Home / Të ndryshme / Kërkohen hetime për “milionat e lobimit” Prokuroria s’bën zë

Kërkohen hetime për “milionat e lobimit” Prokuroria s’bën zë

Ministria e Integrimeve Evropiane do t’i paguaj 22 mijë euro çdo muaj kompanisë franceze të lobimit “Majorelle”. Shuma të mëdha nga buxheti do t’i paguhen edhe kompanive tjera lobuese që janë kontraktuar për vetëm tre muaj. Këto kontrata që po shikohen si të dyshimta nga opozita, kanë bërë që këta të fundit të kërkojnë hetim nga Prokuroria. Prokuroria Speciale në anën tjetër nuk është përgjigjur nëse ka bazë për hetime. Ministria e udhëhequr nga Dhurata Hoxha e PDK-së, insiston se këto po bëhen për të luftuar propagandën serbe.

Media ka raportuar dje se Ministria e Integrimeve Evropiane së fundmi ka nënshkruar një kontratë me kompaninë franceze “Majorelle”, për të kërkuar nga ta informacione për agjendën e Kosovës në BE.

Përderisa Kosova po vazhdon të mbetet pa liberalizim të vizave, ministria në fjalë po vazhdon të harxhojë miliona të taksa paguesve për të lobuar në Amerikë, BE e edhe për të informuar për të satën herë qytetarët për procesin e liberalizimit.

Kontrata me francezët nuk është e vetmja, për tre muaj ministria e udhëhequr nga Dhurata Hoxha e PDK-së ka nënshkruar edhe dy kontrata tjera, që arrijnë vlerën e më shumë se 1 milionë eurove.

Përderisa për kontratën që kanë bërë me kompaninë këshilluese nga SHBA “ “Madison Global Strategies LLC”, kanë lëshuar komunikatë për media, nga kjo ministri kanë thënë se kjo po bëhet pas ballafaqimit me një ofensivë të rëndë lobimi nga Serbia.

Në asnjë rresht të kësaj komunikate nuk u sqarua se pse figuron emri i shefit të Dhurata Hoxhës, Kadri Veselit në kontratë.

Përderisa për kontratën me amerikanët reaguan përmes komunikatës, nga Ministria e Integrimeve Evropiane në një përgjigje kanë sqaruar edhe kontratën me francezët, që do t’i kushtojë çdo muaj arkës së shtetit 28 mijë euro. Edhe kjo kontratë sipas ministrisë u bë pas lobimit të Serbisë në botë.

“Ministria e Integrimit Evropian, duke parë agresivitetin lobues të Serbisë dhe pengesat që i ka bërë në vazhdimësi kundër Republikës së Kosovës, ka paraparë nevojën e saj urgjente që të angazhojë kompani këshilluese/lobuese pranë mekanizmave vendimmarrës në BE dhe te vendeve hezituese në procesin integrues të Kosovës, siç kanë qenë Franca e disa vende tjera të BE-së. Kontrata është për 6 muaj, ku vetëm muaji Gusht nuk përfshihet, ndërsa çmimi për muaj është 28 000 Euro. Disa nga shërbimet që përfshihen në kontratë janë: Ofrimi i shërbimeve këshilluese/lobuese në vendet e BE me theks të veçantë në Francë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Krejt kjo puna e kontratave lobuese po kundërshtohet ashpër nga opozita. Këta të fundit kanë kërkuar nga organet e hetuesisë që të fillojnë procedurat hetimore.

Në një përgjigje sekretari për Marrëdhënie me Jashtë në Lëvizjen Vetëvendosje, Kreshnik Ahmeti ka deklaruar se publikimi i këtyre kontratave është skandali i ardhshëm e një nga arsyet pse qytetarët e Kosovës nuk kanë liberalizim të vizave.

“Publikimi i skandalit të kontratave të fundit është shpërfaqja e radhes e njërës prej arsyeve kryesore pse qytetarët e Kosovës nuk kanë liberalizimin të vizave, e që është korrupsioni qeveritar. Është skandaloze se si në njërën nga këto kontrata person kontaktues është Kadri Veseli. Nuk është e qartë se në çfarë cilësie është ai aty, si krye parlamentar apo si kryetar i PDK-së? Cilado qoftë forma që krimi i Veselit ka marrë në kontratë, një gjë është e qartë: ky është korrupsion i pastër, të cilin Kadri Veseli po e realizon duke e instrumentalizuar edhe Dhurata Hoxhën. Kaq sa i përket reformave të Veselit në PDK. Në anën tjetër, ministrja gjendet në situatë të pamundur për ta arsyetuar këtë aferë korruptive. Ajo deklaron se këto janë kontrata për këshillim, po të ishte kjo e vërtetë, kontratat do të ishin abuzim i fondeve sepse këshillime të tilla gjen mjaftueshëm tek OJQ-të vendore dhe nga vetë zyra e BE-së. Por, e vërteta është që në kontratë theksohet se shërbimet janë për lobim në SHBA, që nuk ka asnjë kuptim kur vije si kontratë nga MIE, e me person përgjegjës Kadri Veselin”, tha Ahmeti derisa ka shtuar se pas publikimit të tyre duhet të japin dorëheqje edhe ministrja Hoxha e po ashtu edhe krye parlamentari Kadri Veseli.

“Ministrja dhe Kryeparlamentari do të duhej të dorëhiqeshin dhe në këtë mënyrë t’i hapnin rrugë hetimeve të këtyre rasteve. Ndërsa, kjo Qeveri duhet të shkojë sa më shpejtë. Çdo ditë po e zbardhë nga një aferë të re korruptive dhe secila aferë po u kushton qytetarëve me miliona euro”, ka përfunduar ai.

Përderisa në opinion këto kontrata po kundërshtohen dhe po kërkohet një hetim i tyre, një gjë e tillë si duket nuk do të ndodhë në praktikë.

“Shërbime të Konsulences Ndërkombëtare për nevojat e MIE-së”, është kontrata e fundit e nënshkruar me kompaninë franceze ‘Majorelle PR & Events SARL’ e që ka afat vetëm gjashtë muaj.

Sipas kësaj kontrate që për pak muaj arrin shifrën 168 mijë euro, nga kjo kompani deri në muajin shtator do të “kërkohen informacione të shpejta dhe cilësore për agjendën e Kosovës lidhur me Bashkimin Evropian.

Po ashtu do të kërkohen këshilla dhe analiza lidhur me integrimin e Kosovës në BE, krijimin e rrjeteve dhe kontakteve në institucionet kryesore të Francës dhe BE-së, për të mbështetur agjendën e integrimit të Kosovës në BE, ndikim pozitiv mbi akterët kyç të BE-së, për të mbështetur agjendën e integrimit të Kosovës në BE, etj., kështu të paktën shkruhet në njoftimin për nënshkrimin e kësaj kontrate që është bërë publik në KRPP.

Kjo nuk është marrëveshja e fundit që ka bërë Dhurata Hoxha. Derisa Kosova po stagnon në fushën e integrimit, më 17 qershor, kur në Qeveri të Kosovës po diskutohej për raportin e Komisionit Evropian, të njohur si raporti i progresit, u nënshkrua edhe një kontratë tjerët për “konsulencë dhe planifikim strategjik”, kësaj here me firmën lobuese amerikane “ “Madison Global Strategies, LLC”, të udhëhequr nga një biznesmen restorantesh në Nju Jork.

Ministria e Integrimit Evropian e paraqet këtë kontratë si përpjekje e qeverisë për të forcuar pozitat e Kosovës brenda vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, firma nga e cila ka zgjedhur të këshillohet thotë se do të kryejë punë të tjera. Kontrata të cilën Hoxha e lidhi me kompaninë amerikane “Madison Global Strategies” për shërbime të konsulencës, përfshin edhe këshillim në favor të Ministrisë e takime me anëtarë të Kongresit dhe të Administratës Trump.

Në shkresat e kësaj kontrate që janë raportuar në Departamentin Amerikan të Shtetit figuron edhe emri i kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Kontrata në fjalë e nënshkruar muajin e kaluar kap vlerën e 153 mijë eurove, derisa emri i zyrtarit me të cilin do të merret vesh regjistruesi është shefi i Dhurata Hoxhës, Kadri Veseli, që për katër vitet e fundit i ka besuar asaj udhëheqjen e dy ministrive.

Kontrata, e cila sipas ministres Hoxha ka të bëjë vetëm me këshillim e jo me lobim, përmban edhe takime me zyrtarë të Kongresit dhe Administratës amerikane, ka kohëzgjatje prej 9 muajsh – nga hyrja në fuqi, deri në përfundimin e kontratës.

Vlera e kësaj kontrate peshon 152 mijë e 232 euro, apo 171 mijë dollarë amerikanë, të cilat do të paguhen nga taksat e qytetarëve të Kosovës.

Pagesa mujore që Ministria e udhëhequr nga Dhurata Hoxha do t’i kryejë firmës “Madison Global Strategies, LLC” është 19 mijë dollarë apo 15 mijë e 146 euro në muaj.

Njëjtë të domosdoshme dhe urgjente Ministria e Integrimit Evropian e ka cilësuar edhe nënshkrimin e një kontrate me vlerë rreth 1 milionë euro, që për qëllim ka t’i informojë kosovarët për procesin e liberalizimit të vizave. Edhe pse nuk dihet se ku e ka fundin ky proces, Dhurata Hoxha do të fillojë kampanjë informuese për t’i njoftuar qytetarët për këtë proces.

Me 10 korrik, kjo ministri ka publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, njoftimin për përzgjedhjen e kompanisë fituese në kontratën “Shërbime të Informimit Publik për nevojat e MIE-së”. Kompania fituese si e vetme është përzgjedhur “PR Solutions”, ndërsa kontrata në total peshon 881 mijë e 389 euro.

Në dosjen e tenderit, kjo kontratë cilësohet si “urgjente dhe e domosdoshme” dhe thuhet se do të shërbejë “për vetëdijësimin e qytetarëve rreth proceseve të ndryshme integruese”, përcjellë Buletini Ekonomik. Në kontratë specifikisht, përmendet si arsye kryesore çështja e liberalizimit të vizave. Kompani fituese është “Pr Solutions”.

Kompani të ndryshme fitojnë miliona euro cdo vit nga autoritetet kosovare për këshillim dhe lobim në favor të politikave të Qeverisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës – Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme – kanë lidhur kontrata me dy kompani me seli në Uashington: “Pillsbury, Ëinthrop” dhe “Chartëell Strategy Group”. Kompania “Pillsbury Ëinthrop et al” ka një kontratë një-vjeçare me Qeverinë e Kosovës dhe përfiton rreth 50 mijë euro në muaj.

Ndërkaq, Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi ka nënshkruar vitin e kaluar një marrëveshje me kompaninë lobuese amerikane “Ballard Partners” në vlerë prej mbi 500 mijë eurove.

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...