Home / Opinion / Ylli Meçe: Heroizmi i zgalemit Spiro Kote dhe historia e “Incidentit në Kanalin e Korfuzit”

Ylli Meçe: Heroizmi i zgalemit Spiro Kote dhe historia e “Incidentit në Kanalin e Korfuzit”

Anglezët akuzuan Shqipërinë si përgjegjëse kryesore e minimit të kanalit që u shoqërua nga një ngjarje tragjike që në histori njihet me emrin “Incidenti i Kanalit të Korfuzit”

   

Heroizmi i zgalemit Spiro Kote nuk tjetërsohet nga kori i kukuvajkave pa fole

 

Ylli Meçe

 

E kam si një detyrim të madh shpirtëror, jo si publicist, por si një shok, si mik dhe koleg armësh për t’i bërë jehonë të mëtejshme aktit madhor, me përmasa heroike të marinarit Spiro Kote, të cilin krejt rastësia vuri në provë, jo Spiron si person në veçanti, por nëpërmjet asaj që çka ai bëri për vendin e vet, personifikoi edhe shpirtin atdhedashës të marinarëve shqiptarë në përgjithësi.

Spiro Kote ish një njeri i thjeshtë një njeri nga më të zakonshmit. që çuditërisht dhe momenti historik e kish vendosur me shërbim datën e 1 Qershorit 1947, pikërisht në një anije, e cila mbante emrin e Mujo Ulqinakut, një heroi tjetër marinar shqiptar, i cili pat dhënë jetën, në krismat e para kundër okupatorëve të fashizmit italian dhe që me mitralozin e tij, i pat hedhur tre herë në det hordhitë pushtuese. Personalisht, kur isha nxënës, kisha lexuar për të dy këta heronj të marinës shqiptare (njëri dëshmor dhe tjetri i gjallë) dhe sot më shumë se kurrë nga librat e mi shkollorë, nuk di pse më janë stampuar në kujtesë titujt: “Unaza e Mujos” (kushtuar Mujo Ulqinakut), sikurse dhe tregimi “Nga deti po kthehet një anije” kushtuar heroit tjetër Spiro Kote.
E pa pritura për mua ka qenë, kur rreth viteve 1972-73, kur unë isha oficer i ri i Flotës Ushtarako – Detare, njoha për herë të parë në bazën e Pashalimanit, ish-marinarin Spiro Kote, që tashmë ai ishte titulluar oficer dhe që kish studiuar në Bashkimin Sovjetik tashmë përballë meje, unë oficer fare i ri, ndërsa ai Komandant i Dragaminës së Madhe i Bazës ushtarako – detare të Durrësit.
Për mua, ai ishte e mbeti simboli i shumë cilësive pozitive. Spirua, asnjëherë nuk mburrej me aktin e tij dhe me Yllin e artë të “Heroit të Popullit” në gjoks, apo dhe me dekoratat e tjera, me të cilat unë e kam parë vetëm një herë, dhe kjo, gjatë një Parade ushtarake. Me këtë doja të tregoja thjeshtësinë e tij që e karakterizonte në vazhdimësi. Në një rast, po aty në Bazën e Pashalimanit (ku ai, por edhe unë kishim anijet tona respektive në kantierin e riparimit) e pyeta për ngjarjen apo dhe aktin e tij heroik. Ai heshti e më tha:

– E ke parë filmin? Ja ashtu përafërsisht si në film – ma ktheu me zërin e tij karakteristik të veçantë pakëz të trashë e të çjerrë që e dallonte atë jo vetëm në Flotën tonë Luftarako-Detare, por rrezik në të gjithë ushtrinë. Shkurt nuk donte të fliste për veten tij, apo trimëritë e meritat. Sot teksa meditoj për aktin e tij heroik hedh poshtë e me neveri zërat e “kukuvajkave”, që më shumë vajtojnë tradhtarët, të cilët deshën të rrëmbenin anijen dhe të deklaronin kundër Shqipërisë atë çka do t’u diktonin padronët tyre. Ka “analistë” pa dy gramë tru, sikurse ka dhe të tjerë të vënë në shërbim të “Mërgatës së qyqeve”, të cilët jo vetëm që banalizojnë karakterin dhe personalitetin e këtij heroi, por insinuatat dhe hamendësitë e tyre kalojnë dhe kufirin e normalitetit, duke thënë se ata që rrëmbyen anijen me banditin tradhtar Vlash Bushi dhe dy të tjerë, nuk na paskëshin atë qëllim.Disa “kërkimtarë analesh dhe arkivash insinuojnë se kjo na qenkej as më shumë e as më pak, një lojë e sigurimit të shtetit, sikurse disa të tjerë hamendësojnë, se ata nuk do arratiseshin, por na qenkëshin mbledhur aty në anije dhe mbasi kishin ngrënë e pirë e dendur mirë e mirë u grindën në kumar me letra duke qëlluar njeri tjetrin me armë si në filmat ”western” pa folur këtu për një tjetër të dehur nga trutë, i cili lëshon vetëm ca “ gërr-gërrë-gërre” nga automatiku duke dashur të poshtërojë artistikisht personalitetin e heroit tonë. Ngjarja e ndodhur është katërçipërisht e vërtetuar nga organet shtetërore dhe tre personat rrëmbyes të anijes, duke përfituar nga momenti, se marinari Spiro Kote ishte i vetëm në shërbim, me një plan të mirë organizuar prej tyre (në këtë ngjarje sikurse rezulton kanë gisht dhe anglezët).Fillimisht është e vërtetë që Spirua u arrestua, por e vërteta shumë shpejt u zbardh, duke shkatërruar dhe djegur kartat e zbulimit anglez, që lidheshin përtej kësaj ngjarjeje me disa të tjera të ndodhura të njëpasnjëshme duke filluar nga pranvera e vitit 1946, bile dhe që më herët akoma diku aty nga viti 1944. Anglezët nuk mund t’ia lejonin vetes atë që Komanda dhe Shtabi i Përgjithshëm, tentativën e tyre që ata provuan për të zbarkuar në Sarandë-Kakome dhe përgjatë bregdetit të këtyre gjireve, hasën në qëndrimin e prerë dhe të rreptë të Komandantit të përgjithshëm të ushtrisë gjeneral-kolonel Enver Hoxha për të mos i lejuar ndryshe do të konsideroheshin si invadorë. Në këto kushte anglezët me luftanijet e tyre bënë disa tentativa të tjera demonstrative e në formacione luftimi, por që hasën në mina detare të vërteta me pasojë mbytjen e një anijeje luftarake, të 44 oficerëve e n/oficerëve të vrarë e të mbytur dhe pothuajse dhe aq të plagosur. Anglezët akuzuan Shqipërinë si rënësja e minave dhe përgjegjëse kryesore e minimit të kanalit e cila u shoqërua nga ngjarja tragjike që në histori njihet me emrin “Incidenti i kanalit të Korfuzit”.Unë nuk dua të ndalem në këtë çështje sepse e ka analizuar me një kompetencë profesionale të admirueshme, kolegu ynë i marinës Artur Meçollari; por dua të theksoj se luftëanija e mbytur e “Royal navy” nuk rezulton në koordinatat e deklaruara prej anglezëve në kanal të Korfuzit, por brenda ujërave tona bile shumë më afër gati 1200-1500m larg bregut që do të thotë shkelje e hapur dhe brutale e sovranitetit të Republikës së Shqipërisë. Është logjike që anglezëve në këtë rast, do t’u nevojitej deklarata për në gjyqin ndërkombëtar të Hagës, për të vërtetuar se minimi ishte kryer me paramendim nga Shqipëria.(Kujtojmë këtu, se dhe dy të arratisur jugosllavë kishin dashur të dëshmonin të njëjtën gjë!!- Çfarë përputhshmërie!!..) Spiro Kotja në atë kohë nuk i dinte këto gjëra, por ai dinte mirë se shpirti i tij e donte Shqipërinë. Ai mbase në atë kohë nuk ish në gjendje të fliste dhe shpjegonte se çfarë ishin vetitë e virtytet e njeriut, se si lidhet karakteri i fortë me kapërcimin e vështirësive, por Spiro Kote ishte dhe mbeti besnik i Atdheut të tij. Në rastin e rrëmbimit të anijes ”Mujo Ulqinaku” u ngarkuan tradhtia dhe atdhedashuria. Tradhtia ishte e përgatitur për veprën e saj të zezë, atdhedashuria u manifestua ashtu sikurse ishte dhe është në të vërtetë e pastër, e ndritshme e madhërishme me gjithë bukurinë e saj. Në pasditen e ditës së diel, e cila përkonte dhe me ditën e parë të qershorit të vitit 1947, te i riu marinar Spiro Kote në pak orë, në një ngjarje historike dolën në pah dhe cilësitë e rinisë tonë heroike të asaj periudhe, sikurse janë urrejtja ndaj armikut të pabesë, guximi, trimëria, gjakftohtësia, thellësia e gjykimit, jo vetëm vlerësimi e përballimi i situatave të vështira por dhe kapërcimi i tyre me sukses të plotë. Dhe ai e solli përsëri në Durrës dhe të pa njollosur emrin e heroit dhe të anijes së tij”Mujo Ulqinaku”, pa e kuptuar as vet, se atë ditë në kuvertën e saj një hero tjetër e kish kthyer kursin e tradhtisë së pabesë, drejt Shqipërisë andej nga lind dielli, për të treguar se armiqtë kurrë nuk heqin dorë nga tradhtia ndaj Atdheut. Si e gjeti Shqipërinë Spiro Kote kur ai nuk kish bërë aspak shkollë detarie? E thjeshtë fare i ktheu shpinën perëndimit dhe gjoksin andej nga frynte puhia e erës dhe aromës së vendit të vet. Tashmë ky hero nuk jeton më. Ai vdiq i thjeshtë ashtu sikurse ish. Në ceremoninë mortore të tij atë ditë shkurti të vitit 1992 atë e shoqëroi lavdia tij, askush nga shteti nuk u kujtua, përveç njerëzve të mirë, shokëve familjarëve dhe kolegëve të punës dhe durrsakëve atdhetarë. Shteti heshti, parlamenti heshti, presidenti heshti dhe kjo jo se mbajtën zi për të, por ata u gëzuan për vdekjen e tij, sepse mbas kësaj do ta kishin më të lehtë për të pranuar se fajtorët e incidentit të Kanalit të Korfuzit ishin shqiptarët, duke jua falur edhe arin që kishin rrëmbyer gjermanët dhe që anglezët e sekuestruan mbas lufte në bankat e Romës duke e mbajtur me forcë, si dëmshpërblim për incidentin dhe jetën e marinarëve të tyre. 

About admin

x

Check Also

Një përgjigje (në vargje) nga Nexhmije Hoxha për sulmet ndaj LANÇ

Maj 13, 2019  Nga Xhevdet Shehu Në valët e debatit për Luftën ...