Home / Lajme / VEPËR HISTORIKE ME VLERA TË LARTA QË DUHET TË LEXOHET NGA BREZNITË TONA!​

VEPËR HISTORIKE ME VLERA TË LARTA QË DUHET TË LEXOHET NGA BREZNITË TONA!​

 Në fotografi nëme republikë, është  veterani i arsimit, Kamer Rrukiqi
Shkruan: Fadil SHYTI
“Të shkruash për veten është detyrë, të shkruash për gjakun e të parëve tuaj, është detyrë e shenjtë”.​
(Sulejman Krasniqi, shkrimtar dhe vepritmar atdhetar)​
Përshtypjet e mia, duke lexuar këtë libër me vlera biografike dhe historike.​
-Këto ditë e përfundova së lexuari, librin e profesorit tim të nderuar atdhetar, Kamer Rrukiqit, “Qëndrimet e mia në udhëkryqet e jetës”-Autobiografi, botues “Shkrola Print”, Prishtinë, 2016​
Kamer Rrukiqi, i lindur me 1934 ne Vërbovc te Drenicës. Menjëherë, pas luftës së dytë botërore, i rreket arsimit në kushte të rënda ekonomike e politike. Ka kryer fakultetin e shkencave natyrore degën e gjeografisë. Ka punuar si mësues në shkollën e Dobrashevcit, Gradicës, në Drenas, drejtor në shkollën tetëvjeqare në Terstenik dhe si profesor në Gjimnazin e Vushtrrisë.​
Për shkak se bie ne kundërshtim me qendrimet e pushtetit, UDB-së dhe të partisë, LKJ-së për shkak të kërkesës së tij, Kosova Rrepublikë 1966 në fakultet në Prishtine, më 1968 në Drenas, në ngritjen e Flamurit Kombëtar, 1968 në shkollën e Terstenikut, për shkak të organizimeve të eskurzioneve të nxënësve nëpër vendbanime shqiptare, për shkak të tentim demostrimit me nxënës në Ulqin e të tjera veprimtari atdhetare, përjashtohet nga puna dhe Drejtori i shkollës në Terstenik. ​
Pastaj, më 1970, punësohet në gjimnazin e Vushtrisë, ku edhe aty, fillojnë përndjekjet dhe definitivisht në 1981 në kohën e demostratave të vitit 1981, izolohet në burgun e Mitovicës dhe më pas si element i papërmirësueshëm, për qendrimet anti-Serbi dhe Jugosllavi, përjashtohet përgjithmonë nga puna, jo vetem në arsim, por nga të gjitha punët tjera në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi.​
Autori i librit është atdhetar i devotshëm, gjatë jetës së tij, si një Rrap Shekullor, është përballur me armiqtë dhe të liqtë shqipfolës, që herë nga frika e herë nga lakmia e mjerë, Kamerit të nderuar, i kanë sjellë krajata, nuk e kanë lënë të punojë i lirë i papenguar në punën e tij të devotshme në arsim. ​
Autori, pandërprerë ka bërë shumë veprimtari atdhetare në dy forma: në formën legale (kjo pasqyrohet më një modesti lakmuese, më shumë në libër); por, herë-herë atdhetari i devotshëm, nuk mjaftohej, as kënaqej vetëm me kaq; prandaj, përvishej të godiste regjimet anti-popullore dhe armike edhe me veprimtarinë, do të thosha- individuale, ilegale. ​
Gjatë leximit të veprës, kam arritur të kuptoj që, Kamerit më shumë i pëlqente të vepronte,-disi si intelektual i pavarur dhe të kryente punë të mira, “nën rrogoze”,-siç do të thoshte simboli i rezistencës sonë, Adem Demaçi:​
“Më mirë është t´i kryejmë dyqind punë të mira, të vogla, sesa dy-tre punë të mëdha dhe të themi; hëh, tash i dola borxhit popullit dhe atdheut, e, ta qesim, e ta lëmë më tej veprimtarinë tonë atdhetare”?!!! ​
Libri, “Qëndrimet e mia në udhëkryqet e jetës”, është libër kronologjie, që përfshinë shumë ngjarje dramatike, individuale dhe kolektive; ngjarjet fillojnë dhe zhvillohen kryesisht në katundin Verboc dhe në Tërstenik rrethi i Drenasit (ish-Gllogovcit), pastaj, marrin shtrirje më tej,-do të thosha, me të drejtë, në të gjitha trojet shqiptare.​
Libri ka vlera të larta kronologjike, shquhet për përshkrimet e qarta, modeste, të sinqerta kujtimesh; ia vlen të lexohet,-siç thuhet, “me laps në dorë”; është pasqyrim shumë i hidhur i jetës së autorit dhe jetës të popullit tonë ndë brezni.​
Biografia e autorit, e familjes së tij atdhetare, mbase është e njohur për qarqet atdhetare, familja Rrukiqi në epoka të ndryshme gjatë historisë i ka dhënë atdheut shumë veprimtarë atdhetarë, gjithashtu i ka dhënë atdheut edhe dëshmorë të cilët me armë në dorë kanë rënë në altarin e lirisë. ​
-Poashtu, është epike edhe historia e rrethit të tij të familjes së gjerë, dajallarëve, miqve e të tjerë ;-siç pasqyrohet edhe në libër; e një pjese të katundit, Verboc, të komunës së Drenasit, jeta e popullit ecte si një lum i qetë në dukje, por i turbullt dhe vërshues me shtrirje të mëtejshme gjeografike në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Podgoricë, e gjer në Çamëri; merrte një përmasa të thella kombëtare, në veçanti në zhvillimin dhe në zhvilimin e ngjarjeve, që vinin si oshtimat e maleve tona që prej shekujve të kaluar; për të goditur pastaj me rrebeshe vetëtimash të pandalshme, regjimet armike dhe anti-popullore, “shqiptare”.​
-Do të përpiqem këtu që, për lexuesit të paraqes ca paraqes ca dromca kujtimesh, më më të theksuara që, mua vërtet më kanë lënë mbresa të thella; përndryshe, është e pamundur të analizohet tërësisht në një shkrim mbresëlënës, libri prej 626 faqesh, duke përfshirë këtu edhe ca fotografi të bukura karakterisitike, idilike malësore dhe faktografi të ruajtura nga autori , të nxjera nga gazetat e kohës në robëri. ​
-Padyshim, edhe këto fotografi dhe faktografi,-mendoj unë: flasin sa dhjetëra e qindra faqe të tjera që, lbrin e bëjnë më të begatshëm dhe i shërbejnë së vërtetës së cilës autori i ka mbetur besnik kurdoherë, e ka dashur dhe e donë, si rrezet diellore.​
Autori, në libër fillimisht ka rrëfyer fatin e hidhur të gjyshit të tij dhe të vjehrrit të tij, që të dy dëshmorë në luftën ruso-turke, e njohur në histori si “Lufta e “Plemes”, vlen të theksohet që, në atë luftë kanë rënë dëshmorë, shumë shqiptarë. ​
Rrëfimet dramatike familjare dhe gjithëkombëtare, të kohës së rezistencës luftarake heroike të Azem e Shotë Galicës, Ahmet Delisë, Enver Hoxhës, Shaban Palluzhës, e gjer tek epoka e ndritur e Adem Jasharit dhe UÇK-së, heroike.​
Gjatë rrjedhave të historisë, të përjetuara idhshëm nga autori që nga mosha e tij rinore, me besnikëri dhe dashuri dhe krenari i ka rrëfyer ngjarjet për heronjtë dhe heroinat e njohur dhe të heshtur të atdheut; autori i ka trajtuar thellësisht, me durim dhe me modesti rrethanat historike, që popullin e Kosovës dhe të Viseve të tjera shqiptare, në ish-Jugosllavi, e detyruan që kurdoherë të ishte vigjilentë përballë armiqve dhe tradhëtarëve të vendit; një popull që, vërtet e donte punën,-kazmën; por jeta në robëri e kishte detyruar që gjithësesi dhe kurdoherë, pranë saj; të mbante edhe pushkën, për t´i dalë zot vetes dhe atdheut.​
-Këto ngjarje të përshkruara në libër, breznive tona dhe në veçanti atyre që do të vinë; autori ua bënë me dije me fakte konkrete, pse shqiptarët e të gjitha viseve shqiptare të mbetura padrejtësisht jashtë shtetit amë, Shqipërisë, u copëtuan nga shtetet imperialiste, kur trojet tona iu dhanë si peshqeshe shteteve fqinje të Ilirikut (Ballkanit); Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Bullgarisë (Maqedonisë së sotme veriore).​
-Prandaj, shqiptarët u detyruan që, pandalshëm të bëjnë rezistencë individuale dhe kolektive; të ngriten në demonstrata, në greva por edhe në luftëra çlirimtare.​
-Populli i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare, vuajti shumë nga mbetëritë dhe nga krajlitë e paraluftës Serbo-Kroato-Sllovene, (SKS), pastaj nga klikat, poaq shovinsite dhe fashiste me maska perfide të vëllazerim-bashkimit jugosllav, të Titos, Rankoviqit, Herleviqit dhe më në fund nga tirani që, iku në thyeqafje, jashtë kufijëve të shtetit të tij të turpëruar, si shtet gjenocidal; duke pritur dënimin në Hagë, për krime luftërash dhe gjendocide ndaj popujve liridashës së ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq. ​
Filozofi i madh, Frerderik Engles, thotë:​
 “Liria, është domosdoshmëri”! ​
-Pikërisht, për këtë domosdoshmëri, u ngrit dhe u organizua, me të gjitha format dhe mjetet e LÇ-re; biri i madh i kombit shqiptar, Adem Demaçi i cili bashkë me shokët e tij besnikë, doli me kërkesa të qarta përballë armiqve dhe opinionit botëror, që nga vitet, 50-ta, Ay doli hapur me kërkesën e lejimit të Flamurit Kuqezi në Kosovë dhe në Viset tjera shqiptare, hapjen e shkollave të larta dhe universitetit, barazinë e kombit shqiptar që, jetonte në ish-Jugosllavi me kombet tjera të shtetit federativ jugosllav, i cili nën maskën e “vëllazërim-bashkimit” i shtypi pamëshirë popujt jo sllavë; si shqiptarët, boshnjakët dhe të tjerët.​
-Baci ynë, Adem Demaçi me organizatën e tij atdhetare, “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” (LRBSH), doli me kërkesën e Republikës Shqiptare në ish-Jugosllavi, Lëvizje të tilla çlirimtare për pavarësi, kishte edhe në republikat tjera si në Bosnjë, Kroaci, Slloveni; atje si edhe në Kosovë, këto Lëvizje mbyteshin në gjak, brenda dhe jashtë atdheut, opozitarët e Titos, ishin çlirmtarë, prandaj burgoseshin dhe vriteshin kazamateve jugosllave dhe dënoheshin rëndë, trajtoheshin ashpër me dhjetëra vite burgjeve.​
…Bota perëndimore, që, tashmë po e quajnë, “Bota Demokratike”, atëbotë ishte e zënë me “halle të tjera, të mëdha”; pra, si hienë  ishte hedhur për pushtime dhe  kolonizime të ethshme në meridiane të tjera të botës, të vendeve të lira dhe sovrane botës.
​-Atëbotë, mbi popujt liridashës, si shpatë qëndronte politika luftënxitëse imperialiste, ajo e ashtuquajtura, “Lufta e ftohtë”, kur shtetet ishin të ndara në blloqe; ato herë hapur, herë maskuar; përgaditeshin ushtarakisht dhe i vringëllonin armët; gjithnjë nga orekset e tyre të pangopshme e për dominime, kolonizime dhe pushtime. ​
-Prandaj, jo rastësisht, e mbyllnin njërin sy, bëheshin se nuk po shihnin, as po dëgjonin se, çfarë po ziente në shtetin “paqësor” në Ish-Jugosllavi të sunduar nga gjakatari të Titos & CO.​
-Vlen të theksohet që, autori i këtij libri, Kamer Rrukiqi, për kërkesën Kosova Republikë, në vitin 1966, gjatë kohës së studimeve në Prishtinë, e kishte përgaditur një elaborat, me synim që pastaj ta dërgonte Letër të Hapur për udhëheqësinë asaj kohe të ish-Jugosllavisë, të Kosovës dhe më gjerë; për të dalë kërkesa më e fuqishme, më serioze, i kishte organizuar edhe ca studentë që t´i bashkoheshin dhe të jepnin edhe ata kontributin e tyre, me qëndrimet e tyre në favor të Republikës së Kosovë, mirëpo, -siç shpjegon autori në libër; “kjo nuk u arrit të kryhej plotësisht, për faktin që, jo të gjithë ata studentë të shumëvuajtur e kishin kuptuar me kohë rëndësinë e asaj nisme të tij; mirëpo, këtu autori tregohet fort i sinqetë dhe modest; sikur “fajin” për këtë ia hedh vetes,-siç shkruan: “…Nuk punova paraprakisht më shumë me ´ta; pra, nuk u konsultova, nuk i analizova rrethanat e kohës, nuk i binda paraprakisht, për këtë nismë kaq me peshë, duhej edhe guxim”. ​
Atdhetarët, ishin dhe janë të pathyeshëm, as kjo pengesë e përkohëshme, Kamerin nuk do ta zhgënjejë. Punën e tij do ta vazhdonte në heshtje, pa bujë, padyshim përqëndrohej që, do të shënonte në objektivat që i kishte vënë para vetes, për të larë borxhet ndaj popullit dha atdheut. ​
-Pas përfundimit të studimeve, ndonëse me pengesa goxha serioze nga aparatçikët jugosllavë nga
afër dhe nga larg; arrin të punësohet mësues në një shkollë fillore të rrethit të tij  dhe gjatë atyre viteve ishte drejtor i asaj shkolle. Kameri, aty padyshim ka dhënë kontribut të lakmueshëm arsimor nga aspekti atdhetar dhe organizativ. Për herë të parë në arsim 1952/3 bie në konflikt me planprogramin e atëhershëm mësimor të Serbisë për shkak të njësisë metodike; “Sllavët e vjetër janë stërgjyshërit tanë”, në lëndën e historisë. Edhe pse ishte e ndaluar historia shqiptare në atë kohë, mësuesi atdhetar, Kameri iu fliste  nxënësve se, ilirët janë stërgjyshërit tanë,-jo, sllavët e vjetër nuk janë stërgjyshërit tanë siç shkruante në libër,-por, ata janë stërgjyshërit popujve sllavë. ​
-Pas përjashtimit për shkaqe politike në shkollën e Terstnikut- Drenas, Kamberi punësohet në Gjimnazin e Vushtrrisë. Edhe aty ndaj tij, fillojnë ndjekjet dhe përndjekjet politike.​
Që nga 1975 gjer më 1999, gjashtë herë është kontrolluar (bastisur) banesa e tij, nga milicia dhe UDB-ja serbe. Në kontrllimin e katërt dhe të pestë, vetëm minutat e ndanin nga vdekja.​
-Faktografinë, e këtyre sukseseve lexuesit do ta gjejnë në libër, por, mbi të gjitha dua të theksoj faktet: pranimi në punë i disa mësuesve shqiptarë, të ndjekur nga regjimi si elementë armiq, siç thuhej atëbotë, “të papërshtatshëm politikisht” dhe ndjekja nga puna e të tjerë mësuesve të nacionalitetit serb, për sjelljet e tyre shovinsite dhe të pamoralshme; ishte veprim tejet i guximshëm. ​
-Kjo, do të thosha i ka shërbyer mbi të gjitha kurajos së intelektualëve përparimtarë se, ja duhet dhe mundemi që, edhe ne t´u themi, JO, organeve të pushtetit pushtues titisto-rankoviqist, por mbi të gjitha i ka ndihmuar mbarëvajtjes së punës në shkollë dhe mbrojtjes të nderit dhe krenarisë shqiptare. ​
-Do t´i hyja në hak autorit të mos e theksoja dhe një veprimtari të tij, “modeste”; siç është ajo e vizitave të nxënësve të shkollës ku punonte si drejtor; në viset shqiptare në Ilridë dhe në Malësi të Madhe. Kameri, nuk ua dha “kënaqësinë” nxënësve shqiptarë, të takoheshin dhe nxënës trë huaj, nëpër qytetet e ish-Jugopsllavisë, siç vepronin disa drejtorë shkollash servilë; por, jua ofroi lumturinë atyre; i takoi nxënësit shqiptarë të malësive tona, me bashkëmoshatarët e tyre shqiptarë të qyteteve shqiptare të ndara padrejtësisht nga regjimi titist dhe nga Kosova.​
-Kur jemi këtu, duhet theksuar faktin që, autori ka nxjerrë në dritën e së vërtetës veprimtarinë edhe të disa ish-udhëheqësve krahinorë dhe republikanë të RSFJ, si Alush Zariqi dhe Veli Deva që edhe në ato vite të rënda të kohës së Rankoviqit, kanë ditur dhe guxuar;-siç thotë populli:
“Një dorë ta kenë në pushtet, tjetrën në popull”!​
-Për veprimtari atdhetare të guximshme, në atë kohë shquhej edhe mësuesi atdhetar, Ymer Kastrati, ai si në qëndrimet e tij parimore për të drejta kombëtare, meritonte respekt edhe si trim i pathyeshëm;  kurrë nuk ka ecur pa armë në brez-shkruan autori i këtij libri, për bashkëpunëtorin e tij në arsim; bile me një rast kur ajo revole i duhej kolektivit të shkollës, gjatë kthimit nga Mali i Zi, ai e kishte hequr nga brezi duke e shpëtuar tërë kolektivin nga një sulm që po kërcënohej, nga një  qen bir qeni çetnik i dalë nga maskat e titizmit dinak. ​
-Në libër përkujtohen me dhembje dhe  e krenari, arsimtari Ali Gashi, nga Kryshevci i Skënderajt i cili në Vitin 1949 e hap këtë gjimnaz për nevojat e nxënësve të anës se Drenasit, të cilin UDB-ja, poashtu, e vrau me tradhëti dhe shokun e tij të shkollës, heroin e Flamurit Kuqezi, Fazli Greiçevcin, të cilin gjakatarët serbë e mbytën në tortura në burgjet jugosllave.
-Ka edhe shumë të tjerë personazhe që meritojnë të flitet dhe shkruhet për ´ta dhe trë përkujtohen me nderime nga breznitë-thotë autori.​
-Më 1993 gjendej përkohësisht në Gjermani. Milicia serbe ia kishin thyer banesën dhe aty e vendosin një milic rezervë me famiilje. Me të dëgjuar, Kameri kthehet dhe me kërcënime e ndjekë milicin uzurpator nga banesa që, vërtet ishte rast i vetëm në ato kohë të rënda robërie në Kosovë; që me forcë të mbrohet prona e shqiptarit. Për këtë rezistencë, shefi i milicisë dhe UDB-së, xhelat me damkë, i quajtur, Vuçina me kriminelët e tij, milicët çetnikë vendosin që ta ekzekutojnë.
Lajmin për ekzekutim, ia komunikojnë gjatë kontorllimit të katërt. Kameri, arrin që t´i shmanget rrezikut, përsëri largohet përkohësisht në Gjermani, atje qëndron katër muaj, pastaj kthehet me vendbanim ilegal në Prishtinë.​
Golgota e tij personale dhe familjare, s´kishte të ndalë?!…​
Në muajin Prill, 1999 ia rrethojnë shtëpinë tinzisht, milicia i hyjnë në atë shtëpi ku banonte në Prishtinë. I kërkonin armë. Edhe pse ai, i kishte armët brenda në sallon, sa për të rezistuar në vetëmbrotje, ju thoshte; armë nuk kam. Ata donin edhe të dinin se kë e kishte brenda. Po sikur të hynin në sallon, ata do ta gjenin armën dhe Mexhit Krasniqin, i cili ishte brenda musafir pastaj, mesiguri do të ndodhte më e keqja. Për të gjitha këto, profesori i pathyeshëm në qëndrimet e tij stoike, që nga 1981 mbetet i papunë për shkaqe politike.​
Me këtë rast, unë lexuesi i përkushtuar i këtij libri të mrekullueshëm, nuk mundem pa e theksuar një fakt të hidhur që, vërtet më ka shqetësuar gjatë leximit; me fakte të argumentuara  konstatoj se: redaktori, lektori dhe botuesi i librit, nuk e kanë kryer punën si duhet.
Shtëpia botuese “Shkrola Pritn” në Prishtinë; duhet të ketë kujdes që të mos lejojë të botojë libra të pa korrektuar mirë,-sipas normave të kërkuara të botimit. Këtë, mesiguri do ta shohin dhe ndiejnë veten keq, gjatë leximit, lexuesit e nderuar. ​
Autorit, Kamer Rrukiqi, unë ish- nxënësi i tij në shkollën e mesme; i dëshiroj jetë të gjatë, pleqëri të mbarë dhe suksese në punën e tij, në fushën e letrave tona.  ​
22 Korrik, 2019​

About admin

x

Check Also

Sa të gënjyer ishim !

/ Intervist që ia vlen të lexohet e rilexohet/ Intervistë me ish ...