(Ribotim nga arkivi)

Ai për gjendjen e Rekës së Epërme, theksoi se duhet angazhim dhe ndihmë prej popullit shqiptar, pa dallim feje. Sipas tij, numri i shqiptarëve ortodoks arrin mbi 100 mijë, dhe ata shërbejnë nëpër funksione të ndryshme.
Çështja e ortodoksëve shqiptarë asnjëherë më parë nuk është hapur dhe studiuar në mënyrë shkencore. Kjo çështje kërkon një përkujdesje institucionale, për pasqyrimin e denjë të autoktonisë së shqiptarëve në këto treva, sidomos të periudhës mesjetare, e cila deri më tani shumëherë është keqpërdorur, madje ende po keqpërdoret për çështje politike nga qarqet e ndryshme serbe, greke, bullgare e maqedonase.
Gjatë shekullit XIX dhe në dekaden e parë të shekullit XX, shqiptarët ortodoksë të trevave lindore shqiptare, ishin nën presionin e vazhdueshëm nga Ekzarkia Bullgare për t’u asimiluar. Faktikisht, aty ku e kishte jurisdiksionin kjo kishë, të gjithë besimtarët ortodoks ishin të detyruar të deklaroheshin si bullgarë. Këtu qëndron edhe kurthi i manipulimeve statistikore të historianëve bullgarë, të cilët në raportet e tyre, shqiptarët ortodoks nga rajonet kompakte të shqiptarëve ortodoks, i paraqesin si bullgarë. vlerëson Skender Asani.
Asani thotë se kjo golgotë e shqiptarëve ortodoksë në trevat lindore, vazhdoi edhe pas krijimit të Federates Jugosllave, përkatësisht me themelimin e Republikës së Maqedonisë dhe themelimin e Kishës Autoqefale Maqedonase, e cila duke e përdorur fenë, arriti që me mjete të ndryshme të pushtetit dhe dhunës institucionale, të asimilojë gati se në tërësi popullatën ortodokse shqiptare.