Në këtë periudhë, gjuha shqipe po shkruhej në gati dhjetë alfabete, një rekord ky për atë kohë dhe gjuhët evropiane.
Dhe këto alfabete ka vendosur që t’i studiojë e t’i sjellë në një libër studiuesi i shqipes, Robert Elsie.
“Edhe një libër tjetër që sapo botova, mbi alfabetet e shqipes. Rreth viteve 1750-1850 gjuha shqipe u shkrua në jo më pak se dhjetë alfabete të ndryshme. Sigurisht një rekord për një gjuhë evropiane! Ja i keni këtu” ka shkruar Elsie derisa ka prezantuar librin 117 faqësh “Albanian Alphabets – Borrowed and Invented”, shkruan KultPlus.
Libri prezanton këtë laramani gjuhësore, nga dokumentet më të hershme deri te fillimi i shekullit 20-të. Adaptimet kanë ndodhur nga alfabetet latine, greke, arabe dhe alfabeti cirilik, dhe çka është më e rëndësishme, edhe krijimi i një sistemi lokal i të shkruarit. Disa prej alfabeteve sot janë harruar madje edhe nga vetë shqiptarët.
Sipas librit, alfabetet në fjalë janë alfabeti i Gregorit në Durrës, alfabeti i Dhaskal Todhrit, i Jan Vellarës, i Naum Veqilharxhit, dhe më pas alfabetet më të vogla si ai i Papa Totasit, Vezo Bey dhe Konstantinit të Beratit.