi i Rodonit afër Durrësit. Efektivat e ekuipazheve të anijeve greke, shikonin me kërshëri, pse jo dhe me zili, anijet tona dhe përgatitjen e marinarëve tanë me në krye Vangjel Nanon, Seit Jonuzin dhe komandant operacioni vet komandantin e flotës dhe me dhjetëra kuadro e marinarë të tjerë, specialistë dinjitozë të këtij operacioni sa të vështirë, po aq dhe me rreziqe, por që ne ja dolëm mbanë. Një nga ish pjesëmarrësit e këtij misioni, S.Jonuzaj i cili ka qenë prezent dhe në darkën e shtruar në Korfuz me rastin e përfundimit të kësaj detyre, më është shprehur se oficerë të lartë të Marinës greke folën me simpati jo vetëm për kujdesin dhe nivelin e lartë profesional të kuadrove dhe marinarëve tanë, por dhe sjelljen e denjë dhe disiplinën e lartë të tyre. E kemi detyrim shpirtëror, por dhe profesional dhe nuk mund të lemë pa përmendur dhe gjithë ata komandantë e komisarë të këtyre njësive, të cilët shërbyen me zell e devotshmëri në situata të vështira. Tensionet e kohëve të koklavitura e me rreziqe, qofshin ato rajonale apo dhe më gjerë, i ndienim mbi supet tona. Katerat silurues, si anije të shpejta gjendeshin në pikën e dhënë me sinjalin e alarmit. Kanë qenë shumë shumë të rralla detyrat apo misionet, që këto njësi të mos i realizonin. Janë kapur, shoqëruar dhe nxjerrë jashtë ujërave tona territoriale dhe kufijve tanë detarë, me qindra e qindra anije të cilat për arsye të ndryshme qofshin këto “pa dashje”, apo edhe në mënyrë provokative duke na tatuar pulsin për të matur shkallën e gatishmërisë tonë. Të shkruash për Flotën dhe të lësh mënjanë qëndrimin heroik të marinarëve, oficerëve dhe nënoficerëve tanë detarë, çdo shkrim do të dilte i zbehtë. Baza e Pashalimanit tashmë në mendjen e gjithë shqiptare, është si të thuash baza ushtarake e një populli të tërë. Aty e them pa frikë se mos e teproj, se janë manifestuar jo vetëm cilësitë e ushtarakut tonë, por unë do të thosha të të gjithë popullit. Në vitet 60-të, Pashalimani, përfaqësoi të gjithë Shqipërinë brenda konturit të kufijve të saj, por dhe në arenën ndërkombëtare, përfaqësoi vetitë e një populli të tërë, trima e të vendosur, të papërkulshëm ndaj shantazheve, të kthjellët në mendime, atdhetarë të zjarrtë…e deri në gatishmëri për të bërë fli dhe jetët e tyre. U manifestua dashuria për tokën mëmë që rriti e mëkoi këta bij të denjë të vet. Ne i deklaruam botës se e duam jetën, se dimë të jetojmë e të luftojmë në emër të saj,pa e pasur të tjerët në dorë fatin tonë dhe aq shumë sa e duam jetën, po aq lehtë mund ta japim atë për një çështje të shenjtë, sikurse e patën dhënë dhe Mujo Ulqinaku, sikurse luftoi e triumfoi mbi armiqtë Spiro Kote, sikurse dha jetën në flakët e zjarrit për të shpëtuar repartin Ilia Kici Dashi, apo nënoficeri trim Haxhi Turhani nga Terpani, i cili shkoi të kapte levën stopuese të vinçit të silurave që doli jashtë kontrollit dhe që pasojat e rënies së lirë të silurës nga eksplozioni( nëse do të ndodhte) mund të ishin katastrofike për gjithë bazën e Sazanit. Ai ra aty për të mos vdekur kurrë.( Çuditërisht, është i vetmi në flotën tonë, që nuk është as dëshmor, dhe mendoj se Ministria e Mbrojtjes këtë akt heroik të tij, me përmasa kaq të mëdha, duhet ta rishqyrtojë dhe t’i japi meritat që i takojnë këtij heroi të Sazanit).

Këta dhanë jetët e tyre, u bënë fli për interesat e mëdha të popullit tonë, në kohë lufte dhe paqeje, por unë mendoj, se pa përmendur dhe gjithë të plejadë të shkëlqyer duke filluar me A.Matin- Z.Meron M.Planin – D.Ohrin- Sh.Pinarin-A.Pojanin-P.Myftiun- R.Balin- N.Jakun-T-Meçen -Xh.Shanin – B.Gerbin – S.Doçin -B.Alinë, e qindra e qindra të tjerë të cilët nuk po i përmend, flota jonë nuk do ta merrte dot atë lavdi që ka pasur, e që ne jemi krenarë dhe shërbyem në këtë armë të lavdishme. Ne ishim ata që mbronim dhe kurrë nuk na shkonte nder mend, të merreshim me shitjen e detit. Sot, flota jonë e ka ndryshuar misionin vet, duke e manifestuar me shkatërrimin total që ju bë në vitin e mbrapshtë, nga të mbrapshtit shtetarë të 1997-ës. Do të ishte mëkat i madh, që unë të denigroja kolegët e mi nga pikëpamja navigacionale e specialitetit të detarisë. Jooo..! Ata i dua dhe do t’i respektoj përherë. Por sot kjo flotë nuk ekziston aspak, ose më saktë misionin e mëparshëm ajo e ka humbur. Nëndetëse që dikur ishin krenaria e jonë nuk kemi asnjë, katerat silurues të gjithë janë ose të mbytur, ose jashtë funksioni, sikurse dhe shumë anije të tjera luftarake janë shkatërruar. Sindromat e shkatërrimit, si gjithë sektorët e jetës ekonomike, prekën shumë rëndë dhe mbrojtjen e veçanërisht flotën, aviacionin, tanket, raketat etj. Mbrojtjen e kufijve tanë detarë tashmë e kanë marrë në dorë italianët (gjasme në bashkëpunim me flotën tonë) dhe çuditë më të mëdha janë të tilla, kur komandant i Flotës caktohej dhe një oficer këmbësorie e jo i fushës së detarisë. Ironia shkon gjer në atë pikë, saqë pikërisht në atë bazë heroike, të vidhen edhe armët sikur të ishin katër kokrra domate në një fushe ferme pa roje. Në kohën tonë, një fishek pushke nëse do të humbiste, pa tjetër që do alarmohej ministria, teksa Komandanti dhe komisari i bazës nuk do ti shpëtonin dot një qortimi apo mase tjetër disiplinore. Në atë kohë kishim ushtri e cila vetëm me një urdhër nga Komandanti i Përgjithshëm, e tëra ishte në këmbë në më pak se një orë në rresht në vijën e parë të frontit. Lavdi Flotës tonë Ushtarako-Detare, e cila për periudhën e saj historike që kaloi, e kreu me nder e dinjitet misionin e vet që i pat caktuar populli dhe Atdheu! Rroftë 74 vjetori i themelimit të Flotës tonë! Lavdi komandantëve, komisarëve, oficerëve, nënoficerëve dhe detarëve tanë trima!

Nga Ylli Meçe

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...