Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mabjtur një fjalim gjatë mbledhjes së Internacionales Socialiste që po mbahet në Ramallah dhe Tel Aviv.

Kurti në këtë fjalim ka thënë se Palestina me Izrealin së bashku nuk e njohin Kosovën. Por Kurti ka thënë se ato të ngelen të bashkuara, mirëpo duke e njohur Kosovën.

Tutje Kurti ka bërë thirrje të zgjidhjes së konfliktit të gjatë mes këtyre dy popujve në Lindje të Mesme duke thënë se kjo i ndihmon paqes në botë.

“Popujt në të dyja vendet, në Izrael dhe në Palestinë, sipas sondazheve, preferojnë zgjidhjen me dy shtete”, ka thënë Albin Kurti.

Ky është fjalimi i plotë i tij:

Gjatë mbledhjes së Internacionales Socialiste që po mbahet në Ramallah dhe Tel Aviv kam mbajtur një fjalim, disa thekse të të cilit janë dhënë në vijim:

“Vij nga Kosova e cila është çliruar para 20 vjetëve kurse ka shpallur pavarësinë para 11 vjetëve. Ne kemi kaluar nëpër diskriminim, shtypje e shfrytëzim të gjatë e të egër. Deri më tash Republikën e Kosovës e kanë njohur mbi 110 shtete. Izraeli dhe Palestina janë të bashkuara në mosnjohjen e Kosovës. Le të ngelen të bashkuara, por duke e njohur të dyja Kosovën e pavarur.

Popujt në të dyja vendet, në Izrael dhe në Palestinë, sipas sondazheve, preferojnë zgjidhjen me dy shtete. Ky është edhe qëndrimi i Internacionales Socialiste i shprehur në mbledhjen e Këshillit të saj të mbajtur në Santo Domingo në janar të këtij viti. Politikanët duhet t’i dëgjojnë më shumë popujt.

Paqja nuk është ngjarje. Marrëveshjet janë të nevojshme, por të pamjaftueshme. Paqja është punë. Lufta është ngjarje.

Shumë punë nevojitet për paqe, punë e organizuar dhe sistematike, pa luftën ndërkohë si ngjarje. Paqja është dyfish paqe: ndërtim i paqes, plus pa luftë në mes, pra me parandalim lufte.

Paqja si punë do të thotë se paqja është sociale për nga karakteri dhe përmbajtja.

Dallimet kombëtare dhe kulturore kurrë nuk janë shkaktare të konfliktit. Ne kurrë nuk luftojmë pse jemi të ndryshëm. Dallimet eventualisht përdoren e shpërdorohen brenda konfliktit e për konfliktin. Palët luftojnë pse kanë interesa të kundërta, e të cilat mund të mos jenë të vërteta, në kuptimin që ato janë më shumë të elitave sesa të popujve. Këtu arrijmë te çështja e krizës së përfaqësimit.

Njerëzit arrijnë deri diku të përfaqësohen në institucione duke ju falenderuar zgjedhjeve demokratike, por ata nuk janë të përfaqësuar në luftën që bëhet në emër të tyre. Nuk është e çuditshme që nuk mund të ketë diçka që do të quhej ‘luftë demokratike’. Pikërisht lufta shënon dështimin kapital të demokracisë. Lufta është deformim, jo transformim. Lufta qëndron në kundërshti jo vetëm me paqen por edhe me demokracinë. Lufta është tëhuajësim. E, paqja është sociale.

Duke punuar për paqe, duke ndërtuar paqen, duke parandaluar konfliktet dhe luftërat, ne e shndërrojmë paqen në kulturë. Por, nuk duhet harruar se paqja është sociale, më parë e më shumë sesa kulturore. Punësimi e prodhimi, barazia dhe mirëqenia janë pothuajse gjithçka.