Lulëzim ETEMAJ

Duke qenë se ndodhemi në ditën e 38- vjetorit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, rreth karakterit ideologjik të tyre, kërkesava dhe ndikimit të tyre në zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe përgjithësisht çështjes sonë kombëtare, Gazeta Evropa ka biseduar me njërin nga demonstruesit e planit të parë, siç dokumentohet edhe me foto, të cilat pas arrestimit të tij u përdorën edhe si dëshmi gjyqësore, përfaqësuesin e mëvonshëm politik të UÇK-së, politologun Bardhyl Mahmuti.

Gazeta Evropa: Në një foto të demonstratave të vitit 1981, ju shiheni në ballë të protestuesve. Meqenëse u dënuat individualisht e jo në kuadër të ndonjë organizate, na intereson të dimë nëse pjesëmarrja juaj ishte si individ apo si anëtar i ndonjë organizate?
Bardhyl MAHMUTI: Që të kuptohen drejt këto ngjarje, mendoj se atëherë duhet t’i shohim në kontekstin shoqëror dhe historik kur ndodhën. Po veçoj vetëm një aspekt të çështjes. Ishte periudha e vitit 1978, periudhë që karakterizohej me manifestimin në qindra forma të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ky kontekst kishte krijuar një atmosferë tejet të favorshme për veprimtari në interes të mobilizimeve për realizimin e aspiratave, që kishin mbetur pa u realizuar që nga koha e Lidhjes së Prizrenit.
Në këto rrethana u angazhova në radhët e organizatës Kushtrimi i Lirisë që, në një farë forme, ishte Degë e Organizatës Marksiste-Leniniste të Kosovës.
Krahas edukimit në familje, në kuadër të së cilës përveç babait tim kishte disa të dënuar për aktivitete politike kundër pushtetit jugosllav, dhe ndikimit që kishte mësuesja ime Emine Vela-Isaku, e cila i kishte burrin dhe të vëllain të burgosur për arsye të njëjtë, angazhimi në kuadër të Kushtrimit të Lirisë ndikoi që në ditën e shpërthimit të atyre protestave të shihja veten, në mënyrë të natyrshme, pjesëmarrës të asaj revolte kundër pushtuesve të territoreve tona.

Gazeta Evropa: Çka mund të na thoni lidhur me atë foto? A dini detaje si është bërë kjo foto?

Bardhyl MAHMUTI: Pasi jam arrestuar, hetuesia në Prishtinë m’i tregoi një numër fotosh, ku shihesha në demonstratat e datave të ndryshme dhe në disa vende të qytetit. Ato ishin si “provë materiale” që dëshmonte “për armiqësinë time kundër pushtetit të klasës punëtore dhe të socializmit vetëqeverisës të Jugosllavisë” dhe “cenimin e rendit kushtetues të Jugosllavisë”. Lidhur me realizimin praktik të atyre fotove mund vetëm të supozojmë se janë bërë nga shërbimet sekrete të shtetit. Ajo që mund të them në këtë intervistë ka të bëjë me faktin se aktakuzës kundër meje gjykatësi hetues i ka bashkangjitur 23 foto për të dëshmuar veprimtarinë time.

Gazeta Evropa: Cili ishte karakteri i atyre demonstratave, sepse jo rrallë u jepet karakter ideologjik të orientimit të majtë?
Bardhyl MAHMUTI: Në një intervistë për një studente, që është duke e bërë temën e masterit për format e komunikimit të organizatave të fshehta, më është bërë e njëjta pyetje. Këto çështje duhet të sqarohen, për arsye se rreth kësaj problematike është manipuluar më së shumti. Fatkeqësisht manipulimi është bërë nga njerëzit e ish-strukturave të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, të cilët u kanë shërbyer politikave antishqiptare për përfitime personale.
Që të kuptohet drejtë kjo çështje duhet të sqarohen dy terme: “komunizmi” dhe “nacionalizmi”. Në kuadër të një interviste nuk mund të zgjerohem shumë rreth këtyre nocioneve, prandaj do të mundohem që sa më shkurtimisht të nxjerr në shesh thelbin e problemit. Në aspektin e orientimit ideologjik, komunizmi ka për bazë luftën e klasave: luftën e klasës punëtore kundër klasës së borgjezisë. Lufta është e pa kompromis në nivelin kombëtar dhe atë ndërkombëtarë, prandaj kërkohet internacionalizmi proletar dhe luftë e vazhdueshme kundër borgjezisë së kombit të vet. Nga ana tjetër, ideologjia kombëtare ka për orientim homogjenizimin brenda kombit të caktuar dhe dallimi (apo lufta) me kombet të tjerë.
Në raport me shqiptarët, që jetonin në viset e tyre jashtë vendit amë, Shqipëria e viteve të 70-ta ishte mobilizuar në të gjitha aspektet për të ngritur vetëdijen e tyre kombëtare, dhe në këtë kontekst ideologjia kombëtare, në kuptimin e ideologjisë shtet formuese, është dominante. Po përmend vetëm një shembull. Nga të gjitha veprat shkencore dhe të krijimtarisë artistike të asaj dekade, kënga “Xhamadani i trimërisë” u shndërrua në emblemë që këndohej si të ishte himn kombëtar. Po rikujtoj se fjalia kryesore e kësaj kënge theksonte se “Gjithë shqiptarët janë Mic Sokola”!
Nuk do ta analizoj funksionin e identifikimit me një figurë heroike të tërësisë sonë kombëtare, sepse kjo do të kërkonte një hapësirë shumë më të madhe. Mjafton të thuhet se nuk mund të gjendet shembull më të bukur të ideologjisë kombëtare se ky rast, ku fshihen të gjitha dallimet klasore, rajonale, fetare, gjinore dhe futen në një kategori: të gjithë shqiptarët janë një!
Pikërisht ky aspekt ideologjik i Shqipërisë pati ndikim shumë të madh te shqiptarët në Jugosllavi. Nëse u hedh një sy aktakuzave dhe aktgjykimeve të grupeve të dënuara gjatë periudhës për të cilën flasim do të bindesh se nuk mund të gjesh asnjë akuzë që dikë e ngarkon si pjesëtar i një organizate të majtë, por nacionalizmi shqiptar dhe irredentizmin (synimi për t’u bashkuar me Shqipërinë) janë akuzat kryesore.
Për organizatat që vepronin fshehtas në Jugosllavi, përdorimi i terminologjisë “marksizëm-leninizëm” duhet të shihet në dy aspekte: synimi i bashkimit me Shqipërinë dhe përdorimi i literaturës marksiste-leniniste për të organizuar strukturat në një vend ku nuk kishe mundësi të organizohej haptas siç veprohet tani. Kur flasim për këtë aspekt, nuk duhet të harrohet se Marksi dhe sidomos Lenini me veprën e famshme të titulluar “Ç’të bëjmë?” i përcaktojnë mënyrat e veprimit të organizatave të fshehta në sistemet politike totalitare.
Fatkeqësisht, komunistët e atëhershëm jugosllavë të përkatësisë shqiptare, të cilët për të dëshmuar veten se ishin besnik të frymës së vëllazërim-bashkimit bënë krimet më të rënda kundër popullit të vet, sot, të konvertuar në “demokratë”, apo pjella e asaj fryme komuniste sllave, vjellin vrer kundër manifestimeve të vitit 1981, sepse motivi real i tyre qëndron në faktin se ato demonstrata ua prishën vëllazërimin dhe bashkimin me shkije dhe shkina.

Gazeta Evropa: Si i vlerësoni ato ngjarje nga kjo perspektivë kohore? A ishin kthim mbrapa, siç pretendojnë komunistët shqiptarë të linjës jugosllave, apo hapën rrugë për avancimin e çështjes sonë kombëtare?
Bardhyl MAHMUTI: Ngjarjet vlerësohen në përputhje me rezultatet përfundimtare që arrijnë. Demonstratat e vitit 1981 shënuan pikën kulmore të konfliktit ku nuk ka më kthim pas. Dinamika që ngjallën këto protesta krijoi një kontekst të përgjithshëm në kuadër të Jugosllavisë, që përfundoi me shpërbërjen e përgjakshme të kësaj federate. Nuk janë të paktë autorët që analizojnë shpërbërjen e Federatës jugosllave dhe që ngjarjet e vitit 1981 i përkufizojnë si katalizatorë të shpartallimit të Jugosllavisë. Është e kuptueshme pse komunistët shqiptarë të linjës jugosllave pretendojnë se këto ngjarje janë “kthim mbrapa”, sepse kanë humbur privilegjet që kishin në atë kohë.