Fotografia e Avdi Ibrahimi
Avdi Ibrahimi

PARATHËNIA

Një bashkëbisedim me lexuesin

“Nëse ka ndonjë libër që do ta lexosh, por nuk është shkruar akoma, atëherë duhet ta shkruash ti“ – Toni Morrison

Libri “ KOMANDANT JETË HASANI Heroi që i bashkoi pushkët e Ilegales më UÇK-në, i autorëve: Avdi Ibrahimi dhe Naim Musolli mund të trajtohet si një dokument ekskluziv historik, i cili argumenton gjendjen faktike të ditëve më të rënda të popullit tonë, nën thundrën e egër barbare sllave. Torturat në një anë, burgosjet, dhe maltretime fizike e psikike të popullatës së pafajshme autoktone, nën pretekstin se e rrezikojnë aparatin sundimtar, shpërfaqën në mënyrë origjinale, nëpër rrëfimet autentike të protagonistëve të librit.
Autorët e librit, me përpikëri, e kanë ruajtur kronologjinë e ngjarjeve, ashtu siç kanë ndodhur historikisht, duke i respektuar argumentet faktike, të dëshmuara nga historianët dhe krijuesit vendorë, gjithnjë duke i respektuar besnikërisht, intervistimet e protagonistëve të ngjarjeve, të cilat janë bukur të njohura për opinionin e gjerë.
Autorët e librit duke qenë përjetues të këtyre ngjarjeve të luftës së fundit në Kosovë, (ndërsa autori i librit Avdi Ibrahimi ishte bashkëveprimtar i Jetës në kohë ilegaliteti të KKSHBT, njiherit ishte edhe vetë luftëtar lirie në kuadër të Brigadës 28-128 të UÇK-së, Zona Operative e Pashtrikut, brigadë kjo që komandohej nga Ruzhdi Saramati, Avdiu ishte zv.komandant i kësaj brigade), kanë arritur që në mënyrë konkrete dhe kreative, t’i shtjellojnë ndodhitë, realisht nga prizmi i një përjetuesi me nuanca të krijuesit letrar.
Libri ngërthen në vete shumë ndodhi, të pabotuara deri më sot. Ato, paraqiten në mënyrë ekskluzive për opinion e gjerë. Jetëshkrim i Jetës është një përshkrim virtuoz dhe real i pasuruar me fakte e ngjarje nga veprimataria ilegale që më vonë bashkoi armët me të lavdishmën Ushtrinë Çlirimtare të Kosvës, Kujtimet (rrëfimet e shokëve të idealeve atdhetare për liri e të drejta kombëtare) për lexuesit ka rëndësinë e veçantë, sepse eliminon mori dilemash, rreth zhvillimit të luftës çlirimtare dhe vlerave të saj. Ky libër, është një lloj monografie, e cila i ngjanë një dokumenti historik, sepse të gjitha shtjellimet e paraqitura, burimin e informacionit e kanë nga përjetuesit e zhvillimeve dhe organizimeve ushtarako-luftarake si dhe akterët e tyre. Jam i bindur se ky libër mund t’i motivoj historianët, që t’i qasen, në mënyrë profesionale, zhvillimeve të kohës, sepse kjo sferë e ndritur e popullit tonë është ende pamjaftueshëm e eksploruar. Këto argumentime historike në mënyrë bindëse dhe profesionale, eliminojnë luhatjen rreth cilësisë dhe zhvillimit të drejtë të luftës çlirimtare kundër pushtuesit njëshekullor Federatës Jugosllave, dhe Konfederatës Serbi Mali i Zi të ndodhur së fundit në Kosovë, njëkohësisht në mënyrë të argumentuar, parandalon trillimet devalvuese e të sajuara të vlerave të saj.
Liria është vështirë të shkruhet me fjalë, ajo duhet të përjetohet, andaj autorët e librit, duke qenë pjesë aktive e zhvillimeve të tilla e kanë patur më lehtë shtjellimin e tyre, në dimensionin real kohorë.
Fillimi i librit, i përket redaktorit të librit, dhe i përkushtohet kryeprotagonistit të librit, heroit Jetë Hasani. Redaktori i librit, ka vu në spikamë kontributin atdhetar të kryeprotagonistit, heroit të Kosovës Jetë Hasani.
Ky personazh, identifikon ndjenjën çlirimtare, fuçinë e brendshme shpirtërore, të popullit të përvuajtur. Ai, me gjithë meritat historike në këtë rrafsh na del identifikim i feniksit të atdheut.
E tërë veprimtaria e tij ilegale, në rrethana të rënda tiranie, e justifikon konstatimin real se një popull i robëruar, bënë jetë varri. Në këtë pjesë të librit, duke u respektuar kronologjia e zhvillimit të ngjarjeve, kryeprotagonisti, paraqitet shumë dimensional, në kuptimin e angazhimeve të veta për atdheun dhe bashkimin e trojeve sepse i tillë ishte.
Dimensioni i parë i kontributit të tij shpërfaqë në horizont atdhedashurinë, organizimet dhe veprimet ilegale në komunën e Shtimes dhe më gjerë. Në vitet e pasluftës së dytë botërore, më konkretisht vitet e grumbullimit të armëve në Kosovë, të motivuara prej platformës gjenocidale rankoviçiste, e hedhin në horizont qëllimin fashist të atij pushteti, për boshatisjen e Kosovës dhe popullimin e saj, me popullatë joshqiptare. Në një anë okupimi i egër dhe barbar e në anën tjetër varfëria e popullatës shqiptare, janë argumente dëshpëruese madje-madje edhe tronditëse për popullin shqiptarë autokton të Kosovës.
Fshati Godanc i Epërm, i komunës së Shtimes, paraqet fshatrat tipike shqiptare në trevat e Kosovës në kontekst të kohës.
Në këto rrethana, lindi kryeprotagonisti, heroi i kombit Jetë Hasani.
Jeta, realisht rritet dhe edukohet e mishërohet me atdhedashuri nga familjarët, të cilët ishin kundërshtarët më të mëdhenj të sitemit okupues të të gjitha kohërave. Atje, në etapa të ndryshme historike, familjarët e Jetës, malltretohen, burgosen, vuajnë dënime nëpër burgje jugosllave, vetëm e vetëm se flisnin, jetonin, punonin e vepronin si shqiptarë. I tillë ishte edhe Jetë Hasani, pjesë qenësore e këtij trungu familjarë.
Përmes kaptinave të kësaj pjese të librit, përshkruhet, në detaje jeta dhe vepra e heroit, kontributi i tij shumë demnsional, jeta dhe organizimet ilegale, si kërkesë dhe nevojë e një populli të përvuajtur e të robëruar.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet kontributit përkushtimor, të kryeprotagonistit të librit, për vazhdimin e shkollave shqipe, në kohën kur ato u ngujuan nga pushteti i atëhershëm. Jetë Hasani, në këtë kohë, pavarësisht flijimeve financiare dhe rrezikshmërive të tjera, na del arsimdashësi më i flaktë në këto anë.
Ai i lëshoi, meremetoi dy shtëpi për shtëpi shkolla.
Kontributi i pamohueshëm i tij, mbeten organizimet dhe udhëheqjet ilegale në vend, financimet nga buxheti personal, organizimet e celulave të para ilegale stërvitore në Shqipëri, pagesa e shpenzimeve për ta, strukturimi i UÇK-së në këto anë, bashkëpunimi me zonat tjera operative e deri te rënia heroike në fushë të nderit.
Të gjitha këto që janë thënë më lartë, e kompletojnë personalitetin e heroit të kombit Jetë Hasani, si një dëshmi reale se si duhet fituar liria.
Në pjesën e kapitujve të librit vend të rëndësishëm zë veprimtaria ilegale e Jetës në kuadër të lëvizjës kombëtare Komitetit kombëtar Shqiptar për bashkimin e trojeve, dhe veprimtaria e saj atdhetare me figura të shquara të historisë sonë kombëtare siç janë: Historiani dhe luftëtari i lirisë kombëtare ushtaraku i shtetit amë Shqipërisë, Shaban Braha, i burgosuri i ndërgjegjës kombëtare, dhe themeluesi i UNIKOMB-it, ku i bashkoi forcat politiko-ushtarake me KKBSHT, (që drejtohej nga Ruzhdi Saramati), Prof. Mr. Halil Alidema, heronjtë kombëtar që më të drejtë mund të thuhet se ishin pararendës të UÇK-së, si: Aziz Kelmendi, Alush Kryeziu, Besim Ndreca dhe Jetë Hasani. Që nëprmjet fakteve, ngjarjeve të detajuara të pasqyruara nga autori Avdi Ibrahimi janë aq të rëndësishme dhe e begatojnë monografin e Komandnt Jetë Hasani heroi që i bashkoi pushkët e ilegalës me UÇK-në.
Në pjesën e kapitujve pasues të librit, autorët, përmes intervistave të realizuara me protagonistët e ngjarjeve, paraqesin tablo reale, të organizimeve ushtarako-luftarake në Kosovë. Në mënyrë të argumentuar, shpalosin vlera e mirëfillta të luftës çlirimtare në Kosovë, midis dy palëve të pabarabarta.
Autorët, po ashtu kanë arritë që ta kristalizojnë çiltërinë e këtyre aksioneve luftarake, duke i respektuar të gjitha Konventat ndërkombëtare të luftës.
Gjithashtu, në këtë libër, bukur paraqitet kontributi i popullit, përmes angazhimeve në sferën e logjistikës, shëndetësisë, shkollimit, gjithmonë në rrethana të krijuara lufte.
Vlen të përmendet se autorët e librit, përmes protagonistëve të tyre, shpalosin storje nga frymimi i popullit tonë në rrethana të luftës. Po ashtu, argumentojnë formimin e celulave të para të UÇK-së, strukturimet dhe konsolidimet e mëvonshme të saj, mbështetjen nga faktori ndërkombëtar e deri te transformimi i saj në TMK. Të gjitha këto që i paraqesin autorët në këtë libër, e demantojnë bindjen, se UÇK ishte ushtri e kriminalizuar, ngase mbështetja nga faktori ndërkombëtar, është më tepër se argument se UÇK ishte ushtri çlirimtare.
Vend të merituar në këtë libër monografik, kanë zënë aktivitetet ushtarako-luftarake të Batalionit të Dytë “Ruzhdi Salihu”, Brigada 121 “Kumanova” si dhe hierarkia komanduese e tyre. Meritore janë edhe aksionet luftarake, qofshin ato guerile, apo të shtyra nga inercionet e ofensivave të zhvilluara si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të forcave të ushtrisë serbo-malazeze. Autorët e librit, me kujdesin më të madh i kanë paraqitur angazhimet dinjitoze dhe profesioniste të hierarkisë komanduese, përfshirë këtu udhëheqësit e Brigadës 121 “Kumanova”, komandantët e Batalionit “Ruzhdi Salihu”, si dhe komanduesit tjerë të sektorëve dhe strukturave të tjera ushtarake. Ky fakt është mjaft bindës se UÇK ishte ushtri e strukturuar mirë e jo siç trumbetohet në disa qarqe kinse ishte ushtri bandash e çka jo tjetër. Autorët e librit, bukur mirë i kanë përshkruar organizimet logjistike, si furnizimin me ushqim, funksionimin e grumbullimin e drithërave të bardha, riaktivizimin e mullinjve, riaktivizimin e jetës shëndetësore, ngritjen e sferës së informimit e deri te formimi i kazermave ushtarake, siç ishte ajo në Pjetërshticë, aty ku zë fill Drenica. Të gjitha këto argumentojnë se dahu i luftës çlirimtare, i kishte mbërthyer të gjithë në Kosovë dhe secili nga ta kontribuoi në mënyrën e vet, për çlirimin e vendit.
Në këtë kompleks kontributesh, autorët, si konglomerat të veçantë i nxjerrin komandantët e strukturimeve ushtarake të UÇK-së e ndër ta edhe figurën heroike të komandantit Jetë Hasani. Vend meritor i kushtohet heronjve dhe dëshmorëve të kombit, të rënë altarin e lirisë e të cilët shënojnë epokën më të ndritur të historisë sonë më të re.
Pjesa tjetër në vijimsi të librit përshkruan rëndësinë e mediumeve të printuara dhe elektronike dedikuar heroit të kombit Jetë Hasani. Në këtë pjesë, dokumentohen edhe mirënjohjet, çmimet dhe dekoratat, me të cilat nderohet vepra dhe jeta e komandant Jetë Hasani.
Ndërsa pjesa e fundit e librit është rezervuar për arkivin e UÇK-së, me ç’rast paraqiten për herë të parë ekskluzivisht fotografi autentike nga jeta e pjesëtarëve të UÇK-së, gjatë kohës së luftës. Pjesë e këtij arkivi janë edhe argumentet për pjesëtarët e KKSHBT-së, Po ashtu paraqiten edhe dëshmitë dhe pyetësorët për dëshmorët dhe disa dëshmi për ushtarët e Batalionit të Dytë “Ruzhdi Salihu”, Brigada 121 “ Kumanova”.
Stili i gjuhës së përdorur nga autorët në këtë libër është më shumë popullorë, lehtë për tu kuptuar, pa figura stilistike e hiperbola, sepse autorët kanë synuar ta ruajnë origjinalitetin e shprehjes së protagonistëve si dhe të jenë sa më afër lexuesit.
Për fund, të shtojmë, se libri “KOMANDANT JETË HASANI HEROI QË I BASHKOI PUSHKËT E ILEGALES MË UÇK-NË” i autorëve: Avdi Ibrahimi dhe Naim Musolli, me gjithë mangësitë eventuale, për shumë kohë do ti rezistoj blozës së harresës!

Redaktori Muhamet Hoxha

P.S. Foto Shtimje më 3 dhjetor 2018, mes Naim Musollit bashkautor i librit monografik “Komandant Jetë Hasani Heroi që i bashkoi armët me UÇK-në, dhe triumfoi në baytalionin e dytë, Brigada121” dhe redaktorit te librit Muhamet Hoxha, me Lulzim Hasanin e Latif Musollin.

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...