Home / Intervista / Një përgjigje (në vargje) nga Nexhmije Hoxha për sulmet ndaj LANÇ

Një përgjigje (në vargje) nga Nexhmije Hoxha për sulmet ndaj LANÇ

Maj 13, 2019 

Një përgjigje (në vargje) nga Nexhmije Hoxha për sulmet ndaj LANÇ

Nga Xhevdet Shehu

Në valët e debatit për Luftën Antifashiste, hapur në DITA nisur nga një projekt-rezolutë që Instituti i Studimit për Pasojat dhe Krimet e Komunizmit tentoi të kalonte në parlament, janë përfshirë studiues, historianë dhe intelektualë të ndryshëm, të cilët janë vënë në mbrojtje të kësaj lufte.

Në një bisedë që pata me Nexhmije Hoxhën, bashkëshorten e Enver Hoxhës dhe një nga pjesëmarrëset e luftës që po shkon drejt të 100 vjetëve, ajo më shprehu mirënjohjen për të gjithë ata që po mbrojnë atë luftë që e shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi i mëtejshëm dhe e radhiti në krahun e duhur të historisë.

E pyeta për mendimin e saj dhe m’u përgjigj me një rekomandim për botim. Çuditërisht nuk më rekomandoi t’u referohesha veprave të Enverit, por një vepër artistike, një poemë të njohur.

-Por, shtoi ajo, e quaj të panevojshme të përfshihem edhe unë në atë debat.

-Pse?

– I ka thënë Shevqet Musaraj të gjitha tek poema e mrekullueshme “Epopeja e Ballit Kombëtar”. Më mirë nuk mund të thuhet artistikisht e vërteta e asaj lufte, bëmat e Ballit gjatë saj. Shevqeti ka qenë një shkrimtar shumë i mirë dhe një njeri i mrekullueshëm. Ua rekomandoj ta lexojnë të rinjve që nuk i kanë njohuritë e duhura për luftën dhe që mund të mashtrohen nga ato akuza dhe ai vrer që hidhet sot e kësaj dite…

***

Etapa e letërsisë shqiptare e viteve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, e cila përfaqësohet në krijimet e shtypit ilegal, si shprehje e qëndresës antifashiste, lëvroi një letërsi revolucionare, kryesisht poezi qytetare dhe patriotike. Poema satirike “Epopeja e Ballit Kombëtar” (1944) e Shevqet Musarajt është krijimi më i shquar i kësaj kohe dhe një nga veprat më përfaqësuese të epokës që erdhi më pas, kohë kur janë realizuar vepra të rëndësishme të letërsisë shqipe dhe artit shqiptar.

Shevqet Musaraj e ka njohur qysh në kohën e Luftës Enver Hoxhën e krijoi më pas një miqësi të gjatë me udhëheqësin e mëpasëm komunist të Shqipërisë. Gjatë kohës së luftës Musaraj mbante pseudonimin Shkrimtari. Me këtë pseudonim ai ka nënshkruar një varg letrash nisur Enver Hoxhës, Nako Spiros, etj, letra që ruhen në fondin 14 në AQSH. Nga letrat që dërgon, del se Musaraj kryesisht ka operuar në kryeqytet në Tiranë.

Shevqet Musaraj nuk e ka patur të vështirë shkrimin e “Epopesë…” qysh në vitet e luftës. Ai ka qenë vetë një pjesëmarrës aktiv i asaj lufte në radhët partizane, njihte emrat e kryeballistëve që do të ktheheshin në personazhe të veprës së tij. Pikërisht kjo histori ka përcaktuar edhe strukturën e poemës. Duke ndjekur rendin kohor të ngjarjeve, me një stil të thjeshtë që kuptohet qartë nga të gjithë lexuesit, ai goditi me vargje veprimtarinë kolaboracioniste të ballit dhe zogistëve, që nga fillimi dhe deri sa u larguan në nëntorin e 1944-s bashkë me pushtuesit e mundur.

Vetë ballistët e kanë ndjerë me kohë, qysh në zjarrin e luftës, efektin e këtij krijimi artistik dhe ndoshta nuk u ka dalë edhe sot e kësaj dite pezmi me autorin.

Në gjysmën e parë të viteve ’90 të shekullit të kaluar, kur Partia Demokratike mori pushtetin filluan të ktheheshin nga jashtë edhe ballistë e pasardhës të tyre të arratisur në fund të vitit 1944. Disa nga këta kërkuan dhe gjetën shtëpinë e shkrimtarit Shevqet Musaraj, i cili ishte ndarë nga jeta disa vite më parë. Thuhet se ishin edhe të armatosur.

Pa u prezantuar hyjnë brenda dhe me dhunë bastisën shtëpinë, morën librat dhe një pjesë të dorëshkrimeve të shkrimtarit, të cilat në mënyrë demonstrative publikisht i dogjën para shtëpisë së Shevqetit. Kjo ngjarje nuk është e sajuar, por një e vërtetë e frikshme që u shfaq egërsisht afro 30 vjet më parë.

Këto ditë kam takuar shumë njerëz që më thonë përmendësh vargje e strofa të tëra nga “Epopeja…” e Musarajit dhe i kujtojnë ato me njëri-tjetrin sa herë bie fjala për sulmet balliste dhe neoballiste kundër luftës. E ka thënë bukur Çeçua (siç e thërrisnin shokët dhe miqtë Shevqetin): “Do bëjmë luftë/ de more de, / si lum ti popull/ mezi na ke!…” Dhe qeshin. Ç’të bëjnë tjetër?

Kur u hap kjo puna e ISKPK-së dhe u botua ajo lista e gjatë me 265 emrat e “kriminelëve” udhëheqës të luftës, heronj dhe dëshmorë të saj, shumë nga të afërmit e atyre që përmenden në atë listë vendosën të hedhin në gjyq këtë institucion.

Gjatë një bisede shkrimtari Gjikë Kurtiqi, i cili e ka për zemër humorin dhe e shkruan atë me shumë shije, tha:

– Duhet patur edhe pak mëshirë për ballistët. Kur të shkojë ndonjë ballist në gjyq mund të frikësohet dhe të kërkojë mëshirë për dënimin që mund t’i jepet. Atëherë, që ballisti të lirohet nga sikleti, nga përgjegjësia penale apo morale t’i kërkohet të lexojë në sallën e gjyqit dhe me zë të lartë publikisht “Epopenë e Ballit Kombëtar”. Mendoj se kaq është e mjaftueshme. Po e bënë këtë do tua falim edhe këto gomarllëqet që bëjnë pas 75 vitesh”.

Vargjet e Epopesë së Ballit Kombëtar mund të lexohen sot në Dita print

About admin

x

Check Also

Një përgjigje (në vargje) nga Nexhmije Hoxha për sulmet ndaj LANÇ

Maj 13, 2019  Nga Xhevdet Shehu Në valët e debatit për Luftën ...