Fotografia e Gjon Bruçi
Gjon Bruçi 
98 VJETORI I LINDJES SE SHOQES NEXHMIJE HOXHA
SHËNIME NGA NJË TAKIM I PAHARRUAR
ME SHOQEN NEXHMIJE HOXHA

8 SHKURT 2014.
Së bashku me shokët Xhemal Shehu e Ilir Bita, dhe dy të rinj komunistë, Dhuratën dhe Albanin, bëmë një vizitë në shtëpinë e Nexhmije Hoxhës. Rasti ishte për ditëlindjen, por përveç urimit ne donim të bashkëbisedonim me bashkëluftëtaren dhe bashkëshorten e Udhëheqësit të paharruar, Enver Hoxha, prej së cilës mund të marrësh jo vetëm këshillat e moshës, por edhe përvojën e një lufte dhe pune revolucionare gjysëm shekullore në interes të popullit e të Atdheut.
Jo pa emocione u futëm në shtëpinë e thjeshtë, ku arredimi kryesor janë librat dhe fotografitë. Shoqja Nexhmije, ndonëse prej tri vitesh ka hyrë në dekadën e dhjetë të jetës, ngrihet vrik në këmbë dhe na përqafon duke na uruar mirëseardhjen. Pritja e thjeshtë por e përzemërt e bujare na çliron nga emocionet e çastit, dhe ndërsa Pranvera e Teuta na servirin gotat e rakisë, biseda jonë merr udhë. Është shoqja Nexhmije ajo që pasi na pyet për shëndetin e për familjet, hidhet në punën tonë komuniste, përvojën e së cilës ne e dëshirojmë aq shumë.
Shokët e mi kishin qenë disa herë në shtëpinë e shoqes Nexhmije, ndërsa unë e kam rastin e dytë. Në të parin, në 100 vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës, më 16 Tetor 2008 u gjenda në shtëpinë e saj me plot shokë, midis të cilëvce disa përfaqësues të Partive Komuniste e Punëtore të Europës e Botës. Ndaj nuk m’u dha mundësia të jem “violinë” e parë në bashkëbisedim. Kësaj radhe shokët më lanë të flisnja gjatë gjithë kohës. Dhe unë e shfrytëzova rastin të flisnja për shumë probleme. Aq më tepër që e Zonja e shtëpisë, më dëgjonte me shumë respekt e vëmendje.
Takimi dhe biseda me Nexhmije Hoxhën është privilegj. Është privilegj, sepse ajo është personi që ka jetuar, luftuar e punuar për dyzet e katër vjet në krah të Enver Hoxhës. Për më tepër, ajo ruan në mënyrë të shkëlqyer kujtesën për ngjarjet dhe për historinë e LANÇ dhe të Ndërtimit Socialist, një pjesë të të cilave edhe i ka hedhur në librat e saj të kujtimeve apo të publiçistikës.
Ndonëse e kishim kaluar “limitin” e një vizite urimi, aq më tepër se mikëpritsja, siç thamë më lart ka hyrë në dekadën e dhjetë të jetës, unë nuk harrova t’i kërkoj një privilegj: T’u jepte të rinjëve tanë komunistë, Dhuratës dhe Albanit, në mënyrë simbolike dokumentin e Partisë Komuniste Shqiptare. Nexhmije Hoxha, me një gëzim të sinqertë, mori dy dokumentet që i zgjatëm ne dhe i nënshkroi me një kaligrafi që rrallë e hasim në ditët tona. Pastaj u ngrit në këmbë dhe me një seriozitet ceremonial, ua dha Teserën e kuqe, Dhuratës e Albanit, duke i përqafuar e bërë fotografi më ta. Përfituam nga rasti dhe së bashku me një pjesë të familjes fiksuam këtë takim që do të na mbetet gjatë në kujtesë.
U larguam nga Nezhimje Hoxha duke i uruar ta kalojë 100 vjetorin e lindjes me sa më shumë çaste të gëzuara në mes familjarëve të saj dhe shokëve të Luiftës e të Ndërtimit Socialist.
Tiranë, 8 Shkurt 2014
. . . . . . .
Duke afishuar këto shënime të mbajtura e botuara në vitin 2014 në gazetën e PKSH, “Zëri i së vërtetës”, unë në emër të shokëve të mi komunistë sot në 98 vjetorin e lindjes së shoqes Nexhmije Hoxha, përsëris urimin: GËZUAR DITËLINDJEN, EDHE PLOT VITE TË TJERA TË QETA E TË GËZUARA NË GJIRIN E FAMILJES TUAJ DHE PRANË SHOKËVE TË LUFTËS E TË PUNËS, PRANË KOMUNISTËVE DHE GJITHË SHQIPTARËVE TË VËRTETË QË TË DUAN E TË RESPEKTOJNË PËR KONTRIBUTIN QË KE DHËNË PËR POPULLIN DHE ATDHEUN!

Fotografia e Gjon Bruçi

About admin

x

Check Also

Fabrikimi i frikshëm i personaliteteve të rremë

January 19, 2019  INTERVISTË – Ditët e fundit në publik janë denoncuar ...