Home / Lajme / Në pritje të bandës së Xhevdet Mustafës!

Në pritje të bandës së Xhevdet Mustafës!

 

Nga Ylli Meçe
28/07/2019 

Ngjarja aq shumë e përfolur, por që dhe në atë kohë bëri shumë bujë, ajo e të bandës së Xhevdet Mustafës, po i afrohet dekadës së katërt të ndodhisë së saj (shtator 1982, pra 37 vjet më parë). Analiza e kësaj ngjarje dhe ndodhie, duhet parë ngushtë me situatën e brendshme, por edhe të jashtme që po kalonte Shqipëria. Me futjen në mënyrë “enigmatike” të një nëndetëseje të huaj në Gjirin e Pashalimanit, me shkeljen e vazhdueshme nga Flota Amerikane të ujërave territoriale dhe afrimi i saj pranë brigjeve tona, me vetëvrasjen e papritur dhe tejet befasuese, të ish kryeministrit Mehmet Shehu, me rolin e “Jagos” (Kadri Hazbiut) dhe “Hrushovit shqiptar” (Ramiz Alisë), me ethet e paduruara të perëndimit, për ta rrëzuar socializmin në Shqipëri dhe të gjitha këto, në bashkëpunim të ngushtë me komplotin e brendshëm, i cili ishte në gatishmëri të plotë, e jo dosido, por në krye të udhëheqjes së PPSH-së.

Në tregun e shumicës propagandistike, është hedhur dhe ideja se Xhevdeti, nuk zbarkoi në Shqipëri për terror ndaj udhëheqjes, apo për të vrarë dhe asgjësuar Enver Hoxhën, por thjesht, për të takuar dhe marrë nënën e tij me banim në Durrës. Çuditërisht, për të, na del garant një shok i tij nga Amerika, i cili shkruan se Xhevdeti atij nuk i kish thënë gjë se do të shkonte në Shqipëri, bile as nuk e kish përmendur fare. Kjo mund të jetë e vërtetë dhe ka arsyet e veta pse nuk ja pati thënë dhe shokut të tij, sepse CIA Amerikane nuk ishte aq naive sa t’ia tregonte planet e veta të arratisurit “Malo”. Këto veprime janë aq konspirative, sa që ka raste që edhe vet kapobandës ( për efekte tepër sekrete ) mund t’i tregohet qëllimi i misionit, vetëm në momentet e fundit. Naiviteti foshnjarak i idesë të ”marrjes së nënës ” është edhe idiotësi e pa menduar mirë, për vetë faktin, se s’mund të vinin 3-4 persona të armatosur, për të marrë nga Shqipëria një grua plakë në qytetin e Durrësit. Si dëshmitar i asaj kohe por edhe i angazhuar në këtë veprimtari ( sidomos detare ), më duhet të pohoj, se ne kishim dijeni të plotë për këtë bandë. Dinim misionin e saj, dinim që do vinte nga deti e do zbarkonte në bregdetin tonë, por nuk dinim kohën e saktë dhe koordinatat e sakta të zbarkimit. Për detyrën që mbaja në atë kohë, si oficer i marinës ushtarako-detare, gjatë kohës që ne merreshim me ruajtjen e kufijve tanë detarë, personalisht më është treguar fotografia e tij ( por jo emri dhe as mbiemri i personit, ) duke më lënë këtë porosi:

“Nëse gjatë ndalimit dhe verifikimit në çfarëdo mjeti lundrues që do të shkelë ujërat tona, do të shikoni këtë person, ju do ta ndaloni me çdo kusht dhe do ta raportoni menjëherë në Komandë, duke e bllokuar atë në vend, me të gjithë ekuipazhin dhe personat e imbarkuar”….

Rëndësinë e këtij misioni e kisha fare të qartë, sepse katerat tona silurues ( anije shumë të shpejta lundruese e luftarake) ishin vendosur në pika sekrete (PHT- pikat e hapjes taktike ) dhe kjo nuk ish detyrë vetëm e Bazës Ushtarako-Detare të Vlorës, por të gjitha bazave detare, që nga ajo e Shëngjinit në veri të vendit, e deri në Sarandë. Në këtë drejtim, jam i sigurt se eprorët e mi dinin më shumë se unë, por përderisa vet Kryetari i Degës së Brendshme Vlorë, Pirro Katro dhe shefi i shtabit të Brigadës së Himarës Bush Mehmeti, ishin me mua në Gjirin e Gramës, prezencë kjo e tyre, që do të thoshte se “misioni pritës” kishte një rëndësi të madhe. Fakti tjetër, që ne ishin “në pritë” dhe jo “në patrullim”, taktikisht ishte shumë domethënëse. Kjo do të thoshte, se ne jo vetëm që kishim dijeni për ta, por edhe i prisnim. Nëse mjeti i zbarkimit në dt. 25 shtator të 1982-it nuk u pikas qysh në det të hapur, tregon se, së pari ky ishte një defekt i sistemit të vrojtimit radioteknik, pse jo dhe veprim taktik i shpejtë dhe i fshehtë i bandës. Më duhet të theksoj gjithashtu, se në këtë çështje kanë pasur dijeni dhe forcat e kufirit bregdetar. Vrojtimi i bregdetit, ishte dhe bëhej në të gjithë vijën e gjatësisë së saj, prej Bune e deri në Kepin e Stillos. Pra, nëse i shpëtonin rrethit të parë të anijeve në det, ata do hasnin në rrethin e dytë të mbrojtjes bregdetare, i cili vazhdimisht patrullohej në tokë, por dhe rrathët e tjerë në brendësi të territorit të Republikës.

Më parë, ne kishim kapur një anije të tillë dyshuese, qendra jonë e MMP e liroi( mbase dhe zbulimi grek apo italian u fut në rrjetin e valëve tona radiofonike, sepse urdhri për ta lënë të lirë u dha në “foni “ nga lart. Më vonë u përfol se dyshohej që në atë anije të kishte qenë vet Leka Zogu!!) dhe për njërin nga oficerët tanë me të mirë, dhanë bile edhe masë disiplinore, sikurse dhe në korrik të atij viti, një tjetër motoskaf kontrabandistësh në ndjekje e sipër, refuzonte urdhrat tona për të ndaluar, deri sa u detyruam të hapim zjarr kundër tyre për ta ndaluar. Natyrisht, që zbulimi tjetër përballë brigjeve tona, nuk ishte i qetë dhe unë jam i sigurt, se dhe ata ashtu sikurse dhe ne, ndiqnin dinamikën dhe veprimet tona. Të gjitha këto dhe shkelje e të tjera të këtij karakteri, që ata na bënin me anë të anijeve, motoskafëve të peshkimit, e mjeteve të ndryshme detare, kishin për qëllim edhe të tatonin pulsin, se si ishte gjendja e gatishmërisë tonë dhe nëse në një rast zbarkimi, a do të realizohej detyra dhe misioni i tyre?!

Goditjen dhe hapjen e zjarrit kundër motoskafit kontrabandist italian e transmetoi dhe agjencia italiane e lajmeve ANSA, duke u vënë në dijeni nga Ambasada e Italiane në Tiranë. Në kuadrin e gjithë kësaj dinamike, si duket zbulimi i huaj dhe vet CIA e shtynë planin e zbarkimit të bandës për më vonë, duke pikëshënuar datën25 shtator 1982. Datë kjo, e cila shënon fillimin por edhe mbarimin e palavdishëm të misionit të kësaj bande. (Për misionin e të cilës ne nuk kishim fare dijeni dhe kur them ne, e kam fjalën si reparte të flotës detare, sepse në fund të fundit aq na takonte të dinim.)

Pa u futur aspak në detajet e operacionit të asgjësimit të saj dhe si e me çfarë fijesh lidhej ajo, më duhet të pohoj se me të vërtetë kjo bandë ishte shumë e rrezikshme, por fakti që ne morëm dijeni për të, para se ajo të zbarkonte në tokë, do të thosha, se Sigurimi i Shtetit kishte njerëzit e vet të kundërzbulimit, të cilët jepnin informacione rreth misionit të saj. Këto përfundime, unë i kam nxjerrë më vonë, duke bërë analizën dhe lidhur të gjitha ngjarjet me njëra-tjetrën e duke i përshtatur ato me rrethanat e asaj kohe dhe periudhe.

Është interesant fakti tjetër, se vonë, shumë vonë, duke shfletuar një material, do të hasja në një shkrim i cili bënte fjalë, se vet Leka Zogu po atë vit, paskësh qenë”me pushime” në Lecce të Italisë dhe po aq çuditërisht atje, në të njëjtin plazh me…. Xhevdet Mustafën! Teksa lexoja, në kujtesën time, nuk di pse mu rikthye dyshimi se në një motoskaf të kapur, i cili u lirua me urdhër ”nga lart”, dyshohej se kish qenë dhe vet Leka Zogu.

Po a është e vërtetë se kjo bandë kishte ardhur për të vrarë Enver Hoxhën?

Unë mendoj se po dhe ja sepse:

Hyrja e nëndetëses në gjirin e Vlorës në tetor të vitit 1981 ( 11 muaj para zbarkimit të bandës terroriste) ishte një sinjal i kodifikuar politikisht. Ajo hyri në gjirin e Vlorës qëllimisht, që të zbulohej duke u dhënë mesazh komplotistëve… që ne ja ku jemi këtu pranë jush, në mbështetjen tuaj dhe jemi gati.. ju ç’prisni?! Dikush mund të thotë, po pse kaq budallenj të ishin sovjetikët apo dhe amerikanët që të dërgonin nëndetëse për tu sakrifikuar?! Unë personalisht, mendoj se nëndetësja ka qenë amerikane dhe jo sovjetike sikurse aludohet. Kjo jo se sovjetikët nuk hynin dot, përkundrazi, ata e njihnin më mirë se amerikanët rajonin e gjirit të Vlorës, por përherë ka një pyetje: Përse do të hynin i kish marrë malli për stërvitje në Vlorë dhe të luanin “ kukamshefti” me shqiptarët apo thjeshtë për qejf?, Një nëndetëse që të futet në ujërat e një vendi duhet ti bëjë mirë llogaritë dhe për këtë merr dijeni jo vetëm ministri i Luftës por rrezik dhe kryetari i shtetit. Pra për rrjedhojë ardhja dhe futja e nëndetëses kishte qëllime shumë më të mëdha se një detyrë e thjeshtë navigimi apo zbulimi. Çfarë do zbulonin sovjetikët kur ata e kishin si në “pëllëmbë të dorës” Bazën tonë të Pashalimanit? Për mendimin tim dy ishin motivet e sigurisë së asaj nëndetëseje kur doli mbi ujë. Së pari, ajo doli qëllimisht që të diktohej (sikurse e kam përmendur më lart që tradhtia të merrte kështu sinjalin mbështetës). Duke pasur parametra teknike shumë më të avancuara se mjetet tona detare, ishte në gjendje t’i shmangej goditjes ( sikurse dhe iu shmang). Së dyti, zbulimi i huaj, kishte shpresë të madhe se bashkëpunëtorët e tradhtisë në kokën e udhëheqjes, nuk do e jepnin urdhrin për ta goditur dhe asgjësuar nëndetësen. Në fakt, urdhri për goditjen e saj, nuk u dha prej tyre, por direkt nga Komandanti i Përgjithshëm Enver Hoxha.

Po kështu edhe afrimi i grup anijeve luftarake amerikane pranë kufijve tanë detarë dhe ndjekja që ne u bënim, duke i shoqëruar deri afër Ulqinit ( ish Jugosllavi) për periudhën viteve 81-82, ishte gjithashtu, një sinjal i fortë i tyre, mbase për “Jagon dhe Hrushovin shqiptar” për të vepruar sa më shpejt, në asgjësimin e Enver Hoxhës. Kur Mehmet Shehu, kreu vetëvrasjen, agjencia “Tanjug” e Jugosllavisë, nxitoi e para të jepte dhe shpërndante lajmin nëpër botë, se Mehmeti qëlloi mbi Enverin, duke e vrarë atë në mbledhje të Byrosë Politike e në të pastajmen, Mehmeti vrau dhe veten.

Mbase e gjithë kjo lojë, ishte që të asgjësonin Mehmetin dhe në krye të dilte Ramiz Alia ( sikurse dhe doli), por ja që plani për vrasjen e Enverit, nuk u realizua dot as nga tradhtia e brendshme dhe as nga aventurierët e tjerë. Në vend të tij u vetëvra, apo më saktë sakrifikuan Mehmetin, kështu që dërguan bandën e Xhevdetit për të kryer misionin e dështuar, i cili edhe ky dështoi, si të gjitha bandat e tjera diversante të hedhura në Shqipëri, që prej vitit 1945 e deri në 25 shtator të vitit 1982, vit ky, që do të shënonte dhe mbylljen përfundimtare, të ciklit të bandave diversante të desantuara vazhdimisht në vendin tonë nga toka, ajri dhe deti.

 

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...