Dick Marty, i cili u bë i njohur me akuzat e pabaza ndaj UÇK-së, e ka refuzuar ballafaqimin publik me ish- përfaqësuesin e UÇK-së, politikologun, Bardhyl Mahmutin, raporton Gazeta Evropa.

Mahmuti nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ka bërë të ditur se Marty e ka zgjedhur rrugën e ikjes nga ballafaqimi i fakteve për akuzat e bëra në adresë të UÇK-së.

Ballafaqimi ishte kërkuar nga Mahmuti shkaku i pikëpamjeve diametralisht të kundërta rreth luftës në Kosovë.

Postimi i plotë i Mahmutit:

Dick Marty përdor argumentum ad misericordiam për t’i ikur ballafaqimit me mua

Meqenëse kishin kaluar më shumë se pesë muaj që nga koha kur Dick Marty pranoi publikisht se do të ballafaqohej me mua pasi të ketë lexuar librin tim dhe nuk kisha marrë përgjigje vendosa që t’i drejtohem përmes një letre publike.

Letra ime e datës 7 prill 2019 pati një jehonë të madhe në mediat në gjuhën shqipe në Kosovë dhe në Maqedoni, të cilat i falënderoj për korrektësinë e publikimit.

Duke dashur të jem korrekt në komunikim, të gjitha publikimet në internet të mediave që kishin publikuar letrën time ia dërgova edhe Dick Martyt. Bashkëngjitjen e publikimit në internet e bëra si dëshmi se opinioni publik shqiptar është i interesuar për një debat të tillë. Dhe pikërisht publiciteti i madh që ju bë letrës sime ndikoi që më në fund Dick Marty të më kontaktojë.

Në emailin që më dërgoi sot, më 10 prill ai kërkon që të mos e kontaktoj më. Në vijim po publikoj tekstin integral të letrës së tij, sepse reagimi im që vijon nuk do të mund të kuptohet plotësisht në mungesë të saj.