Home / Të ndryshme / Ujqit me katër e me dy këmbë

Ujqit me katër e me dy këmbë

 

 

Nga, Dilaver Goxhaj

Të lindurit në dhjetëvjeçarin e parë të pasçlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit e huaj, sot pothuajse janë të gjithë gjyshër. Shumica e tyre natyrisht që janë fshatarë, pasi 80% e popullsisë në atë periudhë kohore jetonte ende në fshat. Aktiviteti krysor ekonomik i fshatarësisë ishte blegtoria dhe bujqësia. Ende nuk ishin krijuar kooperativat bujqësore në të gjitha fshatrat. Por edhe në ato fshatra që ishin krijuar, ato ishin të tipit artel. Kështu që baza kryesore e jetesës së fshatarit ishte prona private, ku të gjithë fshatarët ishin bërë pronarë të barabartë në tokë e bagëti, si rrjedhojë e reformës agrare. Por edhe kur u krijuan kooperatvat e tipit artel, çdo familje kishte 20 krerë bagëti të imta (dele dhe dhi) dhe dy lopë. Kryesishte këto bagëti kullosnin bazë fshati, duke patur bari të veçantë për dhitë, po ashtu edhe për delet dhe lopët, të cilët i merrnin bagëtitë në mëngjes dhe i kthenin në fshat në mbrëmje.
Çuditërisht, gjatë atyre dy dekadave të para të pasçlirimit, dimërat ishin shumë të ftohtë e të ashpër; bora fillonte të binte në muajin nëntor e shkrihej në muajin mars. Sikundër jemi dëshmitarë, me kalimn e dekadave ekosistemi ka ardhur gjithnji duke ndryshuar, dhe sot nuk ka dimëra aq të gjatë e aq të ashpër. Duke qenë se priudhat dimërore ishin shumë të gjata e të ashpër, kjo bënte që edhe egërsirat, sidomos ujqërit, si rrjedhojë e urisë, të afroheshin gjithnjë e më shumë pranë kopeve të dhive e të deleve, duke i sulmuar ato, të cilat kullosnin disi larg qëndrës së banuar. Ka pas edhe jo pak raste që ujqit sulmonin edhe natën brenda nëpër fshatra.
Kishte raste që edhe çdo ditë ujqërit sulmonin kopetë e deleve e të dhive, gjë që të gjitha familjet ishin në merak derisa të ktheheshin bagëtitë me bariun përkatës.
Ngaqë kjo frikë ishte e përditshme, fëmijët delnin në hyrje të fshatit, në orarin që ktheheshin delet dhe dhitë dhe, duke qëndruar në anë të rrugës, secili numuront delet ose dhitë e tij, nëse ishin kthyer të gjitha apo jo. Meraku ishte se mos ujku kish ngrënë ndonjë prej tyre. Dhe kur konstatonin se të gjitha bagëtitë ishin kthyer, e shprehnin gëzimin duke thirrur: Uraa, erdhën të gjitha, ujku nuk na ka ngrënë asnjë!
Kjo pjesë e historisë së atyre viteve m’u kujtua nga ngjarjet e ndryshme kriminale që kanë ndodhur e ndodhin shpesh me fëmijët, pothuajse në të gjithë qytetet tona këto dy-tre dekadat e fundit.
Çdo ditë shikojmë prindër e gjyshër që shkojnë e presin para hyrjes së oborreve të shkollave fillore daljen nga shkolla të nipav e të mbesave. Pothuajse, sa fëmijë janë në shkollë, aq prindër e gjyshër presin para shkollës në orën e fundit të mësimit. Në kohën që bie zilja e cila tregon mbarimin e orës së fundit, të gjithë këta gjyshër i drejtojnë sytë nga hyrja e godinës së shkollës, duke kërkuar me sy se a doli nipi a mbesa nga klasa. Njësoj sikundër bënin dikur këta gjyshër kur ishin fëmijë, kur prisnin gjithë ankth se mos u kishte ngrënë ujku delet apo dhitë.
Atëherë, kur këta gjyshër ishin fëmijë, ankthin e kishin për humbjen e bagëtisë nga ekzistenca e ujkut me katër këmbë; sot ai ankth është për humbjen e fëmijës, njeriut, nga ujku me dy këmbë.
Atëherë numurimin e ethshëm këta gjyshër e bënin në prag të mbrëmjes; ndërsa sot verifikimin e ethshëm të daljes apo jo nga shkolla të nipit a mbesës, e bëjnë në mesditë.
Ateherë këta gjyshër trembeshin se mos ishin dëmtuar nga ujku me katë këmbë që fshihej në pyje; ndërsa sot tremben nga ujku me dy këmbë që fshihet në qytet.
Duam apo nuk duam, kjo është Shqipëria e sotme.

Tiranë, 8.2.2019

Fotografia e Shoqata Labëria Belgjikë

About admin

x

Check Also

Rrëfimi i kolonelit: Kosova, nga plani sekret i Enver Hoxhës te sulmi i NATO-s

14-Mars-2019  Intervista/ Kolonel Sulejman Abazi, ish-komandanti i divizionit të Tiranës, rrëfen luftën ...