LAJME
Home / Histori / Disa urdhra të Enverit, që gjeneralin Parllaku do ta turpëronin

Disa urdhra të Enverit, që gjeneralin Parllaku do ta turpëronin

Maj 10, 2019 

Disa urdhra të Enverit, që gjeneralin Parllaku do ta turpëronin

Muharrem Xhafa

Relateret billede

Lexova një shkrim të Gëzim Vodës, botuar në gazetën “Dita”, më 7 maj 2019, me titullin “Gjeneral, ti duhet të jepje përgjigje më burrërore për Enver Hoxhën”, kushtuar Rrahman Parllakut.

Me që autorin e shkrimit, Gëzim Vodën e njoh mirë, që kur punonte në KP të Përmetit e pastaj në Aparatin e KQ të PPSH-së, mendova të them diçka për shkrimin e tij.

Më së pari dua të them se, për hir të së vërtetës, shkrimi ishte shkruar me kulturë, i argumentuar dhe me modesti, ashtu siç karakterizohet vetë Gëzimi.

Së dyti, s’më erdhi mirë që në shkrimin e tij, Gëzim Voda vinte vërdallë, herë me “elozhe” e herë me kritika jo të drejtpërdrejta, po që kuptoheshin se ishin për Gjeneral Parllakun.

Së treti, dua t’i them Gëzimit që ke pasur plot kohë për ta njohur Rrahman Parllakun, të cilit nuk mund t’i kërkohet të japë përgjigje burrërore për Enver Hoxhën! Se Enver Hoxha është “mal mbi male”, është Kryekomandanti i Përgjithshëm i Gjeneralëve, kurse Rrahmani është një gjeneral i radhës me të tjerë, po që sigurisht ka meritat e tij.

Së katërti, i them Gëzimit se u plakëm unë e ti, që kemi lindur me mbarimin e LANÇ-it, e jo më Rrahman Parllaku, i cili kapërceu shekullin! Nejse, Gjeneral Parllaku të rrojë sa t’i dojë zemra, po gabon kur shprehet si një qytetar ordiner për Komandantin e tij, Enver Hoxhën!

Edhe pse nuk e kam njohur nga afër, jam i bindur se kjo “siguri” i vjen Rrahmanit, përveçse nga mllefi i tij për Enverin, edhe nga mbështetja e pushtetit 30 vjeçar të borgjezisë antishqiptare dhe krerëve të tij, që kanë dalë hapur në mbrojtje të fashizmit e kolaboracionizmit, çka shënoi kulmin me nderimet qeveritare dhe ediste për kryeballistin, Mithat Frashëri!

Së pesti, unë nuk besoj që Rrahman Parllaku të ketë harruar se me vullnetin, me urdhrin  e me firmën e Enver Hoxhës ai është dërguar Komandant Divizioni në Kosovë në ndihmë të çlirimit të popujve të Jugosllavisë, se Gjeneral është bërë me firmën e Enver Hoxhes, dhe se Drejtor i Drejtorisë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes, zëvendësministër i Mbrojtjes dhe zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Popullore të Shqipërisë është bërë po me firmën e Enver Hoxhës. S’besoj të ketë harruar se dhe deputet, anëtar i KQ të PPSH-së, Hero i Popullit është bërë me propozim e me firmë të Enverit etj. etj. A thua t’i ketë harruar të gjitha këto Gjeneral Parllaku dhe mban mend vetëm dënimet që i janë dhënë në parti në bazë të Statutit të saj e nga gjykatat e kohës në bazë të ligjit?! Po autokritikën për gabimet e tij në organizatën e forumet e Partisë, në gjyqet e në letrat dërguar Enverit që nga burgu, a i mban mend Gjenerali?! Gradat, funksionet e detyrat që i janë ngarkuar Rrahman Parllakut s’kanë qenë për mëshirë, se i ka merituar dhe, siç e thashë, është një njeri me merita, po Parllaku nuk i pamend ato, bile “harron” se ka pasur të tjerë si ai e mbase më të aftë, po është përzgjedhur për arsye të ndryshme, që unë nuk po i përmend!

Po kështu, Gjeneral Parllaku nuk është pa mend sa të mos dijë se sa vlen para Enver Hoxhës! Rrahmani i di të gjitha, po ia do puna, misioni, të flasë ashtu, dmth të mos tregojë nga kush i ka vlerësimet për meritat, po t’i thotë atij, pas vdekjes, vetëm çfarë nuk i pëlqen Gjeneralit! Pra, Gëzim i dashur, s’është çështje burrërie ajo që tha Gjeneral Parllaku për Komandantin e tij, Enver Hoxhën!

Unë e kam ndjekur Gjeneral Parllakun në shumë shkrime, intervista e dalje në televizione të ndryshëm dhe, për të qenë i sinqertë, në shumë raste e qëndrime të tij për LANÇ-in, në mbrojtje të saj, më ka pëlqyer. Po nuk e kam dëgjuar të shprehet asnjëherë që Komandanti i tij, Enver Hoxha e ka vendin në koshin e plehrave!! Po të ishte një kapter në Zall-Herr, unë nuk do të shkruaja, po Rrahmani është Gjeneral dhe nuk ia lejojnë grada e nderi të flasë në atë mënyrë! Ndaj shkrova në vijim të shkrimit të Gëzim Vodës! Rrahmani nuk duhet të harrojë se Gjykata e Popullit ia fali jetën dhe se ky nuk do të fliste kështu po të ishte gjallë Enver Hoxha.

Po e mbyll këtë shënim me një material që Kolonel Maks Subashi kishte vënë këto ditë në facebook, pa u ndalur në komentet e në reagimet e ashpra për Gjeneralin.

Maksi shkruan :

“Eh, more, Rrahman Parllaku ! Të njoha në dy kohë, atëherë kur të drejtohesha si shoku Rrahman dhe të shihnim në dritë të syrit dhe sot, pas 50 vitesh, kur të thonë (jo unë) zoti Rrahman. Them në dritë të syrit,

sepse të shihja si komisar, anëtar i KQ  të PPSH, deputet i Kuvendit Popullor, zv. shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe si anëtar i organizatës së Partisë së Shtabit të Përgjithshëm, ku unë u pranova si kandidat partie dhe ku ti dhe Petrit Dume (që ishte shumë e shumë më lart se ti) më votuat me dy duart!

Mbaja shënime kur nja dy herë, i ftuar në organizatë (pra përgatitesha për të bërë kërkesë për në parti), ti flisje për forcimin e luftës së klasave ndaj armiqve të Partisë dhe shokut Enver. Të kam ndjekur me shumë kujdes (edhe shokët e tjerë si unë), kur erdhe në Stanet e Linosit, pasi u larguam nga Ballenja e Martaneshit, ku ishte vendosur çadra e Grupit të Rikonjicionit të Shtabit të Përgjithshëm për përgatitjen dhe pastaj drejtimin e stërvitjes së madhe “Kaptina” me korpusin e Burrelit. Ishe ti që na fole për punimet e plenumit të KQ të PPSH, që dënoi Fadil Paçramin e Todi Lubonjën, dhe vure në dukje largpamësinë e shokut Enver, duke na thënë që ashtu si në luftë edhe tani shoku Enver i shpëtoi Partinë dhe Shqipërinë nga armiqtë e saj.

Gjeneral, e lexova intervistën tënde të fundit tani që mbushe 100 vjeç dhe për mua s’kishte ndonjë gjë të re, pasi ato i ke thënë kohë më parë dhe pas të cilave organizata e veteranëve të Lumës “tënde” të bënë qepazé apo si i thonë : Të varën teneqen!

Unë nuk mendoja se do flisje keq edhe për Hysni Kapon, ish eprorin tënd gjatë luftës, i cili ndërhyri që Enveri të të vinte në poste të larta, jo për ndonjë cilësi të dallueshme nga shumë drejtues të tjerë të luftës, por se, si gjithmonë në atë kohë, bëhej kujdes të kishte në strukturat e larta edhe nga krahina (jote) që kishte pak kuadro, sikurse Luma e Kukësi. Ja, pra, (Gjeneral) njeriu njihet deri në fund të jetës dhe unë të njoha edhe tani kur ti bëre 100 vjeç”.

***

Sa i madh është populli, Gëzim Voda! Po perifrazoj një shprehje të tij: Një i vjetër (përfshirë dhe mua e ty) ka kohë për t’u turpëruar, po nuk ka kohë për t’u korrigjuar!

Shoku im, jetojmë një kohë të vështirë, antinjerëzore, po, pavarësisht kësaj, aq sa është e mundur, duhet t’i ruajmë vlerat e dinjitetin e shqiptarit!

Ti, Gezim, i ke ruajtur!

Të lumtë!

About admin

x

Check Also

Një përgjigje (në vargje) nga Nexhmije Hoxha për sulmet ndaj LANÇ

Maj 13, 2019  Nga Xhevdet Shehu Në valët e debatit për Luftën ...