Home / Histori / DOSSIER/ Ylli Meçe: Operacioni i dimrit, gjermanët, partizanët, por edhe ballistozogistët. Bashkëpunëtorët e nazistëve, përfaqësuesit feudoborgjezë dhe masakrat ndaj popullsisë shqiptare

DOSSIER/ Ylli Meçe: Operacioni i dimrit, gjermanët, partizanët, por edhe ballistozogistët. Bashkëpunëtorët e nazistëve, përfaqësuesit feudoborgjezë dhe masakrat ndaj popullsisë shqiptare

Historia duke qenë se është një shkencë, e cila merret me studimin tërësive të fakteve e ndodhive dhe lëvizjeve historike, si dhe me interpretimin shkencor e dialektik në periudha historike të caktuara që kalojnë popujt, ajo njëkohësisht jep edhe shpjegimin e vërtetë të tyre. Në raste të tilla, kur shoqëria njerëzore është e ndarë me klasa, secila palë (klasë), në këto fakte, ndodhi apo lëvizje me karakter shoqëror por edhe kombëtar, është pjesëmarrëse në to dhe kanë rolin e vet pozitiv qoftë ai, ose dhe negativ. E megjithatë secila palë këmbëngul në drejtësinë e veprimtarive të tyre me karakter historik duke justifikuar kështu edhe rolin pjesëmarrës të tyre si klasë e shoqërisë.

Shtrohet pyetja kush ka të drejtë?

Le të analizojmë veprimtarinë klasore apo dhe të shtresave të ndryshme të shoqërisë shqiptare gjatë të njërës prej periudhave historike më të rëndësishme të popullit shqiptar sikurse ishte ajo e pushtimit nazi-fashist dhe Lufta Nacionalçlirimtare deri në çlirimin e Atdheut – dhe nga kjo histori, le të shkëpusim Operacionin e Dimrit të pushtuesve gjermanë (nuk po fus për momentin se kush ishte bashkëpunëtor me ta). Para se të shkojmë te Operacioni i Dimrit do të vërejmë se “vakumin” e lenë nga fashizmi italian, i cili kapitulloi në vjeshtën e parë të 1943-shit e plotësoi nazizmi gjerman. Në të dyja rastet dy klasat kryesore por edhe shtresat e ndryshme mbajtën qëndrim të ndryshëm ndaj pushtuesit. Po pse ndodh kjo, kur popullata e Shqipërisë është pothuajse homogjene? Pse një pjesë e përkrahu pushtimin dhe pjesa tjetër jo? Cila klasë e përkrahu e cila jo, po shtresat e tjera ç’qëndrim mbajtën? Natyrisht që gjendja e luftës dhe pushtimet venë në provë, atdhetarët e vërtetë, nga ata që, edhe pse betohen dhe përdorin slogane atdhedashurie, në fakt i shërbejnë atij, pra pushtuesit.

Kasta drejtuese e Shqipërisë

Lufta, vendin tonë e kapi në një periudhë të tillë që sapo ishin hedhur marrëdhëniet e para kapitaliste, edhe pse ruheshin në masë të konsiderueshme marrëdhëniet feudale pra me pak fjalë– një vend feudoborgjez. Kasta drejtuese para, por edhe mbas arratisjes së Zogut, ishin feudalët, bejlerët dhe tregtarët e qyteteve por edhe bajraktarët mustaqellinj të trevave të veriut. Ata ishin të pasur dhe pasuritë e tyre përveçse vinin të trashëguara brez pas brezi, ato edhe shtoheshin me anë të taksave dhe detyrimeve që kish populli ndaj tyre. Sikur të mos mjaftonte kjo ata e ripnin fshatarin e ngratë duke e futur të punonin argat në tokat e tyre. Në këtë rast çfarëdo situatë politike sado e ndërlikuar të ishte ajo e deri në luftarake e pushtuese, për ata, do të mjaftonte që jo vetëm… të ruanin të pa prekur gjendjen e tyre ekonomike, por njëkohësisht t’u jepej më shumë mundësia për shtimin e saj, duke rritur nivelin personal të pasurive, qoftë kjo edhe nën ndonjë protektorat, pushtim apo edhe kolonializim. Kështu që, për rrjedhojë nuk ishte rastësi që elementët më në zë që përqafuan pushtimin, ose të paktën që nuk e kundërshtuan atë, ishin pikërisht bejlerët dhe agallarët e vendit dhe Kapidanët butaforikë e donkishotesk që kërkonin ende “Mbretin”. Kësaj klase, iu bashkëngjit edhe ajo shtresë intelektualësh të trembur gjer në palcë nga ideologjia dhe marshi fashist, saqë ishin të gatshëm t’u shërbenin atyre me çdo çmim nga ku, në një dorë mbanin flamurin huaj dhe në tjetrën atë shqiptar, duke reklamuar njëkohësisht fashizmin si avangard të qytetërimit dhe këta, të ashtuquajtur intelektualë na qenkëshin përkrahësit më të përparuar të shoqërisë shqiptare. Nga ana tjetër kemi masën e gjerë të popullit të varfër, e cila shtypej e shfrytëzohej vazhdimisht e që, përveç shtypjes ekonomike që u bënin bejlerët dhe agallarët vendas apo dhe tregtarët e mëdhenj u shtohej me këtë rast dhe një shtypje tjetër- vargonjtë e huaj të pushtuesit. Kësaj shtrese ju bashkëngjit ajo pjesë e inteligjencës së ndershme që e kuptonte rrezikun e madh, por edhe rinia shkollore dhe ato pak institute që ishin në vendin tonë. Pra, sikurse shikohet, në situata të ndërlikuara ka një polarizim të shoqërisë në dy ekstreme.

Po kush ishin këta përfaqësuesit e klasës së lartë feudo-borgjeze dhe çfarë përfaqësonin?

“Balli Kombëtar” ishte ajo organizatë pseudo-patriotike e cila grumbulloi rreth vetes të gjithë shtresën e parë. Jo vetëm kaq, por edhe vet nominimi që i bëri vetvetes duke u konsideruar “Balli i Kombit” do të thoshte “paria” “ajka” “baballarët që kishin qoshenë” në trapezën që kish shtruar armiku dhe më konkretisht -Mithat “Beu” ( Frashëri) – Ali Bej Këlcyra, Enver bej Risilia, Myfit Bej Libohova, Nuredin Bej Vlora dhe lista e bejlerëve ballistë është aq e gjatë sa dikush dhe mund të mendojë: Sa shumë bejlerë gjakpirës na paska pasur Shqipëria! Këta ishin derivati i parë duke u ndjekur nga karvani i derivatit të dytë, kemi Abaz Ermenji, Lef Nosin, Hasan Dosti, Azis Çamin, Xhemil Meçon, Safet Butkën , Kadri Cakranin, Skënder Muçon, Bahri Omarin, Eqerem Peshkëpinë, Qazim Koculin, Rexhep Mitrovicën dhe Xhafer Devën të Kosovës etj..etj..etj. Kjo bandë e madhe frymore ishte e para që do të nënshkruante protokollin e turpshëm me pushtuesit dhe që në histori njihet me etiketimin famëkeq “Protokolli Dalmazzo-Këlcyra”, nga ku ballistët angazhoheshin, se jo vetëm që prej tyre, italianëve nuk do t’u vinte gjë e keqe, por edhe do të bënin çmos për t’i luftuar ata që do prishnin rregullin e qetësinë në vend. Pavarësisht se “Legaliteti” hiqej se kish pikëpamje të kundërta me “Ballin”, vetëm për formën e qeverisjes, sepse ata donin mbretëri dhe jo republikë; ideologjikisht puqeshin me Ballistët dhe ajo që i bashkonte ata si Abaz Kupin ashtu dhe Mithat Frashërin nuk ish lufta kundër nazi-fashizmit, por lufta kundër Nacional-Çlirimtares dhe “ Rrezikut prej kuqalashëve” (nënkupto PKSH dhe partizanët). Ka aq shumë dokumente bashkëpunimi me okupatorin nga këto dy organizata, bile jo vetëm me okupatorin por edhe me qarqet më reaksionare të fqinjëve si me; Drazha Mihajlloviçin e Serbisë dhe Napolon Zervën e Greqisë, saqë urrejtja që kishin ndaj PKSH dhe Çlirimtares i bënte të bashkëpunonin dhe me djallin, vetëm e vetëm të evitohej rreziku i ardhjes së popullit dhe komunistëve në pushtet. Ardhja dhe triumfi i tyre do të thoshte dënim me vdekje dhe përmbysje rrënjësore e marrëdhënieve shoqërore dhe e klasës së bejlerëve dhe agallarëve. Këtë e dinte mirë dhe Anglia dhe Amerika. Ata ideologjikisht ishin me Ballin dhe Legalitetin (këtë do ta tregonin pas çlirimit) por situatat politike të asaj kohe e kërkonte të mbështetnin luftën kundër hordhive nazi-fashiste dhe ata që u kishin venë gjoksin luftës ishin formacionet partizane që shtoheshin çdo ditë dhe Komanda madhore e Shtabit të Përgjithshëm drejtuar nga Enver Hoxha. Ky fakt se Lëvizja Nac-Çl ish e vetmja forcë luftarake që e luftonte seriozisht armikun pranohet dhe në të gjitha dokumentet e aleatëve Anglo-Amerikanë

Ballistët edhe në Kodin e tyre i ashtuquajturi “Dekalog”, flasin në përgjithësi angazhohen për luftë kundër pushtuesve, por ajo jo vetëm që ngeli në letër, por me ardhjen e gjermanëve ata dolën hapur, sikurse bënë ballistët e gënjyer kosovarë që u inkuadruan në divizionin famëkeq me emrin e heroit tonë “Skanderbeg”. Futja e ballistëve në qeverinë kolaboracioniste të R. Mitrovicës nën diktatin gjerman e komprometon aq rëndë “Ballin”, saqë nuk gjen dot as sot argument për këtë akt, duke marrë pjesë dhe bërë bashkëpunëtorët kryesorë të masakrës së 4 shkurtit 1944 të udhëhequr nga ministri ballist i brendshëm Xh. Deva- Komandanti i Ballit Kadri Cakrani dhe ai i xhandarmërisë Hasan Dosti. Kjo ishte hakmarrja e ballistëve më shumë për dështimin e Operacionit gjerman të dimrit. Po pse Balli doli hapur pas tetorit të vitit 1943?! Në raport me forcën ushtarak italiane, gjermanët ishin paraqitur më këmbëngulës në idetë e tyre dhe tepër pedantë në agresione deri në vetësakrifikime. Kjo pati bërë, që në teatrin e luftimeve në Evropë të kishte korrur shumë fitore dhe një shtrirje të gjerë të hapësirës së pushtimit të përkohshëm duke krijuar edhe mitin e “pathyeshmërisë së ushtrisë gjermane”(Do të ndalej dhe thyhej tmerrësisht keq në Stalingrad në shkurt të vitit 1943 dhe ajo e Kurskut korrik po të atij viti). Nisur nga kjo Ballistët mendonin se nga operacioni i dimrit të nëntor 43 – mars 44, forcat partizane shqiptare do dilnin të shpartalluara, aq më tepër se partizanët në këtë operacion për hir të së vërtetës pësuan edhe disa humbje, por fundi i operacionit të dimrit nxori fitimtarë partizanët e jo gjermanët. Pra, në këto kushte shpartallimi i partizanëve, i leverdiste Ballit dhe me këtë rast gjermanët i kishin aleatë, pa e kuptuar se gjermani po i përdorte ballistët si mish për top për interesat e veta duke i angazhuar direkt në luftë kundër formacioneve partizane, bashibozukët forcat e xhandarmërisë e të milicisë shqiptare dhe ato të “Ballit Kombëtar”. Aty nga shkurti i 1944-s oficerët britanikë të gjeneralit Devis, njoftonin Londrën se për partizanët po bëhej tepër e vështirë të sulmonin gjermanët, pasi shpesh njësitet gjermane mbuloheshin nga Balli Kombëtar dhe se forcat e tija aktivisht luftonin kundër partizanëve, tashmë ato ishin bërë pjesë normale e çdo force gjermane. Po kështu edhe vetë përfaqësuesi i Hitlerit për Ballkanin në kulmin e Operacionit të Dimrit shkruan se…” Në operacionin e dimrit në përforcim të trupave tona gjermane do të mbështetnin gati 10 mije nacionalistë xhandarë e milicë dhe nga këta gjysma ishin të Ballit Kombëtar“ Futja e tre anëtarëve të udhëheqjes së lartë në qeverinë kuislinge të Rexhep Mitrovicës ( 1944) i diskreditoi edhe më tepër ballistët por jo vetëm kaq, ata 4 muaj të tjerë më vonë, pra në Operacionin e Qershorit do të ndodheshin në krah të gjermanit duke u futur direkt në luftime kundër partizanëve. Në këto kushte i gjithë “Dekalogu” Ballistëve ishte vetëm një maskë pseudo patriotike “një barrikadë prej kartoni”e përfaqësuesve të asaj klase që nuk i interesonin ndryshimet rrënjësore me karakter shoqëror që do të bënte Nacional-Çlirimtarja. Dhe ishte logjike që gjithë ata bejlerë e agallarë nuk ishin të interesuar të bënin reformë agrare dhe aspak që të krijonin barazi shoqërore. Sikur të kishte ndodhur që me të vërtetë, edhe pse nuk e donin PKSH, por të donin popullin dhe Atdheun dhe ta luftonin seriozisht armikun, do të ishin një forcë politike që mbas çlirimit do t’ia ngrinin më lart kryet Atdheut, ata sikur t’i kishin rrëmbyer armët dhe të luftonin do të ishin edhe ndofta forcë politike që do të konkurronte denjësisht PKSH-në, por këtë ata nuk e bënë, sepse ishte klasa që përfaqësonin që i bënte të tillë. Javët e fundit të jetës naziste në Shqipëri forcat balliste të Mithat Frashërit u bashkuan me forcat e “legalitetit” të Bazit të Canes (Abaz Kupit) duke formuar edhe një qeveri qesharake që e etiketuan”Qeveria e maleve”, e cila ish më e jetëshkurtra në histori, sepse jetoi vetëm tre javë, ngaqë ata të gjithë disa ditë më vonë do të imbarkoheshin në një anije të”Abverit” gjerman, duke marrë rrugën e “Mërgatës” duke u shpërndarë nëpër Evropë si zogjtë e Ahmet Zogut. Dhe ky nuk ishte vetëm fenomen shqiptar, sepse të tillë ishin edhe “çetnikët” e serbit Mihajlloviç “ustashët” e kroatit, Ante Paveliç dhe zervistët e grekut Napoleon Zerva, ku të gjithë këta pa asnjë përjashtim bashkëpunuan hapur me armikun. Të gjithë këta ashtu si ballistët tanë bashkëpunuan me pushtuesin, por mbas çlirimit asnjë prej tyre nuk i ka rehabilituar tradhtarët e atdheut… Ata e tradhtuan Atdheun, por i qëndruan besnik klasës që përfaqësonin, sepse për klasën që gëzon privilegjet dhe të mirat materiale, është e vështirë t’i dorëzojnë ato vullnetarisht popullit. Shikoni sot kupolën moderne e ballistëve të majtë e të djathtë që aspirojnë për në Evropë! Ju lutem, të jepni një shembull, e vetëm një të vetëm, që këta pasuritë e tyre t’i kenë vënë e shkrirë në shërbim të popullit…. dhe unë që nesër do të bëhesha ballist! Por duke qene se s’ka…. unë le të ngelem ai që jam, në anën e klasës dhe popullit fukara. Ja kjo është historia!

About admin

x

Check Also

Sabri Kiçmari: Fehmi Lladrovci u bojkotua nga Thaçi me shokë

   / huazuar nga Gazeta Express/ 24 Gusht 2019 Ish-kandidati i PDK’së ...