Home / Opinion / 34 VJET PA ZOT SHTËPIE!

34 VJET PA ZOT SHTËPIE!

Gjon Bruçi

Në pamundësi për të depërtuar në shtypin borgjez:

 

11 prill 1985 ! Shqipëria mbajti frymën, përkuli Flamurin dhe veshi rrobën e zisë! Kishte vdekur Prijësi, Krenaria Kombëtare, Rilindasi i kohëve moderne, Burri më i madh i shekujve të saj, Enver Hoxha.
Po ç’ishte Enver Hoxha? Një komunist? Një partizan? Një komandant? Një komisar? Një udhëheqës masash? Një strateg e reformator? Një legjendë? Apo një e vërtetë?
Historinë e bëjnë masat, individët lozin rol të veçantë, na mëson përvoja e shoqërisë njerëzore. Por roli i Enver Hoxhës në Epokën 50 vjeçare të Shqipërisë së Re e moderne, ishte dhe mbetet vigan. Ai përmblidhte në një njeri të vetëm, virtytet më të larta e më të arrira të shqiptarit, dhe ishte në të njëjtën kohë edhe realizuesi më i shkëlqyer i aspiratave të popullit të tij.
Në dy mijë vjet të Erës së Re, Arbërit nxorën dhjetra e qindra kollosë të mendjes e të shpatës. Midis tyre shkëlqeu Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Ai pati me dhjetra tituj, me të cilët Kancelaritë e kohës e patën emërtuar si, “Princi i Arbërit”, “Iskandër”, “Kalorsi i Krishtit” etj. Por populli i tij e quajti me fjalën e thjeshtë “Kryetrimi!”
Pesëqind vjet më vonë, Arbëri – tashmë Shqipëria, do të kishte përsëri Heronjtë e saj të penës e të pushkës, të mendimit e të veprimit, të aksionit e të revolucionit, që i dolën zot vatanit në momentet më kritike. Midis tyre, si një shqiponjë mali u ngrit Udhëheqësi i Lavdishëm, Enver Hoxha. Edhe këtij Heroi Kombëtar koha i dha dhjetra tituj, por populli që e deshi aq shumë, e quajti thjeshtë “Komandanti” dhe “Burri i dheut”.
Po, Enver Hoxha, ashtu siç e cilëson Kryetari i Partisë Komuniste, i paharruari Hysni Milloshi, ishte dhe mbetet BURRI dhe SHQIPTARI më i madh që ka nxjerrë kombi ynë!
Të shkruash për Enver Hoxhën, është sa e lehtë, aq dhe e vështirë. E lehtë, sepse veprat e tij madhore janë ende gjallë, jo vetëm në mendjet e zemrat e bashkëkohësve të tij, por ato, megjithë përbaltjen e borgjezisë dhe mercenarëve të saj, lartohen si mal e shndërrisin si dielli në horizontet shqiptare e më tej. Por njëherësh, të shkruash për Enver Hoxhën, është tepër e vështirë, sepse shkrimet tona, sado të thurura bukur, nuk mund të evidentojnë as në sasi, as në cilësi, punën dhe veprën e këtij Kollosi të Komunizmit, të këtij Burri të Madh të Shqiptarizmës. Ndaj unë po tentoj të ndalem, vetëm në dy-tri nga momentet më kryesore të Komandantit e të Komisarit tonë të paharruar, të cilat, parë sot në dritën e kohës dhe të ngjarjeve që përjetojmë, marrin vlera të shumfishta, vlera që i tejkalojnë përmasat e një jete dhe vepre të zakonshme udhëheqësi.
* Ishte dimri i egër i vitit 1943. Në malet e Çermenikës, Shtabi i Përgjithshëm i UNÇ gjendej në kushte kritike. Rrugët e kalimit për në zonat e lira, ishin bllokuar nga bora dhe nga gjermano-ballistët. Gjenerali anglez, Dejvis, që ndodhej si aleat pranë Shtabit të Përgjithshëm, i frikësuar gjer në palcë nga kjo situatë kritike, në debat me Enver Hoxhën, i kërkon këtij të fundit të pushonte luftën e të dorëzohej:
-Zoti Hoxha, ju e keni kot . . .ju e humbët luftën . . . jeni të rrethuar . . . dy rrugë ju mbeten: ose të vriteni, ose të dorëzoheni . . .
Enver Hoxha, që ishte munduar ta qetësonte gjeneralin aleat të Britanisë së madhe, kur dëgjoj fjalët kapitulluese të tij, shpërtheu:
-Kush e humbi luftën? Kush të dorëzohet? Kurrën e kurrës! Ju zoti gjeneral qenkeni një disfatist e kapitullant. Partizanët shqiptarë nuk e njohin humbjen, e aq më pak dorëzimin. Ata njohin vetëm qëndresën dhe fitoren!
Dhe ishte guximi i pashoq i Enver Hoxhës, bindja e tij absolute në fitore, që e nxori Shtabin e Përgjithshëm të UNÇ nga ai rrethim i egër gjermano-ballist, në atë acar dimri të paharruar të fund-dhjetorit 1943.
* Në vitin 1946, në Konferencën e Paqes në Paris, vendoseshin përfundimet e Luftës së Dytë Botërore. Fitimtarët e mëdhenj, SHBA, BS, Anglia dhe Franca, me pozicionet e tyre primare, vendosnin për fatet e popujve. Shqipëria e vogël, me më pak se një milion banorë, kishte shkuar në këtë Konferencë me ballin lart. Kontributi i saj në Luftën Antifashiste, krahasuar me mundësitë njerëzore e materiale, ishte i shkallës më të lartë. Por shovinistët fqinj, nuk donin ta pranonin këtë fakt. Përfaqësuesi grek në Konferencë, Caldarisi, ngriti një stuhi akuzash kundër Shqipërisë, duke e quajtur atë bashkëpunëtore të fashizmit në sulmin kundër Greqisë. Po të pranoheshin këto akuza si të vërteta, atëherë vihej në pikëpyetje tërësia tokësore e Shqipërisë së posaçliruar. Të mëdhenjtë e botës, si gjithmonë, nuk e kishin mendjen dhe prokupimin për fatet e vendeve dhe popujve të vegjël. Këto të fundit mund të këmbeheshin midis tyre, siç këmbehen dhuratat dhe reliket në një festim të thjeshtë. Këtij rreziku potencial për vendin tonë, do t’i dilte në ballë Enver Hoxha. Me një kurajo të pashoqe ai do të deklaronte:
”Unë deklaroj solemnisht se: As Konferenca e Parisit, as konferenca e të Katërve, as çdo Konferencë tjetër qoftë, nuk mund të marrin në shqyrtim kufijt e vendit tim, brenda të cilëve nuk ka asnjë pëllëmbë tokë të huaj . . . E gjithë bota të dijë se populli shqiptar nuk lejon që të diskutohen kufijt dhe toka e tij . . .Populli shqiptar, nuk e ka dërguar delegacionin e tij në Paris për të dhënë llogari, por për t’u kërkuar llogari atyre që e kanë dëmtuar aq tepër, dhe që ai i ka luftuar me ashpërsi gjer në fund!”
Dhe pas kësaj deklarate historike, Enver Hoxha braktisi punimet e asaj Konference, për tu kthyer në Atdhe tek populli i tij, prej nga ai, porsi Anteu, merrte forcë e guxim të pashtershëm!
* Në nëntorin e vitit 1960, guximi i Enver Hoxhës ngrihet në përmasa legjende. Është momenrti i përballjes me rrezikun, që po i vinte Lëvizjes Komuniste Ndërkombëtare dhe njëherësh edhe Shqipërisë Socialiste. Përballja ishte e drejtëpërdrejtë me drejtuesin e shtetit të stërmadh, që përbënte 1/6 e globit, me babain e “kukuruzës”, Nikita Hrushovin. Por ky “Cikllop” i vendit të stërmadh të euroazisë, kur u ndodh përballë Enver Hoxhës, në atë dimër të acartë të Kremlinit plak, ngjante me kopjen më të vogël të “Matrioshkës ruse”. E kundërta ndodhte me Enver Hoxhën. Ai kishte në harmoni të plotë, pamjen gjigande dhe ekspresive, me argumentin dhe të vërtetën që mbronte, shoqëruar ato me guximin e pashoq. Kjo ndodhte sepse ai vinte nga Shqipëria ku, burrëria nuk matet me peshë e me poste, por me qëndresë e guxim, me vepra e akte në dobi të vendit. Në fund të atij ballafaqimi të ashpër me Nikita Hrushovin, Enver Hoxha me një zë ta lartë e të sigurtë do të deklaronte:
“Unë mbroj interesat e vendit tim”!
Kësaj fraze të thënë me zjarr e burrëri shqiptare, përballë kupolës tradhtare të Moskës, nuk mund t’i bëhet asnjë koment! Siç e vertetoi historia, e gjithë filozofia e jetës dhe e veprës së Enver Hoxhës, përmblidhet në këtë frazë: “Unë mbroj interesat e vendit tim”! Për gjysëm shekulli me radhë, ky “Burrë i Dheut”, si askush tjetër në historinë e vjetër e të re të shqiptarëve, mbrojti e ngriti në nivelet më të larta interesat e Shqipërisë e të Kombit të vet.
Nuk mund të thuhet më saktësi nëse Epoka nxjerr Kollosë, apo Kollosët bëjnë Epokë. Por në rastin tonë, ne pa frikë mund të deklarojmë: Enver Hoxha për Shqipërinë dhe Kombin shqiptar bëri Epokë. Një Epokë që e futi Shqipërinë në hartën e Botës, duke i ngritur shqiptarët dhe vendin e tyre, në shkallën më të lartë të dinjitetit si komb!
Apologjetët e borgjezisë, na akuzojnë ne komunistëve për “kultin e individit”! Po kush e ngriti dhe vijon t’i fryjë të ashtuquajturit “Kult të individit”, për udhëheqësit e proletariatit? Ishin dhe janë xhuxhmaxhuxhët e historisë, duke filluar nga Hrushov tullaci, e gjer tek të çakërdisurit, mjekërroshët, sharlatanët dhe mercenarët e kapitalizmit, të cilët, në pamundësi t’i ngjiten “Malit të Lartë”, e pështyjnë atë nga poshtë, paçka se pështyma u rikthehet mbi surrat!
Epitetet e larta për Enver Hoxhën, nuk do të mjaftonin edhe sikur të mblidheshin tok të gjithë fjalorët e gjuhëve të botës. Se natyra rrallë ka gaditur persona të tillë të përsosur, për Dukun e Trupin, për Mendjen e Zemrën, për Guximin e Trimërinë, për Vetmohimin e Përkushtimin, e mbi të gjitha për Veprën madhështore në dobi të kombit të vet, si Enver Hoxha.
Lexuesi i këtij shkrimi modest, ndoshta do të priste dhe nja dy fjalë për kohën e sotme. Por unë nuk desha ta përbalt emrin e Enver Hoxhës, me njollat e zeza të ditëve tona alla borgjeze. Nuk desha që në këtë shkrim të hynin “Bashët”, “Lashët” e “Balashët”. As “Salukët”, “Ramukët”, “Metukët e Kopukët” e shtetit pa shtet, e sistemit pa sistem, e demoracisë pa demokraci. Se këto të fundit, shqiptarët po i shohin e po i përjetojnë me “dopio lezet” çdo ditë, sa u kanë ardhur në majë të hundës!
Shqipëria jonë sot, ashtu siç kam shkruar në krye të shkrimit, është pa Zot Shtëpie. Plot 34 vjet pa zot shtëpie. E si mund të jetë shtëpia pa “të Zotin”? Shih e shkruaj, thotë populli. Dhe të “shkruarat” duken sheshit. Në mungesë të “Zotit të Konakut”, lukunia e ujqërve, së bashku me ujkonjën e madhe të kapitalizmit, e kanë vënë Shqipërinë ndër këmbë dhe po e çapëlojnë pa mëshirë. Siç bëjnë hienat në errësirë!
Në prag të zgjedhjeve të 22 marsit 1992, zgjedhje që shënuam ardhjen në pushtet të borgjezisë së vjetër e pinjollëve të saj të rinj, kryetari i Partisë Komuniste, poeti revolucionar Hysni Milloshi, pati lëshuar thirrjen: “Popull shqiptar, mos i lidh sytë me shami të zezë para kutisë së votimit, se pastaj as qyqja nuk do të mundet të vajtojë fatin tënd”! Por shqiptarët, për fat të keq, të ndodhur nën trysninë e borive dhe daulleve të demokracisë borgjeze, nuk e dëgjuan thirrjen e kryekomunistit të kohës, dhe me dy gishtat lart, e mendjen poshtë, e hodhën votën në kutinë e zezë borgjeze, e cila prej tri dekadash, ua ka nxirë e po ua nxin jetën në çdo aspekt të saj.
Këtë shami të zezë mbi sy, shqiptarët tashmë e kanë hequr. Tri dekada janë të mjaftueshme për të kuptuar se, demokracia borgjze nuk mund të sillte përveçse errësirën, në të cilën populli është plandosur me gjithsej.
Deri kur kështu? Mos ka humbur shpresa për të dalë përsëri në dritë?
Jo! Shqiptarët do ta nxjerrin përsëri “Zotin e Konakut”, pa të cilin vendi, ashtu si familja, nuk mund të mbahet më këmbë e të përparojë. Nuk mund të ndodhë ndryshe. Historia përsëritet. E në ditët e sotme kjo “përsëritje” e ka harkun kohor shumë më të shkurtër se në kohët e hershme. Shqipëria do ta lindë shumë shpejt “Burrin”, që do ta nxjerrë nga tuneli i errësirës, drejt dritës së vërtetë!

About admin

x

Check Also

Rrëfimi i kolonelit: Kosova, nga plani sekret i Enver Hoxhës te sulmi i NATO-s

14-Mars-2019  Intervista/ Kolonel Sulejman Abazi, ish-komandanti i divizionit të Tiranës, rrëfen luftën ...