Home / Opinion / REZOLUTA E VONUAR PËR GJENOCIDIN SERB NË KOSOVË !

REZOLUTA E VONUAR PËR GJENOCIDIN SERB NË KOSOVË !

Nga Gjon BRUÇI

Fotografia e Gjon Bruçi

Njëzet vjet nga çlirimi i Kosovës prej pushtuesit shekullor serb, më në fund në datën 16 Maj 2019,

Kuvendi i Kosovës miratoi “REZOLUTËN PËR GJENOCIDIN SERB NË KOSOVË”. Tepër vonë! Dhe kjo vonesë ka ndodhur se Liderët kosovarë, siç duket u dehën nga fitorja e luftës e vitit 1999, dhe u molepsën nga postet pushtetore të kohës së paqes. Por tepër vonë edhe për ne qytetarët këtej e matanë kufirit artificial shqiptar-shqiptar, që të trullosur nga propaganda mjerane e demokrazisë borgjeze, pas fitores së luftës, vumë në ballë të çështjes kombëtare, jo gjoksin, por barkun, me rrupullitë e tij të pangime asnjëherë. Duke harruar kështu historinë tonë, sa krenare, aq dhe të dhimbshme. Në luftë, veçanërisht kur ajo bëhet për Atdheun, dalin në pah vlerat e vërteta të qytetarit, shumica e të cilëve marrin në sy edhe aktin final të jetës. Ndërsa në paqe lulëzojnë të gjitha “sëmundjet”, fizike, shpirtërore e madje edhe mendore. Në ujët e ndenjur të paqes, po nuk vozite pandërprerë, ai kthehet në ujë kënete. Dhe këneta është streha e mykut. Po, ne shqiptarët, në ujin e qetë të dy dekadave pas çlirimit të gjysmës tonë me emrin Kosovë, zumë myk. Të gënjyer nga pelerina blu me yje të ndritura të Kontinentit plak, ne zumë myk në tru dhe në gjymtyrë. Dhe qëndruam plot dy dekada duke përtypur fitoren tonë gjysmake, me sy nga qielli, në pritje se mos na bjen prej andej edhe gjysma tjetër e munguar. Për më keq, kur duhej të ktheheshim nga “Qabeja” jonë historike – tek Bashkimi Kombëtar, kinse për t’u dukur modernë, pelegrinuam tek strofkulla e hasmit, i cili edhe pse arriti në prag të shekullit të njëzet, vlerat e tij njerëzore e morale ishin dhe mbeten si të Vikingëve të hershëm, apo të hordhive të Xhingis Khanit. Si është e mundur që e harruam historinë e shekujve të kaluar, treguar nga të parët tanë? Po atë që përjetuam jo më larg se dy dekada më parë, si e hodhëm prapa krahëve? Dhe shkuam pa teklif, e pa sëkëlldi, duke u qafuar e buzëqeshur me hasmin shekullor! Ndërkohë që hasmi në fjalë, ndryshe nga e drejta zakonore botërore, nuk e uli për asnjë çast grykën e pushkës e tehun e thikës. Kur duhej të binte para nesh në gjunjë, pa të mund të ulej në të njëjtën tryezë me ne! Kush na e imponoi këtë poshtërim të padëgjuar më parë, e të paprovuar kurrë?! Liderët tanë pa palcë kurrizore, të cilët ndërsa morën përsipër detyrën e “Zotit të Konakut”, u kthyen në rolin e “jatakut”. Dhe shkaktari i dytë, Europa plakë, e cila, ndonëse ka udhëtuar drejt zhvillimit prej më shumë se dy mijë vjet, ruan ende siptomat e të parëve të saj të lashtë, me emrin e tmerrshëm “Vikingët”, apo të “modernëve” me emrin drithërues “Nazistët”. Të dy këta shkaktarë, ne duhej t’i neutralizonim. Të parët, liderët, duke i zëvëndësuar me të tjerë të vërtetë. Ndërsa të dytën, Europën, duke mos e besuar nga pelerina fosforeshente me plot yje që ka veshur. Mjaftonte të kujtonim thënien lapidare të Gjergj Fishtës: “Moj Europë, moj kurvë e Motit / Që i re hasha Besës së Zotit!, dhe ne nuk do të kishim rënë viktima të “mykut” të paqës. Vini re: Me dhjetra herë kemi parë Hashimin tonë, duke pozuar me presidentin serb Vuçiç, shoqëruar nga buzëqeshja hipokrite e përfaqësueses së Europës, Magherinit. Dhe jo vetëm ajo, por edhe liderë të tjerë të Europës, gjer tek e famshmja Merkel, ndërhyjnë e këmbëngulin për pajtim të shqiptarëve me serbët! A thua se ishim ngatërruar për ndonjë vijë uji në krye të arës së thekrës! Skena të tilla poshtërimi ka interpretuar edhe sivëllai i Hashimit në post e gjatësi, por jo në emër, gjatoshi ynë karizmatik, Rama, i cili ndërsa “paradite” përdor fraza kinse patriotike, “mbasdite” kthehet në rolin e italianes Federikë. Dikush nga lexuesit e këtij shkrimi, apo dhe nga politikanët e politologët tanë me emër, me siguri do të më quajë një ekstremist dhe jashtë kohëve të sotme moderne. Por unë besoj se askush mbi shpinë të tokës, nuk mund t’i quajë kohë moderne, ditët e luftës e të dhunës së neofashistëve serb në mbyllje të shekullit të njëzet në Bosnjë, e veçanërisht në Kosovën tonë. Edhe sikur t’i fshijmë nga historia vitet e progromit serbo-sllav të Ilia Garashaninit e Qubrilloviqit, që nisën “zyrtarisht” më 1878 e vijuan për mbi një shekull, kurrsesi nuk mund të anashkalohet e të harrohet lumi i gjakut, i dhunës dhe gjenocidit serbo-sllav të ushtruar mbi popullin martir të Kosovës në vitet 1998-1999. Them nuk mund të harrohet, por ja që paska edhe ndonjë shqiptar, fatkeqësisht në “katin e epërm” të shoqërisë, të cilit, harresa ia ka fashitur edhe plagën më të freskët që ende s’ka zënë kore. Është kjo arsyeja, që këtu më poshtë do të riprodhoj me fjalë të thata por tronditëse, njërën nga nëntë masakrat e kryera mbi popullsinë civile, treguar nga personazhet që e kanë përjetuar lumin e gjakut, të dhunës e të gjenoicidit që cituam më lart. Po risjell për lexuesin masakrën e Suharekës, treguar nga i mbijetuari i kësaj masakre, Gramoz Berisha, i cili, kur ndodhi gjëma ishte vetëm 7-8 vjeç. Historinë e tij të dhimbshme, qytetarët shqiptarë e dëgjuan me datën 18 maj 2019 në emisionin e Arbana Osmanit “Dua të të bëj të lumtur”, transmetuar nga Top Channelli. Po e riprodhoj sa më përmbledhtas: . . . “Familja Berisha, ishte një familje me shumë pjesëtarë në Komunën e Suharekës. Shtëpia e tij dhe ajo e kushërinjëve gjendej në afërsi të Stacionit Policor serb. Në një pjesë të shtëpisë së tyre ishin sistemuar një ekip amerikan, punonjës të OSBE-së, çka kishte ngjallur dyshime tek policët serb. Dy ditë para se të largoheshin, amerikanët u thanë familjarëve të Gramozit, se NATO do të bënte bombardime. Por njëherësh i siguruan se lufta do të mbaronte shpejt. Shumë pak ditë pas largimit të tyre, në shtëpinë e Gramozit pllakosën policët serb. Ishte data 26 mars 1999. Policët nxorën në oborrin e shtëpisë gjashtë burrat e familjes. Midis tyre babai i Gramozit. Ndërsa gratë e fëmijët i urdhëruan të largoheshin drejt Shqipërisë. Gramozi me nënën, nuset e xhaxhallarëve e fëmijët e tyre, motrën 16 vjeçe e vëllain 13 vjeç, vraponin duke mos ditur për ku. Pas disa metrash, dëgjuan krismat e armëve që u shkrehën mbi gjashtë burrat e shtëpisë. Nga frika e tmerri, asnjëri nuk guxoi të kthente kokën pas, e të shihte se çfarë ndodhi. Në oborrin e shtëpisë, Gramozit ju vra babai, dy xhaxhallarët dhe tre djemtë e xhaxhallarëve. Gjatë largimit pa adresë, u dalin para forca të tjera policore serbe. Pasi i fyen e i kërcënuan, i futën në të vetmin lokal që ishte i hapur, dhe pikërisht në lokalin ku shpesh herë drekonin amerikanët e OSBE. Gratë dhe fëmijët u strukën në lokal, dhe po prisnin të frikësuar se çdo të ndodhte. Pas disa minutash, policët serb u rreshtuan përpara derës së lokalit dhe nisën të gjuanin me breshëri automatiku mbi gratë e fëmijët. Disa sekonda më vonë, nuk ndjehej më asnjë zë, e qarë fëmijësh, apo rënkime. Për fat, Gramozi 7 – 8 vjeçar kishte mbetur i gjallë, ndonëse i plagosur në njërin krah. Palosur në dysheme, dëgjoi zërin e nuses së xhaxhait tek po i thoshte me zë të ulët djalit të saj 8 vjeçar: “Kur të vijnë të kontrollojnë trupat, bëj sikur ke vdekur”! Gramozi e fiksoi në mendje këshillën që dëgjoi. Pas mbarimit të breshërisë së plumbave, policët u futën të kontrollonin e të shihnin se mos ndonjëri kishte mbetur i gjallë. Kur prekën trupin e djalit 8 vjeçar të xhaxhait, konstatuan se ai ishte i gjallë, ndaj shkrehën mbi të edhe një plumb. Kur erdhën tek Gramozi, për fat e kapën tek krahu i shëndoshë, dhe ngase ai nuk u ndje, policët menduan se kishte vdekur. Dhjetë minuta më vonë, i ngarkuan kufomat në karrocerinë e një makine dhe i mbuluan me plastmas. Pastaj u nisën me shpejtësi drejt Prizrenit, ku do t’i varrosnin në ndonjë vend të fshehtë. Gramozi ishte midis grumbullit të kufomave. Nga frika e tmerri, nuk guxonte të hapte as sytë. Vetëm qante pa zë për djalin e xhaxhait, që ia vranë para syve kur ishin të shtrirë në dyshemenë e lokalit. Disa minuta më vonë, dëgjoj disa zëra. Arriti të njihte zërin e nënës së tij dhe të nuses së xhaxhait. Ju ngjall shpresa, por nga frika se mos përgjonte ndonjë polic në karroceri të makinës, nuk guxoi t’i thoshte nënës se ishte gjallë. E ëma dhe nusja e xhaxhait, bënin plane me njëra-tjetrrën, si të dilnin nga karroceria e makinës e të shpëtonin. Nëna e Gramozit, para se të bëheshin gati për t’u hedhur nga kamioni, i tha kunatës se nuk mund të largohej pa parë fytyrën e djalit, që e dinte të vdekur. Në momentin që u afrua dhe e preku, Gramozi hapi sytë. Nëna i ndjeu frymëmarrjen dhe . . “Gjallë je bir. . . ?!” “Po, nënë, gjallë jam”, – iu përgjigj Gramozi me zërin që i dridhej. Të tre, nëna me Gramozin dhe nusen e xhaxhait, gjetën rastin dhe në ecje e sipër u hodhën nga makina e morën drejtimin e pyllit. Kishin shpëtuar. Tre muaj më pas lufta përfundoi. Kishte ardhur qershori i vitit 1999. Por fundi i luftës për Gramozin 7-8 vjeçar dhe nënën e tij nuk ishte paqe. E vetmja gjë që donin, të gjenin trupat e njerëzve të tyre. Tri vjet kërkime rezultoi me gjetjen e trupit të babait dhe vëllait, por jo të motrës 16 vjeçare. Në shtëpinë e tyre në Suharekë, nuk u kthyen më, përveç një vizite të shkurtër të Gramozit, ku pa se ishte djegur gjithçka kishin patur, përfshi dhe lodrat fëminore e fotografitë e familjes. E çuan çështjen në Gjyqin e Hagës, por përgjigja as sot pas njëzet vitesh nuk ka ardhur. Gramozi u rrit, mbaroi Universitetin në Prishtinë dhe punon si financier në administratën shtetërore të Republikës së Kosovës. Për ngjarjen që i ka ndodhur para njëzet vitesh është pothuajse i heshtur. Megjithatë kur ia kërkojnë, ai nis e rrëfen. “Do ta rrëfej sa të kem jetë atë që ka ndodhur. Jo më kot Zoti më ka lënë dëshmitar!” . . . Një apel për liderët kosovarë, dhe jo vetëm Zotërinj deputetë, ministra, kryeministra e presidentë të Kosovës! Të sotëm e ata që do të jenë nesër! Kthejeni mendjen, zemrën dhe shpirtin njëzet vjet prapa dhe rikujtoni çka ka ndodhur me ju e bashkëatdhetarët tuaj në njëzet e katër muaj të dekadës së fundit të shekullit të njëzet. Merrni “pasaportën” e atyre muajve të përflaktë, pasaportën e përgjakur të masakrës së Prekazit, të Reçakut, të Izbicës, të Rezallës, të Dubravës, të Krushës së Madhe, të Rugovës së Hasit; merrni pasaportën e përgjakur të Suharekës së Gramozit 7 – 8 vjeçar; merrni pasaportën e përflakur e të përgjakur të të gjithë Kosovës, dhe me të në dorë shkoni tek të mëdhenjtë e kancelarive europiane. Jo për t’iu vulosur vizën “Shengen”, por për t’jua vringëlluar përpara syve, si flakërimë shpate, për ato që kanë ndodhur në kurriz të shqiptarëve. U thoni atyre, pa pikë rezerve e xhentilese, se gjenocidi serbo – sllav i fund shekullit të njëzet kundër banorëve autoktonë të Kosovës, është i pashoq në botë. Lufta është egër dhe përlan të rritur e të vegjël, por kurrsesi gratë dhe fëmijët e paarmatosur. Ritregojuni me video pamjet që u dhanë ato ditë lufte në të gjitha stacionet televizive të botës, se ndoshta u kanë dalë nga kujtesa. Dhe që ta fiksojnë mirë e të mos e harrojnë, u thoni se gjenocidi serbo-sllav mbi shqiptarët, u nxit nga kancelaritë e tyre, të cilat, ndonëse me ngjyra moderne, kanë brenda edhe nëpunësa me mustaqe si të Bismarkut. U thoni, se jo shqiptarët e Kosovës martire, por serbët e Serbisë duhet të futen në karantinë e në geto. U thoni se Institucionet e BE bëhen të pabesushme demokratikisht, nëse viktimën e viktimizojnë e agresorin e ledhatojnë. Ata duhet ta dinë se nuk ka, e nuk mund të ketë rregull, ligj apo normë në botë, që të ulë në një tavolinë viktimën me agresorin, pa kërkuar falje ky i fundit për krimet e bëra dhe pa dëmshpërblyer të dëmtuarin. Këtë veprim, ju liderët tanë politikë e shtetërorë, bëjeni ballas, me trupin drejt e me zë të plotë e të fuqishëm, që të kumbojë në sallonet e BE, të cilat siç duket sheshit, nuk e kanë hequr ende mykun e shekujve të kaluar. Vetëm kështu ju do të mundeni të realizoni detyrën ndaj vendit tuaj. Vetëm kështu do të sigurohet njohja e Republikës së Kosovës. Vetëm kështu ajo do të arrijë të zërë ulësen e saj në Forumet e larta Botërore. Vetëm kështu, Rezoluta që miratuat, mund ta kapërcejë vonesën e madhe të lindjes së saj dhe të shohë realizimin në terren. Ky apel është edhe për liderët e këtej kufirit artificial shqiptar-shqiptar, të cilët së bashku me vëllezërit nga Kosova, duhet të hartojnë e të realizojnë REZOLUTËN E MADHE DHE FINALE, atë të BASHKIMIT KOMBËTAR

About admin

x

Check Also

Një përgjigje (në vargje) nga Nexhmije Hoxha për sulmet ndaj LANÇ

Maj 13, 2019  Nga Xhevdet Shehu Në valët e debatit për Luftën ...