Home / Të ndryshme / Letër publike Dick Martyt

Letër publike Dick Martyt

Fotografia e Bardhyl Mahmuti

 

Z. Marty,

Më 31 tetor 2018, kur në librarinë “Payot” të Lozanë u bë përurimi i librit tuaj i titulluar “Une certaine idée de la justice- Tchétchénie-CIA-Kosovo-drogue” (Njëfarë ideje për drejtësinë – Çeçenia, CIA-Kosova-droga) ju dhurova librin tim dhe ju bëra ftesë që të ballafaqohemi publikisht në ndonjërin nga universitet e Zvicrës, në prani të studentëve dhe profesorëve të interesuar për këtë debat dhe ju propozova Universitetin e Gjenevës, për shkak se, paraprakisht, kisha biseduar me Albana Krasniqin Malajn, drejtoreshën e Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë, e cila është e gatshme të sigurojë mbajtjen e këtij debati.

Ju e pranuat ftesën time dhe deklaruat në prezencën e personaliteteve që kishin ardhur për përurimin e librit tuaj se do të pranoni ballafaqimin sapo të lexoni librin tim.

Të njëjtën gjë e keni pohuar edhe gjatë përurimit të librit në Friburg të Zvicrës si përgjigje në pyetjen e një të pranishmi.

Deri tani nuk ju kam shqetësuar për arsye se kam dashur t’ju lë kohën e nevojshme për ta lexuar librin tim. Kanë kaluar më shumë se pesë muaj nga premtimi juaj publik dhe e shoh si moment korrekt që t’ua rikujtoj këtë.

Shpresoj se keni pasur mundësinë që të ndani kohën e mjaftueshme nga agjenda juaj e ngarkuar për të lexuar librin tim dhe do të caktoni datën kur ju konvenon që të bëhet ballafaqimi rreth divergjencave thelbësore që karakterizojnë librat e ne të dyve lidhur me luftën në Kosovë.
Me respekt
Bardhyl Mahmuti

About admin

x

Check Also

Një përgjigje (në vargje) nga Nexhmije Hoxha për sulmet ndaj LANÇ

Maj 13, 2019  Nga Xhevdet Shehu Në valët e debatit për Luftën ...