Home / Të ndryshme / Sali Berisha dhëndër serb, Arbën Xhaferi filozof radikal!

Sali Berisha dhëndër serb, Arbën Xhaferi filozof radikal!

Veprimari dhe diplomati i shquar shqiptar në një intervistë ekskluzive për Agjencinë Daily News, flet për tradhëtitë e poltikanëve shqiptarë, veprimtarin e disaporës shqiptare rreth kauzës kombëtare, UÇK-në, deputetin shqiptar të diasporës e shumë tema tjera që lidhen e ndërthuren me të kaluarën e të tashmen. Edhe krahas një veprimtaria kombëtare më shumë se 30 vjet baca Xhemil i tha Daily News-it se nuk mplaket, por se bëhet nervoz nga politika devijuese shqiptare. Dëshira e tij e parealizuar është bashkimi i trojeve etnike shqiptare.

Intervistoi: Destan Jonuzi, kryeredaktor i Daily News-it

Daily News: Kush është Xhemil Zeqiri? Nga është, çfarë arsimimi ka të kryer dhe autori i sa librave është?

XHEMIL ZEQIRI: Jam i lindur në katundin Zhelinë, nga rrethi i Tetovës. Kam mbaruar shkollën e mesme teknike në Gostivar, pastaj u regjistrova në fakultetin e historisë në Prishtinë në vitin 1980-të, por, pas një viti, siç dihet, ndodhën demonstratat e pranverës së madhe të vitit 1981.
Në katund, aty ku jetoja, kisha provokime nga policia maqedonase: thirrje informative, maltretime etj, gjegjësisht nga një stacionin policor në katundin Grupin, i cili në atë kohë ishte një stacion terrorizues për shqiptaret në anën e Dervenit; prandaj, u detyrova të emigrojë së pari në Zvicër, pastaj në Gjermani, prej nga disa muaj më vonë erdha në Danimarkë, ku u vendosa me punë dhe prej atëherë, pra, që nga janari të vitit 1981, me një përkushtim të madh, jam munduar të veprojë pandalshëm, për çështjen e pazgjidhur kombëtare.
…Dhe, tani po bëhen afër 30 vite pra, mbi gjysmën e jetës sime e kalova në Danimarkë. Ashtu, si jeta e të madhit tonë, simbolit të rezistencës shqiptare; Adem Demaçit, i cili i kaloi 30 vite kazamateve, jugosllave, duke e mbrojtur çështjen shqiptare, ndërsa unë, po rropatem rrugëve të perëndimit duke i përkrahur mendimet e ndritura të këtij kolosi të madh të shqiptarizmës.
– Pastaj, pasi e mora lejeqëndrimin në Danimarkë, në fillim kam punuar lloj-lloj punësh fizike, sepse diploma ime nuk ishte edhe aq me vlerë në Danimarkë, isha pa praktikë dhe këtu në perëndim iu intereson më tepër puna praktike dhe jo teorike. Pra, nuk isha i kualifikuar, për këtu. Pastaj, u bëra vozitës i autobusit urban dhe isha mirë, por, koha më pengonte shumë për aktivitete që pata filluar në Danimarkë, sepse orari i punës nuk më përshtatej dot, kur, aktivitetet filluan të shtohen fillova dhe kontaktet me gazetarë, partitë politike, shoqata që merreshin për çështjet internacionale, deputetë etj, prandaj, u detyrova të ndërpresë këtë punë dhe fillova të punoja taksist. Nga kjo punë isha më i lirë dhe kisha njëfarë pavarësie në punë, mbaja kontaktet më me rregull dhe kështu, prej atëherë vazhdoj punën si taksist.
– Pastaj, fillova të merrem me shkrime, kryesisht me publicistikë: me debate; iu drejtoja letra të hapura institucioneve daneze, evropiane dhe atyre të OKB-së; herë-herë i dërgoja edhe artikuj shtypit të vendit, për problemet politike që ishin aktuale për kohën. Natyrisht se, unë doja që të mos dilja me emër, por disa nga mesi ynë po i merrte të gjitha këto aktivitete se: ai na qenka siç thoshin “i madhi”, kur e pashë se kjo metodë ishte shumë e rrezikshme dhe do t´i kishte pasojat e veta dhe dëshpërimin e disa shokëve që dinin se kush vepron, ndërsa ky po i merrte si individuale, sepse, ky më mësonte se si duhet të veproi etj. etj, atëherë dola me emër dhe mbiemër. Më vonë ato shkrime dhe intervista do t’i botoj, vetëm e vetëm sa të dinë, sepse kishte matrapazë të tillë që mundoheshin të më pengonin në aktivitetin tim, por kur shihnin se nuk kanë mundësi, së paku të rreshtohen dhe mundësisht të jenë të parët, për këtë arsye u detyrova të dalë hapur me shkrime dhe me katër libra të botuara:
”Kosova jonë”, Tiranë, 2000,
“Në mbrojtje (diplomatike) të çështjes shqiptare”, Prishtinë, 2003,
“Polemika, intervista, debate dhe letra“, Prishtinë, 2005,
“Drejt Vetëvendosjes “, Prishtinë, 2008.

– E kemi botuar këtë libër tre autorësh; Unë, Mona Agrigoroaei nga Rumania dhe Fadil Shyti, nga rrethi i Vushtrrisë.
Meqenëse, Unë dhe Fadil Shyti, i kemi dhe disa shkrime të përbashkëta, të cilat i janë kushtuar çështjes së pazgjedhur shqiptare, do t´i botojmë në një libër ca më vonë. Pastaj, ka mundësi reale që do të botojë edhe një libër tjetër me intervista; pasi, materialet i kam të gatshme.
– Gjithashtu, kam dhënë shumë intervista, disa herë në disa Radio-TV dhe gazetat shtetërore daneze për situatat që zhvilloheshin këto 20 vitet e fundit në trojet shqiptare…

Daily News: Na flisni për fillim çfarë mendoni për politikën shqiptare në Luginën e Vardarit?

Xhemil Zeqiri: -Jam shumë i shqetësuar sepse, kaluan kaq shumë vite që u formuan partitë politike dhe asgjë pozitive nuk po lëvizë nga vendi në favor të popullit shqiptar; jemi dëshmitarë se këto parti politike të krijuara pas shpërbërjes së federatës jugosllave po luftojnë vetëm për interesat e veta klanore e mafioze. Populli, duke e parë se këta matrapazë politikë që ishin shkolluar dhe edukuar në kurset e Kumrovcit, talleshin me situatë politike që kalonte populli ynë pas vitit 1990; u iritua shumë; këto parti kishin si dirigjent një anti-shqiptar, më të madhin toptanist, Ibrahim Rugovën, dhe ky “politikan” e mbajti një vijë politike që sot jemi duke e paguar shumë shtrenjtë; – sepse, edhe pas tri luftërave nuk ndryshoi situata në favor të shqiptarëve; pasi ky Ibrahim Rugova, një besnik i rrugës titiste; e formoi një parti, të ashtuquajtur, LDK kurse, në Tiranën zyrtare ishte formuar dhe PDSH-ja e udhëhequr nga një dhëndër serb, i quajtur Sali Berisha dhe këta “largpamës” të udhëhequr nga miqtë serbë e mbanin zap dhe politikën shqiptare në Luginën e Vardarit. Besoj, u kujtohet, kur populli shqiptar në Luginën e Vardarit duke e parë se partitë, PPD dhe Partia Popullore Shqiptare nuk bënin asgjë për përmirësimin dhe ndaljen e terrorit shtetëror ndaj shqiptarëve derisa, filloi një levizje radikale, në atë moment na doli në skenë një “filozof” i dalë nga kurset titiste, që siç thotë populli: ” fjalët si Demushi e punët si Askushi.” – Ky, ishte “filozofi” titist, i quajtur, Arben Xhaferi, që më vonë kur do të merrte pushtetin në koalicion do të bëhej dhe “Xhaferson”, sepse, shpejt e pati harruar dhunën dhe terrorin shtetëror që përjetonin shqiptarët, pasi që Arbeni e kishte “mjaltë e sheqer” me Rugovën dhe Saluan, natyrisht, u bë i tillë.
Unë, mendoj se më tepër e kanë mbrojtur popullin, “komunistët” shqiptarë se këto parti politike që janë bërë shërbëtore të pushtetit anti-shqiptar, maqedonas.
Por, befasia më e madhe qëndron aty se, pas luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, përfaqësuesit e tyre që formuan, BDI-në, por, edhe kjo parti përsëri ra nën ndikimin e politikës rugoviste dhe prej tyre nuk pritet më asgjë e mirë!
Në Luginën e Vardarit, ka disa parti të minore, por unë as u besoj!…
Përjashtoj këtu, partinë e z. Bardhyl Mahmutit, i cili është njëri ndër kuadrot politike me të shquara që kemi në hapësirën e Luginës së Vardarit dhe, si atdhetar dhe që rrjedh nga një familje atdhetare e persekutuar dhe e pergjakur nga sistemi sllav.
– Pra, ky udhëheqës dhe partia e tij, e meriton përkrahjen e shqiptarëve për të bërë ndryshimet e duhura në këtë hapësirë shqiptare.

Daily News: A Mendoni se politikanët shqiptarë të Luginës së Vardarit duhet të jenë më unik?

Xhemil Zeqiri: – Po, natyrisht se do të duhej të jenë më unik – por, kjo tani më nuk varet nga këta politikanë, sepse këta tani i dirigjon pushteti dhe në vend që të jenë unikë, këta bëjnë gara në mes njëri-tjetrit se kush do jetë i pari më servil; ndaj padronit, sllavo-maqedonas.
– Ja shembullin më real: PDSH-ja e Arben “trimit” thoshte se: “VMRON e kemi partnere natyrore”…por në politikë nuk ka vëllazëri, nuk ka mëshirë, aty ka vetëm interesa, dhe pikërisht, VMRO-ja e hodhi në rrugë si limonin e shtrydhur dhe i mori në koalicion “luftëtarët e lirisë” që u betuan në uniformën e ushtrisë shqiptare, për bashkim kombëtar dhe më në fund u bënë partnerë, dhe se ajo far “Marrëveshje e Ohrit” as që ishte në favorin tonë, por këto e pranuan dhe se ajo, pastaj, u ndryshua; nëse iu kujtohet kur ish-presidenti maqedonas, Trajkovski, bëri ndryshime në atë “Marrëveshje”, pikërisht, njëri ndër komandantët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Rafis Halili, deklaronte se: “nëse vetëm një presje i hiqet “Marrëveshjes Ohrit, do të pëlcet pushka”!…
– Aty, u bënë “Marrëveshje të mëdha” – deklaronte ai; dhe ky far komandanti, tani heshtë, është qorruar nga korrupsioni dhe “fotelja”, prandaj i mbyllë sytë edhe kur gjakosen fshatrat; Sopoti e Brodeci…

Daily News: – Si e komentoni pranimin e Republikës së Kosovës dhe pasaportave të saj nga Maqedonia?

Xhemil Zeqiri: – Maqedonia ka probleme të mëdha me të gjithë: me Bullgarinë me Serbinë dhe me Greqinë, – tani, më, dolën hapur sheshit për emrin, në vend që të flasin shqiptarët, sepse emri Maqedoni është emër ilir, mirëpo presidenti Topi dhe pionieri i Titos; Fatmir Sejdiu, i kanë futur veshët në lesh dhe nuk duan të dëgjojnë për këtë fakt, ata po heshtin!…
Bullgaria, e njeh shtetin e Maqedonisë, por jo edhe kombin; pra, maqedonët i konsideron si popull bullgar dhe territor të saj; Serbia, nuk ua njeh fenë as gjuhën, gjithashtu, edhe kjo e konsideron Maqedoninë, si territor të saj, prandaj, e ka njohur si shtet duke shpresuar se: herët a vonë ajo do t´i bashkohet asaj; sepse është e lidhur me të që prej kohësh.
…Dhe, në fakt, atë shtet kur është formuar, pas luftës nga xhelati Tito, u bë dhe për t´i ndarë shqiptarët, si një republikë e dytë serbe.
– Për më keq; si diçka që shkon në disfavorin tonë, është fakti që: e vetmja Shqipëria e udhëhequr nga Sali Berisha, e ka pranuar, bile, pa asnjë kusht, pa qarë kokën aspak për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në trojet e veta, brenda këtij shteti dhe përbëjnë një popullsi prej gati një milion.
Duke e shfrytëzuar këtë neglizhencë të shtetit amë, qeveritë e Maqedonisë, secila që vjen në pushtet, pandërprerje po bëjnë terror të paparë mbi shqiptarët.
…Dhe, si për ironi të fatit, tani as “politikanët” e Kosovës, por as ata të Shqipërisë administrative, (e udhëhequr prapë nga S. Berisha), kurrë nuk japin madje, as një deklaratë kundër këtij terrori të okupatorëve sllavë.
– Konsideroj që, njohja e Maqedonisë për “Pavarësinë “ e Kosovës sipas kutit të “pavarësisë” së Athisarit ka qenë dhe presion ndërkombëtar dhe maqedonasit po e shohin qartë se kjo “pavarësi “ e mbyllur në Pako të Ahtisarit nuk është aspak në dëm të okupatorëve sllavë, por iu jep atyre mundësi më të mëdha se sa kishin para luftës, për të qenë faktor kryesorë në Ballkan.

Daily News: Me ligjin e ri për zgjedhje në Maqedoni do të kenë mundësi që edhe mërgimtarët të votojnë dhe më këtë të fitojnë edhe një deputet. A mendoni se ky propozim është i mirë për diasporën shqiptare?

Xhemil Zeqiri: – Nuk e kam lexuar atë ligj, por kujtoj që, nuk mund të jetë aq shumë në favorin tonë, sepse po të ishte i mirë për ne shqiptarët, maqedonët nuk do ta pranonin dot, por edhe nëse e pranojnë çka mund të ndihmojë apo të ndikojë në politikën shtetërore një deputet, dhe, me siguri që, ai deputet do jetë ndonjë servil që e pranon këtë politikë të ndyrë antishqiptare.

Daily News: – A mendon se ky deputet do të luftojë më shumë për të drejtat e mërgatës shqiptare? (arsimin e gjeneratave të reja të mërgimtarëve në gjuhën amtare etj).

Xhemil Zeqiri: Mërgatën e kanë shfrytëzuar partitë politike shqiptare dhe në fund e kanë lënë në harresë, dhe si mos më keq të përçarë dhe me shumë halle, sepse sa herë që shkojnë bashkatdhetarët tanë në vendlindje, kurdoherë, ankohen për maltretimet që iu bëhen nga Sllovenia, Kroacia, Serbia dhe në fund nga Maqedonia dhe, kjo ka një prapavijë të qëllimshme që t´ i lodhin dhe t´ i thyejnë shqiptarët, që, ata të heqin dorë nga vatrat e tyre ku kanë lerë dhe t´ i adaptohen perëndimit, pra, të asimilohen përfundimisht, në ato shtete ku jetojnë “përkohësisht“.

Daily News: A jeni human?

Xhemil Zeqiri: – Po, jam dhe kjo më ndihmon, që shpirtërisht të jam i qetë. Humanizmi, me flenë në shpirtin tim. U bënë gati 30 vite dhe kurrë nuk i kam kursyer lekët, për çështjen kombëtare dhe atje ku e kam parë se ka njerëz në nevojë iu kam ndihmuar atyre, me aq mundësi që kisha dhe këtë e bëjë kurdoherë, deri sot dhe, do ta bëjë edhe nesër…

Daily News: – Dëshira juaj e parealizuar?

Xhemil Zeqiri: Po. Dëshira ime ka qenë dhe është që shqiptarët të kenë të drejta kombëtare dhe sociale, këto që deri tani na mohohen jo vetëm nga sllavët e jugut, por edhe nga bashkësia ndërkombatare.
Pluralizmi shumëpartiak në Shqipërinë Natyrale u keqpërdorua tejmase, për faktin që po mungon një unitet i duhur GJITHËKOMBËTAR. Merreni me mend sa marrëzi politike kjo që sot, ekzistojnë mbi 100 parti, që betohen ditë e natë në parimet demokratike, kurse territoret shqiptare ende mezi po gjallërojnë të copëtuara, për më tepër dhe më zi, – janë bërë dhe po bëhen ricopëtime të reja që dikur nuk i kishim ashtu, para tri luftërave të fundit që i bëmë ne, shqiptarët.
Këto parti që dolën si “kërpudhat pas shiut”, nuk janë të interesuara për t´i fituar ne shqiptarët të drejtat kombëtare dhe barazinë si kombet tjera në Ballkan e më tej, por ngatërrohen kot së koti për të ardhur në pushtet pa një shtet shqiptar të përparuar dhe të ribashkuar në Ballkan.
Këto, pastaj i kanë ngritur shigjetat kundër njëra-tjetrës për çështje ideologjike, fetare e të tjera gjëra që janë të rendit të dytë apo të tretë…
Pra, dëshira ime është të jemi të bashkuar, të sinqertë ndaj njëri-tjetrit, ideologjia jonë, mbi të gjitha duhet të jetë shqiptaria; e, kjo arrihet vetëm duke e fituar me këmbëngulje, madje, me çdo çmim të drejtën tonë si komb, për VETËVENDOSJE, e drejtë kjo, e cila po na mohohet nga okupatorët sllavë dhe nga miqtë e tyre kudo nëpër botë!…

Daily News: A bëhesh nervoz?

Xhemil Zeqiri:…Po, si të mos bëhem nervoz!…
– T´ua them të drejtën, festat fetare, as nuk i shikoj në TV shqiptare, kujtoj faktin këtu që; politikanët shqiptarë deri dje, deklaroheshin se ishin ateistë (të pa fe), kurse, tani shihen duke u gajasur në mes të priftërinjve dhe hoxhollarëve para kamerave!!!
Përse e bëjnë këtë, mund ta di edhe një njeri më naivi, pa u thelluar gjatë…; këtë e bëjnë vetëm për të mashtruar popullin që kinse “janë në udhë të Zotit”, që pastaj, ky popull i gjorë, i varfër dhe i shtypur, t´i votojë ata manipulatorë.
– Pastaj, janë po këta kameleonë të mjerë, që deri dje bërtisnin deri në kupë të qiellit: RROFTË KOMUNIZMI!
– Janë gjithashtu, po këta shkretanë, që deri dje ishin në ballë të luftës ideologjike kundër fashizmit; kurse tani thonë pa pikë turpi, që fashizmi paska qenë më i mirë se komunizmi, e gjepura të tjera…
Madje, shkohet aq larg në marrëzira, sa që njëfarë “bukuroshi”, Fatmir Mediu, ish- Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë, ky palo “bukurosh” republikani e monarkisti, shkon vajton dhe vendosë kurora me lule, tek ish-ushtarët fashistë gjermanë, të rënë gjatë LDB-së, shkon atje për t´u hequr “më papë se papa”, duke harruar që, ata erdhën të vrasin dhe i vranë 28 mijë shqiptarë liridashës, në trojet e veta stërgjyshore.
– Duke harruar gjithashtu që, këtë “nderim”, nuk e bëjnë dot, as ministrat e mbrojtjes të vendeve më të zhvilluara demokratike?!
Pra, ky far z. i maskuar si demokrat, por në fakt rehabilitues cinik dhe i mjerë i fashizmit, e tregoi qartë pafytyrësinë e tij, prej matrapazi në rastin Gërdeci, ku si duket qenka involvuar në tregtinë e armëve. Për këtë “së shpejti” pritet ta thotë fjalën e vet, gjykata e Tiranës.
Përderisa, “fatmirët” i nderojnë në pikë të ditës ish-ushtarët e fashizmit, njëkohësisht, po prishen dhe po fyhen monumentet e komandantëve dhe partizanëve çlirimtarë, të atyre që e dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë.
– Po, si të mos bëhesh nervoz; kur në ekranet televizive e shohim, Ismail Kadarenë, – ai, që gjatë sistemit socialist, ishte Nënkryetar i Frontit Demokratik, dhe, njëri ndër shkrimtarët më të privilegjuar në Shqipërinë Socialiste, kurse tani çirret si papagall i çmendur, duke shpifur dhe sharë sistemin socialist dhe ish-udhëheqësit e tij!
– Shpifë dhe trillon gjëra të paqena, fantazi si në romanet kriminalistike, ndaj atyre që deri dje u thuri himne, e në veçanti, ndaj Enver Hoxhës.
I përbuzë tani ata, që popullin e drejtuan afër 50 vjet, ndaj atyre që popullit i dhanë bukën, dritat dhe shkollat – të cilat, tani edhe pas kaq vitesh, po i mungojnë, në këtë të ashtuquajtur sistem “demokratik”.
I mohon ata, që për më tepër se 30 vjet e ndalën vëllavrasjen, e cila tani u rikthye si hijen famëkeqe dhe po ua humbë jetën qindra shqiptarëve, po ua humbë ardhmërinë e ndritur breznive të tëra…
Natyrisht, bëhem nervoz, kur Kadareja, nuk e flet asnjë fjalë kundër kësaj politike të ndyrë anti-shqiptare që po ndjekin ballistët dhe zogistët në Shqipëri, por për fat të keq të karakterit dhe moralit të tij, jo rrallëherë dhe, solidartizohet me ata; kujtoj këtu, deklaratën e tij të pacipë, që: “dy armiq e kanë dëmtuar rëndë Shqipërinë; perandoria otomane dhe komunizmi”!!!
Po, si mund të komentohet kjo deklaratë e dhënë në TV, Alsat, veçse, si një matufllëk i tij, anakroniko-politik.
Në Shqipërinë administrative, gjërat kanë shkuar aq për së prapthi sa që në Burrel, po kërkohet, të hiqet busti i Skenderbeut dhe në vend të tij të vendoset busti i satrapit, Ahmet Zogu! Kjo, është e turpshme, kjo është e tmerrëshme!
– Po, nisma për heqjen e emrit të ndritur të Ismail Qemalit nga universiteti i Vlorës?!
– Pse, nuk u dënua kjo nismë e errët, nga shkrimtari Ismail Kadare?!
– Ky shkrimtar i njohur nuk po reagon as kritikon si i ka hije, sepse, koka i ka marrë erë, duke shpresuar që me përkrahjen e politikës shtetërore “demokratike”, të Shqipërisë, do ta merr çmimin “Nobel”; prandaj, jo rastësisht, i bëhen atij pritje madhështore nga pushtetarët, madje, përpjekja shkoi deri atje që pa menduar se po bëhen dhe qesharakë para botës; president Topi kërkoi që këtij shkrimtari me nam, t´i jepet ky çmim!
– Mbase, marrëzirat e tilla askush nga politikanët e botës nuk i bënë dot…; jo ore zotërinj; nuk jepet çmimi “Nobel”, sipas “rendit” të lutjeve tuaja partiake dhe klanore!…
Ismail Kadare, kurrë nuk e kritikon klasën politike të sotme në trojet shqiptare dhe, as komunitetin ndërkombëtar, për padrejtësitë që po na bëhen ne shqiptarëve, sepse, ky plak matuf, që prej viteve 90-ta, është bërë leckë e perëndimit, vetëm për të arritur majën e “meritave”, letrare, pra me marrjen e çmimit “Nobel”.
Këto ditë e lexova në shtyp një reagim të fortë ndaj Ismail Kadaresë, i shkruar një poet yni në mërgim, i cili n´mes tjerash, thotë: “mbase, nuk i dihet ndoshta edhe e merr… por, nëse nuk ta japin, dije se perëndimi e ka kuptuar dhe vërtetuar, se ke qenë me bindje të thella, enverist”!…
Ndërsa, unë tani do t´i thosha, Ismail Kadaresë: “mbase, nuk i dihet…por, nëse nuk të ta japin, dije se nuk ta japin se, tani ke evoluar së prapthi, me bindje të thella, si fashist”
– Them kështu, sepse, në vendet me demokraci të mëdha popullore, e urrejnë fashizmin e vjetër dhe të ri dhe e luftojnë atë, me mjetet që ato i shohin të arsyeshme dhe të domosdoshme.

Daily News: – Edhe pse të shtyrë ca në moshë, shumica nga ju veprimtarët e lirisë, vlerësoni se keni vullnete rinore, a plaket “Baca”, Xhemë?

Xhemil Zeqiri: Jo, nuk plakem, sepse nuk kam kohë, as me u plak; dhe, ne, të gjithë atdhetarët nuk kemi kohë për këtë; – sepse, konsiderojmë që ia kemi borxh atdheut të punojmë dhe veprojmë sa më gjatë dhe sa më shumë; përndryshe, do t´na mallkojnë dëshmorët, nëse amanetet e tyre nuk realizohen!

Daily News: – Në fund të shtoni diç për lexuesit dhe abonentët e “Daily News Agency?

Xhemil Zeqiri: – Lexuesve të Daily News iu dëshiroj një vit të mbarë!
Konsideroj, që të kërkohet nga të gjithë që t´i ndjekim situatat me vëmendje, sepse, situatat në Ballkan janë shumë të brishta, pastaj, kriza ekonomike që i ka mbërthyer shtetet e perëndimit, gjatë vitit 2008 dhe kjo gjendje pritet të eskalojë më tej dhe viteve të tjera; pra, viti 2009 për shtetet kapitaliste, do të jetë vit i vështirësive; prandaj, duhet të jemi më të bashkuar, afër njëri-tjetrit dhe t´í ndihmojmë popullit, me mundësitë që i kemi…
Freskimi i fundit
(SUNDAY, 18 JANUARY 2009)

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...