Home / Opinion / MESAZHI I DËSHMORËVE

MESAZHI I DËSHMORËVE

Fotografia e Gjon Bruçi
 Shkruan; Gjon Bruçi

Fotografia e Gjon Bruçi

Në Armatën e madhe të Dëshmorëve tanë, një vend të veçantë zënë Dëshmorët dhe Heronjtë e LANÇ, epokës më madhore e më të ndritur të historisë së shqiptarëve. Episodet heroike të këtyre Luftëtarëve, janë të pafundme dhe të shkallës më të lartë, sepse ata, siç shkruante Migjeni i madh, patën deklaruar: “Na t’birt e shekullit të ri / Me hovin tonë të ngritun peshë / Ndër luftra të reja kemi me u ndeshë / Dhe për fitore kem me ra fli!”
Ajo që spikat dukshëm në Historinë e kësaj lufte madhore, është fakti se Heronjtë dhe Dëshmorët e saj, në pjesën dërmuese ishin të moshës rinore, në lule të jetës. Por kjo gjë nuk i pengoi ata ta flijonin këtë jetë pa hezitim në Altarin e Lirisë e të Pavarësisë së Kombit.
Sot, ne brezi i pasluftës, dhe ata që do të vijnë pas nesh, bëjmë pyetjen legjitime: “Cila ishte ajo forcë morale që i bëri këta djem e vajza si zana, të linin mënjanë shkollën, familjen, gëzimin e jetës, e të merrnin në sy privacionet e rënda të Luftës, gjer dhe sakrificën sublime?
Përgjigja e kësaj pyetje vjen natyrshëm: Ata ishin, jo vetëm Luftëtarë të Lirisë, por edhe luftëtarë të idealeve Partizane e Komuniste, për të cilat, ashtu siç këndoi Poeti i Popullit Dritëro Agolli: “Ishin betuar vetëm njëherë / Në Thirrjen e Parë në vitin Dyzet e Një / O ngremë Botën e Re mbi gërmadha e skëterrë / O s’mbetet nga ne, as hi, e as zë!”
Për fat të keq, ajo Thirrje dhe ai Betim i Luftëtarëve tanë të Lirisë, sot është shkelur e po shkilet me këmbë nga pinjollët e ballistëve të kohës së Luftës, dhe neoballistët e kohës së paqes. Këta myteberë antikombëtarë, në aleancë me armiqtë e përhershëm të Shqipërisë, prej tri dekadash i janë sulur Dy Epokave më të ndritura të Historisë shumë shekullore të shqiptarëve, Epokës lavdiplotë të LANÇ dhe asaj të Ndërtimit Socialist. Këto dy Epoka vigane, të udhëhequra nga Partia Komuniste e Shqipërisë dhe Shqiptari i Madh Enver Hoxha, janë dy epoka komplementare me njëra tjetrën, të cilat, së bashku me Epokën e Kryetrimit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe Rilindjen Kombëtare, përbëjnë katër kollonat ku mbështetet e mbijeton Kombi shqiptar.
Ne jemi dëshmitarë të situatave kritike që po kalojmë. Si rezultat i politikave antipopullore e antikombëtare të borgjezëve të vjetër e të rinj, të instaluar në pushtet, vendi ndodhet në udhëkryqin e historisë. Gangsterët e politikës e të shtetit të vetëquajtur “demokratik”, kanë hequr dorë nga idealet për të cilat janë flijuar 28 mijë, bij e bija nga më të mirët e popullit. Ndaj Dëshmorët e Kombit, që nga varrezat e nderuara ku prehen, na dërgojnë Mesazhin e Madh:
“Shokë, ruani idealet komuniste e Partizane, se ato janë idealet që sollën Lirinë e Pavarësinë e vërtetë të Shqipërisë, ideale që e patën bërë atë një Zonjë të nderuar e të respektuar në Europë e në Botë, ashtu siç e patën ëndërruar e dëshiruar Rilindasit tanë të mëdhenj!”
Ata që mbrojnë idealët partizane të LANÇ, dhe që përbëjnë shumicën dërmuese të popullit shqiptar, duhet të grumbullohen rreth Organizatës së Veteranëve të Popullit shqiptar dhe Organizatës së Dëshmorëve të Atdheut, dy organizata solide, të mirëorganizuara, të cilat mund të diktojnë edhe politikat që duhet të ndiqen në mbrojtje të LANÇ dhe të Dëshmorëve të saj. Partia Komuniste e Shqipërisë mendon se këto dy organizata, nuk duhet të shpresojnë tek asnjë nga partitë borgjeze, pavarësisht nga ngjyra dhe propaganda që ato lançojnë. Tri dekada kanë qenë të mjaftuersahme për të kuptuar sjelljen neonaziste të PD-së e LSI-së, dhe po ashtu edhe hipokrizinë e Partisë Socialiste, alias “Rilindja”, dhe kryerilindasit fallco me emrin Edi Rama.
Në ditën e 5 Majit, datës simbol të Dëshmorëve, unë ju drejtohem Veteranëve dhe pasardhësve të tyre, Pjesëtarëve të Familjeve të Dëshmorëve, Shoqatave Ushtarake dhe gjithë shqiptarëve që kanë lidhje organike me LANÇ, dhe që përbëjnë shumicën dërmuese të popullit, të bashkohen e të çojnë në Kuvendin e Shqipërisë komunistët, si e vetmja mundësi e garanci për të mbrojtur vlerat e Luftës Çlirimtare dhe gjakun e derdhur nga Dëshmorët e saj. Partia Komuniste, ka qenë organizatore dhe udhëheqëse e kësaj lufte dhe mbetet përjetësisht mbrojtësja e vlerave kombëtare të saj.
LAVDI TË PËRJETSHME DËSHMORËVE TË ATDHEUT!
Shkodër më 4 Maj 2019

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...