LAJME
Home / Lajme / (Fjalimi në Mbledhjen XXXVII të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!)

(Fjalimi në Mbledhjen XXXVII të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!)

Albin Kurti

 

Të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të VETËVENDOSJE!-s,
Të nderuar aktivistë të Lëvizjes,
Të nderuar gazetarë e punonjës të medieve,

Nesër bëhen një vit prej kur e kemi votuar Vlora Haxhimehmedin për Sekretare Organizative dhe fillimisht më lejoni ta falenderoj Vlorën për punën dhe angazhimin, vullnetin dhe përkushtimin, ndershmërinë dhe besnikërinë e saj. Mirëpo, menjëherë pas saj më lejoni t’ju falenderoj të gjithë juve dhe secilit prej juve, e sidomos të gjithë anëtarët tanë që nuk janë sot këtu me neve, për fushatën e shkëlqyeshme kundër PANhajnisë. Pas protestës së ndërmjetme kundër këtij kryeprokurori pa kryeaktakuza, do të vazhdojmë me tubime nëpër komunat ku nuk kemi qenë ende, nëpër qytetet e qytezat anembanë Kosovës. Ne nuk e pranojmë korrupsionin, ne nuk e durojmë korrupsionin, andaj sot në opozitë ne nuk heshtim dhe veprojmë kundër korrupsionit, ndërkaq nesër në qeveri ne do ta ndalim dhe ndalojmë korrupsion.

Përgjatë fushatës kundër PANhajnisë janë rritur shumë anëtarësimet e reja në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Muaji me më së shumti anëtarësime të reja në këtë vit është muaji që lamë pas, muaji prill. E para këtij, ishte marsi, duke ju falenderuar fushatës së grave e vajzave në Lëvizje, të cilat e shpallën marsin muaj të angazhimit të tyre. E tash muaji maj do të jetë muaj edhe me më shumë anëtarësime sesa prilli. Ju falemnderit edhe njëherë që po e rrisni e forconi VETËVENDOSJE!-n, që po e zgjeroni e po e thelloni Lëvizjen.

Në datën 19 maj, pra sot dy javë, do të mbahen zgjedhje të pjesshme për kryetarë komunash në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe në gjysmën veriore të Mitrovicës. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme dhe i kemi vetëm dy alternativa, nga njëra anë Lista Serbe dhe PDK-ja, nga ana tjetër, janë kandidatët e VETËVENDOSJE!-s.

Lista Serbe dhe PDK-ja nuk janë me kandidatë të përbashkët, por janë me politika të përbashkëta, për fuqizimin e ndarjes dhe copëtimit të Kosovës, por edhe për legjitimimin e strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë. Dorën në zemër, vetë Lista Serbe, si subjekt i krijuar në Beograd e që vepron me komandë direkte të Vuçiqit, nuk do kishte mundësi të vepronte në Kosovë e kundër Kosovës, pa lejen dhe miratimin e PDK-së. Vetë banorët e veriut dhe të gjithë mitrovicasit e dinë se kjo parti ka përgjegjësi, edhe në ndarjen e qytetit, edhe në bashkëpunim me kontrabandistë shqiptarë e serbë që veprojnë në veri, e mbi të gjitha, për mosvendosjen e sundimit të ligjit në atë pjesë të Kosovës e për mungesën e investimeve në Trepçë. PDK-ja e cila dikur e dërgoi një aksion të policisë pa e përgatitur siç duhet, ku ra në krye të detyrës heroi i Kosovës, Enver Zymberi, sot po kërkon ta falë atë pjesë të Kosovës e t’ia japë Serbisë, ose ta bëjë ‘Zajednicë’.

Prandaj alternativa e vetme për shqiptarët, për boshnjakët, për romët, për ashkalinjtë, për turqit, e edhe për serbët të cilët duan një jetë normale dhe janë lodhur më kriminelët e Vuçiqit, janë kandidatët tanë.

Ata sot janë këtu mes nesh, dhe unë po i prezantoj për të gjithë juve këtu në Këshillin e Përgjithshëm. Kandidate për komunën e Zubin Potokut është Liridona Kahrimani, 28 vjeçare, e lindur në Suedi dhe e rritur në fshatin Çabër ku familja e saj u kthye pas luftës. Liridona është një ndër rrobaqepëset, apo dizajneret e suksesshme, brenda por edhe jashtë Kosovës. Ajo është angazhuar vazhdimisht edhe për të drejtat e komunitetit, e sidomos të grave, e sot ka ardhur koha që ta mbështesim një aktiviste si Liridona Kahrimani, kandidate për kryetare në Zubin Potok.

Kandidati për kryetar në komunën e Leposaviqit, në komunën më veriore të Kosovës, do të jetë Fisnik Veseli, nga fshati Koshtovë i asaj komune. 32 vjeçar, Fisniku ka studiuar në universitetin “Isa Boletini” të Mitrovicës, në drejtimin e metalurgjisë. Si përfaqësues i shqiptarëve të Leposaviqit, Fisniku do të çojë përpara kërkesat e tyre. Ata janë lënë në harresë nga pushteti vendor dhe nga ai qendror, pa transport, pa shkolla, pa mjekësi, pa punë. Shqiptarët e komunës së Leposaviqit merren me blegtori, nuk kanë infrastrukturë, e fatkeqësisht nuk po kanë mundësi t’i shesin produktet e tyre, sepse janë të izoluar. Prandaj, për t’i zgjidhur problemet e tyre, të gjithë ne duhet të mbështesim kandidatin për kryetar në Leposaviq, Fisnik Veselin.

Kandidati ynë për komunën e Zveçanit do të jetë Avdi Peci, 37 vjeçar nga fshati Zhazhë i Zveçanit. Avdiu ka studiuar gjeologji e xehtari, dhe është inxhinier. Harresa e shqiptarëve dhe diskriminimi i atyre që nuk janë me Listën Serbe, ka bërë që në komunën e Zveçanit fshatrat të kenë probleme të mëdha infrastrukturore, por edhe me pastrimin e mbeturinave apo të borës që i bllokon për çdo vit. Me një kandidat për kryetar si Avdi Peci, të cilit ia japim gjithë mbështetjen tonë, këto probleme do të mund të adresohen e më pas edhe të zgjidhen.

E kandidati për gjysmën veriore të Mitrovicës do të jetë Erden Atiqi. Erdeni ka lindur në Mitrovicë dhe është 36 vjeçar. Ai ka studiuar shkenca kompjuterike dhe i ka disa përvoja pune në sektorin e TI-së. Erdeni i di disa gjuhë të huaja, si anglisht, serbokroatisht, turqisht e frengjisht, dhe është aktivist i mirë në Lëvizjen VETËVENDOSJE!. Erdeni shquhet për seriozitetin e tij, dhe për drejtpërdrejtësinë në trajtimin e problemeve. Në një intervistë të kohëve të fundit, ai ka thënë se si synim kryesor ka bashkimin e Mitrovicës. Dhe, ka të drejtë. Po të bashkohet Mitrovica, jeta dhe ekonomia do të jenë më të mira për të gjithë qytetarët. Megjithatë, përveç kësaj, Erdeni do të ngrejë zërin për problemet e ndryshme sociale, infrastrukturore dhe për nevojat që kanë të gjithë banorët e pjesës veriore të Mitrovicës. Ai është djalë shembullor, dhe mendoj se do të marrë mbështetjen e atyre që e duan Mitrovicën.

Këta janë kandidatët tanë, të cilët nuk janë veç të VETËVENDOSJE!-s, por janë të të gjithë qytetarëve që duan të shpëtojnë nga krimi i strukturave kriminale paralele, apo nga zullumet shovene të Listës Serbe, apo nga zullumet zhvatëse të PDK-së.

Të nderuar të pranishëm,

Çfarë normalizimi të marrëdhënieve me të tjerët mund të bëjë Kosova, kur e kemi shtetin e dobët përtokë, kurse korrupsionin qeveritar në kulm?! Kosova është bërë vend i shtrenjtë për të jetuar ndershëm, dhe, vend i lirë për të shpërlarë paratë. Shteti ynë është zaptuar edhe më fort me këtë qeveri të PANhajnisë. Shteti i Kosovës, për shkak se i kapur, e ka tradhëtuar qytetarin e Kosovës. Nevojitet qeveri e re që nuk vjedh, e që ia kthen besimin qytetarit në shtet.

Sepse këta udhëheqës institucionesh ia kanë hequr udhën shtetit. Me asfalt pa hesap e me hesap nepotizmi.

Pse është pa punë rinia? Sepse po vjedh qeveria. Ajo po vjedh në të tashmen, por ajo po e vjedh edhe të ardhmen.

Kryeministri Haradinaj nuk po qëndron pse beson në taksën 100% por pse e don pushtetin. E ka kuptuar, e ka hetuar që po e hoqi taksën, do ta heqin nga pushteti, prandaj po e zgjat sa po mundet qëndrimin në pushtet që t’i jap kohë ministrit të asfaltit, Pal Lekaj.

Në marsin e vitit të kaluar, ky kryeministër ndodhej në udhëkryq, ku duhej të zgjedhte, territori i shtetit apo karriga e pushtetit? Ai e zgjodhi të dytën, iu tha deputetëve të partisë së tij të votojnë demarkacionin ‘Meha’ me Malin e Zi, e të cilit kësisoj ia fali 8.200 hektarë. Pra, ky kryeministër e dorëzoi shtetin e Kosovës te gabimi i Murat Mehës dhe tha se më vonë do ta korrigjojë këtë! Marrëveshja Thaçi-Vujanoviq për kinse korrigjim të kufirit Kosovë – Mal i Zi ka hyrë në muajin e 15, kurse ratifikimi i demarkacionit në muajin e 14. Nuk kishte korrigjim sepse ai ishte mashtrim. Me këta njerëz, secila ditë e lume është 1 prill i zi.

Të nderuar pjesëmarrës,

Serbia shpenzon për ushtri më shumë sesa të gjitha pesë shtetet e tjera të Ballkanit perëndimor marrë së bashku. Në anën tjetër, krerët institucionalë të Kosovës kërkojnë nga BE-ja veçse liberalizim të vizave, ndërkaq buxheti i vendit tonë është i rezervuar për asfalt teksa FSK-së i kanë ngelur ato tri ligjet e reja në letër.

Është e dëmshme për dinjitetin e qytetarit të Kosovës kur kryeministri, presidenti e kryeparlamentari kërkojnë veçse liberalizim të vizave. Le ta bëjë këtë kërkesë ministrja e integrimeve evropiane. Edhe ashtu të gjithë këta janë mashtrues e gënjeshtarë. Le të gënjejë njëri prej tyre e dimë që vlen edhe për të tjerët.

Për liberalizim të vizave këta ia hoqën shtetit të Kosovës 8.200 hektarë, por këta nuk po duan ta kuptojnë atë që tashmë e dinë: nuk ecim drejt BE-së duke hequr tokë të shtetit, por duke u hequr prej pushtetit mu këta që po ia heqin tokën, buxhetin dhe pasuritë vendit tonë.

Nëse i ndihmojmë bizneset vendore, ne i ndihmojmë vetvetes. Kosova ka ndërmarrje ekonomike por nuk ka ekonomi ndërmarrëse. Ne, realisht, nuk kemi ndërmarrje të vogla e të mesme. Mikrokompanitë e dominojnë sektorin privat: mbi 90% të tyre kanë më pak se 10 punonjës, pra kanë veçse numër njëshifror të punësuar. Dhe, në disa vite të fundit, marrë në përgjithësi, paga mesatare aty praktikisht nuk është rritur.

Gati pesë mijë ndërmarrje në Kosovë janë në prodhim, por me pak të punësuar (mesatarisht 6) dhe me paga të ulëta (që, sipas një studimi të ABK-së madje kanë rënë përgjatë tri vjetëve të fundit: 325, 322, e tash 307 euro).

Të nderuar delegatë,

Ekonomia kosovare është e kompanive të pushtetit, në vend se pushteti të jetë jashtë ekonomisë së kompanive. E në krye të tyre janë tajkunët si puna e Devollëve, që duan t’ia punojnë Telekomit të Kosovës, e ta falimentojnë ndërmarrjen që i dha gjysëm miliardi euro dividendë buxhetit të Kosovës. Me punëtorët e Telekomit dhe qytetarët e Kosovës, duhet mbrojtur e shpëtuar Vala, duhen mbrojtur e shpëtuar Telekomi dhe Posta, duhen sprapsur tajkunët në ekonomi dhe përfaqësuesit e tyre në politikë e në qeveri.

Struktura dhe përmbajtja e buxhetit të kësaj qeverie, po ashtu, e bën të pamundur zhvillimin. As 1/8 e pranimeve buxhetore për vitin 2018 nuk kanë qenë nga tatimet direkte (nga të ardhurat personale, ato të korporatave dhe tatimi në pronë). Ndërkaq, tatimet indirekte (TVSh, detyrimet doganore dhe akciza) përbëjnë gati 2/3 e pranimeve buxhetore. Tatimi nga të ardhurat e korporatave dhe tatimi në pronë, marrë së bashku janë vetëm sa 1/12 e tatimeve indirekte që mblidhen në kufi.

Kjo qeveri nuk e ka rritur vetëm korrupsionin por edhe borxhin. Borxhi i jashtëm dhe i brendshëm shtetëror kanë tejkaluar 1 miliardë euro. Në vitin 2018, secili prej këtyre janë rritur me mbi 100 milionë euro, dhe gjithsej janë 213 milionë euro borxh shtesë vetëm në vitin që shkoj.

Përveç keqinvestimeve kapitale në asfalt, pagat dhe rrogat bashkë me mallra dhe shërbime përbëjnë mbi 40% të pagesave buxhetore të vitit 2018, ndërsa për mallra dhe shërbime u shpenzua gati sa të gjitha të hyrat e tatimeve direkte që kishim.

Ndoshta edhe ka bërë diçka të mirë qeveria, ankohet ndonjë qeveritar. Me gjeste që s’janë veprime, e me sjellje që nuk janë krijime, e me fjalë që nuk janë prodhime, kjo qeveri eventualisht bie lule por jo edhe fruta. Ose, më saktë, ndonjë lule qytetarëve kurse frutat familjarëve. Po dështon shteti si republikë me këta. Këta duhet të shkojnë që të shpëtojë shteti dhe republika, shteti si republikë e republika si shtet.

Hajnat janë bërë bashkë në PAN, pikërisht sepse janë në panik. Shahen ditë e natë, por rrinë bashkë, sepse ndjehen të pasigurt.

Të dashur aktivistë,

Nga lotët e zisë e të krenarisë në këtë 20 vjetorin e pranverës 1999 duhet të kalojmë te entuziazmi e shpresa për 20 vjetët e ardhshme. Duke filluar me zgjedhje të reja për qeveri të re, për qeverisje të re, për kohë të re. Pa hajna në qeveri, pa nazim sahita në polici, pa lepurusha në prokurori, pa monopole në ekonomi, me prodhim e punësim, me drejtësi edhe gjyqësore edhe sociale, pa dallim, pra pa favore e privilegje, pa shfrytëzime e diskriminime.

Ju falemnderit!

About admin

x

Check Also

Një përgjigje (në vargje) nga Nexhmije Hoxha për sulmet ndaj LANÇ

Maj 13, 2019  Nga Xhevdet Shehu Në valët e debatit për Luftën ...