Home / Opinion / DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (KUNDËRSHTITË DHE PRANIMI I KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (2)

DRAMA E UÇK’së DHE E ADEM DEMAÇIT (KUNDËRSHTITË DHE PRANIMI I KONFERENCËS SË RAMBUJESË) (2)

Fotografia e Sheradin Berisha

Në 20 vjetorin e Konferencës së Rambujesë!

DILAVER R GOXHAJ

Pashtriku, 24. 02. 2019 – Zoti Jakup Krasniqi, në një përpjekje që ai bën, për të argumentuar vendimin e marrë nga Drejtoria Politike e UÇK-së, për pranimin pa kushte të projekt-marrëveshjes dhe shkuarjen në Rambuje, (më pas vendim i pranuar edhe nga Shtabi i Përgjithshëm), edhe pse parashihej eleminimi i UÇK-së, madje edhe pse e pranon që UÇK-ja ishte në kulmin e arritjeve të saj ushtarako-politike dhe e aftë për ta çliruar Kosovën, çuditërisht, më në fund ai jep edhe një arsye jo bindëse, (sipas gjykimit tonë), për të justifikuar se pse u lanë mënjanë ato arritje dhe u vendos të shkohej në Paris! Ai thotë: “Bashkësia Ndërkombëtare kishte njohuri të mjaftueshme se ofensivat e njëpasnjëshme të ushtrisë e policisë serbe të vitit 1998, jo vetëm që nuk e kishin zhdukur UÇK-në, por nga ato luftime ajo kish dalë më e fortë. Tani, UÇK-ja veç organizimit më të mirë, kishte me veti dhe përvojën njëvjeçare të luftës. Zgjatja e luftës, për bashkësinë ndërkombëtare do të thoshte zgjerim i luftës edhe jashtë kufijve të Kosovës… Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte faktor më i fuqishëm luftarak sesa kur kishte hyrë në luftë. Por, duke parë se lufta kishte hyrë në një fazë të re, të përmasave të gjera operative, duke parë sabotimin që iu bë luftës nga një pjesë e faktorit politik shqiptar, duke parë sabotimin që po i bënte luftës qeveria Bukoshi si dhe mbylljen e rrugëve furnizuese, pranuam të shkojmë në Rambuje.” (1).
Kur lexojmë këtë paragraf të zotit Jakup, natyrshëm na lind pyetja: Cilët ishin atëherë ato “shkaqe” aq të forta, që i detyruan anëtarët e Drejtorisë Politike të UÇK-së, të cilët, edhe pse kishin bindjen se: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte faktor më i fuqishëm luftarak sesa kur kishte hyrë në luftë” dhe madje, në momentin “kur ajo kishte hyrë në një fazë të përmasave të gjera operative”, të merrnin atë vendim kontravers?! Përgjigjia është e thjeshtë: Procesi i riorganizimit të strategjisë së luftës, që këshillonte Demaçi, nuk i kishte lejuar ata ta kuptonin të vërtetën; ata nuk e ndjenin se mendimet i kishin sipërfaqësore, të pathelluara dhe as që mund t’i thellonin. Për këtë shkak, ata ishin të prirur t’i besonin tepër shumë argumentit të autoritetit të postit që mbanin dhe jo autoritetit të argumentave që shtronte Përfaqësuesi Politik UÇK-së.
Për këtë arsye ata harronin që populli nuk i kish të tepërt bijtë e vet. Populli shqiptar i Kosovës kishte një mal me arsye për të mos besuar që serbët e Millosheviçit do të lëshonin terren, do t’i jepnin popullit të Kosovës lirinë në një pjatë të argjentë pas bisedimeve në një tryezë të thirrur nga faktori ndërkombëtar. Kjo kontraditë e shprehur nga zoti Krasniqi, në gjykimin tonë tregon se ata, anëtarët e Drejtorisë Politike të UÇK-së, nuk flisnin e as flasin edhe sot politikisht. Mos vallë ngaqë nuk dinin, e mbase nuk dijnë as sot, të manovrojnë politikisht me ndershmëri? Ndoshta, pasi politika është shkollë ose përvojë. Anëtarëve të Drejtorisë Politike u mungonin të dyja. E kundërta ndodhte me Adem Demaçin: ai kishte edhe shkollën, edhe përvojën politike të luftës së tij 28 vjeçare, për ta parë Kosovën të lirë e të pavarur.
Demaçi, duke e kuptuar qëllimin e vërtetë pse thirrej me aq urgjencë konferenca ndërkombëtare, (kuptohet, për të mos u realizuar mbledhja e Asamblea Kombëtare e Kosovës), ai i bëri publike arsyet e mospranimit të 10 pikave denigruese për palën shqiptare të asaj projekt-marrëveshje. Me këtë veprim të Demaçit, faktori ndërkombëtar ishte i detyruar ta shtynte datën e konferencës ndërkombëtare, nëse do të bazohemi në praktikat diplomatike. Mirëpo nga ky detyrim, ndërkombëtarët i çliroi vendimi i Drejtorisë Politike, i shpallur befasisht nga Jakup Krasniqi.
Drejtoria Politike nuk duhej ta merrte atë vendim pa u ulur në bisedime me Demaçin, me Shtabin e Përgjithshëm dhe me kryetarët e partive që ishin dakorduar për Asamblenë Kombëtare, ku të diskutonin për temat që ngjallnin shqetësime kapitale, sikundër ishte anullimi i Asamblesë Qytetare, e caktuar të realizohej brenda datës 10 Shkurt 1999, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike dhe të pakicave kombëtare në Kosovë. Ai konsultim bëhej edhe më i domosdoshëm për faktin që Drejtoria Politike asnjëherë nuk kishte thënë deri në ato momente se mbledhja e Asamblesë ishte një zgjidhje e pamundur, dhe se UÇK-ja nuk kish më mundësi të vijonte luftën për shkak të “sabotimit që po i bënte luftës qeveria Bukoshi si dhe mbylljes së rrugëve furnizuese”. Por, pranimi i 10 kushteve të panegociueshme nga ana e Dr.P dhe SHP, me këtë lloj justifikimi që na jep z.Jakup, do të thoshte se ata pranonin idenë se UÇK-ja ishte mundur, gjë që nuk ishte aspak e vërtetë.
Pastaj, këto “shkaqe” janë thënë publikisht pasi mbaroi lufta! Pse z.Jakup u jep fjalëve të veta dy kuptime? “Ai që u jep dy kuptime fjalëve të veta do që t’i mashtrojë njerëzit.”(2), thotë Volteri. Prandaj Demaçi kërkonte që Dr.P dhe SHP të uleshin për të diskutuar me atë dhe me forcat politike në Kosovë, që kishin pranuar idenë e Asamblesë Qytetare. Ulja në diskutim e tyre, kuptohet që do të kërkonte kohë gjersa të arrihej në një konsesus për të dhënë përgjigjen për shkuarjen apo jo në Rambuje. Mirëpo kjo do të bënte të mundur që të shpejtohej mbledhjen e Asamblesë para datës 10 Shkurt, duke e vënë faktorin ndërkombëtar para një fakti të kryer. Si rrjedhojë, faktori ndërkombëtar do të ishte i detyruar jo vetën të shtynte afatin e konferencës ndërkombëtare, por do të siguronte edhe zhvillimin e Asamblesë në Prishtinë dhe do të pranonte edhe vendimet që do të merreshin në atë Asamble. Më tej, pranimi ose jo i projekt-marrëveshjes do të varej nga vendimet që do të merrte Asamblea dhe jo me një telefonim të thjeshtë nga zotërinjtë H. Thaçi, Xh. Haliti, K. Veseli dhe A. Syla nga Tirana, dhe i shpallur nga zoti Jakup Krasniqi. Çfarëdo vendimi, për të cilin do të merreshin vesh, duhej të ishte rezultat i kompromisit dhe i lëshimeve reciproke brenda faktorit politik shqiptar dhe UÇK-së, kompromis, i cili nuk do të mund të arrihej në rast se, në radhë të parë, nuk do të kishte mirëkuptim midis Demaçit dhe Drejtorisë Politike e SHP.
Duke iu referuar ngjarjeve të asaj kohe, konstatojmë se ndër gjithë politikanët kosovarë vetëm Demaçi këmbëngulte për një diskutim të tillë mes UÇK-së dhe gjithë faktorit politik shqiptar, gjë që e lartëson shumë si politikan. Dhe, ajo që e dallon edhe më shumë nga të tjerët, këto mendime të tij nuk rridhnin nga ndonjë interes personal, por ngaqë kërkonte që të mos shkelej mbi gjakun dhe sakrificat e bëra gjatë një vit lufte. Përderisa Demaçit nuk iu mundësua konsultimi me Drejtorinë Politike, nuk kish se si të diskutonte ai me forcat e tjera politike për çështjen e Asamblesë Kombëtare (Qytetare), për arsyen e thjeshtë se ai nuk e kish atë të drejtë që të mblidhte apo ta anullonte vetë atë Asamble. Ai vendim i papritur i Dr.P dhe i SHP, i shpallur më 3 Shkurt 1999, përveç që anullonte marrëveshjen për bashkëveprim me gjithë faktorin politik shqiptar në Kosovë, përmes Asmablesë, binte ndesh edhe me komunikatën nr.71 të vetë Dr.P, lëshuar më 26 Janar 1999, ku theksohej: bazuar në kërkesat e komandave të zonave operative, si dhe në kërkesat që shtron koha, është marrë qëndrim që deri në 10 Shkurt 1999, të mblidhet Asamblja Qytetare(3). Kështu që Demaçin e nxuar në pozicion mat, duke e shmangur nga detyra kryesore që i patën besuar.
Natyrshëm na lind pyetja: Çfarë e detyroi Dr.P të anullonte arritjen më të madhe politike të popullit shqiptar në Kosovë, si kurrë ndonjëherë në historinë e tij, Asamblenë Kombëtare, e cila ishte në pragun e saj? Dhe përgjigjia më e drejtë mendojmë se do të ishte: Antarët e Drejtorisë Politike, duke bindur veten se po bënin shkëlqyeshëm udhëheqjen e një ushtrie çlirimtare në luftë për çlirimin e Kosovës, të cilëve luftëtarët e saj u besonin me fanatizëm të verbër, nuk po e kuptonin se me atë vendim kishin startuar shtrembër. Kjo vlen edhe për kryesitë e forcave politike legale të Prishtinës bashkë me “intelektualët e pavarur”, që e pranuan pa asnjë kusht projekt-marrëveshjen e Rambujesë, duke bërë anullimin e Asamblesë. Duke e përkrahur një praktikë përfundimisht amorale, ngaqë po i binin me top kompromisit historik për bashkim kombëtar, të gjithë ata ranë në provimin e etikës më elementare demokratike, gjë që i pengoi të shihnin lidhjen e saj me politikën; të gjithë ata ranë në ato pozita sepse e kishin bindur veten, se Adem Demaçi si individ nuk mund të loste ndonjë rol të madh në ecurinë e proceseve politike të luftës. Dhe kjo ngaqë i kishin hutuar emërtimet e funksioneve të larta që mbanin në UÇK dhe në partitë e tyre, pasi që tashmë e kishin harruar mënyrën e arritjes në ato funksione. Si rrjedhojë, ata dhe të “pavarurit” luftën që bënte populli shqiptar në Kosovë e barazonin me interest e veta të veçanta, të nxitur nga instikti i marrjes së pushtetit. “Politikën e komandojnë interesat (kombëtare) dhe jo emocionet. Atë e udhëheq arsyeja dhe jo instikti… politika është raport midis revolucionit dhe institucionit” (4), na mëson Ukshin Hoti. Dhe, duke e vënë interesin grupor mbi atë kombëtar, Drejtoria Politike, kryesuesit e forcave politike dhe të “pavarurit” eleminuan rastin më ideal për bashkimin gjithëpërfshirës shqiptar në Kosovë. Dhe këtë akt të tyre jo vetëm që e prezantonin si veprim të madh “patriotik”, por fatkeqësisht edhe e besonin dhe e besojnë si të tillë. Gjë që edhe sot e gjithë ditën shprehen në atë mënyrë. Kjo tregon se ata e kishin përvetësuar mirë qasjen cinike dhe jo atë idealiste ndaj luftës çlirimtare, duke harruar se pikërisht prezantimi në popull si idealistë i kishte avancuar në ato pozicione politike dhe ushtarake. Politikën e kishin reduktuar në një mjeshtëri për pazarllëqe dhe nuk e ndjenin se fjala ishte për interesa themelore të një populli të tërë.
Kurse Demaçi e shihte të paarsyeshme shkuarjen me aq urgjencë në Rambuje, mbi të gjitha, ngaqë nuk po zbatoheshin as rregullat më elementare të një marrëveshjeje. Një marrëveshje quhet e ndershme në rastin kur përfitojnë të gjitha palët pjesmarrëse në të. Marrëveshjet ndërmjet palësh nuk mund të diktohen nga njëra palë; ato duhet të bëhen në bazë të parimit të barazisë dhe të aspiratës së përbashkët për paqe. Hapi i parë për hartimin e një marrëveshjeje midis dy a më shumë palësh është që fillimisht të bëhen të ditura pikëpamjet e të gjitha palëve që janë të interesuara; pastaj shihen se cilat janë divergjencat ndërmjet gjithë atyre palëve; dhe më tej, se si ato mund të pajtohen. Pastaj kalohet në hartimin e marrëveshjes. Në rastin tonë konkret, projekt-marrëveshja, që do të nënshkruhej në Rambuje, qe hartuar pa ia marrë mendimin aspak palës shqiptare në Kosovë; duke e vënë këtë para faktit të kryer, duke i thënë: “Merreni këtë tekst marrëveshjeje dhe shkoni në Rambuje, e atje nënshkruajeni, pa patur të drejtë që të negocioni!”. Mbi të gjitha në asnjë rresht të asaj projekt-marrëveshjeje nuk tregohej se çfarë përfitonte Kosova prej saj. Pikërisht ato pika, për të cilat pala shqiptare në Kosovë nuk kishte të drejtë të negocionte, ato kundërshtonte Adem Demaçi, sepse ato e kthenin Kosovën në autonominë e vitit 1974, në kornizën e të drejtave të garantuara nga një kushtetutë të cilës tashmë nuk i kishte mbetur as nami e as nishani, sepse ish-Jugosllavia ishte shpërbërë dhe vetëm Serbia e Mali i Zi e përbënin atë tashmë. Përveç asaj, me atë projekt-marrëveshje eleminohej edhe UÇK-ja!
Me termat që përdorëm më lart, duket sikur ky është një përfundim disfatist. Por realiteti i tillë ishte.
Palës kosovare (shqiptare) nuk iu kërkua që të jepte qoftë edhe një mendim të thjeshtë për përmbajtjen e asaj marrëveshjeje që do të nënshkruante, por iu tha: Merreni dhe nënshkruajeni! Ky lloj trajtimi, përveç që ishte mospërfillje, ishte një fyerje e rendë, pasi ishte shprehje e qartë e mosnjohjes së luftës së armatosur të deriatëhershme dhe i mos respektimit të gjakut të derdhur nga shqiptarët për çlirimin e Kosovës!
Prandaj Adem Demaçi shtronte pyetjen:
– Çfarë fiton UÇK-ja dhe Kosova nga kjo marrëveshje?
Përgjigjia që Demaçi i jepte vetë asaj pyetje ishte: Asgjë!, veçse shkrihej UÇK-ja dhe “neve na afrohet një autonomi më e keqe sesa që e kemi pasur në vitin ‘74”(5). Për këto arsye Demaçi as që mund të pranonte nisjen në Rambuje dhe nënshkrimin e marrëveshjes me sy mbyllur, pasi “Luftrat guerile bëhen për të pasur të fituar e të humbur e jo për kompromis”(6), siç thotë me të drejtë Henri Kissinger.
Demaçi, ndryshe nga Rugova, ishte përfaqësues i “Real politikës”; ai ishte i bindur se nuk kish pse të falte në tavolinën e bisedimeve ato që mund të fitoheshin me pushkë e me gjak në fushën e betejës. Drejtësia morale e Demaçit nuk e pranonte (lejonte) diplomacinë elastike.
Zotërinjtë Kristofer Hill (ndërmjetësi kryesor i Grupit të Kontaktit për Kosovën), i ndihmuar nga Wolfgang Petriç (ambasadori i Austrisë në Beograd) dhe diplomatët e tjerë, duke e parë këmbënguljen dhe vendosmërinë e Demaçit për mospranimin e 10 kushteve poshtëruese për Kosovën dhe UÇK-në, në themel të gjithë u pajtuan në një pike: Të ndalohej forcimi i mëtejshëm i UÇK-së dhe të shpëtohej Rugova. Dhe kjo mund të arrihej me dy mënyra: para së gjithash të sabotohej mbledhja e Asamblesë Qytetare dhe, e dyta, të shkëputej Drejtoria Politike nga Adem Demaçi, duke i joshur antarët e saj me sigurinë e marrjes së pushtetit. Mirëpo, diplomacia publike që zbatonte Demaçi ndikonte mbi opinionin publik në Kosovë më shumë se mediat, duke formuar një imazh edhe më pozitiv për Demaçin, gjë që po e kthente në favor të tij shumicën e komunitetit shqiptar. Për këtë arsye diplomatët vendosën të shmangnin Demaçin dhe të lidheshin direkt me “majën përgjegjëse politike të UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Ramë Buja”(7). Kjo donte të thoshte ta “vrisnin” Demaçin me një lloj arme të shenjtë, kundër së cilës hakmarrja e tij ishte e pafuqishme, të cilën e pohon vetë zoti Demaçi, kur thotë: “Dhe, kur Petriç dhe të tjerët e kanë kuptuar se ne në zyrën tonë nuk heqim dorë nga pavarësia e Kosovës, atëherë ata janë drejtuar dhe kanë shkuar në mal vetë dhe kanë ardhë e kanë bërë hajgare me ne në zyrë, e na kanë thënë: a po ju vjen keq juve që ne po shkojmë në mal?! Unë vet me vete kam thënë: me këtë shkuarjen tuaj në mal, ju na e kajtët nanën, se me këtë po prishet marrëveshja që unë kam bërë në Tiranë me ata që janë në mal, ku u patëm marrë vesh që unë të bëja politikën e ata luftën”(8).
Çdo lloj ushtrie, e rregullt apo çlirimtare qoftë, është e varfër kur nuk ka në krye të saj intelektualë të mirëfilltë, vizionarë, të cilët duhet të shohin më tej se një arritje çfarëdo, sepse lufta nuk është as një betejë e vetme e as një çast, por një shumë betejash e ngjarjesh drejt një pikësynimi final – që, kur është në përputhje me vullnetin e popullit, të cilin e përfaqësojnë këta intelektualë, përbën një kurorë lavdie për ta.
Për fat të keq, duke mos qenë përgjithësisht të tillë, anëtarët e Drejtorisë Politike ndaj dhe morën atë vendim ku, përveç se anulluan rastin më ideal për bashkim gjithëpërfshirës në Kosovë, (së bashku me forcat e tjera politike legale dhe të “pavarurit”), i kthyen krahët politikanit të mirënjohur e me reputacion kombëtar e ndërkombëtar, që vetë e kishin ftuar t’i përfaqësonte deri në ato momente historike që po kalonte Kosova; njëkohësisht ata treguan se nuk kishin vizionin e duhur për të gjetur Nordin politik në ngjarjet që po zhvilloheshin si në terren ashtu edhe jashtë Kosovës. E pakta që mund të thuhet në këtë rast për ta është se u treguan naivë politikë.
Pas analizës që u bëmë këtyre zhvillimeve, jemi të detyruar të shtrojmë pyetjen:
– si është e mundur që të tillë persona, duke qenë se patën pranuar detyra politike me kaq përgjegjësi të madhe kombëtare, të arrijnë dhe të shmangin me kaq lehtësi e arrogancë shansin më fatlum të bashkimit kombëtar të shqiptarëve në Kosovë dhe simbolin shqiptar të rezistencës?
Cila është ajo forcë apo organ politik që i zgjodhi ata në krye të Drejtorisë Politike e të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, për të bërë “politikë kaq të madhe”?
“Më duket se ishte 7 Marsi 1998, unë kam qenë në Shqipëri”. – e fillon tregimin e tij, zoti Ali Ahmeti, antari i Sektorit të Rëndësisë së Veçantë i zgjedhur nga Këshilli Përgjithshëm i LPK -. “E gjithë kryesia e organizatës ishte në Tiranë. Selinë e kishim në Lidhjen e Shkrimtarëve… Erdhi Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi dhe u bë një debat i ashpër në Lidhjen e Shkrimtarëve, një orë debat i nxehtë ka qenë. Unë kam shkuar me vonesë, sepse isha me Bekim Berishën. Në fund ndarja ka qenë jo e pëlqyeshme nga Hashimi e Kadriu me Muhamet Kelmendin, (nënkryetar i LPK)… Kur ata hynë në Kosovë, dolën me një komunikatë se atje është Shtabi i Përgjithshëm, etj… U krijua një situatë jo normale.”(9)
Këtë dëshmi na e plotëson më tej vetë nënkryetari i Kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm i LPK, Muhamet Kelmendi: “Në Shoqatën e Shkrimtarëve të Shqipërisë, ku ishim duke mbajtur mbledhjen e Kryesisë, u futën Azem Syla, Xhavit Haliti, Hashim Thaçi me Kadri Veselin, si përfaqësues të Shtabit Qëndror të UÇK-së. Ne, këta (Hashimin dhe Kadriun, D.G), i njihnim si ndërlidhës midis LPK-së dhe UÇK-së, ndërsa tani na dalin si antarë të atij organi, i cili kurrë nuk ishte ndërtuar. Dhe për më tepër vinin për të thënë se UÇK-ja e ka bazën e vet politike, prandaj asaj nuk i duhet asnjë organizim tjetër, aq më pak Fronti”(10).
Plotësisht pas tre muajve këtë shmangie të LPK-së dhe të çdo force politike nga udhëheqja e luftës për çlirimin e Kosovës dhe të UÇK-së e konfirmoi publikisht z.Jakup Krasniqi përmes TVSH, në cilësinë e antarit të Dr.P dhe të zëdhënësit të SHP të UÇK-së, duke thënë: “UÇK-ja nuk ka nevojë për të qenë nën kontrollin e çdo force politike, pasi ajo e di vetë se çka bën”(11). Përmes kësaj deklarate anullohej njëkohësishtë në mënyrë të njëanshme edhe marrëveshja e SHP të UÇK me Lëvizjen Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK), e nënshkruar në fillim të muajit Maj 1998, për të cilën do të flasim në vijim.
Më tej Muhamet Kelmendi na tregon edhe periudhën e fillimit të dramës për UÇK-në: “Deri në Janar 1997 uniteti në kuadër të Degës për ndërtimin e UÇK-së ishte i padiskutueshëm. Si pasojë e vrasjeve dhe burgosjeve që ndodhën në Janar 1997, UÇK-ja mbeti pa udhëheqje ushtarake të vetën. Tash nuk kishte më Shtab Qëndror: ca u vranë, ca u burgosën dhe ca ikën jashtë vendit. Tërë udhëheqja kaloi në kuadër të Kryesisë së KP të LPK, Dega jashtë vendit. Me këtë filluan të duken edhe fërkimet e para, sepse dy antarë të sektorit (Xhavit Haliti dhe Azem Syla) kishin krijuar lidhje me disa forca brenda vendit (Kosovës), të cilat pretendonin të delnin në udhëheqje, edhe pse në asnjë sferë nuk kishin aftësi profesionale, as njohuri dhe nuk zotëronin as artin e luftës dhe të ushtrisë. Këta të dy, së bashku me disa brenda vendit, krijuan klanin që bëri grusht politik”(12).
“Shtabi i Përgjithshëm ka qenë më shumë enigmatik, më shumë sekret, me përbërje jo aq shumë profesionale”, dëshmon komandanti i zonës së tretë operative e UÇK-së, Ramush Haradinaj, dhe vijon: “E konsideroj periudhë krize se asnjë komandant zone nuk ishte anëtar i SHP të UÇK-së. Edhe kur mblidhej shtabi, aty mblidheshin Drejtoria Politike, zëdhënësit, shërbimet dhe ata diskutonin e merrnin vendime. Pse mendoj se ka qenë përbërje enigmatike? Sepse ne, komandantët e zonave, nuk i dinim përgjegjësitë e këtyre personave që mblidheshin në Shtab të Përgjithshëm. Kishte persona që deri dje figuronin dikund si emër dhe në momentin e caktuar bëhej zevendës komandant i ushtrisë, zëdhënës, përfaqësues për atje, përfaqësues për këtu, etj.”(13)
Por, cilat ishin kushtet që u shfrytëzuan për t’u shfaqur ajo dramë? “E meta themelore e tyre, (e LPK-së, D.G), do të thoja, ishte se për disa vite, nuk bënë të mundur që Këshilli i Përgjithshëm të konstituohej brenda në Kosovë, si organi më i lartë udhëheqës i Organizatës. Kur ata menduan se ishte koha për ta bërë, ishte tepër vonë, tashmë ishin të tjerë që i bënin regullat e lojës”(14), na e sqaron vetë Kryetari i LPK, prej 23 Majit 1998, zoti Bedri Islami.
Duke qenë se LPK-ja kish rënë në ato pozita dhe këta persona, që përbënin Drejtorinë Politike dhe SHP e shfrytëzuan atë pozitë të saj ngaqë kishin një bindje dhe mendësi të tillë, nuk kishin pse të konsultoheshin më me LPK-në, (jo dhe jo edhe me LKÇK-në), as minimalisht me zotin Demaçi. Besojmë se më vonë duhet ta kenë çmuar se me qëndrimin e tyre kanë nënshkruar një herë e përgjithmonë “vdekjen” e UÇK-së, një akt ky me pasoja serioze për të ardhmen politike të Kosovës.
Që të ishte sa më i ngushtë grupi i njerëzve që do të merrnin pushtetin të nesërmen e luftës, filloi lufta brenda tyre, të cilën na e bëjnë të qartë dy antarët e asaj Drejtorie Politike, të cilët janë edhe autorët që bënë marrëveshjen me zotin Adem Demaçi. Ja si na e tregon vetë z.Xhavit Haliti, në një mbledhje të kryesisë së LPK-së: “Largimi i Abazit (Ali Ahmetit) nga Sektori i veçantë është kërkuar nga Shtabi Qëndror brenda vendit (Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, D.G), për shkak të gabimeve që i kanë konsideruar ata si gabime, për shkak se nuk ka respektuar vendimet dhe kërkesat e tyre”. Të njëjtën gjë na e pohon edhe zoti Azem Syla, po në atë mbledhje: “Qëndrimi për largimin e Abazit është marë nga brenda”. Ndërsa zoti Bedri Islami e vijon shpjegimin edhe ai në po atë mbledhje: “Le ta lëmë për një herë tjetër faktin se cilët nga “brenda” kishin të drejtë të ndëshkonin dikë që kërkonte të fuste grupin e Fehmi Lladrovcit në luftë në Kosovë, pas thirrjes së Adem Jasharit në Prill 1996… Grupi për të cilin flitet, nuk ishte një grup anarkist, por aty bënin pjesë disa nga ajka e trimave të Kosovës”(15).
Se cilët ishin këta personat nga “brenda”, na e bën të qartë zoti Ali Ahmeti: “Hashimi fliste në emër të shokëve nga brenda, por jo në emër të një institucioni”(16)
Arsyen se pse këmbëngulnin personat “nga brenda” që të largohej Ali Ahmeti nga “Sektori i veçantë” e shpjegon zoti Ibrahim Kelmendi, anëtar i Kryesisë së LPK dhe një prej themeluesve të saj: “Hashim Thaçi pat shpifur se gjoja Aliu ka qenë neglizhent… Hashimi nuk e pat ngritur akuzën në emër të asnjë institucioni, e pat ngritur në mbledhjen ku ishte vetëm mysafir (i ftuar)… Ajo akuzë u ngrit si tentativë për të bërë komplot kundër LPK-së dhe UÇK-së, mundësisht edhe puç. Ali Ahmeti ishte anëtar i Sektorit të Rëndësisë së Veçantë, i bërthamës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, i formuar nga Kryesia e LPK-së… Akuzat qenë ngritur sepse pothuajse vetëm Aliu i kishte lidhjet me zonat e UÇK-së në Kosovë e Maqedoni dhe prandaj duhej të sajoheshin akuza të paqëndrueshme, fiktive, që një grup njerëzish të fusnin nën kontrollin e tyre strukturat e LPK-së dhe të UÇK-së”(17).
Duke qenë se për të dalë në krye të udhëheqjes së luftës u ndoq kjo praktikë, ndaj dhe “UÇK-ja nuk kishte as vijë të vetën politike, ndonjë subjekt politik që ta mbronte politikisht apo që të përcaktonte vijën dhe të paraqeste kërkesat politike para atyre ushtarake, ndërsa që ishte organizuar një “bërthamë alla-Hashimçe”, e cila as që e dinte situatën aktuale.”(18), pohon nënkryetari i LPK-së, M. Kelmendi.
Por se si do të quhej ky grup që po konturohej si udhëheqja e ardhëshme e UÇK-së, këtë na e bën të qartë antari i Këshillit të Përgjithshëm i LPK-së, Sadri Ramabaja, i cili thotë: “Duke e parë mungesën e përfaqësimit politik të shkallës që kërkonte koha, në njërën prej mbledhjeve të Shtabit Mobilizues, pata propozuar që Shtabi i UÇK-së ose do të duhej që ta pranonte publikisht LPK-në si krah politik, ose këtë punë t`ia ngarkonte Lëvizjes për Bashkim Demokratik në Kosovë. Nëse nuk e bënte as njërën e as tjetrën, atëherë le ta themelojë një Drejtori Politike dhe ta bëjë publik emrin e drejtorit dhe të përfaqësuesve të saj jashtë. Ndërkaq anëtarët e Shtabit kishim shprehur gatishmërinë për të hyrë në Kosovë dhe për t`u vënë në shërbim të UÇK-së. Këtë ide e kishte përvetësuar shpejt përfaqësuesi i LPK-së në këtë mbledhje të Shtabit, Ramadan Avdiu, dhe e kishte përcjellë tutje tek klani i tij. Natyrisht as atëherë e as sot, nuk kam diçka kundër pse u përvetësua ideja. Përkundrazi, jam ndjerë i nderuar. Por, duke lexuar librin “Lëvizja – Lindja e përgjakur”… disi u ndjeva keq, meqë kisha ndjesinë që përmes kësaj ideje, mund të kem kontribuar në shmangien e Kryesisë së LPK-së si organi më i lartë politik dhe marrjen nën kontroll të plotë të UÇK-së nga katërshja e famshme (Azem Syla, Xhavit Haliti, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi), për të cilën Ibrahim Kelmendi flet gjerësisht në këtë libër”(19).
Sikundër shihet, si nga përgjigja kontradiktore (e dykuptimshme) e sipërcituar e zotit Jakup Krasniqi, ashtu edhe nga dëshmitë e zotërinjve Bedri Islami, Muhamet Kelmendi, Ali Ahmeti, Ibrahim Kelmendi, Xhavit Haliti, Azem Syla e Sadri Ramabaja, (të gjithë me funksione të larta në udhëheqjen politike të LPK-së, e cila punoi 17 vjet për përgatitjen dhe shpërthimin e asaj lufte çlirimtare, si dhe krijimin e furnizimin e UÇK-së me kuadro, luftëtarë dhe mjete), ata që morën vendimin për të shkuar në Rambuje dhe që përbënin edhe delegacionin e UÇK-së në atë Konferencë, ishin po ata që përbënin “Shtabin Qëndror brenda vendit”, Drejtorinë Politike si dhe pjesën kryesore të Shtabit të Përgjithshëm të asaj ushtrie. Të vetemëruar në ato dy struktura drejtuese politiko-ushtarake të UÇK-së, ata u bënë përfaqësues të saj në Rambuje dhe shkuan atje duke pyetur vetëm njëri-tjetrin dhe duke e marrë vetë atë vendim dhe përgjegjësi.
Ky veprim i këtyre personave të dalë në krye të UÇK-së bëri të mundur marrjen nën kontroll të saj, struktura ushtarake e krijuar dhe e financuar nga LPK-ja, duke e shmangur përfundimisht këtë të fundit, e cila, nëse do të vijonte të ishte në krye të UÇK-së gjatë procesit të Rambujesë, (siç dihet, deri atëherë e pa kompromentuar), mund të supozohet që do të pranonte të bënte negociata, por me të tjera kushte e, për pasojë, edhe me të tjerë rezultate. E themi këtë duke patur parasysh përbërjen e udhëheqjes së saj, përvojën e tyre dhe parimin e kolegjalitetit në të cilin ata bazoheshin për marrjen e çdo vendimi.
Pas këtyre zhvillimeve duket qartë se prej atëherë UÇK-ja kontrollohej nga një grup i vetmuar. Mirëpo, lufta e vetmuar është e pashpresë, sado që të kesh me vete qoftë edhe një çetë të tërë me njerëz të aftë e besnikë, pasi nuk ke mundësi ta tërheqësh të gjithë popullin me vete. Përveç kësaj, ai grup nuk ishte i strukturuar siç duhej politikisht, prandaj edhe nuk kishte se si të përdorte metodat politike luajale për të marrë drejtimin e luftës dhe të organizmave të saj, veçse me metoda jo demokratike. Duke qenë se UÇK-ja udhëhiqej politikishtë vetëm nga një grup i vetmuar, të cilët me vetëdije e shmangën Asamblenë Qytetare, natyrishtë që ajo do të përfundonte në vetvrasje. Kjo është arsyeja kryesore, e cila bëri të mundur që UÇK-ja të bëhej “kurbani” i Marrëveshjes së Rambujesë, pavarësishtë se ai grup, të cilët ishin edhe delegatët e UÇK-së gjatë atyre bisedimeve, pamë se atje bënë përpjekje për ta shpëtuar atë. Por ishte vonë; atëherë e kish marrë me kohë “ferra uratën” dhe ato përpjekje i ngjanin më shumë një spektakli.
Lufta çlirimtare, që të jetë e tillë, duhet të ketë gjithmonë një bazë të gjerë shoqërore. Kjo e bën atë të domosdoshme për të bashkuar shumicën e popullit në luftë. Dhe për ta udhëhequr atë luftë nuk mund të ishin më të vendosur dhe më të aftë një grup prej 5-6 personash sesa dy lëvizjet politike, LPK-ja dhe LKÇK-ja, pasi ky grup njerëzish, edhe sikur të ishin gjeni në vetëvete as që mund të njihte mirë mentalitetin e gjithë masave në Kosovë. Kur ata e kuptuan këtë gjë, thirrën në ndihmë Adem Demaçin ngaqë ishte bërë sinonimi i popullit, të cilit, mes të tjerave, i vunë për detyrë të organizonte Asamblenë Qytetare (Kombëtare), nga e cila do të delte Qeveria e Koalicionit, organi që do të bënte udhëheqjen politike të asaj lufte. Por…, sikundër e pamë më lartë, edhe ajo u sabotua më pas.
Me këtë rast po hedhim edhe një mendim, sipas të cilit, supozojmë që ndërkombëtarët e kanë inicuar më herët këtë mënjanim të LPK-së, (por edhe të LKÇK-së dhe më pas Asamblenë Kombëtare), nga udhëheqja e luftës dhe UÇK-së, me qëllim që qysh të nesërmen e një konference të tillë, si ajo e Rambujesë, ata të mos e njihnin e të mos përballeshin me një apo më shumë struktura të organizuara politike. Ndoshta. Dhe ja përse e hedhim këtë mendim: Duke njohur aspiratën e shumicës së shqiptarëve në Kosovë, ku valonte ideja që me shpërberjen e ish-Jugosllavisë mund të arrihej bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, (një ëndërr e vjetër kjo dhe e pashuar asnjëherë prej Lidhjes së Prizrenit), s’kemi arsye të besojmë që nuk janë ndikuar edhe nga ky qëndrim. Por, duke qenë se ka shumë shqiptarë edhe në Mal të Zi e në Maqedoni, një bashkim i Kosovës me Shqipërinë, për Bashkimin Europian do të quhej destabilizim i rajonit, jo ngaqë detyrimisht i jepej faktorit shqiptar në Ballkan një rol përcaktues në zhvillimet e tij, por nga druajtja që vendet e këtij rajoni ishin dhe janë ende në raporte kontradiktore, e në disa raste edhe armiqësore, mes veti.
Ndërkohë, faktori ndërkombëtar europian, – gjithnjë e nënvizojmë për efekt të analizës, – nuk mund të merret si një i vetëm, unik, sikur të gjithë fuqitë që e përbëjnë atë kishin të njëjtin mendim për një zgjidhje afatgjatë të së ardhmes së Kosovës. Obsione të ndryshme, me sa dimë deri në 13 sosh, janë hedhur nëpër tryeza, në shtyp e forume të ndryshme për këtë problem, shumica e të cilave, siç kanë rezultuar nga koha, më së shumti kanë patur për qëllim të ngatërrojnë se sa të zgjidhin drejt e përfundimisht çështjen e së ardhshmes së Kosovës, deri në pavarësinë e saj të plotë.
Ndoshta mjaft qëndrime të panjohura, sa politike aq dhe diplomatike, sa të ndikuar nga faktorë ekonomikë e sa të tjera si pasojë e lidhjeve historike të disa prej këtyre vendeve me ish-Jugosllavinë, kanë përcaktuar jo pak edhe të ardhshmen e Kosovës, sipas vizionit që shpalosi Rambujeja. “Evropa ishte e ndarë. Franca historikisht ishte në favor të Serbisë. Madje Franca edhe pse ishte zgjedhur si vendi për bisedime për paqen, në vend që gjatë konferencës të qendronte asnjëanëse, u tregua shumë aktive në mbështetje të Serbisë, gjë që bie ndesh me parimet e doplomacisë për të tilla raste. Britania e John Majorit nguronte dhe po ashtu favorizonte Serbinë në disa aspekte” (20), theksonte një prej analistëvet anglezë, i cili e ndiqte nga afër çështjen e Kosovës. Prandaj “Shqiptarët ishin të alarmuar nga lëshimet që Rambujeja po i bënte Millosheviçit, se trupat e NATO-s do të quheshin si një forcë antiterroriste; ato ngjanin se do të përmirësonin misionin e serbëve.”(21), theksojnë publicistët anglezë James Pettifer dhe Miranda Vickers.
Diçka më konkretisht për këtë temë mund të gjendet në një fakt që u bë i njohur nga shtypi amerikan ditët e fundit të muajit Prill 2014, sipas të cilit, Karl Bild, ish kryeministër i Suedisë gjatë asaj kohe dhe më pas Ministër i Jashtëm i saj, jo pak i angazhuar në zhvillimet në Kosovë, njihej mirë për qëndrimet e tij proserbe.
Duke u kthyer më konkretisht në temën tonë, themi që udhëheqja politike e një lufte çlirimtare është mendja e saj, dhe pa mendje nuk ke ku vete, bëhesh copë e thërrime. Por udhëheqja politike e një lufte nuk mund të përbëhet kurrë nga pesë-gjashtë veta, por nga një armatë e tërë njerëzish dhe strukturash. Ndaj dhe Demaçi këmbëngulte që të mblidhte Asamblenë Qytetare.
Luftrat çlirimtare e kanë si objektiv strategjik marrjen e pushtetit, por kjo gjë bëhet përmes armëve, duke delegjitimuar pushtetin e pushtuesit hap pas hapi, dhe në të njëjtën kohë, duke krijuar strukturat e reja të pushtetit të ardhshëm. Por, pa një forcë të organizuar politike, në krye të ushtrisë çlirimtare, nuk mund të krijohen strukturat e pushtetit të ardhshëm. Jeta nuk zhvillohet sipas disa recetave të gatshme, por fjala është që me eleminimin e LPK-së si strukturë politike, u eleminua mundësia e krijimit të pushtetit të ardhshëm, pasi, sikundër thamë, një grup i vetmuar politik i pastrukturuar e madje si i improvizuar, nuk mundet të krijojë një strukturë pushteti të tillë në të gjithë territorin e vendit. Mos krijimi i këtij pushteti paralel u shfrytëzua mjeshtërisht nga ndërkombëtarët menjëherë pasi mbaroi lufta, ndaj dhe Qeveria e Përkohëshme nuk funksionoi sikundër e lypte nevoja.
Besohet që drejtuesit e Dr.P kur e panë se nuk e kishin këtë mundësi, thirrën Adem Demaçin, i cili, si politikan i mirëfilltë që është, menjëherë kërkoi të thirrte një Asamble Kombëtare (Qytetare) për këto qëllime.
Siç del nga dokumentet e kohës, gabimi i tyre thellohet edhe më shumë për faktin se këta delegatë të pakët në numër nuk u konsultuan as edhe me LKÇK-në, me të cilën kishin një marrëveshje për krijimin e Frontit Politik të Luftës(22), që do të hartonte rrugët dhe format e bërjes së politikës së saj.
Mbi analizën e këtyre zhvillimeve në prag e në vazhdim të Konferencës së Rambujesë, mund të shprehemi se nëse për marrjen e vendimit për shkuarjen apo jo në Rambuje dhe përzgjedhjen e delegatëve nuk do të ishte shmangur Asamblea Qytetare nga udhëheqja politike e luftës, (ose më herët LPK-ja dhe LKÇK-ja), këtë gjë do ta kishin bërë forumet e këtyre formacioneve politike dhe, midis të tjerëve, në përbërje të asaj liste do të ishin jo vetëm kryetarët e LPK-së, LKÇK-së dhe kryetari i Qeverisë të dalë nga Asambleja, por edhe ndonjë aktivist i shkathët politik i LPK-së apo LKÇK-së në Perëndimin, që mund të njihej me shumë personalitete të larta politike e shtetërore të vendeve të BE-së.
Edhe një vogëlsirë tjetër ka vlerë të nënvizohet: nëse ndodhte ajo përzgjedhje do të ishte shmangur fakti që 60 % e delegatëve të UÇK-së në atë Konferencë të ishin nga i njëjti lokalitet i Kosovës, që sot mund të shihet si shfaqja e parë e krahinorizmit në përcaktimin e të ardhmes së shtetit të ri, qëndrim ky që i bie ndesh standarteve demokratike që përcaktohen sot në Kushtetutën e Kosovës.
VIJON…
_________________
Burimet:
1) Jakup Krasniqi “Kthesa e madhe”, Prishtinë 2006, f.157-158
2) Volteri “Letrat filozofike”, Prishtinë, 1986, f.124
3) Arkivi RKL, vëll.1, f. 122
4) Ukshin Hoti “Filozofia plitike e çështej shqiptare”, Prishtinë, 1997, f. 161-162
5) Shkëlzen Gashi: “Marrëveshja për paqe të përkohëshme”, Prishtinë 2004, f. 23
6 ) Henri Kissinger “Diplomacia”, Tiranë, 1999, f. 684
7) Blerim Shala “Vitet e Kosovës”, f. 165
8) Shkëlzen Gashi: “Marrëveshja për paqen e përkohëshme”, f. 18
9) Bedri Islami: “I vërteti”, Tetovë 2011, f. 181-182
10) Muhamet Kelmendi: “Pse nuk u ndërtua Fronti për çlirimin e Kosovës”, “Iliria”,Tiranë 1999, 87-88
1 ) Gazeta “Rilindja”, 6 dhe 11 Korrik 1998
2) Muhamet Kelmendi: Po aty, f. 28
3) Bardh Hamzaj “Rrëfimi për luftën dhe lirinë”, Prishtinë, 1999, f. 70
4) Bedri Islami: “I vërteti”, Tetovë 2011, f. 380
5) Bedri Islami: Po aty, f. 219-220
6) Po aty, f. 176
7) Shih Bedri Islami, “I vërteti”, f.301-302
8) Muhamet Kelmendi, Po aty, f. 86
9) www. pashtriku. org, 15.04.2012
20) Shih Henry H.Perrit Jr.,Pristine,2008,f.190).
2 ) James Pettifer&Miranda Vickers:“Çështja shqiptare”,Tiranë-New York,2007, f.333
22) Shukri Klinaku: ”Vendimi fatal”, Çlirimi, Prishtinë, 2000, f. 82.
VIJON

About admin

x

Check Also

Kurti: Do të kemi shumicën në Kuvend pa koalicion, me Serbinë hapim kapitull të ri!

22- 02/2021 Albin Kurti Kryeministër Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u ...