Home / Lajme / FJALIMI I ALBIN KURTIT NË TRYEZËN E SOTME ME TEMËN “RESURSET UJORE – PLANIFIKIMI DHE MENAXHIMI”

FJALIMI I ALBIN KURTIT NË TRYEZËN E SOTME ME TEMËN “RESURSET UJORE – PLANIFIKIMI DHE MENAXHIMI”

Fjalimi në tryezën e sotme “Resurset ujore – planifikimi dhe menaxhimi”

Të nderuara zonja dhe zotërinj,

Të nderuar të pranishëm, profesionistë e aktivistë,

Kjo është tryeza e dytë që e organizojmë, pas asaj para tre muajve, për krizën mjedisore. Përderisa e para u përqendrua te ndotja e ajrit, kjo i dedikohet ujit dhe ujërave.

Cilësia e jetës është thellësisht e varur nga cilësia e ujërave që i kemi. Nuk mund të mbërrijmë në çfarëdo mirëqenie të supozuar pa garantuar cilësinë e ujërave në republikën tonë.

Siguria e burimeve ujore dhe e furnizimit me ujë dedikuar secilës fushë, është politikë sovranizuese. Mbrojtja e pavarësisë, në themel, është mbrojtje e resurseve ujore si gjeografi e si pasuri, si jetesë e popullsisë e si zhvillim i ekonomisë.

Këtë njohuri dhe dije e kemi nga përvoja jo vetëm e jona. Njihen botërisht përplasjet mbi këtë bazë. Mijëra të tilla gjithandej botës janë ende pezull apo në prag shpërthimi. Edhe ne rrezikohemi nga një e tillë, nëse e lejojmë.

Ujërat janë themeli i luftës gjeopolitike, pra: kush i zotëron burimet. Ato njëkohësisht janë garancia e pazëvendësueshme e zhvillimit dhe cilësisë së jetës.

Kosova ka pak ujë e ujëra. Ka edhe thatësi nga reshjet e pakta. E kur kemi reshje, zakonisht kemi edhe vërshime. Sepse janë prerë pyjet anekënd e janë rrënuar shtratet e lumejve gjithandej. Pra, edhe kur s’i kemi mungesat e dëmshme, vijnë tepritë gjithashtu të dëmshme. Asnjëherë tamam. Sepse përherë pa plane e kritere që do të zbatoheshin e do të respektoheshin.

Vjet është mbjellur pak e vonë. Sivjet reshjet janë edhe më pak, edhe më vonë. As çerekun e nevojave mund të mos i përmbushim me korrjet e verës.

Pashmangshëm duhet të shtrojmë disa pyetje:

A mund ta konfigurojmë një shtet zhvillimor, që kalon nga koncepti i rritjes ekonomike tek ai i zhvillimit ekonomik, nëse nuk mbërrijmë të planifikojmë shfrytëzimin dhe optimalizimin e burimeve ujore?

Kur diskutojmë mbi dhe për ujin, a flasim për bashkim apo ndarje? A është e përfytyrueshme një Republikë pa njësinë unitare të “sa ujë kemi”?

A mund të flitet për politikë dhe mbrojtje të mjedisit nëse nuk arrijmë të mbrojmë burimet ujore dhe cilësinë e ujit sipërfaqësor dhe nëntokësor?

Çështja e ujit, e qasjes në të, është çështje e të drejtave të njeriut, jo vetëm si ujë i pijshëm por edhe si një e mirë e papronësueshme. A po mbërrijmë ne t’i garantojmë këto të drejta?

Si duhet pra t’i shpërndajmë këto burime? Kush merr më shumë, më shpejt dhe më cilësisht? Kush vendos për këtë renditje? Kush janë titullarët partikular të këtij përdorimi? Sa i kthejnë ata shoqërisë nëse i lejohet fitimi nga përdorimi i burimeve ujore?

Nëse duhet të prodhohet energji nga burimet ujore, a nuk duhet të ishin këto vepra multifunksionale, prej ujitjes e deri tek uji i pijes?

A do të mbërrijmë të ruajmë ekuilibrin ekologjik, të rrjedhave ujore dhe përfitimit të energjisë? Dhe, a mundet që dëmin e shkaktuar nga investime në hidrocentrale ta justifikojë përfitimi i sasisë totale së energjisë?

Nëse Ujmani, i cili mbi tri të katërtat i ka në territorin e republikës sonë, është resursi më i rëndësishëm a ka kuptim ta diskutojmë për të përmbushur kontratën edhe ashtu të dëmshme të Contour Global?

Prodhimi bujqësor është një nga vektorët e ekonomisë por shumë larg potencialit tonë prodhues, andaj ku dhe çfarë kulturash do të ujisim?

Nëse duam ta tejkalojmë tipologjinë e konsumatorit dhe të deficitit enorm tregtar, na duhet zhvillim i hovshëm i prodhimit. A mundemi ta mbulojmë këtë zhvillim të kërkuar me nevojat për ujë? Dhe, deri ku ky zhvillim nuk prek pakthyeshëm mjedisin, cilësinë e sasinë e ujërave, pra jetesën e popullsisë?

Të nderuar të pranishëm, e di që është më kollaj të shtrosh pyetje sesa të përgjigjesh në to. Më falni që po e bëj pjesën më të lehtë të punës, pra pyetjet. Por, meqë çështja është jetike, problemi urgjent e vetëvendosja ngapak heuristike, le të hulumtojmë e shqyrtojmë bashkë, për atë që nuk mund të ketë zgjidhje individuale a familjare.

Ju falemnderit.

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...