Home / Histori / Mujdin Qerim Aliu (15.1.1974 – 14.4.1999)

Mujdin Qerim Aliu (15.1.1974 – 14.4.1999)

Mujdin Qerim Aliu (15.1.1974 – 14.4.1999)

Babai i dëshmorit Mujdin Aliu, Qerimi dhe nëna Haxherja patën tre fëmijë dhe Mujdini ishte vëllai i vetëm i dy motrave. Qerim Aliu, për shkak të qëndrimit të tij kombëtar dhe shprehjes kundër dhunës që ushtronte pushteti maqedonas i Shkupit, kundër shqiptarëve, disa herë ishte arrestuar, ndëshkuar e dënuar. Ai në familjen dhe rrethin e tij kishte kalitur ndjenjën e rezistencës kundër shtypjes e shfrytëzimit, i vetëdijshëm se liria dhe të drejtat kombëtare nuk dhuroheshin, por për to duhej angazhuar e luftuar me të gjitha mjetet. Patjetër kjo frymë edukuese kishte lënë gjurmët e saj edhe te i biri, Mujdini.

Mujdin Aliu lindi më 15 janar të vitit 1974, në fshatin Poroj të Tetovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen në në Tetovë, në drejtimin teknik të elektros. Për shkak të nevojave ekonomike të familjes, Mujdini nuk vijoi shkollimin e mëtejmë.

Në kohën e shpërthimit të luftës në Kosovë, Mujdin Aliu ishte ndër të parët që nuk u mjaftua vetëm me përkrahje verbale e morale, por bashkë edhe me disa shokë nga trevat e Iliridës iu bashkua radhëve të çlirimtarëve të Kosovës në Zonën Operative të Dukagjinit. Më 20 tetor të vitit 1998, Mujdini u sistemua në Njësitin Special “Skënderbeu”. Ai ishte luftëtar i shquar, i edukuar kombëtarisht, i afërt me shokët dhe kurdoherë në krye të detyrës ushtarake.

Në pranverë të vitit 1999, Mujdini u sistemua në formacionet e Brigadës 138, “Agim Ramadani” të Zonës Operative të Dukagjinit. Duke qenë luftëtar tashmë me përvojë të fituar në frontet e luftës çlirimtare, ai ishte në radhët e para të çlirimtarëve. Qysh në fillim të prillit të atij viti ai ndodhej në vijën e parë të luftimeve në vendin e quajtur “Rrasa e Koshares” ku ndodhej fortifikata e pamposhtur e UÇK-së.

Më 14 prill, gjatë intensifikimit të luftimeve, breshëria e armëve të armikut mbuloi istikamin e luftëtarit Mujdin Aliu. Po atë ditë, gjatë luftimeve në istikamet e luftës çlirimtare kishin rënë dëshmorë edhe Bashkim Idrizi, Fisnik Salihu, Kasim Uka e Korab Binxhia. Trupi i dëshmorit Mujdin Aliu u varros në vendlindjen e tij, në fshatin Poroj, ku bashkëluftëtarët ia kanë ngritur bustin e krenarisë kombëtare. Gjatë kohës së luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Brigada 112 ishte emërtuar me emrin Mujdin Aliu. Familja e dëshmorit ka marrë mirënjohje e dekorata nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës dhe nga shoqatat e luftës, në shenjë nderimi për sakrificën sublime të të birit. (A. Q.)

( Marë nga Portali Kosova e lirë)

About admin

x

Check Also

Rrëfimi i kolonelit: Kosova, nga plani sekret i Enver Hoxhës te sulmi i NATO-s

14-Mars-2019  Intervista/ Kolonel Sulejman Abazi, ish-komandanti i divizionit të Tiranës, rrëfen luftën ...