Home / Opinion / Obsesionet e Thaçit dhe frika e shndërruar në merimangë

Obsesionet e Thaçit dhe frika e shndërruar në merimangë

Nga Dr. Sadri Ramabaja, shkruar në Qendrën e Paraburgimit në Lipjan 

 

“Djalli … është një vrasës që nga fillimi dhe s’ka të bëjë me të vërtetën, sepse në të nuk ka të vërtetë. Kur thotë gënjeshtra, flet nga vetja e tij, sepse është gënjeshtar dhe i ati i gënjeshtrës.” (Gjoni 8:44)

Segmente të veçanta të drejtësisë në Kosovë, duke qenë se janë mbetje të sistemit të drejtësisë serbe të epokës së Milosheviqit, të selitur në një “mjedis të moralit të përlyer”, siç do të shprehej Vaslav Havel, lehtësisht janë shndërruar në instrument të politikës edhe tashti; ata e kanë të vështirë ta kuptojnë kauzën për Republikë të pavarur e njerëzore, prandaj për çdo ditë po dëshmohet  se vetëm kanë ndërruar padronët.

Duke reflektuar ndërkohë pas seancës së dhjetorit (2018) në përballje me shpifjet e ulëta të dëshmitarit, Hashim Thaçi, që për fatin tragjik të këtij brezi dhe të Kosovës, është edhe president i  Republikës, krahas aferës së njohur të Drajfusit, është koha ta risjellim në vëmendje edhe Magna Kartën , që tashmë ka bërë 800 vite histori. Karta e Lirisë, si themeli i të drejtave të njeriut, ose siç është shprehur Uinston Çërçilli për të në një plan më të gjerë: “Karta e çdo njeriu që e respekton veten në çdo kohë e çdo vend”. Kjo Kartë ia mundësoi aristokracisë angleze t’ia bëjë të qartë mbretit se “Ligji dhe jo mbreti është sovrani”, ndërkaq ne sot “mbretit tonë të pakurorë”, ka ardhur koha t’ia bëjmë me dije se ai nuk mund të jetë assesi mbi ligjin dhe se shpifja vazhdon të jetë e sanksionuar si vepër penale.

Hashim Thaçi, një zhbirues në ujë me pseudofakte

Në dëshminë e tij Hashim Thaçi, përveç të tjerash, ma  veshi  autorësinë edhe të kumtesave të para të “ Shtabit inegzistent “, siç u shpreh ai abetarisht, të UÇK-së në Zvicër. “Ai shtab bënte kumtesa që na e patën dëmtuar  shumë luftën në Kosovë”, foli kuturu Thaçi nga froni i Zeusit edhe më 28 dhjetor 2018, duke drejtuar gishtin nga unë si autor i atyre kumtesave dhe rrjedhimisht edhe si autor i letrave të Murat Jasharit, të adresuara publikisht një pjese të politikanëve aktual!

Gradacioni i akuzës pastaj erdhi duke u intensifikuar. “Pas kësaj ndërmarrje kriminale vrasëse (e kishte fjalën për “Syrin e Popullit”, që  po rezulton të jetë organizatë fiktive, e krijuar nga SHIK-u), qëndron  Sadri Ramabaja, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca!”

Thaçi vazhdon me shpifje të paskrupullta tutje: ”Shkrimi i letrave ka qenë i orkestruar nga Sadri Ramabaja, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca dhe nga dy-tre miq të Ramabajës që jetojnë jashtë!”

Më tej, duke prekur kulmin e marrëzisë, Thaçi lëshon bombën plot tym: ”Iniciator për themelimin e “Syrit të Popullit” dhe ideatorë të saj  janë: Sadri Ramabaja, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca,  dhe atë që në vitin 1998/99!”

Thaçit sikur nuk i bëhet vonë fare se Glauku atëbotë mund të ishte 13 a 14 vjeç, pra fëmijë!

Por akuzën ai nuk e përmbyll dot vetëm me kaq. Vazhdoi tutje,  duke zhbiruar në ujë me pseudofakte të tjera: ”Këta janë një bërthamë e vogël e organizatës “Syri i Popullit”, flas për z.Ramabaja; janë të strukturuar , kanë marrë vendime  për themelimin e kësaj organizate kriminale; kanë angazhime të planifikuara me qëllime politike, një metodologji të kësaj natyre ata e kanë aplikuar edhe në vitet 1989/99, kur Sadri Ramabaja dhe dy-tre të tjerë nga diaspora, të nxitur nga shërbimet e ndryshme, për ta kompromentuar UÇK-në, kanë hartuar e publikuar komunikata e shkresa të tjera  të përafërta  me ato që ia kanë shkruar Murat Jasharit”!

Prokurori Hoxha, nën hijen e superprokurorit Thaçi!

Pas krejt këtyre akuzave, që nuk janë në aktakuzën e ngritur nga prokurori  shumë i zellshëm i PS, z. Hoxha, duket se Gjykata do të jetë në hall  se cilën akuzë ta marrë të mirëqenë. Faktet juridike mungojnë, si për aktakuzën e z.Hoxha, si për këtë të z.Thaçi, por duket se pak rol do të kenë!

Në të njëjtën linjë politike ishte edhe dëshmitari tjetër pararendës, Kadri Veseli, që fatkeqësisht është kryetar i Parlamentit, pra i tempullit të demokracisë!

Derisa ndaj shpifjeve të Kadri Veselit nuk reagova fare, duke u pajtuar me paralajmërimin që i bëri avokati im, për ngritjen e padisë për shpifje, ndaj deklaratave të “shoumenit” Thaçi, reagova shkurt: “ Këto çka dëgjuam nga dëshmitari Thaçi, e nderuara gjykatë,, nuk janë asgjë tjetër, përveç insinuata  të ulëta, tejet të paskrupullta dhe shpifje ordinere”. Ndërkaq, pas ndërhyrjes së kryetares për ta ndërprerë fjalën, nëse nuk kam pyetje konkrete, shtova:” Po, kam edhe pyetje konkrete, duke iu drejtuar dëshmitarit: “ z. Thaçi, a ndjeheni keq, kur publikisht gënjeni?”

Pas kësaj  pyetje kryetarja e trupit gjykues  ma ndërpreu fjalën, duke paralajmëruar se mund të më largojë nga salla përdhunisht, ndërkaq unë reagova duke e cilësuar gjyqin: tërësisht politik, të tipit stalinist.

Ky proces është një recidiv i kulluar i praktikave të UDB-së

Në këtë seancë, që gjithsesi do të hyjë në analet historike të gjyqësorit  tonë,  jo vetëm unë, por besoj thellë se edhe opinioni, kemi mësuar  se organizatën fiktive “Syri i Popullit”, me gjasë reale, e ka krijuar SHIK-u, pra dyshja Thaçi-Veseli dhe bashkëpunëtorët e tyre, që në Kosovë më shumë njihen si klani Pronto.

Intenca këmbëngulëse për ta lidhur “Syrin e Popullit” me VV-në shpjegon çdo gjë. Akuzat ndaj meje të dyshes Thaçi-Veseli dhe të zgjeruara tashti në gjykatë, por jo të dhëna me shkrim tek prokurori, nga ana e Thaçit, jo vetëm për mua, por edhe për Albin Kurtin dhe Glauk Konjufcën, duke sjellë si “provë” deklaratën e tipit banal:  “e kam dëgjuar  vetë kur Albin Kurti i ka thënë Glaukut se këta duhet eliminuar”, e dëshmojnë katërçipërisht pohimin e kahershëm të Dilaver Goxhajt , ish- zvëvendësshef i Shtabit Operativ të UÇK-së, se “Syri i Popullit” është krijuar nga Kadri Veseli dhe vartësit e tij në SHIK”. Ai këtë e thotë duke iu referuar pohimit  të Jakup Krasniqit  në librin e tij ”Kthesa e madhe – Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, por edhe për faktin se ky proces është një recidiv i kulluar i praktikave të UDB-së, rrjedhimisht edhe i proceseve të montuara politiko-ideologjike.

Klani PRONTO, për ta eliminuar konkurrencën, fabrikon kundërshtar fiktiv

Akademiku i njohur amerikan, liberali Samuel Ghatington, duke u marrë me fenomenin e pushtetit dhe intencave për mbajtjen e tij me çdo kusht e çdo çmim, qe shprehur: “Arkitektët e pushtetit në Shtetet e Bashkuara duhet të krijojnë një forcë që ndihet, por nuk shihet. Pushteti vazhdon të jetë i fortë  kur mbetet në errësirë; kur i ekspozohet dritës së diellit, fillon të avullojë”.

Këtë këshillë të Ghatington-it duket se krerët e ShIK-ut nuk e kanë marrë parasysh, kur bënë transformimin  e tyre në vitin 2008. Pushteti i SHIK-ut ishte i fortë atëherë kur vazhdonte të vepronte nga errësira, i strukur në prapaskenat e politikës dhe biznesit. Kur ai “u shua” zyrtarisht dhe mori nën kontroll  të plotë institucionet publike e kushtetuese, duke katapultuar  në krye të agjencive shtetërore të pavarura, të institucioneve të drejtësisë e sigurisë, të ndërmarrjeve publike, të universiteteve e deri tek çerdhet për fëmijë, njerëzit e vet – militantët tipik, pra kur ai iu ekspozua dritës së diellit, nuk kishte si të mos fillonte procesi i “ avullimit”.

SHIK-u  që është nusprodukt i Drejtorisë Politike të UÇK-së,  Drejtorisë për Informim Publik, Drejtorisë për Propagandë, por njëkohësisht edhe i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, duke krijuar “Syrin e Popullit”, duke shpifur “armiqtë e popullit” përmes një inxhinieringu politik, tipik për qeveritë autoritariste (si ato në Venezuelë, në Rusi, në Hungari e Turqi, etj.). në përputhje me metodologjitë e UDB-së së epokës së Rankoviqit apo KGB-së së Stalinit, natyrisht duke shpërfillur parimet bazike të shtetit të së drejtës dhe drejtësisë që rezervon prezumimin e pafajësisë, duke ma rezervuar mua fatin e Krishtit, ata më 28 dhjetor 2018 u hodhën tërësisht në sulm. Thaçi dhe Veseli, në fakt, më 28 dhjetor 2018 zëvendësuan prezumimin e pafajësisë me prezumimin e fajësisë.  Madje duke e fuqizuar  prezumimin e fajësisë “me harangën e dënimit paraprak e paragjyqësor, ndëshkimit e persekutimit publik, moral e shoqëror”, siç do të shprehej, me plot të drejtë e plot mllef, Hydajet Hyseni.

Por jo vetë kaq, kjo dyshe që mban peng Republikën aktualisht, tok me vartësit e tyre, më 28 dhjetor 2018 dëshmoi se edhe pas 20 viteve ata vazhdojnë ta kenë obsesion ish udhëheqjen e vjetër të LPK-së, pavarësisht se që nga puçi i majit të 1998 , ajo është larg çfarëdo ndikimi real në jetën politike të vendit. Por më shumë se atë grusht idealistësh të LPK-së, tashmë pa ndikim në skenën politike, ata  e kanë obsesion secilin intelektual që merr guximin dhe angazhohet brenda dhe tok me VV-në.

Kulmi i obsesioni gjithsesi mbetet Vetëvendosja, meqë klani Pronto gjykon se është ajo që mund t’ia rrezikojë pushtetin.

Thaçi imponoi “Diktaturën e dezinformimit“

Në studimin e jashtëzakonshëm të dy profesorëve të Harvardit –  Steven Levitsky, Daniel Ziblatt: ”Si vdesin demokracitë”(How Democracies Die by Crown), New York 2018 , tek marrin në objekt të vëzhgimit procesin e varrimit të demokracisë, shprehen: “ Përderisa diktaturat e shkollës së vjetër, rivalët e tyre shpesh i izolonin, ose edhe i detyronin të shkonin në ekzil dhe atje i vrisnin, autokratët e ditëve tona me dëshirë represionin e tyre e fshehin prapa fasadave legale“.
Seanca e 28 dhjetorit 2018 na e shpërfaqi pikërisht këtë fasadë legale, ndaj meje.

Shih për këtë, ata që në të ardhmen e afërt do të merren me historinë politike të Kosovës, duke marrë në konsideratë stenogramin dhe procesverbalin e kësaj seance, fare lehtë mund të konstatojnë se, pikërisht në atë seancë, është inauguruar “Diktatura e dezinformimit“. Qëndrimi dhe metodologjia  përmes së cilës Thaçi imponoi, krejt kundërligjshëm –  manipulimin e opinionit përmes mbylljes së seancës për mediat dhe publikun, gjoja në emër  të ruajtjes së sekretit shtetëror, megjithëse nuk tha asgjë të re që nuk kishte thënë në pjesën e hapur të seancës, lë të kuptohet se ai është në panik. Kjo sjellje e tij mund të jetë  në përputhje me kulturën e rrenës që ka promovuar  Dobrica Qosiqi  e që e ka përvetësuar Thaçi, por krejtësisht  në shpërputhje me kulturën tonë, etnopsikologjinë tonë.
Por, ashtu siç nuk iu rrezistuan kohërave rrenat e Qosiqit, nuk do t’iu rrezistojnë proceseve të ardhshme politike edhe varrmihësit e demokracisë kosovare.

Sociologu zviceran, Norbert Elias, vë në spikamë se humbja përmbajtjesore e pushtetit paraqet një ngjarje traumatike. Duket se ata (Thaçi dhe Veseli) po e parandjejnë humbjen e shpejtë të pushtetit, prandaj edhe e përjetojnë këtë fakt në mënyrën më traumatike të mundshme.

Droja që kanë këta elementë në përballje me të vërtetën historike dhe me atë që ka të bëjë me UÇK-në, e shtyri Thaçin të shpifte aq hapur e primitivisht, duke ma veshur mua autorësinë e komunikatave të para të lëshuara nga institucioni përgjegjës – Kryesia e atëherëshme e LPK-së!

Ato komunikata e dokumente të tjera të lëshuara në emër të Shtabit të UÇK-së tashmë janë publikuar në librin “UÇK- dokumente dhe artikuj”, në editim të  Gafurr Elshanit, në Prishtinë, në vitin  2003. Informacionet shtesë lidhur me atë periudhë dhe për këtë çështje na sjell edhe libri i  i Dr. Muhamet Kelmendit: ”Pse nuk u krijua Fronti për Çlirimin e Kosovës”, Tiranë 1999, të cilave unë iu kam referuar në analizat dhe studimet e mia.

Pavarësisht këtij realiteti Thaçi vazhdon me dezinformatat e tij, që kanë për qëllim ta vënë në lajthitje, jo vetëm gjykatën, por edhe opinionin, natyrisht duke përllogaritur paraprakisht shkatërrimin tim.

Akuza ndaj meje është motivuar nga padija dhe urrejtja

Intelektualët në epokën tonë, përveç tjerash, konsiderohen si mbrojtës të drejtësisë; ata i bëjnë ballë pushtetit me kurajë dhe integritet. Shih për këtë, ata konceptohen si kategori shoqërore specifike, madje që nga dita kur shkrimtari i madh francez, Emil Zola, i qe drejtuar me një letër presidentit të Francës, përmes së cilës ai dënonte  akuzat e tij, pra të presidentit , duke i cilësuar si të rreme, e që ishin drejtuar ndaj oficerit të artilerisë, Alfred Dreyfus, si dhe mbulimin më pas të çështjes nga ushtria.

Afera të kësi natyre nuk e nderojnë Republikën tonë. Akuza ndaj meje, që i shëmbëllen asaj të Dreyfus-it, është motivuar nga dy të këqija të veçanta – do të shprehej Chaim Hercog, ish-luftëtarë i lirisë  dhe president i Izraelit: nga padija dhe nga urrejtja. Padija, urrejtja dhe frika, e shndërruar në merimangë krimi, nëse nuk e marrin përgjigjen e merituar dhe të shpejtë, jo vetëm nga inteligjencia jonë, por edhe nga politika, si instrument i shtetit dhe demokracisë, fare lehtë mund ta shndërrojnë Republikën tonë  në shtet të dështuar.

Hashim Thaçi dhe kompania e tij patjetër e kanë të paraqiten si viktimë para opinionit të brendshëm dhe të jashtëm, sidomos tani kur e kaluara e tyre po testohet edhe nëpër gjykata ndërkombëtare (kundër së cilave ishte me këmbëngulje pikërisht VV). Por, Thaçi me kompaninë e tij asnjëherë nuk mund t’ia mveshin fajet e tyre të tjerëve e më së paku mua që asnjë sekondë nuk kam qenë në anën e kundërt të interesave vitale të atdheut dhe popullit tim. Nëse Thaçi mund të perceptohet si kundërshtar politik, kjo në asnjë mënyrë nuk më ngarkon me fajësi imagjinare në stilin e filmave triller ku Thaçi paraqitet viktimë e një komploti të madh që dikush ia paska mësy me likuidu. Thaçi le të paraqitet natë e ditë viktimë, por atij as në të kaluarën, as në ardhmen nuk do ti mungojë asnjë qime floku nga ata që e kundërshtojnë politktikisht. Rrezikuesit e jetës së tij (nëse paska të tillë) Thaçi le ti kërkojë tjetër kund, por jo te unë, jo te VV. As sot, as në të ardhmen. Nëse Thaçi frikësohet se dikush mundet t’ia merr pushtetin me forma demokratike, këtë ai nuk mundet ta përkthejë si tendencë për likuidim fizik, sepse një metodë e tillë është e huaj për edukimin dhe formimin tim intelektual e  njerëzor.
Bëj gjumë të qetë Hashim Thaçi se ti mund të jetosh si qytetar/njeri edhe 100 vjetë, por si politikan, këtë mund ta dijnë votuesit e ardhshëm të Republikës sonë. Këta të fundit ti nuk mund ti dirigjosh (lexo: burgosësh), andaj edhe mund të jenë makthi yt që nuk të lë të qetë.

Më 4 janar 2019  

About admin

x

Check Also

Kurti: Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Në një intervistë me DW, Albin Kurti, kandidati kryesor i Lëvizjes Vetëvendosje! ...