Home / Opinion / PLEQTË E EUROPËS, SI PLEQTË E KATUNDIT TIM!​

PLEQTË E EUROPËS, SI PLEQTË E KATUNDIT TIM!​

Relateret billede
Gjon Bruçi
Në këto tri dekada, të aplikimit të “demokracisë perëndimore”, Shqipëria jo njëherë u gjend në buzë të greminës, dhe vetëm në momentet e fundit, kur “rreziku shqiptar” ka rrezikuar interesat e Europës, kjo e fundit ka ndërhyrë, jo për t’i dhënë një zgjidhje të plotë problemeve, krizës apo kolapsit, por vetëm për ta përcjellë atë gjer tek stacioni tjetër i ngërçit apo krizës!!!​
A nuk ka gjasa që edhe në prag-zgjedhjet e 30 qershorit të ndodhë e njëjta gjë?!​
Duke menduar këtë “skemë” europiane, mendja më shkoi tek pleqtë e dikurshëm të katundit tim, atje në malësi. Dikur, (eh . . kjo “dikuri” është bërë tashmë “edhe sot”), pra . . . dikur, “pleqtë” e katundit tim, një titull ky i trashëgueshëm, kur ndodhte ndonjë ngatërresë midis dy familjeve, ndërhynin e i rregullonin, duke gjykuar me kujdes çështjen. Këtë punë ata e bënin kryesisht pa pagesë. Megjithatë, ai që e fitonte davanë, u fuste “pleqve” diçka nën dorë. Nga ana tjetër, në të gjitha rastet e gjykimit, do të “pihej kafja”, një lloj “noterizimi” i kohës. Dhe kafja ishte një drekjë e paqme, e cila për kohën, nuk ishte e vogël.​
Nisur nga ky rregull, pleqtë rrufjanë (çdo kohë ka rrufjanët e saj), gjykimin në fjalë e bënin duke lënë ndonjë “bisht” brenda, bisht i cili, pas disa ditësh rindizte ngatërresën, gjë që u siguronte “Pleqve” darkën dhe drekën e dytë, të tretë e më tej . . .​
A nuk ka ndodhur e po ndodh kjo mesele edhe me përfaqësuesit e Europës në vendin tonë në këto tri dekada “demokraci”?!​
Shumë e ngjashme me “pleqtë” e katundit tim, veçse me përmasa shumë më të mëdha, sepse “darkat” e “drekat” për pleqtë e Europës janë shumë më të kushtueshme. Dhe për më tepër, këtu nuk bëhet fjalë për një ngatërresë midis dy katundarëve, apo dy fiseve, por për ngatërresa, të cilat i kanë vënë e po i vënë minat jetës paqësore të një populli të tërë.​
Ç’e pengon Europën (institucionet e saj) të ndërhyjnë për t’i dhënë fund krizës sonë permanente tridhjetë vjeçare? Detyrimi për të mos ndërhyrë në “punët e brendshme” të Shqipërisë?! Pallavra! Nëse do të prekeshin interesat e Europës , ajo do të ndërhynte, jo vetëm me kancelaritë e saj, me diplomacinë e saj, por edhe me muskujt luftarakë të NATO-s. A nuk ishin pikërisht këto institucione euroatllantike që nuk lanë gurë pa lëvizur gjer sa përmbysën sistemin socialist në Shqipëri dhe instaluan “demokracinë” e tyre të modelit perëndimor?​
Dikush mund të perifrazojë shprehjen e njohur se “I zoti e nxjerr gomarin nga balta”.​
Dakort, po ai që na futi në këtë “baltë”, a nuk ka detyrimin të na japë një dorë?!​

Një dorë të sinqertë, dhe jo hilacuke!

15 qershor 2019

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...