Home / Opinion / DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (“REFERENDUMI” I PREMTUAR NË RAMBUJE) (4)

DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (“REFERENDUMI” I PREMTUAR NË RAMBUJE) (4)

 

 

Në 20 vjetorin e Konferencës së Rambujesë!

 

 

DILAVER R. GOXHAJ
https://www.pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8494

( hyazuar nga Pashtriku.org.)
Pashtriku, 26 shkurt 2019

Paradoksalisht anëtarët e Drejtorisë Politike dhe mbështetësit e verbër të saj, duke pranuar 10 pikat e panegociueshme të projekt-marrëveshjes, të cilat ishin në dëm të Kosovës, e shndërruan UÇK-në në “një të mallkuar”; ndërsa vetë, duke e braktisur UÇK-në dhe idealet e saj, u bënë interpretë në potencë të të gjithë epiteteve denigruese e deri kriminale që u ishin vënë mbi kurriz luftëtarëve shqiptarë të rrjeshtuar në të parin formacion ushtarak serioz në Kosovë, siç ishte UÇK-ja, e cila iu imponua si armikut që kishte përballë – Serbisë, ashtu edhe faktorit ndërkombetar me luftën e drejtë që bëri.
Nën këtë vështrim përgjegjësia historike e atyre që nënshkruan zhbërjen e UÇK-së është e madhe. Të tillë njerëz u leverdisnin (dhe mbase u leverdisin akoma) disa qarqeve të caktuara, sidomos në Evropë, në emër gjoja të ruajtjes se “ekuilibrave në Ballkan”. Për pasojë, dashje apo pa dashje, ata u bënë të përkëdhelurit e qarqeve politike proserbe në rradhët e ndërkombëtarëve, jo se duan që të mos i burgosin, sikundër po veprohet me të “pabindurit” e tjerë drejtues apo luftëtarë të thjeshtë të UÇK-së, por, sepse vepra e tyre që u kurorëzua me nënshkrimet që bënë në Rambuje fatkeqësisht u hyn në punë atyre që nuk ia duan të mirën Kosovës për të vërtetuar se “UÇK-ja ishte një krijesë bandash të armatosura”1 dhe se “rasti i saj është një lojë e fëlliqur marksiste-leniniste”2, si dhe “grup terrorist islamik”3. Gabimi më i rëndë i politikës shqiptare dhe i diplomacisë ndërkombëtare, si atëherë edhe tashti, vijon të jetë se e gjykojnë UÇK-në sipas tregimeve serbe dhe intelektualëve filojugosllavë, si Veton Surroi, që thotë: “jam i gatshëm të marrë përsipër edhe konsekuencat e herezisë dhe të them se nuk ka ekzistuar ndonjëherë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.”4, gjë që tregon se edhe në Rambuje ai ka bërë këtë politikë, ndaj dhe e zgjodhën ndërkombëtarët bashkëkryetar të delegacionit kosovar. I “pavaruri” Veton dhe gjithë bashkëmendimtarët e tij vendas e të huaj i trajtojnë luftëtarët e UÇK-së si kriminelë, ngaqë nuk e kuptojnë, se tek pragu i paragjykimeve të tyre për atë ushtri çlirimtare qëndron një realitet krejt ndryshe.
Sot, pas 15 vjetësh, ngjarjet e këtij fillimviti, ku Evropa po përgatitet të ngrejë në Kosovë ose jashtë saj Tribunalin e posaçëm ndërkombëtar 5, që pritet të gjykojë “krimet e luftës”, të cilat pretendohet se jenë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, tregojnë se largpamësia e Demaçit ishte e jashtëzakonshme!; ai e shihte qysh atëherë se, qëllimi final i disa shteteve të fuqishme të Evropës ishte kriminalizimi i UÇK-së!
Dhe, për t’i bërë bindës ato lloj epitetesh ndaj UÇK-së, diplomatët europianë bënë zhurmë për orekse gjoja shqiptaromadhe, duke shfrytëzuar emërtimet që pat bërë LPK-ja për zonat e hershme operative në të gjitha trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi: “Si zonë të parë operative kishim Kosovën, si zonë të dytë Maqedoninë, si zonë të tretë Preshevën, si zonë të katërt Malin e Zi dhe si zonë të pestë kishim emigracionin”6, sikundër shpjegon Ali Ahmeti; si dhe deklaratën e zotit Jakup Krasniqi, në verën e vitit 1998, i cili, në një dalje të tij në TVSH, pat deklaruar se “qëllimi i luftës së UÇK-së është bashkimi i trojeve shqiptare në Ballkan”7, (sipas programit të UÇK)8, gjë që përmendej edhe në tekstin e Betimit Ushtarak të saj.
Amerikanët, duke qenë nën presionin e diplomatëve europianë, ndoshta e besuan mendimin e hedhur prej tyre se mund të ndodhte edhe një reagim masiv dhe i menjëhershëm në mbështetje të UÇK-së, në të gjitha trojet shqiptare nën ish-Jugosllavi, gjë që do të vihej në rrezik jo vetëm siguria në Ballkan, por edhe stabiliteti në Evropë. Këtë supozim të europianëve e përforconte fakti që, pavarësisht se Shqipëria sapo kishte dalë nga kriza e rëndë e piramidave financiare, ajo gjeti forca që në përkrahje të Kosovës të formulonte thirrjen “Një komb, një qëndrim!”.
Njëkohësishtë, amerikanët, duke pranuar nismën franceze për konferencën urgjente, e cila nuk i linte asnjë hapësirë për diskutim përfaqësisë kosovare, menduan se mos vallë në radhët e UÇK-së dhe të popullit shqiptar në Kosovë lindte pakënaqësi ndaj tyre, gjë që nuk u interesonte, pasi kjo pakënaqësi gradualisht mund të shtrihej edhe në tërë kombin shqiptar, si kombi më pro amerikan në Ballkan. Ndoshta janë të gjitha këto zhvillime që e nxitën Departamentin Amerikan të Shtetit të deklaronte në 3 Shkurt, duke thënë se, “plani amerikan po shqyrton mundësinë e dërgimit të trupave tokësore” dhe se autonomia për Kosovën do të ishte për një periudhë tre vjeçare e pastaj do të aplikohej referendumi (vetvendosja) 9. Hedhja nga amerikanët e varjantit për vetëvendosje pas një periudhe tre vjeçare, ndoshta ishte edhe për të thyer rezistencën e Adem Demaçit, që ai të pranonte të kryesonte delegacionin në Rambuje; njëkohësisht edhe një lloj “karremi” që masa e gjerë e luftëtarëve të UÇK-së ta pranonte atë projekt-marrëveshje.
Këtë gjë na e pohon edhe një ndër drejtuesit e njohur të rezistencës kosovare, Ibrahim Kelmendi, kur thotë, se madje “edhe ne të Lëvizjes ishim pro nënshkrimit, me që në marrëveshja u miratua faza kalimtare 3-vjeçare dhe referendumi i popullit të Kosovës për pavarësi.”10.
A do të thotë kjo, se të gjithë u mikluan nga ky qëndrim, përveç A. Demaçit!? Një përgjigje shterruese është e vështirë të jepet për këtë pikë. Veç dimë që Demaçi këtë gjë e ka ritheksuar edhe 5 vite pas luftës, apo 10 vite më herët se u shpall ky Tribunal i Posaçëm i këtij viti, duke thënë: “Nga luftëtarë e kryengritës të lirisë, jemi shpallur “terroristë”. E “terroristëve”, si “shpërblim”, iu rezervohen burgjet e dënimit”11.
Ajo deklaratë e amerikanëve, për vetëvendosje pas tre vjetësh, i erdhi në takim Drejtorisë Politike, pasi miratohej nga masa e gjerë vendimi i saj. Dhe ashtu ndodhi. Masa e gjerë shqiptare e miratoi vendimin e Drejtorisë Politike dhe filloi ftohja graduale ndaj Demaçit.
Fakti që tre vjet më pas, në vitin 2002, jo vetëm që nuk pati asnjë lloj përpjekje a diskutim për atë “referendum për vetëvendosje”, por as që u përmend fare prej asnjerit nga ish-delegatët kosovarë në atë konferencë!, edhe pse tashmë ishin të gjithë me funksione të larta në organe politike vendimmarrëse të Kosovës, flet qartë që: ai premtim ishte një hile e propozuar nga delegatët e UÇK-së! Ndryshe ata do të kërkonin, qoftë si Qeveri e Përkohëshme, qoftë si Qeveria Bukoshi, qoftë si Parlament i Kosovës i zgjedhur në 1998 dhe që funksionoi deri në krijimin e Këshillit të Përkohshëm Administrativ, qoftë si Qeveri koalicioni PDK-LDK, që u krijua më pas. Madje ata nuk organizuan menjëherë pas lufte as zgjedhjet parlamentare, sikundër kishin vendosur dhe ishin dakorduar së bashku në Rambuje!12
Po ashtu, përderisa zoti Jakup Krasniqi doli e deklaroi në emër të Shtabit të Përgjithshëm për shkuarjen në Rambuje, disa orë pasi kish folur zëdhënësi i qeverisë amerikane13, bindesh edhe më shumë që janë këta tanët, ata që e kanë sugjeruar atë shprehje në deklaratën amerikane për referendum, premtim që as nuk përmendet ende pas 15 vjetësh, por përkundrazi, tash deklarohen tërë mburrje, duke e sanksionuar edhe në Kushtetutë, se janë kosovarë dhe jo shqiptarë! Madje edhe në ditët paszgjedhore të 8 Qershorit 2014 slloganet partiake të tyre i trajtojnë si “interesa kombëtare”, duke nënkuptuar “kombin kosovar”! “Njeriu mund të zgjedhë cilëndo fe që ka trashëguar prej stërgjyshërve dhe që i pëlqen, – na thotë erudite ynë Fan Noli,- por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë të tijën, pa vënë në ballë një vulë të madhe prej “tradhëtari”.”
Prandaj, me të drejtë Demaçi dhe populli dyshonin në atë premtim, ku edhe sot shtrohet pyetja: pse me u pyet Kosova se me cilin shtet don të shkoi, kur dihet se ajo është popullsi shqiptare? Si mund të vihet në diskutim që Kosova duhet me u pyet nëse do apo jo me qenë me Serbinë? Edhe nga këto pyetje retorike kuptohet që premtimi për referendum ishte me hile. Dhe këtë na e pohon njëri ndër këshilltarët e delegacionit kosovar në Rambuje, Marc Weller, i cili shkruan: “Letra e sekretares amerikane për të mbajtur referendum për statusin final të Kosovës pas tre vjetësh, nuk do të kishte asnjë vlerë detyruese juridike.” 14. Ai “premtim” ishte i ngjashëm me atë anglo-sovjeto-amerikan i Luftës së Dytë Botërore dhe i Konferencës së Bujanit, për referendumin pas mbarimit të asaj lufte. I njëjti premtim, i njëjti përfundim! Pas luftës së Dytë Botërore askush nuk i pyeti e nuk i detyroi hebrenjtë të jetonin së bashku me gjemanët në të njëjtin shtet, pse shqiptarëve në Kosovë do t’u kërkohej dhe u kërkohet një detyrim i tillë?! Çudia është se politikanët dhe qeveritarët aktualë shqiptarë, sidomos ata të dalë nga radhët e UÇK-së, nuk e kanë as kurajon civile të ish-komunistave gjakovarë e prishtinas të vitit 1968, të cilët jo vetëm në aktivet e Lidhjes Komuniste të Kosovës, por edhe në shtypin e kohës kërkuan me forcë: “shqiptarëve t’u njihet e drejta e vetëvendosjes”15, kur dihet që “Tashmë një përfundim është i qartë, Kosova multietnike për të cilën luftoi NATO-ja ka vdekur ndofta përgjithmonë”16, sikundër shprehet sot Pr.Dr.John G. Stoessinger.
Njëkohësishtë, ai lloj premtimi për vetëvendosje tregon se vendimin për të shkuar pa kushte në Rambuje e kanë marrë dhe deklaruar zotërinjtë H. Thaçi, Xh. Haliti, A. Syla dhe K. Veseli, që ishin de fakto edhe Drejtoria Politike edhe SHP i UÇK-së, e që ato ditë ndodheshin në Tiranë, të cilën na e vërteton Ministri i Jashtëm i saj, Pr.Dr.Paskal Milo: “2 Shkurt 1999. Me ndihmën e Fatos Klosit, prita dy herë në zyrë tre përfaqësues të Shtabit të UÇK-së, Hashim Thaçin, Xhavit Halitin (Zeka) dhe Kadri Veselin.”17. E themi këtë, pasi nuk disponohet as edhe një vendim i dokumentuar, i çfarëdo forumi politik a ushtarak i UÇK-së apo dhe i Lëvizjes Popullore së Kosovës (LPK), që të ketë një vendim kolegjal, ndryshe do të ishte dokumenti më i botuar prej tyre pas lufte. Kështu që zoti Jakup dhe Shtabi i Përgjithshëm, të bindur verbërisht ndaj katër zotërinjve që ndodheshin në Tiranë, nuk kishin ç’vendim të merrnin, veçse bënë magnetofonin.
Ai vendim i Drejtorisë Politike, duke pranuar kushtet në dëm të Kosovës dhe UÇK-së, tregoi edhe faktin tjetër se antarët e saj nuk ishin gjë tjetër, veçse thjeshtë disa radikalë etikë, të pleksur me mosnjohjen e strukturave shoqërore, të prirur për revolucionarizëm gojor (deklarativ), të cilët ishin të fortë falë të drejtës së fituar për të drejtuar luftën dhe UÇK-në, por kurrë revolucionarë. Në thelb, duke qenë intelektualisht të pakompletuar, doemos që do të shfaqeshin me një lloj karjerizmi të tepëruar, i cili ndodhej në raport të zhdrejtë me nivelin e kompletimit intelektual dhe të identitetit personal të tyre. Për këtë shkak, ishte frika nga rreziku për humbjen e karjerës që i drejtonte të gjitha veprimet e tjera të tyre, si në raport me veten, ashtu dhe në raport me të tjerët. Andaj është e kuptueshme pse ishin tejet të pandjeshëm për problemet që nuk i rrezikonin pozitat e tyre dhe tejet të ndjeshëm për çdo synim të kundërt. Ky kishte qenë dhe kishte mbetur i vetmi kriter i sjelljes së tyre.
Mirëpo, ai vendim i Drejtorisë Politike, për momentin ishte një futje e luftës në qorrsokak, pasi e theu në një masë të konsiderueshme dëshirën e popullit për t’u angazhuar totalisht në luftën për çlirimin e Kosovës. Dhe këtë politikë të pamenduar e shfrytëzuan me mjeshtëri Rugova dhe udhëheqja e LDK-së, me gjithë satelitët e saj, të cilët dolën “trimërisht” kundër vijimit të luftës çlirimtare si dhe kundër UÇK-së, pasi ai vendim ishte një dhuratë për ta. Kjo u duk qartë edhe në “përbërjen e delegacionit kosovar, ku shumica përbëhej nga LDK-ja, ku isha edhe unë” 49 sikundër mburej më pas Rugova në Gjyqin e Hagës. Pranimi për të shkuar në Rambuje me ato kushte dhe me atë përbërje të delagacionit, tregon mosnjohjen e politikës nga antarësia që përbënte delegacionin e UÇK-së, gjë që të bind se, ata kishin paqartësi politike për drejtimin e luftës; ajo tregon se atyre u interesonte më së shumti pushteti se çdo gjë tjetër. Kjo i përplaste ata me Demaçin.
Madje, gjatë kohës që diskutohej shkuarja në Rambuje, Shtabit të Përgjithshëm, (për mos të thënë Drejtorisë Politike), i vjen në ndihmë edhe një vendim i Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, duke e zevendësuar këtë të fundit përfundimisht me Drejtorinë Politike: “Në Janar 1999 Këshilli i Përgjithshëm mori vendimin që administrimi i Fondit t’i kalojë Shtabit të Përgjithshëm”, thotë Kryetari i atëhershëm i LPK, shkrimtari Bedri Islami. Dhe antari i Kryesisë së LPK-së, Ibrahim Kelmendi i përgjigjet: “Të dy e dinim se ai vendim ishte një si komplot ndaj Fondit…. Ky vendim erdhi menjëherë pas vendimit tonë për përqëndrimin e Fondit në zyrën që kishim ngritur, me vendim të Këshillit të Përgjithshëm… Kam qenë në zyrë, në Fond, kur erdhi letra që e kishit shkruar ju, së bashku me Vendimin e Këshillit të Përgjithshëm dhe e pashë se si u ngrysën disa. Lëvizja e kish themeluar UÇK-në dhe Fondin “Vendlindja Thërret”. Pse “fëmija” duhej t’u impononte tani prindërve parimet?!… Lëvizja për UÇK-në ishte parlamenti, qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes. Vetëm militaristët që mendojnë se ushtria duhet të jetë mbi të gjitha institucionet, mundohen ta “pavarësojnë” ushtrinë, që do të thotë ta vënë mbi institucionet që e kanë formuar dhe financuar” 18.
VIJON…
_____________________
1) Massimo D’Alema, “Kosova, italianët dhe lufta”, f. 64, 139. 165
2) Ylli Polovina, “Ditari i Romës” , Mësonjëtorja, 2000, f.205: “4 Tetor 1998. Partia Demokratike kish shpërndarë një deklaratë për shtyp, ku thuhej: Zhvillimet e fundit në Kosovë janë një ndeshje mes shqiptarësh e antishqiptarësh. Dy shërbimet informative, ai shqiptar e ai serb, bëjnë lojën më të fëlliqur në historinë e kombit shqiptar në kuriz të dymilionë shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë. Ata ia dolën të vendosin në krye të UÇK-së element të Millosheviçit, bashkpuntorë të tij, me damkën e marksist-leninistave.”. Ndërkohë që në krye të UÇK ishte Adem Demaçi dhe ishte njohur nga ndërkombëtarët, të cilët kishin pranuar edhe armëpushimin e njëanshëm të saj!
3) Ylli Polovina, Po aty, f.220: “Fatos Nano dëgjoi amerikanët, dëgjoi çfarë u tha nëpër zyrat e Brukselit, mori vesh se çfarë mendonte Ibrahim Rugova, bëri vemendien se çfarë qëmtoi për t’ia zbrazur rrethit të ngushtë të tij Sali Berisha dhe u bashkua me të gjithë ata: në Dhjetor 1997, fare pak muaj pas Kretës, në gazetën e partisë së tij, “Zeri i Popullit”, ai e quajti UÇK-në një grup terrorist islamik”.
4) Veton Surroi “Këmbët e gjarpërit”, Prishtinë, 2014, f. 76
5) Në datën 23 Prill 2014 Kuvendi i Kosovës me 89 vota pro, 22 kundër dhe 3 abstenime e miratoi atë Tribunal, që do të funksionalizohet pas datës 14 qershor 2014, (i cili që do të merret me hetimin e raportit të senatorit zviceran, Dik Marti), ku të gjithë delegatët e UÇK-së në Rambuje qenë dakort, përfshi edhe Agim Çeku, i cili është antar i Qeverisë që e propozoi në Parlament këtë Tribunal! Edhe ish-kryeprokuroja e Tribunait të Hagës, Karla del Ponte, e cila kishte sajuar lajmin virtual për gjoja trafikimin e organeve nga UÇK-ja, duke folur për radion zvicerane SFR, është shprehur kundër këtij Tribunali, duke thënë se “nuk ka nevojë të ketë Gjykatë të re për të gjykuar krimet e pretenduara të luftës në Kosovë. Ka një Tribunal që trajton krimet e kryera në hapësirën e ish Jugosllavisë dhe se ky është Tribunali ndërkombëtar i OKB-së në Hagë. Të gjitha hetimet që janë bërë për krimet e mundshme në Kosovë, kanë qenë pjesë e këtij Tribunali. Të gjitha hetimet, të cilat janë kryer për krimet e supozuara në Kosovë, për të cilat planifikohet të themelohet Gjykata, deri më tani nuk kanë sjellë asgjë në dritë.”(www.radiokosovaelire.com, 24.4.2014).
6) Shih Bedri Islami “I vërteti”, Tetovë 2011, f. 210
7) Zekeria Cana “Ditari i Robërisë”, v.2, Prishtinë, 2000, f. 35
8) Shih J.Krasniqi, “Kthesa e Madhe”, f. 83
9) Shih Ramë Buja,“Konferenca e Rambujesë”, Prishtinë, 2006, f. 124 & Jakup Krasniqi,”Kthesa e Madhe”, f.181 dhe Madeleine Albright, “Zonja sekretare”, f.470
10) Bedri Islami: “Lëvizja-lindje e përgjakur”, Tetovë, 2012, f. 469
11) Gazeta “Epoka e Re”, e Premte, 12 Mars 2004
12) Shih “Arkivi i Radio Kosova e Lirë”, v.1, f. 387
13) Po aty, f. 164
14) Marc Weller,“The Ramboulliet Conference in Kosovo”.(Shih Shkëlzen Gashi “Marrëveshja për paqe të përkohëshme”, Prishtinë, 2004, f. 261)
446 ) Rexhep Qosja: “Ditari”, v.1, Tiranë, 2014, f. 120-121
15) Pr.Dr.John G. Stoessinger “Përse kombet shkojnë në luftë”, Tiranë 2009, f. 165
16) Pr.Dr.Paskal Milo:“Ditari i një ministri të jashtëm”, Tiranë 2009, f. 140.
17) Shih LDK: “Dr. Rugova në Hagë”, Prizëren, 2002, f. 49
18) Bedri Islami, “Lëvizja-lindje e përgjakur”, Tetovë 2012, f. 448-449
***
Pjesë e shkëputur nga libri i Dilaver Rezo Goxhaj “DRAMA e UÇK DHE E ADEM DEMAÇIT (Analizë e politikës në UÇK për periudhën 7 Mars 1998 – 2 Mars 1999) – Tiranë, 2014”
_________________
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (1)
http://www.pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8459
***
DILAVER R. GOXHAJ: DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (KUNDËRSHTITË DHE PRANIMI I KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (2)
http://www.pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8481
***
DILAVER R.GOXHAJ: DRAMA E UÇKsë DHE E ADEM DEMAÇIT (PRAPASKENAT E KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (3)
http://www.pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8488

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...