Home / Opinion / “Çfarë më ka thënë Donald Lu për mosndëshkimin e Berishës”

“Çfarë më ka thënë Donald Lu për mosndëshkimin e Berishës”

15 Januar , 2019 “Çfarë më ka thënë Donald Lu për mosndëshkimin e Berishës”

Ish-deputete, ish-ministre e Jashtme dhe me një karrierë të gjatë në radhët e PS-së, Arta Dade i kishte munguar opinionit publik pasi prej shumë kohësh nuk ishte shfaqur në ekran.

Ka qenë “A show” i Adi Krastës dhe ekrani i News24 që e ka rikthyer zonjën Dade për të komentuar zhvillimet politike.

Dade thotë se Gent Cakaj nuk është kandidaturë e Partisë Socialiste, por e oborrit të kryeministrit Edi Rama. Dade ka komentuar lajmet që qarkullojnë se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj aspiron të drejtojë Partinë Socialiste. Ajo tha se nuk ka asgjë të keqe nëse ai aspiron një gjë të tillë, ndërsa shtoi se ai zotëron të gjitha cilësitë për të drejtuar PS-në.

Për ish-ministren e Jashtme politikanët në Shqipëri kanë një pakt për të mos denoncuar njëri-tjetrin për korrupsion. Sipas saj as një dosje për Berishën nuk është dorëzuar në prokurori. Ajo rrëfen një bisedë me Donald Lu për mos ndëshkimin e Berishës…

Më poshtë pjesë nga intervista e znj.Dade

Adi Krasta: Ju gjatë 24 orëve të fundit do keni marrë shumë kërkesa për të qenë në programe televizive.

Arta Dade: Jo vetëm gjatë 24 orëve të fundit, por edhe gjysmën e javës së kaluar, por unë kisha dëshirë të rinisja me emisionin tuaj dhe me ju personalisht për respektin që kam për njohuritë dhe kapacitetet tuaja dhe si gazetar përveç të tjerave.

Kështu që unë rinis pas gati 1 vit e gjysmë që nuk kam dalë në asnjë media.

Si e ndoqët ju ngjarjen me zotin Cakaj?

Sinqerisht, unë nuk e kam njohur atë djalë, m’u desh të shikoja dhe klikoja për CV-në e tij. Madje as nuk e dija që ishte dhe zëvendësministri i Jashtëm. Nuk e dija që ishte dhe kryenegociator për integrimin dhe për mua nuk duhet të jetë. Po të isha në vend të Bushatit nuk do ta pranoja që të ishte kryenegociator për integrimin.

Analiza juaj është vështirësuar për faktin që ai është nga Kosova?

Fakti që është nga Kosova, ishin ekzagjerime. Mua më vjen keq, por përderisa është kaq i mirë, pse nuk ia çojmë Kosovës. Kosova ka nevojë për të tilla potenciale.

Si e vlerësoni ju Ditmir Bushatin?

Si çdo ministër që punon, ka dhe Bushati problemet e veta. Unë nuk do t’ia fal ligjin për shërbimin e jashtëm, i cili ishte një ligj që e ka dëmtuar shërbimin diplomatik. Këtë e kam shprehur edhe në komisionin e jashtëm dhe zoti Bushati duhet ta kishte kundërshtuar Ramën për këtë ligj.

Grupi i Ambasadorëve i sugjeroi kryeministrit të mos e dekretonte Cakajn. Ai e pa me qesëndi këtë qëndrim?

Unë mendoj se deklarata e Këshillit të Ambasadorëve ku bëjnë pjesë të gjithë ish-ministrat e jashtëm, ishte e ekuilibruar. Por s’jemi vetëm, dhe analistë në shtyp kanë të njëjtin mendim.

Ju duket pak i fortë vendimi i kryeministrit për të vendosur veten si ministër i jashtëm?

Në këto kohë kemi pasur një mungesë të vizitave zyrtare të kryeministrit në vende që janë me peshë, kjo është një artificë për t’i shkuar deri në fund idesë së tij. Nuk e kuptoj dot si krijohet gjithë ky konflikt me Presidentin e Republikës. Shikoni në Maqedoni se si e gjejnë gjuhën edhe pse janë kundërshtarë politikë. Dhe ka shumë mundësi që ajo të na e kalojë ne. Kryeministri jonë vetëm hap probleme kohët e fundit. Dhe kjo nuk është një gjë normale.

A mund të ishit ju ministre e jashtme?

Kjo nuk më shkon në mendje. Kryesia është thjesht një fasadë, fasada e kryeministrit për të marrë vendime.

A nuk ka qenë kështu?

Absolutisht jo.

A ka zëra oponentë në PS?

Unë s’kam dëgjuar asnjë zë kundër. Madje ata që kanë folur nuk janë më si puna ime.

Cili është problemi kryesor me partitë sot?

Me mungesën e demokracisë së partive mungon edhe demokracia në vend. Këtu jemi në një situatë që nuk ndëshkohet korrupsioni. Kur isha në Kolonjë më thanë po u bëre ministre, do e lësh mandatin. Unë thashë nuk e lë sepse s’mund t’u kthej shpinën votuesve të mi se u bëra ministre.

Iu kam thënë se mandatin do ta lë vetëm nëse nuk ndëshkohet Sali Berisha. Dhe tani që Erjon Braçe që për tetë vjet kur ishin në opozitë ka tundur dosjet e korrupsionit shpresoj që të denoncojë në prokurori korrupsionin. Por duket se këtu ka një pajtim mes palëve për të mos ndëshkuar asnjë. Lulzim Basha shkoi në bashki me premtimin se do denonconte Ramën dhe më pas Edi Rama shkon në kryeministri me premtimin e ndëshkimit të Berishës dhe asgjë nuk ndodh.

Një herë pyeta ish-ambasadorin amerikan Lu, pse nuk dënohet Sali Berisha? Ai më tha dhe unë po të përgjigjem me pyetjen, sa dosje kanë shkuar në prokurori për Berishën? Dhe këtu duket se kemi një pajtim për të mos denoncuar askënd.

Si i shihni marrëdhëniet mes Ramës dhe Veliajt?

Një nga argumentet që u largova nga kryesia përveç mospërputhjes ishte dhe për t’i hapur rrugë edhe zonjave të reja. Nuk më duket se ka gjë të keqe që Erion Veliaj aspiron për kryeministër. Mendoj se është përfaqësues i një brezi të ri në politikë që është i informuar. Qeverisja në Bashkinë e Tiranë e ka provuar. Mbi të gjitha i ka cilësitë që mund të drejtojë edhe PS. Por e rëndësishme është që në PS të ketë një garë.

A ka dramacitet mes tyre?

Po ta shikoni, Kryeministri asnjëherë nuk ka thënë Erion Veliajn do e kandidojmë. Ndërsa eksponentë të tjerë e kanë thënë. Mendoj se Erioni është i kujdesshëm dhe është mes dy zjarreve. Nga një anë thotë e ka Ramën model dhe në fakt në dy mandatet e para bëri punë. Mendoj se do jetë gafë nëse Rama s’do e vendosë Veliajn kandidat për Bashkinë e Tiranës. Eshtë absurde që kandidaturën ta vendosë vetëm Kryeministri. Mendoj se duhet ta vendosin strukturat.

PS duhet të riorganizohet. Më vjen keq për kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla që tha se Gent Cakaj është kandidaturë e PS dhe prandaj është emëruar për ministër të jashtëm. Ai nuk është kandidaturë e PS, por nga oborri i Ramës. Unë nuk jam në Kuvend prej disa kohësh, por marr pjesë në konferenca. Të heshtësh do të thotë të mos bësh detyrën ndaj vendit. Unë nuk do hesht më!

h.e. / dita ( shkrimin huazuar nga Gazetat dita)

About admin

x

Check Also

VOA lëshon “bombën”: Marrëveshja Serbi-Kosovë është firmosur!

16 Nentor, 2019 Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ish-zyrtari i ...