
Abdulla MEMET
Nuk është fatkeqësi pse ne shqiptarët nuk e njohim mjaftueshëm vetveten, por pse na njohin mirë të huajit dhe armiqtë.
Fatkeqësisht, shumica prej nesh më lehtë shitemi tek i huaji se sa bashkëpunojmë mes vete.
Kjo mendësi e mbrapshtë, destruktive dhe vetëshkatërruese, e imponuar nga robëria e gjatë, varfëria ekstreme e një shtrese të popullsisë, hakmarrja e nxitur nga pushtuesit dhe sunduesit e huaj, e kanë tjetërsuar racën fisnike shqiptare deri në shpërfytyrim dhe përmasa shqetësuese.
Prandaj, ky gjen i egër brenda nesh nuk mund të modifikohet përmes imponimit dhe dhunës, sepse ato jepin efekte negative, por përmes bindjes dhe edukimit permanent.
Në radhë të parë, duke zgjedhur njerëz të dalluar për udhëheqës në të gjitha institucionet dhe sferat e jetës:
– njerëz me edukatë të shëndoshë dhe traditë familjare;
– njerëz fisnikë dhe shembull për të tjerët;
– njerëz me energji pozitive, që afrojnë e bashkojnë, e nuk përçajnë;
– njerëz që rrezatojnë e përhapin energji pozitive, të urtë e paqesorë;
– njerëz të vendosur e të papërkulur;
– njerëz të drejtë, jo hakmarrës, por mëshirues dhe imponues të mirësisë;
– njerëz liridashës dhe solidarë;
– njerëz të buzëqeshur, të dashur e shpresëdhënës;
– njerëz punëtorë e të papritueshëm, që e duan progresin dhe ndajnë të mirën me të tjerët;
– njerëz që nuk e ndryshojnë karakterin e tyre para asnjë fatkeqësie, apo lakmie për pasuri dhe pushtet;
– njerëz të pakorruptuar, që nuk shiten as për floririn dhe pasurinë e gjithë botës;
– njerëz të bindur se të gjitha qeniet njerëzore janë të barabartë para zotit dhe para ligjit, jetës dhe vdekjes, si shërbëtori edhe mbreti.
Shqiptarët sot, më tepër se kurrë kanë nevojë të udhëhiqen nga njerëz siç ëndërronin baballarët e kombit, ideologët e Rilindjes sonë kombëtare, jo siç deshi t’i sheh shqiptarët Nikolla Pashiqi dhe siç duan sot t’i kenë në shërbim të tyre agjenturat serbe, greke dhe të tjera!
Shqiptarët sot kanë nevojë për njerëz me edukatë, të ditur e të drejtë, me përgjegjësi kombëtare dhe vizion historik, jo për kriminelë dhe hajdutë që botën dhe jetën e kuptojnë me përmasa të xhepit të tyre!
(1 gusht 2019)