Home / Lajme / Të nderuar qytetarë të Republikës,

Të nderuar qytetarë të Republikës,

Albin Kurti

 

Deputetë të Kuvendit,

Kabinet i Qeverisë,

Në vitin që shkoi është rritur papunësia e përgjithshme, është rritur papunësia te të rinjtë, vetëm papunësia te gratë ka mbetur njësoj sepse është aq e lartë saqë s’rritet dot më – vetëm një në tetë gra ka vend pune. Sot lajm po bëjnë punëtorët që nuk janë në grevë e jo ata që janë në grevë. Paga e Presidentit është 17 herë më e lartë se paga minimale e përcaktuar me ligj, ndërsa pagat e shoferëve të administratës së lartë janë me koeficient më të lartë se të drejtorëve të shkollave. Është rritur edhe korrupsioni teksa rendet e njerëzve për viza para ambasadave po shtohen, kurse korrigjimi i demarkacionit Meha, me të cilën u mashtruan deputetët, nuk është askund.

Sikur këto të mos mjaftonin, një rrezik tjetër po na dominon: ndarja e Kosovës që emërohet herë si shkëmbim territorial e herë si korrigjim i kufirit. Në vitin e kaluar, Presidenti i Kosovës paralajmëroi ‘kompromis të dhimbshëm’, ndërkaq këtë vit e filloi duke shprehur gatishmëri dhe vullnet për kompromiset e nevojshme me Serbinë në marrëveshjen e cila na qenka afër.

Presidenti Thaçi ose bën blof me idenë e zgjidhjes finale dhe pajtimit historik me Serbinë, ose tashmë ka marrëveshje të fshehtë me Serbinë. Shpjegim tjetër nuk ka. Por, edhe dilema nuk ka, sepse në secilin rast ky President është delegjitimuar dhe diskredituar. Ajo çfarë kemi sot nuk është dialog por pazar. Sepse nuk është dialog me Serbinë ku Kosova do të ishte subjekt, por veçse pazar me Serbinë ku Kosova është bërë objekt.

Pasi që Rusia dështoi me puçet e saj në Mal të Zi dhe Maqedoni, pse do të duhej që ajo të ketë sukses në Kosovë!? Presidenti Thaçi e thekson ulësen në OKB pikërisht që të na e sjellë Rusinë në lojë sepse ajo është në Këshillin e Sigurimit. Shteti i Kosovës ka bërë ndryshim të madh në politikën e jashtme duke zëvendësuar Gjermaninë, por edhe Britaninë e Madhe, me Rusinë. Prapa këtij riorientimi është besimi se Evropa ka vdekur, se Bashkimi Evropian ka mbaruar, dhe se ne duhet ta braktisim atë. Ne mund ta ndryshojmë gjendjen tonë me punë e drejtësi dhe të bëhemi anëtarë të BE-së një ditë, por ne nuk mund ta ndryshojmë as për shekuj faktin se jemi e do të mbetemi në kontinentin evropian. Ne nuk e kemi filluar Bashkimin Evropian dhe ne nuk mund ta përfundojmë atë dhe ne nuk duhet ta dëshirojmë këtë.

Se çka don Serbia e dimë mirë. Jo vetëm nga përvoja jonë e hidhur por edhe nga aspiratat e shprehura të saj. Pas ‘razgraniçenjes’, siç e quajnë ata, me shqiptarët duke e ndarë Kosovën, Serbia don edhe ‘razgraniçenje’ me kroatët për ta ndarë Bosnjen. Ky është skenar për luftë, e jo dëshirë për paqe.

Në vend të reciprocitetit të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, ashtu siç e kemi votuar në këtë Kuvend me 7 dhjetor të vitit 2011, tash kemi tarifën 100% për mallrat e Serbisë. Ne kemi qëndrim të kundërt si Lëvizje VETËVENDOSJE! me presidentin dhe kryeparlamentarin. Ata duan që të hiqet tarifa 100% me Serbinë dhe të mbetet Haradinaj kryeministër, ne kërkojmë të kundërtën: të largohet kjo qeveri dhe Haradinaj e të mbetet kjo tarifë. Skandalet e panumërta të keqqeverisjes dhe korrupsionit nuk mbulohen me një tarifë.

Mbi të gjitha, nuk ka kuptim dialogu i ri me Serbinë përderisa për çdo ditë kemi ftesa të reja nga Gjykata Speciale për luftëtarët e UÇK-së. Nuk ka kuptim dialogu i ri përderisa ky Kuvend yni ndodhet në Gjykatën Kushtetuese tek e cila Presidenti ka pyetur se a mund të na anashkalojë neve deputetëve kur ai nënshkruan marrëveshje ndërkombëtare. Edhe gjykata edhe negociata, nuk shkon. Edhe UÇK-në edhe Kuvendin i kemi në gjykatë dhe, na thonë, ejani të bëjmë shpejt e shpejt marrëveshje finale e gjithëpërfshirëse e pajtim historik me Serbinë, pikërisht në këtë pranverë kur ne do të shënojmë përvjetorin e 20-të të nja 300 masakrave të Serbisë anembanë komunave të Kosovës. Sivjet, midis 24 marsit dhe 12 qershorit për çdo ditë do të përkujtojmë nga tri a katër masakra të vitit 1999 të cilat i mbushin dy dekada. Prandaj ndaluni! Nuk guxojmë të gabojmë. Duhet të nxjerrim mësime, që të mos përsërisim gabime, nga dialogu 2011-2017. Nuk bën që për ato gjashtë vjet të mos diskutojmë as gjashtë orë në këtë Kuvend. Pra, le ta shqyrtojmë raportin 41 faqësh të qeverisë për të arriturat dhe sfidat e marrëveshjeve të Brukselit. Kemi hyrë në javën e 30, jo të tretë por të 30-të, edhe ai nuk po vjen këtu. Pastaj, kërkesat tona ndaj Serbisë: njohja, reciprociteti, reparacioni, sukcesioni etj., dhe vetëm më pas platforma me parime dhe ekipi negociator legjitim.

Protesta e 29 shtatorit ishte masive e madhështore, por ajo do të jetë e vogël krahasuar me protestat e ardhshme nëse nuk ndalet ky president në aventurën e tij personale.

Ju falemnderit.

About admin

x

Check Also

Rrëfimi i kolonelit: Kosova, nga plani sekret i Enver Hoxhës te sulmi i NATO-s

14-Mars-2019  Intervista/ Kolonel Sulejman Abazi, ish-komandanti i divizionit të Tiranës, rrëfen luftën ...